ARSIMI NË ISLAM DHE SFIDAT BASHKËKOHORE

 

 

Bota islame, sot i ka dy komponente thelbësore: prapambeturinë dhe lidhjen e humbur me amzën glaobale. Bota islame tashmë një kohë të gjatë vuan nga prapambeturia dhe pafuqia komparative. Pa sukses janë provuar zgjidhje të shumta sikur janë nacionalizmi, panarabizmi, socializmi arab dhe revolucioni islam. Kjo solli deri te frustrimet dhe mllefi. Njëkohësisht, bota islame ka humbur hapin me kulturën globale botërore, që është gjendje tejet e pakëndshme për të dyja palët. Muslimanët nuk pajtohen në atë se si do të duhej vepruar në situatën konkrete. Ata nuk pajtohen as në atë se si do të duhej të duket shoqëria e tyre në përfundimin e saj.

Muslimani në botën bashkëkohore, gëzon imazhin më të keq të mundshëm. Në mjetet e sotme globale të komunikimit, muslimani është stereotipizuar si agresiv, destruktiv, i paligj, terrorist, i paqytetëruar, fanatik, fundamentalist, i prapambetur dhe anakronist. Ai është object i përbuzjes dhe i urrejtjes nga ana e jomuslimanëve.

Prandaj, mund të themi se sfidat kryesore të botës së sotme islame janë: në frontin politik, ekonomik dhe fetoro- kulturor.

Në frontin politik sot jemi të përçarë më tepër se çdo popull tjetër. Duke pasur parasysh pasuritë e mëdha që posedojnë këto vise, bota perëndimore ka future përçarje në mes të popullit arab, duke i ndarë në shtete të shumta dhe duke i sjellur buzë luftës me njëri- tjetrin. Çdo qeveri e muslimane, pjesën më të madhe të energjisë e shpenzon në sigurimin e pushtetit Brenda shtetit, si dhe të sovranitetit jashta tij- poir ende s’ka kurrfarë suksesi.

Në frontin ekonomik- secili shtet muslimanë përkundër pasurive të mëdha natyrore bën pjesë në radhën e shteteve të rendit të tretë. Burimet e mëdha të naftës, që Allahu i madhërua iu dha si dhuratë shteteve muslimane pak ka mundur të jenë bekime në duar të tyre. Pjesa më e madhe e investimeve bëhet jashtë shteteve muslimane duke krijuar mundësinë e forcimit gjithnjë e më të madh të shteteve kundërshtare. Kur e kuptojmë se në këto vende ka gjithnjë e më pak jostabilitet politik, atëherë bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm investimi ekonomik.

Por problemi më i madh, padyshim që është zhvillimi fetar dhe kulturor në botën islame. Shekujt e tatëpjetës musliamne shkaktuan që, në mesin e muslimanëve, të përhapen: analfabetizmi, injoranca dhe bestytnitë. Këto të liga shkaktuan që muslimani mediokër të sprapset në harenë e besimit të verbër, të anojë ka literalizmi dhe lagalizmi, ose t’ia dorëzojë shpirtin “shejhut” të vet. Të gjitha këto, në të shkaktuan një sasi jo të vogël të dobësisë.

Kur bota moderne iu imponua muslimanit mediokër, atëherë dobësitë e tij ushtarake, politike dhe ekonomike shkaktuan panik në të. Deri në luftën e Napoleonit kur Egjiptit, muslimanët në luftë kundër perëndimit gjithnjë ishin të bindur se çdo disfatë e shkaktuar ishte vetëm një humbje e betejës, mirëpo nga ky moment duke u mahnitur me potencialin dhe fuqinë e armikut, muslimanët besuan se tani e kanë humbur edhe luftën kundër tyre.

Padyshim se një rol mjaft të rëndësishëm e ka luajtur edhe sistemi arsimor në botën islame.

Sot gjendja e arsimit në botën islame nuk mund të jetë më keq. Sa i përket islamizmit, kurrë më parë shkollat, kolexhet e universitetet, si ato tradicionale ashtu edhe ato sekulare, nuk kanë qenë më të guximshme në përkrahjen e tezave të tyre joislame dhe kurrë më parë nuk e kanë preokupuar vëmendjen e shumicës dërrmuese të rinisë muslimane, sesa që janë duke e bërë sot.

Jemi dëshmitarë të gjithë me cilësinë e kuadrove të cilët arsimohen në shkollat dhe universitet islamike. Këta udhëheqës shpirtërorë më së paku janë të njohur me kërkesat e popullit dhe atë se çfarë i nevojitet atij. Por ekziston edhe shtresa e tjetër e intelektualëve edhe pse të rritur në mesin e këtij populli, është arsimuar dhe edukuar në botën joislame, apo më mirë të themi në sistemet perëndimore të arsimimit. Në bazë të kësaj populli i thjeshtë gjendet në mes dy ekstremeve.

Prandaj ideja e rimëkëmbjes islame, me botëkuptimin e saj mbi aftësitë e Islamit që jo vetëm ta edukojë njeriun por edhe ta rregullojë botën, do të ketë giithnjë armiqë në dy grupe njerëzish: konservatorët dëshirojnë modelet e vjetra, modernistët dëshirojnë modelet e huaja. Të parët Islamin e tërheqin në të kaluarën, të dytët ia përgatisin ardhmërinë e huaj.

