

ISLAMI DO TË FITOJ, ISLAMI LUM QË NUK SHTERRET
Bota Islame po kalon nëpër krizën e besimit. Sado që kjo të jetë e papëlqyeshme të thuhet, vetëdija dhe siguria në vetvete sot nuk janë karekteristika të mira në asnjë pjesë të botës ku jetojnë muslimanët.
Historia vertetoi në mënyrë bindëse se muslimanët pa islam janë sikur guaska e humbur. Prandaj thonë: “Guaska e cila e humb lëvozhgën e vet ka mundësi të shkatërrohet dhe nëse sulmohet nga ndonjë armik, ajo e humb jetën .”
Islami dhe muslimanët kaluan nëpër situata vendimtare dhe periudha të vështira madje gjatë një periudhe prej 1400 vitesh udhëtimi, ku çdonjëra prej këtyre situatave dhe periudhave, mjaftonte që islami të mbetet vetëm gjurmë pas ekzistimit.
Mirëpo, ai doli nga të gjitha këto i shëndoshë dhe i fortë, është i pari për nga numri i ithtarëve dhe për nga përhapja.
Prandaj duhet që islamin e vërtetë t’ua ofrojmë njerëzve dhe njerëzimit. Bota duhet t’a kuptojë se islami nuk do të thotë prapambeturi, por fe hyjnore që do t’i sjellë njerëzimit përparim, zhvillim, mirëqenje, paqë për të cilën kanë nevojë të gjithë...
Për besimtarin është detyrë t’i paraqesë virtytet dhe bukuritë e islamit, ashtu që tek ata ta ndjellë dëshirën për to dhe që të mos thërret vetëm me fjalë (gjuhë) por me praktikë (vepra) – që bashkësia islame apo shoqëria të jetë kopje e personifikuar e parimeve dhe principeve e jo fotografi e shëmtuar dhe e deformuar e cila refuzon nga vetja dhe largon, ashtu siç është rasti me muslimanët. Që misionari të jetë mendje-mprehtë dhe i aftë pèr të sjellë argumente, ta njohë islamin e ta dijë ta interpretojë. Të jetë i arsimuar në mënyrë bashkëkohore ashtu që njerëzve t’iu drejtohet me gjuhen e tyre, të jetë i këndshëm (sjellshëm) e i butë, e jo i vrazhdë e i ashpër, e as arrogant e i pamëshirshëm.
Duhet të tregojnë se muslimanët dëshirojnë që kurrë të mos ketë luftë dhe vrasje, gënjeshtra, vjedhje, prostitucion e vepra të këqija, e që fëmijët të kenë jetë të lumtur, që të çmohet dinjiteti i personalitetit të njeriut, e që njeriu të jetë i lirë.
Poashtu, duhet të tregojmë se përparimi shkencor, si i vetmi, nuk mund ta bëjë njeriun e lumtur poqese atë nuk e shoqëron edukata dhe vlerat e larta shpirtërore. Sepse nuk mundet në mënyrë islame të besohet e në mënyrë joislame të punohet , fitohet, argëtohet, sundohet.
Islami, pra mbetet nuk do të zhduket, fitorja dhe fundi i takojnë vetëm atij, mirëpo ne ose do ti kthehemi fesë sonë, e të na takojë nderi i fitores në këtë botë dhe shpërblimi i Zotit në botën e ardhshme, ose Zoti i madhëruar do të na zëvendësojë me një popull tjetër, i cili do ta pranojë islamin e të marrë mbi vete përgjegjesinë e mbrojtjes dhe thirrjes në të.
E kishin pyetur Seid en-Nursin:
”Çmendoni për lirinë që është e pranishme tash në shtetin osman dhe çfarë mendoni për qytetërimin evropian?” Ishte përgjigjur: “Shteti osman momentalisht është shtatzënë me embrion të Perëndimit, dhe në ndonjë ditë prej ditësh do të lindë. Kurse sa i takon Evropës, ajo është shtatzënë me embrionin e islamit, dhe një ditë prej ditësh do të lindë.”
Dhe, në fund duhet të dijmë të gjithë, se muslimanët janë realitet ekzistues dhe nëse ekziston ndihma ata kanë peshën dhe rëndësinë e tyre. Ata ndoshta mund të dobësohen, por nuk mund të zhduken, pasi islami i tyre është i mbrojtur.
Historia na ka mësuar se burimi është i rrjedhshëm, kurse islami është lumë i përjetshëm të cilit nuk i thahet rrjedha.
“O ju që besuat! Kush largohet prej jush nga feja e vet (i bën dëm vetës) s’ka dyshim se All-llahu do të sjellë një popull që Ai e do atë (popull) dhe ata e duan Atë (Zotin) , (një popull) që është modest e i butë ndaj besimtarëve, por i ashpër dhe i fortë ndaj mohuesve, që lufton në rrugën e All-llahut dhe që nuk i frikësohet kërcënimit të asnjë kërcenuesi. Kjo (cilësi e atij popullit) është dhuratë e All-llahut që ia jep atij që do. All-llahu është dhurues i madh, i dijshëm” (El-Maide:54)
“ ... Por nëse ju i ktheni shpinën, Ai do t’ju zavendësojë në një popull tjetër, që nuk do të jetë si ju “. (Muhammed, 38)
Shkruan:
NAPOLON ZEQIRI/Gjakovë 06.06.2005
06.06.2005.islamgjakova.net

. Faqja e parë - Kthehu lartë - .Arkivi.