

ÇFARË ËSHTË THELBËSORE?
Është interesant se si i shohim fëmijët. Mjeku patolog i të folurit e sheh si një subjekt belbëzimi, mangësie në të folur ose nga aspekti i të folurit përgjithësisht; agroterapisti (mjeku që mjekon me anë të punës) e sheh si një subjekt motor; psikologu i shkollës e sheh si një shqetësim të sistemit qendror; psikologu i sjelljes e sheh si një reaksion në lidhje me të sjellurit. Nëna dhe babai dëshirojnë ta shohin e ta ndjejnë si tërësi, por që shumë shpejt ne e bindim se nuk është ashtu. Si përfundim, edhe ata e humbin atë vizion që e paraqesin fëmijën e tyre si një mrekulli e tërë; nisin e pranojnë se edhe për ata ai është një fëmijë “problematik”. Kjo do të thotë të mos jesh në gjendje të shohësh atë që është thelbësore.
Të gjitë këta i përdorin vetëm sytë për të parë atë që është thelbësore, por syri është organi më i pasaktë, më inkoherent dhe më i ndikuari nga paragjykimet, nga të gjitha organet shqisore të trupit tonë. Shikojnë, por në realitet nuk kuptojnë. Ndoshta të gjitha gjërat që shohim me sy janë thelbësore, por thelbësorja është shumë e më shumë se kaq dhe nuk shquhet vetëm me anë të syrit.
Cilët janë faktorët që na pengojnë të shikojmë atë që është thelbësore? Para se gjithash, besoj, është bagazhi i njohurive tona...i gjërave që kemi mësuar, i gjuhës sonë, i perceptimeve tona, i vetë mënyrës se si ka punuar sistemi ynë nervor qendror; mentaliteti ynë i ngurtë. Funksioni i sistemit tonë qendror nuk është të lejojë të hyjnë të gjitha gjërat, por të përjashtojë. Ky quhet “perceptim selektiv”. Për këtë arsye, ne shikojmë vetëm një pjesë të vogël të gjërave të pranishme në ambientin tonë. Natyrisht kemi nevojë për këtë aftësi përjashtuese të nxitjeve e ngacmimeve të jashtme, që të përqëndrohemi.Ne besojmë me të vërtetë se ekziston si realitet vetëm ajo që kapim nëpërmjet perceptimeve. Zot i madh. Në çdo pikë që të ndodhemi, jemi vetëm në nisje. Sapo keni filluar të zbuloni universin dhe veten tuaj. Nëse do të zhvilloni sëbashku me të tjerët ndjeshmërinë tuaj, do t’ju ndodh që të zbuloni aftësi të panjohura, të cilat s’i keni ëndërruar kurrë që t’i keni, aftësi për të dëgjuar, aftësi për të nuhatur, aftësi shijuese...gjëra të mrekullueshme, të cilat kanë qenë gjithnjë të pranishme, por që më parë nuk i kishit zbuluar. Është e nevojshme që t’i fuqizoni ato. Nuk është ndonjë magji t’i mësoni ato, duhet t’i zhvilloni. Kurse ne pandehim se nuk ekziston gjë tjtetër përtej botës sonë të paditur dhe të kufizuar.
Mund të quajmë thelbësore edhe egon tonë. Atë “Unë” që kemi ndërtuar. Por nuk keni qenë ju që e keni bërë këtë “Unë”. Ka qenë dikush tjetër që e ka bërë për ju. Njerëzit ju kanë thënë si duhet të jeni dhe kush duhet të jeni, si duhet të silleni dhe ç’lloj arome të përdorni dhe si duhet ta bëni çdo gjë. Prandaj është e mrekullueshme të ktheheni prapa. Gjithçka që nuk harmonizohet me atë që “uni” i futur në kafaz vlerëson reale, nuk mund ta kaparcejë gardhin dhe në këtë mënyrë, kur perceptimet e ndjesitë e reja arrijnë të hyjnë, ato kthehen në atë që “Uni” dëshiron që të jenë. Për këtë arsye shumë njerëz jetojnë duke parë atë që dëshirojnë të shohin, duke dëgjuar atë që dëshirojnë dhe duke ndjerë aromën që dëshirojnë, ndërsa çdo gjë tjetër për ta mbetet e padukshme. Për duhet t’i lejojmë të hyjnë, t’i prekim, t’i shijojmë, t’i përtypim, t’i përqafojmë, të kemi përvojën tonë për gjithçka që ato përfaqësojnë...e jo vetëm atë që jemi ne.