Pa marrë parasysh në dallimet mjaft të mëdha reciproke, këto dy kategori njerëzish kanë diç të përbashkët: edhe të parët edhe të dytët në Islam shohin vetëm religjionin, duke e kuptuar këtë shprehje në kuptimin evropian të kësaj fjale. Mungesa e caktuar e prirjes për hollësitë e gjuhës dhe logjikës, kurse më shumë të moskuptuarit e thelbit të Islamit dhe rolit të tij në histori dhe botë, i shpie që dinin islam ta përkthejnë me religjion çka për shkak të një arsyeje të veçant është krejtësisht e gabueshme.

 

Edhe pse paraqet përsëritje dhe konfirmim të të vërtetave fondamentale mbi prejardhjen dhe misionin e njeriut, të hyrët Islamit në një gjë është plotësisht e re: në kërkesën që të bashkohet feja dhe shkenca, morali dhe politika, ideali dhe interesi. Duke i pranuar të ekzistuarit e dy botërave, natyrale dhe të brendshme, Islami mëson se pikërisht njeriu paraqet kalim të humnerës ndërmiet këtyre dy botërave. Jashtë këtij uniteti religjioni fillon të tërheq në prapambeturi (refuzimi i çdo jete vepruese), kurse shkenca në ateizëm.

Duke u nisur nga qëndrimi se Islami është vetëm religion, konservatorët vijnë në përfundim se Islami nuk duhet, kurse progresistët se Islami nuk mundet ta rregullojë botën e jashtme. Rezultati praktik është i njëjtë.

Bartësi kryesor, ndonëse jo edhe i vetmi, i botëkuptimit konservativ në botën muslimane sot është klasa e hoxhëve dhe shejhëve, të cilët përkundër qëndrimeve të qarta mbi mosekzistimin e klerit (priftërisë) në Islam, janë organizuar si klasë e veçant, i cili për vete e ka monopolizuar të komentuarit e Islamit dhe është vënë si ndërmjetësues ndërmjet Kur'anit dhe njerëzve. Si priftërinj ata janë teologë, si teologë ata janë pashmangshëm dogmatikë dhe, pasi që feja përgjithmonë edhe është komentuar, dhe më së miri është të lihet tërësisht si është dhënë dhe definuar dhe para njëmijë e më shumë viteve. Sipas kësaj logjike të pashmangshme të dogmatikëve, teologët bëhen armiqë të rreptë kundër çdo gjëje të re. Ndërtimi i mëtejshëm i sheriatit si ligj në kuptim të aplikimit të parimeve të Kur'anit për situatat gjithnjë e më të reja të cilat i sjell zhvillimi i botës barazohet në atakun në integritetin e fesë. Mbase në këtë ka edhe dashuri patologjike e njerëzve shpirtngusht dhe të prapambetur, përqafimi i vdekjes i së cilit pothuaj e ka asfiksuar mendimin edhe më të gjallë islam.

Do të ishte ndërkaq gabim të mendohet që në duart e teologëve Islami ka mbetur liber i mbyllur. Gjithnjë çdo herë e më shumë e mbyllur ndaj shkencës dhe gjithnjë çdo herë e më shumë e hapur ndaj mistikës, teologiia ka lejuar që në këtë libër të regjistrohen gjëra irracionale, për mësimin islam plotësisht të huaja e madje edhe bestytni të qarta. Kush e njeh natyrën e teologjisë do t'i bëhet e qartë pse ajo nuk ka mund t'i kundërvihet sprovës së mitologjisë dhe përse madje në këtë ka shikuar në të pasuruarit e caktuar të mendimit fetar. Monoteizmi i Kur'anit, më i pastërti dhe më i përkryeri në historinë e mësimeve fetare, ka qenë shkallërisht i komprometuar, kurse në praktikë është paraqitur tregtia neveritëse me fenë. Ata të cilët veten e kanë quajtur komentues dhe mbrojtës të fesë, nga ajo kanë bërë profesion, përndryshe mjaft i këndshëm dhe i leverdishëm, dhe pa shumë brejtje të ndërgjegjes kanë pranuar gjendjen në të cilën porositë e saj fare nuk janë aplikuar.

Teologët kështu janë bërë njerëz të gabueshëm në vendin e gabueshëm. Edhe tash kur bota muslimane po tregon të gjitha shenjat e zgjimit, kjo shtresë po bëhet shprehje e çdo gjëje të kobshme dhe sklerotike në atë botë. Ajo është treguar plotësisht e paaftë ta hedhë çfarëdo hapi konstruktiv që bota islame të ballafaqohet me vështirësitë të cilat po e shtrëngojnë.

Sa u përket ta ashtuquajturëve progresistëve, perëndimorëve, modernistëve dhe si më nuk quhen, ata kudo në botën muslimane paraqesin mjerim të vërtetë, sepse janë mjaft të numërt dhe me ndikim, sidomos në pushtet, arsim dhe jetën publike përgjithësisht. Duke shikuar Islamin te hoxhët dhe konservatorët dhe duke i bindur të tjerët në këtë, modernistët frontalisht ngriten kundër çdo gjëje çka e prezenton këtë mendim. Këta reformatorë të vetëthirrur në vendet e sotme muslimane do t'i njihni sipas asaj që rëndom mburren me atë prej së cilës do të duhej të turpëroheshin dhe turpërohen prej asaj me të cilën do të duhej të mburreshin. Në rastet e shumta këta janë "bijtë e babajve", të cilët shkollohen në Evropë dhe nga aty kthehen me ndjenjën e inferioritetit të thellë ndaj Perëndimit të pasur dhe superioritetit të veçant ndaj mjedisit të varfër e të prapambetur nga i cili kanë lindur. Pa edukatë islame dhe pa lidhjen shpirtërore dhe morale me popullin, ata shpejt i humbin kriteret elementare, dhe imagjinonin se me rrënimin e botëkuptimeve, traditave dhe bindjeve të vendit, kurse me futjen e të huajave, në këtë vend gjatë natës do ta krijojnë Amerikën, së cilës përndryshe për së tepërmi i admirohen. Në vend të standardit ata sjellin kultin e standardit, në vend të zhvillimit të mundësive të asaj bote, ata i zhvillojnë dëshirat dhe kështu ia hapin rrugën korrupcionit, primitivizmit dhe kaosit moral. Atyre s'u është e qartë që fuqia e botës perëndimore nuk është në atë si jeton ai, por në atë si e punon ai, që ajo fuqi nuk është në modë, jobesim, klubet e natës, brezin e ri të shkapërderdhur, por në aktivitetin, zellshmërinë, diturinë dhe përgjegjësinë e jashtëzakonshme të njerëzve të tij.

