

DEVOTSHMËRIA
Allahu i madhërishëm në Kur’anin fisnik urdhëron e thotë:
“O ju që besuat, frikësojuni Allahut me sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni, pos vetëm duke qenë muslimanë (besimtarë)!”(Ali Imran, 102)
“O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat) e Allahu është i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.”(El Huxhuratë, 13)
Muhammedi, s.a.v.s., ka thënë:
“Devotshmëria komplete është përshkruar në fjalën e Allahut të madhërishëm:
“Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim.” (En Nahl, 90)
Ibni Abbasi, r.a., ka thënë: “Mutteki është ai i cili ruhet (jetteki) nga shirku, mëkatet e mëdha (kebair) dhe e neveritura (fevahish)”.
Ibn Omeri, r.a., ka thënë: “Takva do të thotë mos ta shohësh veten më të mirë se të tjerët.”
Hasan Basriu, r.a., ka thënë: “Mutteki është ai i cili kur e sheh tjetrin thotë: “Ky është më i mirë se unë”.
Omer ibnul Hattab e pyeti njëherë Kjab el Ahbarin: “Ç’është takvaja”? Kjabi në këtë pyeti “A keni ecur ndonjëherë në rrugën përplot therra?”
Omeri u përgjigj: “Po”. Kjabi e pyeti: “Si jeni sjellur në atë rrugë?!” “Kam ecur me kujdes duke ndërmarrë shkallën më të lartë të syçeltësisë” , u përgjigj Omeri. Kjabi tha: “E, kështu është devotshmëria”.
Poeti kështu thoshte:
Duhesh të largohesh nga të gjitha
Mëkatet, të mëdha e të vogla, se kjo
Është cilësi e muttekës
Duke u sjellur sikur je duke ecur
Në tokën përplot gjemba,
Me kujdes duke u shmangur nga
Çdo gjë që sheh
Mos e bëj asgjë mëkatin e vogël
Sepse nga gurët e vegjël janë ndërtuar kodrat.
Omer ibni Abdul Azizi, r.a., ka thënë: “Nuk është takva (devotshmëri) agjërimi ditën dhe namazi natën, por takva është të largohesh nga ajo që ka ndaluar Allahu dhe aplikimi i asaj që ka urdhëruar”.
Ka thënë Bekr ibn Abdullah, r.a.: “Njeriu nuk mund të jetë teki (sinonim për metteki), përderisa nuk e ka ushqimin e pastër (nekijjul mut’am) dhe përderisa nuk është mutteki në hidhërim (tekijul gadab).”
Sufjan eth Thevriu dhe Fudajdi, r.a. kanë thënë: “Mutteki është ai që u dëshiron njerëzve atë që e dëshiron për vete.”
Xhunejd ibn Muhammed ka thënë: “Nuk është mutteki ai që u dëshiron njerëzve atë që dëshiron për vete, por mutteki është ai i cili dëshiron për njerëzit më tepër se për vete”.
Kasim ibnul Kasim, ka thënë: “Mutteki është ai i cili i ruan rregullat e sheriatit.”
Sufjan Es-Thevri ka thënë: “Mutteki është ai i cili është i kujdesshëm nga dynjaja dhe rreziqet e saj”.
Ebu Jezid El Bistamiu ka thënë: “Mutteki është ai i cili kur flet, flet për Allahun; kur hesht, hesht për Allahun dhe kur përmend Allahun, e përmend vetëm për Të”.
Disa kanë thënë: “Takva është pasimi me bindje e Pejgamberit, a.s.”
Takva është të jesh i kujdeshëm me zemër ndaj indiferencës (gafletit) me nefsin tënd, ndaj lakmisë, me fytin tënd ndaj kënaqësisë, me organet tuaja ndaj gjërave të këqija, se kështu formohet lidhja jote me Zotin e qiejve dhe Tokës”.
Ebul Kasim El Xhunejd ka thënë: “Takva është sjellje e bukur (husnel – huluk)”
Një prej dijetarëve kishte thënë: “Njeriun me takva e tregojnë tre shenja: “Mbështetja e bukur te Allahu, kënaqësia me atë që posedon dhe durimi i bukur në atë që i ka kaluar.”
Është thënë: “Mutteki është ai i cili është i kujdesshëm në pasimin e epsheve dhe dëshirave”.
Gjithashtu është thënë: “Takva është të zbukurosh brendinë tënde për Allahun, ashtu si zbukuron pamjen tënde të jashtme për krijesat (halk)”.
Një njeri i tha Pejgamberit, s.a.v.s.: “Më këshillo!”