Gjithashtu vlerësojmë si thelbësore idetë me të cilat jemi mësuar. Unë i quaj “zakone” sepse lehtësisht kemi pranuar këtë veshje morale me ide të tjetër kujt dhe nuk dimë se si të çlirohemi.
Gjëja më e keqe, ndërmjet atyre që na pengojnë të shohim atë që është thelbësore, është apatia. “S’më intereson aspak!” “Jam mirë kështu siç jam!” “Cili ka nevojë të ndjejë vibracionet!” “Një lule është një lule!”etj. Besoj se e kundërta e dashurisë nuk është urrejtja, por apatia. Në një citat thuhet: “Nëse do të më duhej të zgjidhja ndërmjet vuajtjes dhe hiçit, do të zgjidhja vuajtjen.”
R.D. Laing ka thënë: “Që nga momenti i lindjes t’i progrramohesh për t’u bërë një qenje njerëzore, por gjithnjë sipas përkufizimit të shoqërisë ku jeton, të prindërve dhe të edukatorëve të tu.”
Nga ana tjetër u besojmë modeleve të përsosura. Kalojmë jetën duke u munduar që bota e jashtme të përshtatet me nocionin tonë të përsosmërisë. P. sh: Cili është nocioni për një ditë të mrekullueshme? Quajmë një ditë që i përmbush të gjitha dëshirat tona, që shkon ashtu siç duam ne. Dhe cili është nocioni ynë për një ditë të mallkuar? Të tillë quajmë atë ditë plot dëshprim, ajo në të cilën nuk bëjmë atë që dëshirojmë. Po të mendojmë kështu, aq më keq për ne. Ç’faj ka dita që nuk i plotësoi dëshirat tona, dita ishte e persosur...kemi qenë ne që nuk e shfrytëzuam mrekullinë e saj.Shpresat, gjërat që presin, pasojnë njëra-tjetren dhe përjashtojnë çdo mundësi që të vijë deri tek ne diçka që nuk harmonizohet me mendësitë dhe zakonet tona morale. Ka njerëz që punojnë ditë e natë për të ndërtuar një shtëpi të bukur për fëmijët e tyre dhe pastaj i pengojnë fëmijët të jetojnë në to. Pastaj mania mbizotëruese se të gjithë duhet të ndjekim universitetin: Nëse nuk ndiqni universitetin quhet turp i madh. I shtrëngojmë njerëzit që të kalojnë patjetër në këtë rrugë, e cila nëse nuk i dëmtuar deri tani, do t’i shkatërrojë më pas.
E vërteta është se mendja jonë nuk është gjë tjetër veçse një instrument eksperience. Edhe nëse një fëmijë do të plotësonte çdo ditë njëzet prej zakoneve tona të çmendura dhë të mos plotësonte vetëm një prej tyre, ky i zakon i vetmi do të na futej në vetëdije, e do të na e prishte krejt humorin. Ne jemi me të vërtetë të tillë.! Të tjerët mund të na thonë tërë ditën që jemi të mrekullueshëm, të jashtëzakonshëm dhe se kemi shumë merita. Mirëpo mjafton që dikush të na thotë që nuk jemi simpatik dhe ndjejmë dëshprim të madh.
Tani duhet thënë vetes: “Do të filloj t’i besoj vetëm eksperiencës sime. Do të filloj të ndjej shijen e asaj që ha, t’i njoh vetë njerëzit, të vrojtojë qiellin, të thithë aromën e ajrit, të ndjej e të kuptojë gjërat. Në vend që thjesht të futem në shtrat, do të mundohem të ndjej çarçafët, të ndjej trupin tim, do të ndjej përgjegjësi për ndjenjat e një tjetri, do të ndërgjegjësoj vetveten time për ndryshimet e mia, për përparimet e mia, për qenien time.”
Shpesh si thelbësore vlerësojmë trupat tonë fizikë. O Zot! I kushtojmë më tepër kujdes fizikut tonë se çdo gjë tjetër në botë! Në mëngjes ngrihemi, bëjmë dush, përdorim deodorante, krihemi, hedhim sytë rreth e rrotoll që çdo gjë të jetë në rregull dhe vishemi. Në mbarim të ditës e bëjmë gjithçka nga e para.Një mësues më ka thënë: ky trup është makina jote! Nëse do të arrish aty shëndosh e mirë, duhesh ta mbash në formë të shkëlqyer. Respektoje atë se është makina që bart atë që është thelbësore...të paktën tani për tani.
Paul Reps e shpreh mirë këtë moment kur thotë: “Dikur njeriu e mbante mendjen e tij të përkushtuar në punë, ndërsa tani çmendet përpara pasqyrës.”