Nuk është, pra, fatkeqësia kryesore në atë që perëndiinorët tonë i kanë shfrytëzuar moduset e huaja, por në atë që nuk kanë ditur t'i shfrytëzojnë ose - thënë më mirë - që gjatë kësaj nuk e kanë zhvilluar sa duhet ndjenjën e fuqishme për atë çka vlenë. Ata nuk e kanë marrë prodhimin e dobishëm, por mosproduktin e dëmshëm, asfiksues të një procesi të civilizimit. 

Prandaj, gjithnjë derisa muslimanët shikojnë në civilizmin perëndimor si fuqi të vetme e cila do të mund të regjeneronte shoqërinë e tyre vetiake të amulluar, ata e rrënojnë vetëbesimin e tyre dhe tërthorazi e përkrahin pohimin perëndimor se islami është ''fuqi e harxhuar''.

Islami dhe civilizimi perëndimor, duke qenë se janë të ngritur në koncepcione diametralisht të kundërta të jetës, nuk janë kompatibil në shpirt. Kur është ashtu, atëherë, si do të mund të presim, që arsimimi i rinisë muslimane sipas modeleve perëndimore, arsimimi i bazuar plotësishtë në përvojat kulturore perëndimore ka mundur të mbetet i lirë nga ndikimet antiislame?

Kjo nuk është e arsyeshme të pritet. Përveç në raste të rralla, ku shpirti jashtëzakonisht briliant, mund të triumfojë mbi çështjet arsimore, arsimi perëndimor i rinisë muslimane pashmangshëm e minon vullnetin e saj që të besoj në porosinë e Pejgamberit a.s., dëshirën e saj që të konsidrohet përfaqësues i civilizimit fetarisht të motivuar islam. Nuk mund të ketë kurrëfarë dyshimi se besimi religjioz shpejt e humb pozitën në mesin e ''intelegjencës'' sonë, e cila iu ka adaptuar vlerave perëndimore. Natyrisht, kjo nuk implicon se islami e ka ruajtur integritetin e vet si religjion praktik në mesin e shtresave të paarsimuara të shoqërisë; por gjithmonë, atje përgjithësisht gjejmë përgjigjje shumë më të madhe sentimentale, thirrjes islame - në mënyrë primitive siç e kuptojnë ata - sesa në mesin e ''intelegjencës'' më tepër të perëndimizuar. Shpjegimi i këtij tjetërsimi nuk është në atë, se shkenca perëndimore, me të cilën janë ushqyer iu ka ofruar çfarëdo argumenti të arsyeshëm kundër të vërtetës së mësimeve tona fetare, por në atë, se atmosfera intelektuale e shoqërisë bashkëkohëse perëndimore është aq fort antireligjioze, sa që ajo vëhet si barrë e rëndë në mundësitë e brendshme religjioze të gjeneratës së re muslimane. Të besuarit dhe të mosbesuarit religjioz, shumë rrallë është vetëm çështje e argumenteve. Në disa raste njëra apo tjetra predominon mbi intuitën, apo të themi, mbi mendjeprehtësinë; por ajo më së shumti i njoftohet njeriut përmes rrethit të tij kulturor.

Të përfytyrojmë në ndonjë fëmijë, i cili sistematikish edukohet nga ditët më të hershme duke dëgjuar tonet muzikore të ekzekutuara përkryer. Veshi i tij mësohet që ta dalloj tonin, ritmin e harmonisë; në jetën e tij të mëvonshme, ai do të jetë në gjendje, nëse jo të prodhoj apo të ekzekutoj, bile ta kuptojë muzikën më të rëndë. Por fëmiu, i cili gjatë tërë jetës së tij të hershme, kurrë nuk ka dëgjuar diç të ngjashme muzikës, më vonë vështirë do t'i vlerson madje edhe elementet e saja. I njejtë është rasti me asociacionet religjioze. Sikur që ka persona, të cilëve natyra plotësisht iu ka lënë mangu ''veshin'' për muzikë, ngjashëm - ndoshta por jo me siguri - ka persona, të cilët janë plotësisht ''të shurdhët'' për zërin e fesë. Por, për pjesën më të madhe të qenieve normale njerzore, alternativa ndërmjet besimeve religjioze e mosbesimit vendoset në atmosferën, në të cilën edukohet. Prandaj Pejgamberi a.s. ka thënë: ''Çdo fëmijë lind në pastërtinë burimore, kurse prindërit e tij bëjnë nga ai ''Qifut'', ''Krishter'', apo ''Zaratuistë''. (Sahihul - Buhari)8

Shprehja ''prindërit'', e përdorur në hadithin e sipërm, logjikisht mund të zgjerohet në rrethin më të përgjithshëm, jetën familiare, shkollën, shoqërinë etj., me të cilin është i përcaktuar zhvillimi i hershëm i fëmiut. Nuk mund të mohohet se në gjendjen e tanishme të dekadencës, atmosfera fetare në shumë shtëpi muslimane është e tipit aq të ulët dhe intelektualisht të degraduar, sa që tek rinia në rritje mund të shkaktoj nxitjen e parë që t'ia kthejnë shpinën fesë. Kjo mund të jetë kështu, por në rast të arsimimit të muslimanëve të rinj sipas shembujve perëndimor, efekti jo vetëm se mund të jetë, por me siguri do të jetë qëndrim antireligjioz në jetën e mëvonshme.

