

PASOJAT E MËKATIT
Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut subhanue ve teala, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem), mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë rrugën e tij deri në Diten e Gjykimit.
Në qoftë se jemi pyetur ndonjëhere se çfarë pasoja mund të ketë kryerja e mëkatit, atëherë përgjigjën për këtë do ta gjejmë në vijim.
Mëkati dhe mosbindja ndikojnë negativisht në jetën, shpirtin, dhe zemrën e njeriut. Mëkati dhe vetëm mëkati ishte ai që shkaktoi nxjerrjen e Ademit (alejhi selam) dhe Havasë nga Xhenneti, ku ata jetonin të lumtur dhe në begati të pafundë.
Mosbindja dhe mëkati bënë që djalli i mallkuar ti nxjerrë nga lumturia në mjerim dhe dënim të përjetshëm. Mëkatet e tij shndërruan afrimin që kishte tek Allahu (xh sh) në largim, mëshirën në mallkim, bukurinë në neveri, dhe Xhennetin në Xhehennem .
Për shkak të mëkateve dhe mosbindjes, Allahu (xh sh) fundosi popullin e Nuhut (alejhi selam), duke e përmbytur tokën deri në pikën më të lartë. Për këtë Allahu xh.sh. thotë:
"Ne e përmbytëm edhe popullin e Nuhut meqë ata të dërguarit i quajtën rrenacakë, e për njerëzit, të cilët mendojnë, le të marrin mësim nga ata. E për mizorët Ne kemi përgatitur dënim të rëndë.."
(Sure El-Furkan ajeti 37)
Mëkatet kanë qenë edhe shkaku për shkatërrimin e popullit të Adid, kur atyre u erdhi një erë e fortë nga Allahu (xh sh) dhe i la ata të vdekur si trungje pemësh për tokë. E për këtë Allahu thotë:
"Edhe në Adin (kemi lënë shenjë) kur Ne lëshuam kundër tyre erën rrënuese,"
(Edh-Dharijat ajeti 41)
Kur atyre u erdhi një fatkeqësi e tmerrshme, ulërimë e cila ju plasi zemrat. E këtë më së miri e përshkruan ajeti Kur’anor ku Allahu thote:
"Sa i përket Themudit, ata u shkatërruan me krismë të tmerrshme."
(El –Hakkah ajeti 5)
Po për popullin e Lutit, të cilët kishin qenë i zhytur në homoseksualizëm? Allahu (xh sh) e përmbysi vendin e tyre, duke kthyer çdo gjë nga lart poshtë dhe mbi ta hodhi gurë nga qielli pa ia ndarë derisa u shkatërruan të gjithë. Ky ishte dënimi që me të vërtetë ato meritun nga ky imoralitet që as kafshët nuk i afrohen.
Mëkatet e bënë që populli i Shuajbit të goditet nga një tërmet i fortë, duke i lënë të vdekur në shtepitë e tyre?
Mëkatet shkaktuan mbytjen e Faraonit dhe popullin e tij në det, kështu ata gjetën dënimin e Allahut (xh sh) në këtë botë dhe në botën tjetër, ku aty do të vuajnë dënimin përgjithmonë.
Mëkatet kanë qenë shkak edhe për shkatërrimin dhe zhdukjen e Karunit, pasurisë dhe familjes së tij.
I dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: "Njeriu mund të sprovohet nga rizku (furnizimi) për shkak të mëkatit" (Ahmed)
Në lidhje me këtë, Safija r.a ka thënë "gjatë kohës së Omerit r. a, Medineja u trondit (nga nje tërmet). Pas kësaj ngjarje Omeri tha 'O, njerëz! Cfarë është kjo? Sa shpejt që bëtë mëkat! Në qoftë se kjo ndodh përsëri unë nuk do të banoj kurrë më në mesin tuaj.' (Ahmed)
Gjithashtu Ibn Omeri r.a ka thënë "Kam dëgjuar të dërguarin e Allahut (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) duke thënë: ”Në qoftë se njerzit bëhen dorështrënguar dhe nuk japin asnjë dinar apo derhem, merren me Riba (fajde dhe interes) dhe jepen pas jetës së kësaj bote, braktisin xhihadin në rrugën e Allahut (xh sh), Allahu (xh sh) do t’i sprovojë me fatkeqësi deri sa të kthehen te feja etyre (Islami)."
Xheriri transemeton se Muhamedi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: "Në qoftë se kryhen mëkate nga njerzit; dhe në qoftë se numri i atyre qe nuk kryejnë mëkate është me i madh se numri i atyre që kryejnë; dhe ato nuk bëjnë gjë për tu larguar dhe pastruar nga këto mëkate, si pasojë të gjithë do të vuajnë nga dënimi." (Ahmed)
Njeriu duhet të jetë hollësisht në dijeni për pasojat e mosbindjes dhe kryerjes së mëkatëve. Shumë prej njerëzve nuk janë në dijeni për pasojat e mëkatit, dhe kështu nuk i kushtojnë rëndësi, sikur ska ndodhur gjë fare. I madhëruar është Allahu, sa njerëz janë shkatërruar dhe kanë përfunduar të humbur për këtë arsye? Sa fatkeqësi dhe dënime sjell (mëkati), dhe sa të mira dhe begati largon?
Mëkati futë në errësirë shumë njerëz, sidomos ata që nuk kanë dijeni. Shumë njerëz, vazhdojnë të bëjnë mëkate pa e vrarë mendjen dhe pa marrë parasysh sasinë e madhe të mëkatit. Një ditë ata vërtetë do ta kuptojnë sa e madhe është kjo sasi dhe se kjo duhet të shlyhet dhe të largohet patjetër.
Kjo është shkurtimisht për dëmet që sjellin mëkatet, andaj të nderuar vëllezër e motra muslimane, të kemi frikë Allahun e ta ruajmë vetën tonë nga cdo mëkat edhe pse në shikim të pare na duket se është i vogël.
Në fund e lusim Allaun subhane ve teala me emrat e Tij të bukur dhe cilesitë e Tij të larta që të na fal mëkatet tona, të prindërve tanë dhe të na bëjë pasues të sunetit të Muhamedit (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem). Amin.
Shkruan:
ABDURRAHMAN BEJTULLAHU/Medine 24.06.2005
24.06.2005.islamgjakova.net

. Faqja e parë - Kthehu lartë - .Arkivi.