Ne kujtojmë se veprimtaria jonë mendore e fizike është thelbësore. Gjithë këtë veprimtari e quaj “shkarkime elektrike” Paul Reps thotë: “Duke menduar pesë ose gjashtë ide në të njëjtin çast, mësohemi të qëndrojmë në një gjendje tensioni kronik. Kudo gjejmë diçka që na streson. Nuk gjejmë asnjëherë diçka që të na mësojë të qetësohemi dhe të na bëjë të lumtur. Njeriu i krijuar të bëhet mik i të gjitha krijesave të botës, nuk mund të bëhet mik as me veten e tij.
Ne vazhdojmë të vrapojmë e të analizojmë thuajse çdo gjë. Për çdo gjë mendojmë e mendojmë. Shkojmë në shtrat me kokën të rënduar plot me mendime dhe nuk dimë si t’i shkarkojmë ato, prandaj nuk na zë as gjumi. Duhet të mësoni të lehtësoni mendjen tuaj, përndryshe, shkarkimet elektrike do t’ju bëjnë të çmendeni. Nuk mund të rrini duke u preokupuar me fëmijët tuaj për 24 orë rresht. Herë pas here duhet t’i harroni hallet dhe shqetësimet. Dhe kur e bëni këtë gjë, ndodh diçka e mrekullueshme. Në vend të “hiçit” do të gjeni “gjithçkanë”- madje krejt të pastruar dhe është e juaja pa qenë nevoja që të sforcoheni.”
Poashtu vlerësojmë thelbësore nevojën për siguri. Kjo është bazë e kulturës sonë...të gjitha ato nevoja për siguri, të cilat ne i shohim si esenciale. I mësojmë këto ide të gatshme nga të rriturit, të cilët janë mësuar me to në jetën e tyre. Të kemi afër sa më shumë njerëz me influencë. Të kemi një qëllim- kjo na bën të ndihemi të sigurt. Paraja, paraja e madhe na bën të ndihemi të sigurt. Njëherë një njeri para se të nisej për në Azi kishte vërejtur, se i kishin hyrë hajdutët. Gjatë dy muajve e kishin plaçkitur tre herë. Herën e parë e kishte denoncuar rastin në polici. Ndërsa pas paçkitjes së dytë dhe të tretë dhe pasi shtëpia sa vinte e boshatisej, ai ulet në dysheme dhe thotë më vete: “E po mirë, sa herë që vijnë hajdutët, ata marrin diçka dhe mbeten gjithnjë e më pak gjëra për të vjedhur. Ndoshta kur ti kenë marrë të gjitha, nuk do tyë kenë më se ç’të vjedhin dhe në këtë mënyrë do të kenë frenuar kriminalitetin”.
Duhet të kemi parasysh se paraja nuk është domosdoshmëri. Të bën të plotësosh dëshirat, por nuk është e domosdoshme. E vetmja siguri që ekziston jeni ju. Kjo është e gjitha. Paraja zhvleftësohet dita ditës. Të gjithë synojmë të akumulojmë ar. Budistët thonë: “Kur të zgjohemi jemi të gjithë si engjëjt, por kur biem për të fjetur jemi si djajtë, sepse gjatë gjithë ditës kemi rendur pas siurisë.”
Shpesh vlerësohet si thelbësore përmbushja e nevojave shqisore. Sa më shumë të keni aq më të shumta bëhen ato. Nëse një gjë është e mirë, nuk do të jetë kurrë e mjaftueshme. Asnjëherë nuk i njohim plotësisht dëshirat tona. Kërkimi i të jashtëzakonshmës ju mban gjithnjë të preokupuar. E megjithatë, nuk ka rëndësi si dhe sa e gjeni atë, nuk do të jetë kurrë e mjaftueshme, derisa ju nuk do të jeni ju.
Kërkojmë vazhdimisht kënaqësinë. Nuk duam të vuajmë. Mirëpo ju e dini se shumë gjëra mësohen pikërisht duke vuajtur. Natyrisht as unë nuk e uroj shumë vuajtjen, por kur t’ju vij jetojeni këtë eksperiencë, mbajeni për dore dhe pastaj harrojeni. Por mos e nënvleftësoni se mund të ju mësojë shumë gjëra. Për shumë nga ne, jeta është kërkimi i një gjendje të qëndrueshme e të pëlqyeshme.Është gjithashtu e mrekullueshme të provosh në jetë dalldinë dhe do të ishte mirë të jetonim çdo eksperiencë që ndeshim në rrugën tonë. Pastaj ato t’i njohim në kuptimin e tyre potencial, sepse atëherë edhe depresionet mendore do të bëhen thjesht pengesa më pak të forta dhe do të jetë më e lehtë t’i pranoni dhe t’i harroni ato.