Me një fjalë këta ishin armiqtë e brendshëm të cilët pengojnë zhvillimin e duhur të botës islame. Mirëpo, ndër faktorët e jashtëm, është padyshim, kërkesat gjithnjë në rritje të SHBA- ve për reformimin e sistemit arsimor në botë islame. Refomim në emër të globalizmit dhe frymës së re liberale. Globalizmi është emërtim i ri, për imprealizmin e vjetër. Imprealizmi i vjetër i ka ndërruar vetëm rrobat dhe pak është zhvendosur. Në pyetje është vetëndërrimi i emrit, por jo edhe i përmbajtjes.

Imprealizmi tani kërkon të pushtojë botën në emër të globalizmit. Globalizmi në bazë është amerikanizëm. Ata me një fjalë dëshirojnë amerikanizmin, dëshirojnë që e gjithë bota të hyjë në pushtet të këtij gjiganti, i cili udhëheq me një pjesë të mirë të botës.

Në shek. XVIII në Amerikë ishte shpallur doktrina Monro e cila thoshte “Amerika amerikanëve”, për të përligjur hegjomoninë e saj në vitet që do të pasojnë, ndërsa sot me pak fjalë do të shprehej, se reformat e tilla në emër të globalizmit kanë për qëllim shkatërrimin e Islamit dhe ndjenjës islame në pjesën e botës ku jetojnë muslimanët.

Kjo është sfidë e re për botën islame. Në emër të reformimit të sistemit arsimor ata kanë për qëllim largimin e muslimanëve nga feja e tyre e lartë dhe e pasur. Qëllimi i reformimit të këtij sistemi, sipas tyre, është që të pengojë prodhimin e terroristëve të tipit të Bin Ladenit dhe të ngjajshmëve me të. Thuajse ata harrojnë, apo mbase nuk dëshirojnë të dinë, se “terroristë të tillë ka edhe në botën e krishterë. Ekzistojnë me qindra organizata të tilla të cilat luftojnë për çlirimin e tyre kombëtar, por askush deri më tani nuk i ka quajtur me emrin terroristë të krishterë. Apo me një fjalë nuk kërkoi që të bëhen reforma në sistemet e tyre arsimore. Shteti më i madh terrorist në botë Izraeli mështetet kryekëput në librin e tyre të shenjtë Talmudin- dhe në emër të tij i bën krimet më të mëdha kundër njerëzimit, dhe askush nuk e merr kurajën dhe të kërkojë nga Izraeli të reformojë sistemin e tyre arsimor, bile edhe shtetëror.

Këto janë standardet e dyfishta që luhen në kuzhinat e shteteve perëndimore, kundër botës islame.

Prandaj hatibi i Qabes Saud esh- Shurejm pohon: “Muslimanët në kohën e fundit më së shumti e pësojnë dhe vuajnë. Vendin dhe tokën e tyre e udhëheqin të dobëtit. Ndërsa ne sillemi në mënyrën më të mirë me ata. Kjo sjell si rezultat shkatërrim dhe përulje. Na mësojnë se e vërtea është gënjeshtër, ndërsa gënjeshtra është e vërtetë.”

Më tej vazhdon duke e cekur ajetin e Kur’anit famëlartë: “Prej nga kjo”  , ndërsa Allahu iu përgjigjet : “Kjo është nga vetë ju”

Me jë fjalë, gjendja në të cilën gjendemi është rezultat e veprave dhe punëve tona.

Këtu vëhet pyetje e madhe: çfarë duhet të jetë qëndrimi i jonë ndaj arsimimit bashkëkohor?

Protesti kundër arsimimit perëndimor të muslimanit, asesi nuk don të thotë se islami si i tillë është kundërshtar i arsimit. Ky pohim i kundërshtarëve tonë nuk ka bazë as teologjike, e as historike. Kur'ani është plot nxitje në mësime:

 

''Që të bëheni më të mençur'', ''që të mund të mendoni'', ''që të mund të dini''!

 

Në fillim të librit të shenjtë është thënë:

 

"Dhe ia mësoi Ademit të gjithë emrat" (kaptina 2:31)

 

si dhe ajetet në vazhdim, tregojnë se njeriu për shkak të diturisë së dhënë nga Zoti për ata "emra", në njëfarë kuptimi, madje ia kalon melekëve. "Emrat" janë shprehje simbolike për aftësinë e të definuarit të nocioneve, aftësinë e të menduarit të artikuluar, e cila është karakteristikë e qenies njerëzore dhe e cila i mundëson, sipas fjalëve të Kur'anit, të jetë mëkëmbës i Zotit në tokë. E që të menduarit e vet ta bënë të sistematizuar, njeriu duhet të mësojë, prandaj Pejgamberi a.s. ka thënë: "Të kërkuarit e diturisë është obligim i shenjtë (fard) i çdo muslimani dhe çdo muslimaneje" (Ibni Maxhe). Dhe: "Çdo njeri, i cili është në rrugën e kërkimit të diturisë, Zoti do t'ia lehtëson rrugën për në Xhennet" (Sahihul-Muslim).Dhe: "Përparësia e njeriut të ditur ndaj atij që nuk ka dituri, është sikur përparsia e hënës së plotë ndaj të gjithë yjeve tjerë". (Ahmed ibn Hanbel, Tirmidhiu, Ebu Davudi, Ibni Maxhe, Ed-Darimi).