Pejgamberi, s.a.v.s., i tha:
“Mbahu për takva, se ajo përmbledh çdo gjë të mirë; të jesh në xhihad – përpjekje në rrugën e Allahut, se kjo është rregullësi e Islamit dhe praktiko përmendjen e Allahut (dhikrullah), se ajo është nur për ty”.
Ka thënë Sehl ibn Abdullah: “Nuk ka ndihmues, përveç Allahut (la mu’in il-lallah); nuk ka udhëheqës përveç Pejgamberit, s.a.v.s. (la delile il-la ResulAllah); nuk ka furnizim për udhëtim përveç takvasë (la zade il-let-takva) dhe nuk ka vepra përveç me durim në kryerjen e tyre (la amele il-les sabre alejha).
Transmetohet nga Ibn Sirini, Allahu e mëshiroftë, se një herë kishte blerë 40 qypa me buter. E vërejti se hyzmeqari e tij e nxori një mi nga një qyp dhe e pyeti: “Nga cili qyp e nxore miun?” “Nuk di!” u përgjigj djaloshi”, për çka Ibn Sirini i hodhi në mbeturina të gjithë qypat. Gjithashtu, tregohet se Ebu Jezid el Bistamiu, duke qenë me një shok të tij në shkretëtirë, i kishte larë teshat dhe shoku deshi që rrobat t’i ternin në një mur afër, por Ebu Jezidi i tha: “Nuk guxojmë t’i vëmë gozhdat në muret e huaja.” “ Eja t’i varim në këtë dru”, i tha shoku. “Jo” tha Ebu Jezidi. “Si do t’i thejmë degët e drurit?” “Pra t’i varim në shkurre!, tha shoku. “Jo”- përsëriti Ebu Jezidi,- se këto shkurre shërbejnë për ushqim të kafshëve”. Pastaj Ebu Jezidi e veshi këmishën e lagur në trup dhe u kthye nga dielli, deri sa u ter.
Takvaja dallohet sipas disa rregullave:
- Takvaja e njerëzve të rëndomtë (el ammeh), e cila karakterizohet me largimin nga shirku.
- Takvaja e njerëzve të veçantë (el hassah), e cila cilësohet nga mënjanimi i epsheve (heva), duke u larguar nga veprat e mosbindjes dhe kundërshtimi i nefsit në çdo gjendje.
- Takvaja e njerëzve tejet të veçantë (hassul has minel evlija) është në lëshimin e dëshirës së tyre (iradeh), ibadete nafile, kërkim nga askush tjetër, përveç Allahut.
- Takvaja e Pejgamberëve është cilësi karakteristike vetëm e tyre. Allahu ata i udhëzon, u drejtohet me fjalë dhe i begaton. Mendja jonë nuk mund t’i kuptojë.
Gjëja e parë në rrugën e takvasë është pastrimi nga çdo zullum ndaj robve të Allahut, duke pasur kujdes në hakun e tyre.
Pastaj pastrimi nga të gjitha llojet e mosbindjes, pastaj lëshimi e lirimi nga zemra i mëkateve dhe veseve, siç janë: hipokrizia, dyfytyrësia, mendjemadhësia, lakmia, koprracia, ambicia e tepruar për pozitë, etj.
Dhe e vetmja gjë që e forcon njeriun kundër këtyre gjërave është kundërshtimi i epsheve të tij.
Nga Ibrahim ibn Edhemi, Allahu e mëshiroftë, tregohet që ka thënë: “Njëherë, derisa kalova natën në Bejtul Mukaddes, më zuri pak gjumi dhe pashë që zbritën dy melekë, dhe njëri i tha tjetrit: “Kush është ky njeri? Tjetri u përgjigj: “Ibrahim ibni Edhemi” dhe shtoi: “Ky është ai të cilit Allahu ia zvogëloi shkallën (derexhën) nga shkallët e Tij.” “Po, përse? -pyeti meleku i parë: “Ngase ka blerë disa hurma në Basër dhe ka marrë gjatë matjes një hurmë nga hurmat e shitësit.”- u përgjigj meleku i dytë.
Ibrahimi vazhdon më tej duke treguar: “Atëherë menjëherë udhëtova në Basër dhe ia ktheva hurmën shitësit të përmendur, e pastaj u ktheva në Jerusalem duke fjetur në Bejtul Mukaddes. Përsëri i pashë dy melekët. Njëri tha: “Kush është ky njeri?” I dyti i tha: “Ibrahim ibni Edhemi”, dhe vazhdoi: “Ky është njeriu të cilit, pasi e kthen hakun e huaj, iu ngrit shkalla (derexha) tek Allahu”.