Dag Hammarskjold thotë: “Në çdo çast ti bën një zgjedhje, por a e zgjedh vallë atë çka je, unin tënd? Trupi dhe shpirti ytë përmbajnë me mijëra mundësi, që të lejojnë të krijosh shumë “une”. Por vetëm një njërin syresh gjendet përputhja në mes zgjedhësit dhe të zgjedhurit, një i vetën të cilin nuk do të zjedhni kurrë, nëse më parë nuk i përjashtoni të gjitha ndjenjat sipërfaqësore, të gjitha ato mundësi të ekzistuari dhe të vepruari, që i zgjidhni sa për kurreshje apo për lakmi, e të cilat ju pengojnë të hidhni spirancën në përvojën e misterit të jetës dhe të ndërgjegjësimit se ju është besuar një talent i rrallë dhe një mrekulli, që janë më të vërtetë “uni” juaj.”
Pra, si mund të biem në kontakt me veten tonë? Para segjithash duke u bërë të vetëdijshëm. Të jesh i vetëdijshëm për gjithçka. Të jesh i vetëdijshëm për jetën, për rritjen, për vdekjen, për bukurinë, për njerëzit, për lulet, për pemët. Clirojeni mendjen tuaj dhe filloni të shikoni e të ndjeni! Filloni të jetoni jetën e mos u turpëroni. Lëreni mendjen të lirë, hapni zemrën, hapni krahët, hapni gjithçka. Mund të merrni e të merrni pambarim, sepse ajo që ekziston është e pafundme. Gjithnjë bëhet më e madhe. Sa më shumë të soditni një pemë, aq mq shumë gjëra dalin për t’u parë.
Kërkoni alternativa tjera. Skemat që njihni deri tash përfaqësojnë vetëm një mundësi. Ka mijëra mundësi të tjera për gjithçka. Derisa jeni të lirë, jeni të lirë të zgjidhni e për zgjidhni alternativat, po qe se jeni të vendosur të pranoni përgjegjësinë që ju jep liria. Pasi të keni provuar altenativat tuaja të ndryshme dhe të vini re se ato nuk ju kanë sjellur atje ku të dëshironit, mos më vini fajin mua. Fajin ia vini përsëri zgjedhjes suaj. Provojeni një tjetër alternativë.
Harrojeni atë që ishte! Merruni me atë që është! Koha do të punojë për ju. Jeta nuk është një fenomen i izoluar, është pjesë e eksperiencës së pergjithshme dhe ndikon në çdo çast të ri, të mëson vazhdimisht. Nuk ju pëlqen ku keni arritur Atëherë ndryshoni! Bëhuni tjetër njeri. Bëni atë që ndjeni, për të ndryshuar dhe për të mësuar nga ajo që ndodh.
Edhe një gjë tjetër...mos i shmangni gjendjet negative. Ato mund t’ju mësojnë shumë gjëra. Mos iu shmangni njerëzve që krijojnë tek ju gjendje negative. Ne kemi prirjet të kthejmë majat e këmbëve nga kemi thembrat dhe të largohemi nga këto çaste; ato ju bëjnë të rishikoni veten tuaj dhe të shfaqeni në një dritë tjetër. Nuk është dikush tjetër që ju tremb juve. Jeni ju që trembni veten tuaj. Ai ju vë në një pozitë të vështirë, në një gjendje negative, sepse nuk korrespodon me ato gjëra që ju prisni. Shkaku i vuajtjes suaj nuk është tjetri, jeni ju vetë. Mësoni nga gjendjet negative dhe pozita juaj e vështirë.
Poashtu, çlirohuni nga pritja e gjërave. Nëse bëni punën tuaj pa pretenduar e pritur asgjë, do të keni gjithçka për të cilën keni nevojë. Në qoftëse për shkëmbim ju japin diçka pritni krahëhapur. Do të ju duket si një suprizë. Por nëse prisni një reagim dhe reagimi vjen, është veq mërzi. Prandaj mos prisni me padurim diçka dhe do të keni çdo gjë.
Dhe në fund sekreti i gjithë kësaj qëndron këtu:” Vetëm zemra mund të shoh me të vërtetë. Thelbësorja është e padukshme për syrin.”
Shkruan:
NAPOLON ZEQIRI/Gjakovë 2004
mars.2004.islamgjakova.net

. Faqja e parë - Kthehu lartë - .Arkivi.