Por, madje nuk është as e nevojshme të përmenden ajetet e Kur'anit apo thënje e Pejgamberit në mbrojtjen e qëndrimit islam ndaj arsimimit. Historia pa kurrfarë mundësie të dyshimit dëshmon se asnjë religjion kurrë nuk i ka dhënë nxitje përparimit shkencor të krahasueshëm me nxitjen, të cilën i ka dhënë islami. Inkurajimi, të cilin arsimimi dhe hulumtimi shkencorë ka marrë nga feja islame, ka rezultuar me arritjet e shkëlqyera kulturore në kohën e Emevitëve dhe Abasitëve, gjatë sundimit arab në Sicili e në Spanjë. Këtë nuk e përmenda, që të mund të lavdërohemi me ato përkujtime të famshme nga kohët, kur bota islame e ka braktisur traditën e vet përsonale dhe u shndërrua në verbëri shpirtërore e varfëri intelektuale. Në mjerimin tonë të tanishëm nuk kemi të drejtë të lavdërohemi me famën e dikurshme. Por, ne duhet të kuptojmë se neglizhenca e muslimanëve, e jo ndonjë e metë e mësimit islam, e ka shkaktuar dekadencën tonë të tanishme.

Islami kurrë nuk ka qenë pengesë e progresit dhe shkencës. Ai i çmon aktivitetet intelektuale të njeriut gjer në atë shkallë sa që e vë mbi melaike. Asnjë religjion tjetër, kurrë nuk ka shkuar aq larg në konfirmimin e dominimit të mendjes dhe sipas kësaj, mësimit, mbi të gjitha manifestimet tjera të jetës njerëzore. Poqëse orientohemi sipas parimeve të kësaj feje, nuk mund as të mendojmë në eliminimin e arsimit bashkëkohës nga jeta jonë. Ne duhet ta kemi vullnetin për arsimim e përparim, që të bëhemi shkenctarisht e ekonomikisht të frytshëm, siç janë popujt perëndimor. Por muslimanët nuk guxojnë të dëshirojnë, që të shikojnë me sy perëndimor, të mendojnë me modelet perëndimore të ideve; ata nuk guxojnë të lakmojnë, nëse duan të mbesin muslimanë, ta zëvendsojnë civilizimin shpirtëror të islamit, me eksperimentimin materialist të perëndimit, qoftë kapitalist, qoftë marksist.

Dituria, vetvetiu nuk është as perëndimore as lindore; ajo është universale, mu siç janë universale faktet natyrore. Por këndi, nën të cilin faktet mund të vështrohen e të prezentohen ndryshojnë me natyrën kulturore të popujve.Biologjia si e tillë, apo fizika e botanika, nuk janë as materialiste, as shpirtërore sipas qëllimit dhe kuptimit të vet; ato merren me të vëzhguarit, mbledhjen dhe definimin e fakteve dhe nxjerrjen e rregullave të përgjithshme nga to. Por konkluzionet abstrakte, filozofike, të cilat i nxjerrim nga këto shkenca, dmth. filozofisë së shkencës, nuk bazohen vetëm në fakte e vëzhgime, por në masë të madhe janë nën ndikimin e qëndrimeve tona natyrore e intuitive, më parë ekzistuese ndaj jetës e problemeve të saj.

Filozofi i madh gjerman, ka thënë: "Në vështrim të parë duket e çuditëshme, por jo më pak e vërtetë se mendja jonë nuk i nxjerr konkluzionet nga natyra, por ia përshkruan asaj." Shkurtazi, këtu është në pyetje vetëm këndi subjektiv i të vëzhguarit, ngase ai qenjësisht mund të ndikoj në shpjegimin e fenomeneve të ndryshme, të cilat i studiojmë. Prandaj, shkenca e cila vetvetiu nuk është as materialiste as shpirtërore, mund të na shpie deri te shpjegimet e gjëra divergjente të Gjithësisë; dmth. shpjegimet, të cilat mund të jenë spirutale apo materialiste, në harmoni me predispozicionin tonë dhe sipas kësaj, në këndvështrimin tonë. Perëndimi, pa marrë parasysh në intelektualizmin e tij të rafinuar lartë, është materialist i paradisponuar dhe prandaj, antireligjioz në koncepcionet e veta dhe supozimet parimore; i tillë, patjetër duhet të jetë edhe sistemi perëndimor i arsimit si tërësi. Me fjalë tjera, të studiuarit e shkencave bashkëkohëse empirike nuk është ajo që do të mund të jetë e dëmshme për realitetin kulturor të islamit, por shpirti i civilizimit perëndimor, përmes të cilit muslimanët i afrohen atyre shkencave.

