DETYRAT E RINISË


 

„Muhamedi nuk i ka entuziazmuar besimtarët por i ka bindur”

„Për të parë largë duhet shikuar afër“ Pierrr Dac

„Nëse nuk ka zgjidhje, është sepse nuk ka problem „ Jaques Rouxel

 

Populli i Ballkanit patën fatin të jenë të goditur nga ideja komuniste dhe deri vonë të jenë nën presionin e saj. Prindërit tanë, edhe pse të rritur në frymën komuniste arritën që tek fëmijet e tyre të përcjellin pak a shume krenarinë e identitetit. Të ndikuar mjaftë nga ajo frymë (komuniste), ata nuk e mohuan asnjëherë fenë e tyre tërësisht edhe pse ndikimi i komunizmit bëri që kjo ndjenjë të zbehet tek ata. Prap se prap ata përcollën tek ne ndjenjën e të qenurit musliman, dhe sot tek ne vazhdon të jetë prezente kjo ndjenjë. Borxhi ynë është i madh. Nuk ka borxh pa përgjegjësi.

Jetojmë në Ballkan , këtë pjese të botës ku problemet nuk zgjidhen asnjëherë përfundimisht ku madje ato edhe shumë rrallë gjenden, jetojmë në zemër të Evropës, kjo lidhëse e madhe e Lindjes me Perëndimin. Dhe si pjesëtarë të këtij komuniteti para nesh shtrohen kërkesa të shumta ndoshta edhe të ndryshme nga të tjerët.

Ne gjendemi në një pozicion të mrekullueshëm për ti ofruar të ardhmes njerëzore diçka më të bukur, më të qetë e më paqësore. Jetojmë në lidhësen Lindje – Perëndim.

Mirëpo ne flasim më shumë për atë që nuk duhet bërë se sa për atë që duhet bërë. Islami kjo fe e paqes , drejtësisë dhe e dashurisë dhe ne flasim dhe veprojmë kaq pak për këto.

Athua kemi shtruar pyetjen vetvetes se përse pikërisht jemi këtu në këtë moment?

Çdo kohë ka kërkesat e saja. Çdo person ka detyrat e tij.

Duke i ikur kësaj pyetjeje dhe ndonjëherë përgjigjes , vazhdon eklipsa e jonë.

Ne mund të flasim vazhdimisht për magjepsjen e Napoleonit me Islamin. Mund të flasim për Ibn Sinanë, e Ibn Rushdin, mund t’ju tregojmë çdo ditë tjerëve se si dikur ndërronim me perëndimorët një kokër piper me një gramë ari. Mirëpo ç’po ndryshon kjo tek ne? - a po sjell kjo ndonjë motiv për një punë më dinamike apo po krijon tek ne një hendikep.

Ç’ndodh sot me ne ? Me bartësit dhe trashëgimtarët e një civilizimi kaq madhështorë ? Pse kokat tona janë të varura sot ?

Ka shumë shkaqe që na sollën deri këtu. Luftrat, armiqtë, .... dhe vetvetja e jonë.

Për të mos hyrë e shtjelluar ato që i kemi shtjelluar dhe lexuar mjaft shpesh deri më tani le të shtjellojmë një problem kohor dhe të mundohemi të krijojmë një shteg për të ardhmen tonë.

 

Në ç’drejtim t’i angazhojmë mendimet tona ?