Do të tregojmë për 12 dobi të dynjasë që rrjedhin nga takvaja:
- Takvaja (devotshmëria) është shkak i largimit të brengave, arritja e furnizimit dhe arritja e lehtësive nga nuk shpreson njeriu, siç e vërteton ajeti kuranor:
“E kur t’i afrohen ato mbarimit të afatit të tyre, atëherë ose mbani (i ktheni në jetën bashkëshortore) si duhet, ose ndajuni prej tyre si është e udhës, e këtë do ta dëshmojnë dy dëshmitarë të drejtë nga mesi juaj dhe dëshminë zbatojeni për hir të Allahut. Kështu këshillohet ai që i beson Allahut dhe Ditës së Fundit. E kush u përmbahet dispozitave të Allahut, atij Ai i hap rrugë, dhe e furnizon atë prej nga nuk e kujton fare. Kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij. Allahu realizon dëshirën e vet dhe Allahu çdo gjëje ia ka caktuar kohën (afatin) .” (El Talakë, 2-3)
- Takvaja është shkak i lehtësimit të problemeve njerëzore, siç thotë ajeti kuranor:
“E, sa i përket atij që jep e ruhet, dhe vërteton bindshëm për më të mirën, Ne do ta përgatitim atë për më të lehtën.” (El Lejl, 5-7)
- Me takva njeriu do të jetë i ruajtur nga ngatërresat e shejtanit, siç thotë verseti kuranor:
“Vërtet, ata që janë të ruajtur, kur i prek ndonjë iluzion nga djalli, ata përkujtojnë (Allahun), dhe atëherë shohin (të vërtetën) .” (El A’rafë, 201)
- Takvaja është shkak i lëshimit të furnizimit (bereketit) dhe bekimit nga qiejtë dhe Toka, siç thotë verseti kuranor:
“ E sikur banorët e këtyre vendbanimeve të kishin besuar dhe të ishin ruajtur, Ne do t’ju hapnim begati nga qielli e toka, por ata përgënjeshtruan, andaj i dënuam me shkatërrim për atë që merituan.” (El A’rafë, 96)
- Për shkak të devotshmërisë, Allahu i madhërishëm udhëzon robin në rrugë të vërtetë. Dhe arrin të dallojë të vërtetën nga gënjeshtra, siç thotë ajeti kuranor:
“O ju që besuat, nëse keni frikë Allahun, Ai do të vëjë udhëzim (në zemrat tuaja) për ju, do t’ua mbulojë të këqijat, do t’ua falë mëkatet. Allahu është dhurues i madh.” (El Enfalë, 29)
Dhe:
“O ju që keni besuar, kini frikë Allahun dhe vazhdoni me besim ndaj të dërguarit të Tij, se Ai ju jep dyfish nga mëshira e tij, ju dhuron dritë që ecni me të, ju falë mëkatet tuaja. Allahu është mëkatfalës, mëshirues.” (El Hadidë, 28)
- Takvaja e bën besimtarin të patrembur nga ngatërresat e pabesimtarëve, siç thotë verseti kuranor:
“Nëse ju përjetoni ndonjë të mirë, ata i dëshpëron ajo, e nëse u godet ndonjë e keqe, ata gëzohen për atë. Po, në qoftë se ju bëheni të durueshëm dhe ruheni (mëkateve) , dinakëria e tyre nuk do t’u dëmtojë aspak. Është e sigurt se Allahu e ka në dorë atë që punojnë ata.” (Ali Imran, 120)
- Takvaja është shkak i lëshimit të ndihmës së Allahut, xh.sh., në rastet e vështira dhe në luftën kundër pabesimtarëve dhe ajo ndihmë qetëson zemrën dhe sjell fitoren. Allahu i madhërishëm në Kur’anin fisnik urdhëron e thotë:
“E atë (ndihmë) Allahu nuk e bëri për tjetër, por vetëm për t’ju gëzuar dhe me të të qetësojë zemrat tuaja, për ndryshe ndihma vjen vetëm prej Allahut, Ngadhënjyesit, të Urtit.” (Ali Imran, 126)
- Takvaja është ndihmë e njerëzve në mirësi, siç thotë ajeti kuranor:
“O ju që besuat! Mos i shkelni simbolet e Allahut, as muajin e shenjtë (mos lejoni luftën) , as kurbanin (mos e pengoni) , as atë me qafore (të caktuar për kurban) , as (mos pengoni) ata që duke kërkuar begati nga Zoti i tyre dhe kënaqësinë e Tij, kanë mësyrë (për vizitë) shtëpinë e shenjtë (Qaben) . E kur të hiqni ihramin, atëherë gjahtoni. Urrejtja ndaj një populli, që ju pat penguar nga xhamia e shenjtë, të mos ju shtyejë të silleni në mënyrë të padrejtë kundër tyre. Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e armiqësi. Druajuni dënimit të Allahut, se me të vërtetë Allahu është ndëshkues i fortë.” (El Maide, 2)
- Takvaja është shkak i nderimit dhe lartëmadhërimit të kufijve dhe dispozitave të Allahut, xh.sh., siç thotë ajeti kuranor:
“Kjo është kështu! E kush madhëron dispozitat e Allahut, ajo është shenjë e devotshmërisë së zemrave.” (El Haxhxh, 32)
- Takvaja është shkak i pranimit të veprave dhe faljes së mëkateve, siç thotë verseti kuranor:
“O ju besimtarë, pëmbajuni mësimeve të Allahut dhe thuani fjalë të drejta.Ai (Allahu) iu mundëson të bëni vepra të mira, ju shlyen juve mëkatet tuaja. E kush respekton Allahun dhe të dërguarin e Tij, ai ka arritur një sukses të madh.”(El Ahzabë, 70-71)
- Takvaja është shkak që njeriu mos ta ngritë zërin te Pejgamberi, s.a.v.s., qoftë gjatë jetës së tij ose pas vdekjes së tij, siç thotë Allahu, xh.sh, në Kur’an:
“Ata që ulin zërat e tyre pranë të dërguarit të Allahut, Allahu zemrat e tyre i ka përshtatur për devotshmëri. Ata kanë falje mëkatesh dhe shpërblim të madh.” (El Huxhuratë, 3)
- Takvaja është shkak i arritjes së dashurisë së Allahut, xh.sh., në këtë botë dhe në atë botë, siç thotë ajeti kuranor:
“Jo, (nuk është ashtu si thonë ata) po kush e përmbush emanetin e vet (është besnik) dhe ruhet nga mëkatet, s’ka dyshim, Allahu i do ata që ruhen.” (Ali Imran, 76)
Andaj vëllezër, të bëhemi nga ata që me sinqeritet i frikësohen Allahut, xh.sh., ruhen nga mëkatet dhe përgatiten për Ditën e Dhënies së Llogarisë.
- Takvaja është shkak i arritjes së diturisë së dobishme, siç thotë ajeti kuranor:
“O besimtarë, kur merrni hua prej njëri-tjetrit për një afat të caktuar, shkruajeni atë. Dhe nga gjiri juaj le të shkruajë një shkrues i drejtë dhe të mos ngurrojë nga të shkruarit, ashtu siç e ka mësuar Allahu. Le të shkruajë, ndërsa atij le t’i diktojë ai që pranon borxhin, le t’i frikësohet Allahut, Zotit të tij e të mos lë mangut asnjë send nga ai. E në qoftë se ai që ngarkohet me borxh është i paaftë mentalisht, është i mitur ose nuk është në gjendje të diktojë, atëherë le të diktojë drejt kujdestari i tij. Kërkoni të dëshmojnë dy dëshmitarë burra nga mesi juaj, e në qoftë se nuk janë dy burra, atëherë një burrë e dy gra, nga dëshmitarët që i pëlqeni. (Dy gra në vend të një burri) Për atë se nëse njëra prej tyre gabon, t’ia përkujtojë tjetra. Dëshmitarët të mos refuzojnë kur të thirren. Dhe mos përtoni për ta shkruar atë dhe afatin e tij, i vogël qoftë ose i madh, sepse kjo është më e drejtë te Allahu, më e fortë për dëshmi dhe më afër mosdyshimit. Vetëm nëse është tregti e menjëhershme (dora-doras) që e praktikoni mes jush, atëherë nuk është ndonjë mëkat të mos e shënoni. Por, kur bëni shitblerje, dëshmojeni. E ai (pronari i pasurisë) nuk dëmton as shkruesit as dëshmitarët, e nëse bëni (dëmtimin) , ai është mosrespekt i juaj (ndaj dispozitave të Allahut) . Kini frikë Allahun, se Allahu ju dhuron dituri (të jashtzakonshme) . Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo send.” (El Bekare, 282)
Shkruan:
Dr.Ali Iljazi/Gjakovë 21.03.2005
21.03.2005.islamgjakova.net

. Faqja e parë - Kthehu lartë - .Arkivi.