Vërtetë është për keqardhje që indifentizmi dhe neglizhenca janë shumëvjeqare, përsa i përket hulumtimeve shkencore na ka bërë plotësisht të varur prej burimeve perëndimore të mësimit. Po ta kishim pasuar përherë atë parim të islamit, i cili imponon obligimin e të mësuarit dhe të diturisë, çdo muslimani e muslimaneje, sot nuk do të detyroheshim të shkojmë kah perëndimi për arritjen e shkencave bashkëkohëse, ngjashëm njeriut i cili në shkretërirë duke vdekur nga etja shikon kah fatamorgana në horizont. Por, pasiqë muslimanët kaq kohë të gjatë i kanë lënë pas dore mundësitë e veta personale, ata kanë rënë në padituri e varfëri, derisa Evropa ka bërë hap të madh përpara. Do të duhet kohë e gjatë që të tejkalohet ajo distancë. Gjer atëherë, natyrisht, do të jemi të detyruar t'i pranojmë njohurit dhe përmes mediumeve të perëndimit të jemi falënderues për atë.Por kjo do të thotë se jemi të obliguar që ta pranojmë vetëm materien dhe metodën shkencore, por asgjë më tepër. Me fjalë tjera, nuk guxojmë të ngurrojmë në të afruarit studimit të shkencave ekzakte në suazat perëndimore, por nuk guxojmë t'i lejojmë filozofisë së tyre çfardo roli në arsimimin e rinisë muslimane.

Natyrisht, mund të thuhet se tani shumë shkenca ekzakte, p.sh. fizika nukleare, kanë shkuar jasht hulumtimeve thjesht empirike dhe kanë hyrë në fushat filozofike; dhe se në të shumtën e rasteve është jashtzakonisht vështirë për të tërhequr ndonjë vijë të qartë ndërmjet shkencës empirike e filozofisë spekulative. Kjo është e vërtetë. Por, nga ana tjetër, kjo është pikërisht pika ku kultura islame do të duhej të dëshmohet. Kur njëherë t'i arrijnë ato vija kufizuese të hulumtimit, obligim i dijetarëve muslimanë do të jetë, që t'i përdorin aftësitë e veta përsonale të të menduarit spekulativ, pavarsisht nga teoritë filozofike perëndimore. Nga qëndrimi i vet personal -islam -ata me siguri do të vijnë gjer të përfundimet, të ndryshme nga ato gjer te të cilat kanë ardhur shumica e shkencëtarve bashkëkohës perëndimor.

Por, çkado që ardhmëria të sjellë, padyshim se është e mundshme, madje edhe sot, të studiohet e të mësohet dituria pa të nënshtruarit robërisht qëndrimeve intelektuale të Perëndimit. Ajo, çka botës islame sot urgjentisht i duhet, nuk është pikëpamja e re filozofike, por vetëm arsimimi bashkëkohor, shkencor e teknik dhe aparati mental.

 

Ç’duhet bërë?

 

Pyetjet e këtilla parashtrohen në kohën kur shoqëria gjendet në procesin i kalimit nga një gjendje në tjetër. Ndërgjegjja e shoqërisë lejon që të ndërmerren hapa të caktuar, të cilët do ta lironin shoqërinë nga efektet dominuese të rendit ekzistues shoqëror dhe nga status quoja e jetës aktuale fetare dhe intelektuale të anëtarëve të saj, dhe këtë rend ta zëvendësojë me një rend të ri. Së këndejmi, pyetja se nga të fillohet, paraqet çështje të strategjisë sociale e jo të ideologjisë.

Për fat të keq, nën ndikimin e kulturës moderne dhe të sistemit edukativ-arsimor, të rinjtë tanë janë edukuar dhe stërvitur brenda fortesave të fortifikuara dhe të patundura. Pasi që një herë të kenë hyrë në shoqëri, ata vihen nën okupim të caktuar dhe pozita shoqërore, të cilat në tërësi janë të izoluara nga masat e gjera. Në të vërtetë, inteligjencia e re jeton dhe vepron krah për krahu me njerëzit tjerë, por e mbyllur dhe e kufizuar në një kafaz të artë të qarqeve ekskluzive. Si pasojë e kësaj, inteligjencia e kalon jetën brenda një kulle të fildishtë, pa patur kurrfarë mirëkuptimi për shoqërinë e vet. Nga ana tjetër, masat e paarsimuara janë të privuara nga dituria dhe këtë ua bëjnë ata intelektualë, për të cilët masat e gjera kanë investuar dhe u kanë ndihmuar në ngritjen e tyre.

Përgjegjësia më e madhe e atyre që dëshirojnë ta rindërtojnë shoqërinë e vet dhe t’i bashkojnë elementet kundërthënëse të shoqërisë në një harmoni të plotë, është zbutja e dallimit të madh midis dy poleve - polit të teorisë dhe atij të praktikës, - si dhe mbushja e humnerës së thellë të tjetërsimit e cila gjendet ndërmjet masave të gjera dhe intelektualëve. Për cilindo dijetar me përgjegjësi, që dëshiron të arrijë diçka pa marrë parasysh bindjet ideologjike, detyra parësore është ndërtimi i një ure midis ujdhesës së bukur, të vlefshme dhe misterioze (në mendjen e masave) të intelektualëve nga njëra anë dhe tokës së masave nga ana tjetër; një urë nëpërmjet së cilës masat dhe intelektualët do të mund të bashkëvepronin. Pa marrë parasysh përgjigjen time në pyetjen se “Nga t’ia fillojmë?” dhe pa marrë parasysh miratimin tuaj të përgjigjes sime, ne patjetër duhet ta pranojmë dhe të pajtohemi me këtë parim themelor: hapi i parë është që së pari të ndërtojmë një urë të këtillë.