Në mugesë të diturisë, të informacionit, të realitetit (dhe jetesës në të) njeriu është mjaftë i hutuar. Në këtë gjendje ai i ngatërron mjaftë shpesh përmbajtjen me formen dhe i zhvillon në hollësi gjërat e parëndësishme , gjërat e imta, ndërsa i ikin nga syri ato që janë më thelbëesore. „Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira“ , nëse vëzhgojmë shoqërinë Islame sot, lehtë mund të vijmë në përfundimin se kjo rregullativë madhështore (siç janë edhe të tjerat) , urdhër i Zotit, është lënë bajagi pas dore. Nëse e analizojmë gjendjen tonë në thellësi do të përfundonim se embrioni i prapambeturisë sonë është në kuptimin dhe pranimin serioz të këtij parimi kuranor. Islami njeriun e dëshiron si pjesëtar aktiv të shoqërisë dhe kërkon vazhdimisht ndikimin e tij në këtë shoqëri. Ndoshta edhe fatkeqësija e jonë është rrezultat se ne nuk kemi bërë një jetë të tillë. Nuk mund të mohojmë se ka pasur gjithnjë dëshira të sinqerta për veprim, mirëpo ka kohë që mbretëron një ndërgjegje e qetë tek ne. Vazhdimisht hasim në musliman të dëshirave të mira ndërsa në pak musliman të veprave të mira. Assesi me këtë nuk tentojmë të mohojmë punën e disa individëve , mirëpo ne duhet të pranojmë se edhe kjo është e pakët. Megjithatë e falënderojmë Zotin. « Muslimani i mirë e ka bërë atë që ka mundur të bëjë dhe ka pasur ndërgjegje të qetë, sepse e ka ditur se nuk është i obliguar për atë që është jashtë mundësive të tij. Ndërkaq ajo „që ka mund...“ është një vetmashtrim i madh. Në të vërtetë ajo „që ka mundur të bëjë“ është shumë më tepër se sa ajo që ai e pretendon. Këtu qëndron edhe thelbi i problemit tonë. Në kuptimin e veprimit të përbashkët dhe të koordinuar, qëndron mundësia e pakufizuar e punës dhe këtë çdo musliman duhet ta di nëse dëshiron ta zbatoj urdhërin e Zotit për vepra të mira » [“Pergjigjet Islame”. Salih Behmen]

Fatkeqësisht, neve na mungon edhe prirja dhe vullneti për të punuar bashkarisht dhe me një plan. Në  « grumbullin » tonë (si duket vërtet i ngjajmë një grumbulli) është e rrallë shumë që veprimi i individit të përputhet me punën e të tjerëve në një tërësi. Në asgjë nuk duam të punojmë nëse nuk jemi në gjendje që ta kryejmë vetë atë punë, sepse nuk dëshirojmë të lidhemi « me atë » ose « me këtë » për një punë të caktuar. Ne duhet të disiplinohemi për një punë metodike dhe me marrëveshje dhe të themi : « Nëse filani nuk mundet ta kryej këtë e këtë, atëherë le ta kryej njëren pjesë, e pjesën tjetër e bëj unë » Mirëpo ne duhet që ta pranojmë që në mentalitetin tonë ne jemi mjaftë të individualizuar. Nëse bëjmë diçka vetëm, e bejme me më kënaqësi. Po ç’është dhe sa është ajo që mund ta bëjmë vetëm ???. Ne kemi pasur dhe kemi puntorë , mirëpo atyre u mungon puna e përbashkët.

Diçka duhet të kemi parasysh : Nuk është me rëndësi që mendimet nuk akordohen, e rëndësishme është përpjekja e përbashkët në veprën e përbashkët. Hasan el Benna thoshte : « Në atë që pajtohemi bashkëpunojmë ndërsa në atë që nuk pajtohemi arsyetohemi » , ndërsa thënja e Pejgamberit a.s. i jep edhe më shumë motiv bashkimit në përpjekje dhe në punë edhe përkundër ideve të ndryshme : « Gjejë për vëllaun tënd 100 arsye për ta arsyetuar… ». Fundi i fundit çfarë fitojnë të tjerët nga ato që neve i quajmë polimika (e që shpesh janë vetëm akuza dhe fyerje), botës i mbetet vetëm të çuditet me këto.

Për t’ju ofruar të tjerëve Islamin sot, neve na duhet një mentalitet krejtësisht tjetër. Nëse dëshirojmë t’i përgjigjemi kërkesave të ndërlikuara të shoqërisë dhe kohës së sotme, ne duhet të bëjmë një punë të mundimshme, taktike dhe metodike.

Kur them NE mendoj në JU dhe MUA. Është koha të fillojme qetë të kultivojmë një mendim pozitiv në vetët tona. Të fillojmë të punojmë bashkarisht dhe të ringjallim të tjerët, gjithmonë duke qenë së bashku. Duhet të jemi ambicioz dhe të edukojmë vetën tonë që t’i mbetemi basnik objekivave tona.