Përgjigje të qartë në pyetjen “Nga t’ia fillojmë?” paraqet mirë-kuptimi ndërmjet një pjese të opinionit dhe personit që e parashtron pyetjen e atillë - ndërkaq përgjigjet në pyetjet “Kush duhet t’ia fillojë?” dhe “Për çfarë qëllimi?” dalin vetvetiu. Shihet qartë se pyetjen ku duhet filluar e bëjnë ata të cilët kanë ndjenjë përgjegjësie përballë kohës dhe shoqërisë, dhe që dëshirojnë të bëjnë diçka në këtë drejtim. Pa dyshim, ata janë shpirtra të ndritur, sepse vetëm individët e këtillë ndiejnë përgjegjësinë shoqërore dhe kanë sens për misionin e tyre në shoqëri.. Ai që nuk është i ndritur, nuk mban kurrfarë përgjegjësie për asnjërën prej tyre.

Kush është dijetari i ndritur! Me një fjalë, ai është një person i vetëdijshëm për “rrethanat njerëzore” të kohës së vet dhe për kushtet historike dhe sociale, të cilit syçeltësia dhe koshienca e vet ia jep ndienjën e përgjegjësisë shoqërore. Nëse ndodh që ai të jetë i arsimuar, atëherë nuk do të jetë. Por kjo nuk është një rregull e përgjithshme, sepse disa herë edhe individët e paarsimuar mund të luajnë ndonjë rol të rëndësishëm në shoqëri.

Studimet e shoqërive të cilat nga një pozitë e shtypur koloniale kanë kaluar në një gjendje progresive, të ngritur dhe dinamike, flasin se liderët e tyre dhe ata që u kanë prirë revolucioneve dhe lëvizjeve shkencore dhe sociale, të shumtën e rasteve nuk kanë qenë intelektualë. Ky parim që ka përjashtime të rralla, shumë lehtë është dëshmuar gjatë lëvizjeve sociale në Afrikë, në Amerikën Latine dhe në Azi. Lehtë mund të konkludohet se liderët e revolucionit rrallëherë kanë qenë pjesëtarë të klasave të arsimuara.

Në kohën e sotme, kur njeriu ka arritur pikën e fundit në evolu-imin e shoqërisë së tij, dhe kur vendet e pazhvilluara po ballafa-qohen me një sërë vështirësish dhe të meta, dijetar i ndritur është ai i cili mund ta gjenerojë përgjegjësinë dhe syçeltësinë, ndërsa masave të gjera t’ua japë orientimin social dhe intelektual.

Pra, shihet qartë se dijetari i ndritur është ai që i pari duhet të fillojë. Tani duhet t’i rikthehemi pyetjes se “me ç’qëllim!” Kjo pyetje meriton shtjellim të pavarur. Unë këtu do ta trajtoj vetëm një interpretim të saj, kurse lexuesve që kanë njohuri për temat e ngjashme, do t’ua lë që të gjykojnë vetë.

Ndonëse nuk është i dërguar, dijetari i ndritur duhet të luajë rolin e të dërguarit për shoqërinë e vet. Ai duhet ta predikojë thirrjen për vetëdijësim, liri dhe shpëtim në veshët e të shurdhërve, duhet ta ndezë zjarrin e besimit të ri në zemrat e tyre dhe shoqërisë së tyre të prapa-mbetur duhet t’ia tregojë kahet sociale të saj. Kjo nuk është punë për shkencëtarë, sepse ata kanë përgjegjësi të kufizuar: ta kuptojnë status quon si dhe t’i zbulojnë dhe t’i përdorin forcat natyrore dhe njerëzore për përmirësimin e jetës materiale të njerëzve. Shkencëtarët, teknikët dhe artistët u ofrojnë ndihma popujve të tyre apo racës njerëzore, vetëm me qëllim që t’i ndihmojnë shumicës ashtu që ajo të jetë edhe më e mirë në “ate që është”. Nga ana tjetër, dijetarët e ndritur e mësojnë shoqërinë e tyre se si të “ndryshojë” dhe në ç’drejtim ta bëjë atë. Ata e ushqejnë misionin e “të qenurit” dhe e shtrojnë rrugën duke u përgjigjur në pyetjen se “Ç’duhet të bëhemi?”

Shkencëtari i justifikon, i shpjegon dhe i krijon kushtet për saji-min e mundësive për një jetë më të begatshme, të rehatashme, të qëndrueshme dhe më të qetë. Në të shumtën e rasteve ai i zbulon “faktet”, kurse dijetari i ndritur e identifikon “të vërtetën”. Shkencëtari prodhon dritë e cila mund të përdoret për qëllime të drejta ose të gabuara; dijetari i ndritur ngjashëm me “udhëheqjen fisnore” (râ’id) dhe si një pararojë e karvanit të njerëzimit, na e tregon rrugën e drejtë, na fton që t’ia nisim lëvizjes dhe na prin drejt cakut tonë përfundimtar. Meqë shkenca është fuqi dhe dritë e diturisë, shkencëtarët kohë pas kohe u shërbejnë edhe interesave të të shtypurve dhe injorantëve; ndërsa dijetari i ndritur, sipas rregullës dhe definicionit, u kundërvihet tiranisë dhe errësirës.

Fjala hikme (urtësi), e cila është përdorur në Kur’an dhe prakti-kohet në Kulturën islame, e ka kuptimin e njëjtë me atë që ia kemi veshur diturisë së ndritur. Madje edhe kur diskutohet për diturinë, ajo nuk u referohet mësimeve teknike, shkencore ose atyre filozofike. Ajo nuk do të thotë as “dituri fetare” (për disi-plinat që i mësojnë studentët e teologjisë, d.m.th. jurisprudencën, traditën, jetën e Të Dërguarit, interpretimin e Kur’anit, etikën, teologjinë etj), e as “dituri të përkohshme” (këtu bëhet fjalë për disiplinat që i mësojnë studentët e shkencave shoqërore ose natyrore, d.m.th. fizikën, mjekësinë, sociologjinë, letërsinë, psikologjinë, historinë etj.). Këto janë përmbledhje të informatave të specializuara dhe të njohurive kulturore, të cilat në sistemet e posaçme arsimore mësohen sikurse të veçanta. Përderisa dituritë fetare dhe shekullare mund ta ndihmojnë vetëdijësimin e dijetarëve të ndritur (agahi-e-rushan fekri) dhe mund të shërbejnë si mjete të vlefshme në dobi të dijetarëve të ndritur, ato nuk përfundojnë vetëm në “dritën” e dëshiruar apo në syçeltësinë. Ky lloj i diturisë (‘ilm) që është theksuar në Islam paraqet vetëdijësim unik të njeriut, një dritë hyjnore dhe burim të vetëdijes së ndërgjegjes shoqërore. Tradita e famshme thotë: “Dituria është një dritë të cilën Zoti e lëshon në zemrat e atyre që dëshiron Ai”. Ky është ai zgjimi, iluminimi, udhëheqja dhe dituria që gjenerojnë përgjegjësi, të cilën ne e quajmë “drita hyjnore”, e jo mësimet e fizikës, të kimisë, të letërsisë, të jurisprudencës, etj. Ato të parat lindin besim dhe përgjegjësi të llojit të Ebu Dherrit të paedukuar, gjëra të cilat nuk i patën Ibën Sina (Avicena) dhe Mulla Sadra. Këtu qëndron arsyeja se disa herë, personat e paarsimuar e trazojnë drejt objektivave të caktuar, kurse shkencëtarët e panumërt nuk e ndërmarrin as hapin më të vogël për të nxitur ndryshime, vetëdijësim dhe formimin e idealit të përbashkët, besimin e ri dhe dashurinë në ndërgjegjen e shoqërisë së tyre. Përkundrazi, duke e përdorur fuqinë e tyre shkencore, shkencëtarët veprojnë si forca që e pengojnë progresin e shoqërive të tyre kombëtare dhe të njerëzimit në tërësi. Prandaj, qëllimi i dijetarëve të ndritur është që ta pajisin.

        T’i nxjerrin dhe rafinojnë burimet enorme të shoqërisë sonë dhe t’i konvertojnë agjentët degjenerues në energji dhe lëvizje të dobishme;

        T’i transformojnë konfliktet ekzistuese klasore dhe sociale në një vetëdije për përgjegjësi ndaj shoqërisë, dhe këtë ta bëjnë me përdorimin e aftësive dhe fuqive artistike letrare dhe oratorike, si dhe të mundësive tjera që i kanë në dorë;

        Të ndërtojnë një urë të qëndrueshme ndërmjet “ujdhesës së mendimtarit të lirë” dhe “bregut të masave”, dhe këtë ta bëjnë me vendosjen e lidhjeve miqësore dhe mirëkuptimit ndërmjet tyre, e gjatë kësaj ta përdorin edhe fenë e cila do ta ringjallë dhe gjenerojë lëvizjen që do të jetë në shërbim të njerëzve:

        Arma e fesë të bëhet e paarritshme për ata të cilët pa meritë janë armatosur me atë dhe synimi i të cilëve është shfrytëzimi i fesë për shkaqe personale, kështu që të përfitohet energjia e nevojshme për motivimin e njerëzve;

        Të inicojnë renesansën fetare nëpërmjet së cilës, duke u kthyer nga feja e jetës dhe e lëvizjes, e fuqisë dhe e drejtësisë, nga njëra anë t’i bëjnë të paaftë agjentët reaksionarë të sho-qërisë dhe nga ana tjetër t’i mbrojnë njerëzit nga ato elemente që i përdorin për t’i dehur ata. Me shkaktimin e një renesanse të këtillë, këto elemente të deritashme dehëse do të përdoren për rivitalizim, rritje të syçeltësisë dhe luftim të besëtytnisë. Përveç kësaj, kthimi dhe mbështetja në kulturën burimore të shoqërisë do të mundësojë ringjalljen dhe rilindjen e pavarësisë kulturore në sytë e sulmeve kulturore të Perëndimit.

        Dhe më në fund, ta eliminojnë frymën e imitimit dhe të bindjes e cila e ka vulosur religjionin popullor, dhe ta zëvendësojnë atë me një frymë kritike revolucionare dhe agresive të mendimit të pavarur (ixhtihad). Të gjitha këto mund të shoqërohen me një lëvizje reformiste fetare e cila do ta nxjerrë dhe rafinojë akumulimin e madh të energjisë në shoqëri, do ta ndriçojë epokën dhe do ta zgjojë gjeneratën e sotme. Pikërisht për këtë, unë si një mësues i ndërgjegjshëm i cili është ngritur nga thellësia e dhembjeve dhe e përvojës së popullit dhe historisë së tij, shpresoj se mendimtari i lirë do të arrijë një zgjim përparimtar të vetëdijes. Sepse, përderisa masave tona u nevojitet vetëzgjimi i tyre, intelektualëve dhe mendimtarëve tanë të lirë do t’u nevojitet “imani - besimi”.

 

 

 

Shkruan:
Napolon Zeqiri 02.10.2005

 

07.10.2005.islamgjakova.net

       

 

 

         

. Faqja e parë   -   Kthehu lartë   -  .Arkivi.