Kam sjellur disa shembuj të mirë për t’i ndjekur dhe të cilët i takojnë kohës jo fort të largët dhe që do të sillnin sukses nëse i ndjekim :

 

Muhamed Fatih

Fillimi i tij ishte ëndërra e vogël që e inkurajoi atë që kur ishte 10 vjeçar. Ishte mësuesi i tij përkrahja e të cilit rrënjosi aspiraten tek ai gjersa ishte aq i vogël. Kjo aspiratë ishte të bëhet ai për të cilin Pejgamberi a.s. ka thënë “Konstantinopoli do të çlirohet, komandanti i tij do të jetë komandanti më i mirë i të gjitha kohërave dhe ushtria e tij do të jetë ushtria më e mirë e të gjitha kohërave”.

Mësuesi i tij i thoshte ”Përse të mos jesh ti o Muhammed ky person?”.

Ai pastaj filloi t’a pregadiste veten për këtë mision. Ai kaluronte me kalin e tij duke hyrë në det derisa uji arrinte kapistrën e kalit. Pak nga pak arrinte deri të muret e fortifikatës së Konstantinopolit duke bërtitur me tërë forcën sikur t’i thoshte Pejgamberit a.s.”Unë do të jem ai person”. Pastaj filloi të mësojë artin e udhëheqjes, artin e qeverisjes dhe artin e lufës. Ai mësoi 6 gjuhë dhe gjithnjë shtonte eksperiencën e tij. Caku i tij para syve ishte i qartë. Kur arriti moshën 21 vjeçare, ai çliroi Konstantinopolin.

 

Tomas Edison

Shpikësi i poçit elektrik. Ai regjistroi me shumë se 1093 shpikje për një periudhë kohore prej 10-15 vjetësh. Përse nuk pamë ndonjë musliman sikur ai? Kur ky njeri i madh ishte pyetur për fshehtësinë e gjenialitetit të tij, ai u përgjegj ”Unë kurrë nuk kam qenë gjeni. Unë kam 1% inteligjencë dhe 99% djersë e vullnet”. Përse të mos kemi zili për këtë njeri jomusliman të suksesshëm?

 

Jusuf Ibn Tashfin

Shembulli i këtij personi do të na tregojë se urdhëri për punë u drejtohet si të rinjëve ashtu edhe pleqëve. Kush është Jusuf Ibn Tashfin?

Ai është një hero i madh. Ai ka merita për vazhdimin e qëndrimit të muslimanëve në Andaluzi (Spanjë) për tre shekuj tjerë, nga koha kur sundimi i muslimanëve filloi të përfundojë. Ky hero veproi kur kishte 90 vjet. Ai gjeti Andaluzinë të përçarë në mes të mbretërve mendjengushtë pas pesë shekujsh të sundimit të muslimanëve. Në këtë kohë, ushtritë Europiane grumbullonin forcat për të pushtuar tokat muslimane në Andaluzi. Ky hero nuk mbeti duarkryq.

Ai i hipi kalit në moshën e tij të vjetër dhe vendosi planin për ta mbrojtur Andaluzinë. Ai udhëhoqi ushtrinë dhe shpartalloi armiqtë në betejën vendimtare të quajtur Beteja Zalaka. Me këtë ai zgjati sundimin e muslimanëve në Andaluzi edhe për tre shekuj tjerë. Plaku 90 vjeçar ia doli të bëjë tërë këtë. Ai dëshmoi se jeta e tij ende nuk kishte përfunduar. Edhe ne duhet të pasojmë shtigjet e njëjta për të dëshmuar se mund të krijojmë jetë.

 

Shumë e shumë raste të tilla mund të jenë shembull për ne. Por nëse ato mbesin vetëm shembuj literal e jo praktik atëherë nuk ka kurrfarë vlere leximi ynë.

Duhet të jemi pozitiv, të medojmë në mënyrë pozitive, të veprojmë në mënyrë pozitive.

Po e mbylli këtë temë me kaq, në mënyrë që herën tjetër t’ju sjelli një projekt të një autori egjiptian e cila do të na ndihmonte për të bërë disa hapa drejtë të ardhmes inshAllah.

Esseelamu alejkum dhe Allahu ju ndihmoftë.

Gabimet janë nga unë, e Vërteta nga Allahu i madhërishëm.

 


Shkruan:
ARBËR FETIU/Kanada 02.02.2005

 

02.02.2005.islamgjakova.net

       

         

. Faqja e parë   -   Kthehu lartë   -  .Arkivi.