

HAPPY END
“Na ishte njëherë…” janë fjalë që jo rrallë i dëgjojmë. Kur ishim fëmijë i dëgjonim se si kështu fillonin përrallat dhe tregimet e ndryshme. Por, ndoshta nuk keni harruar, se si ato tregime përfundojnë: “dhe jetuan të lumtur dhe të gëzuar”.
Kjo thënie sipas Joshua Liebmanit- është një nga pohimet më tragjike të letërsisë. Tragjike sepse përmban një përfytyrim të shtrembëruar të realitetit, i cili ka shtyrë breza të tërë njerëzish të presin nga jeta atë që nuk është e mundur të gjendet në këtë botë të paqëndrueshme, të mangët dhe me të meta.”Ajo na shtynë të besojmë se si të arrijmë lumturinë. Mendojmë që të jemi më të pasurit, më të priveligjuarit dhe të kemi vajzën më të mirë. Synimet tona janë të pafund.
Që nga kohët më të lashta e deri në ditët e sotme njeriu vuan nga dëshira e pafund për të qenë i përkryer. Veprat e ndryshme artistike më së miri e pasqyrojnë këtë. Përsonazhet e ndryshme të paraqitura në këto vepra edhe pse kalonin nëpër peripeti të ndryshme, autori gjithmonë veprën e mbaronte me një fund të lumtur- “Happy End.”
Edhe në ditët e sotme shfaqen lloje të ndryshëm të filmave, të dramave dhe shfaqjeve të ndryshme të cilët na tregojnë odiseadat e çifteve të dashuruara dhe rrugëtimin e tyre të gjatë deri te fundi i lumtur- “happy end.”
Do të kisha pasur dëshirë që të më jipej rasti dhe të shoh, se athua çfarë ndodh pastaj me tregimin, në momentin kur fjalët e fundit thonë: fund“The End.”
Bota në të cilën jetojmë na përkujton, nëpërmes radios, televizionit dhe mjeteve tjera elektronike se çdo gjë rreth nesh është në stadin më të lartë të zhvillimit. Tani kemi lloje të ndryshme të mjeteve që njeriu të arrinë lumturinë e dëshiruar shekuj me radhë. Por athua njeriu arriti atë çfarë dëshiron në qenien e tij, apo është aq larg prej saj, sa as vet nuk mund të përfytyrojë një gjendje të tillë?
Edhe vetë mendoj mbi të bukurën mbi të përkryerën. Kur isha fëmijë çdo gjë më dukej e qetë dhe jetoja pa ndonjë preokopim të madh. Nuk isha i detyruar të punoja për të mbajtur askënd, nuk mendoja se do të dashurohem në ndonjë vajzë e cila do të më refuzonte. Thënë me një fjalë jetoja si në tregimet e bukura, “si princ në kalë të bardhë”, që ndoshta vetëm një gjë i mungonte , e ajo ishte princesha.
Por vendin e saj e luanin aq bukur prindërit e mi, të cilët ishin shpresa dhe lumturia ime më e madhe. Ishin njerëzit më të bukur, më të mirë , më të përkryerit. Në sytë e mi, ata ishin njerëz pa të meta. Me kalimin e kohës dhe me rritjen trupore e mendore, mësova se edhe prindërit ishin vetëm qënie njerëzore. Janë të gabueshëm dhe ndoshta e gjithë ajo që na kishin mësuar, kërkonte një rishikim. Ky ishte një ndër hapat e parë kur dyshova në përkryeshmërinë e gjërave.
Në moshën e rinisë mësova se ambienti në të cilin jetojë është larg përkryeshmërisë dhe pothuajse larg çdo realiteti të dëshiruar. Mësova se filmat dhe dramat, paraqesin anën figurative të gjërave dhe jo realitetin. Më nuk më bënin të besoja as atëherë kur shikoja reklamat dhe vajzat e bukura që paraqiteshin në to.
Mendova se zgjidhjen do ta gjeja duke qëndruar në vetmi. Gjatë kësaj kohe, i’a parashtrova vetes një pyetje: “A je i sinqertë?”
Vetëm kohëve të fundit, arrita që kësaj pyetje t’ia gjejë përgjigjen.
Edhe, pse secili pohon se është i sinqertë, por nëse vështrojmë me kujdes, atëherë do të vërejmë se sinqeriteti është send mjaft i rrallë dhe se njeri plotësisht të sinqertë pothuajse nuk ekziston.
Shumica prej nesh e mashtron veten edhe para se ta hap gojën. Me një fjalë, nganjëherë edhe vetë mënyra e të krehurit të flokëve bëhet gënjeshtër, plaku i cili që të duket më i ri, lëshon flokët si tinejxher- gënjen; gënjen edhe plaka e cila i ngjyros flokët që të duket më e re. Gënjeshtër është edhe proteza në gojën e dhëmbë prishurit. Të shminkuarit (kozmetika) me të cilat njeriu dëshiron që të mbulojë rrudhat edhe kjo është lloj i gënjeshtrës memece. Pudra, të kuqtë e buzëve, surma, makijazhi në sy, qerpikët artificial, të gjitha këto janë gënjeshtra para se të hapim gojën dhe të flasim.
E kur dikush e hap gojën dhe thotë “mirë mëngjesi,” ai këtë e thotë nga shprehia dhe tradita. Këtë ia thotë edhe atij që ia do të mirën edhe atij që nuk ia do të mirën. Prandaj, edhe këtu gënjen, sepse me fjalë ia ka dëshiruar mirëmengjesin edhe njeriut ndaj të cilit është armiqësisht i disponuar. Shumë njerëz për shkak të turpit refuzojnë diç që do të dëshironin të posedojnë- edhe kjo është gënjeshtër. Si dhe prindërit të cilët bisedojnë me vajzën e tyre me orë të tëra për çdo gjë, por jo vetëm për atë se, çka njëri-tjetrit do t’ia besonin.
Kultura jonë na mëson vazhdimisht të dyshojmë. Të mos besojmë. Të mos kemi siguri në diçka. Të kemi frikë nga çdo gjë. Në “vendin e dashurisë” gjejmë se mashtrimi i vetvetes është sistem i gjithëpranueshëm: secili me vetëdije, ose pa të e mashtron vetveten, e nganjëherë edhe tjetrin. Dy të dashuruar bisedojnë mbi dashurinë dhe secili, veç e veç, dëshiron të afrojë dëshmi me nder të arsyes së pranueshme që të arrijë në shtrat. Edhe dashnorit i duket se është çmendur pas dashurisë e ai, në të vërtetë, kërkon mjet që të ikë nga njëmendësia e hidhur.
Në mjediset e qytetëruara dashuria praktikohet si lloj i humbjes së kohës ose si lloj shkathtësie ose përvoje, ose si aspekt i suksesit të përsonalitetit. Shembulli në vijim më së miri e qartëson këtë: një njeri është shumë i tërhequr nga një grua dhe provon një dëshirë të fortë, për të pasur raporte seksuale me të. Ai e mendon me vetëdije këtë dëshirë, sepse ajo është kaq e bukur ose kaq e afruar, se ka kaq nevojë për të qenë e dashuruar ose se është kaq i nxitur seksualisht dhe kaq i dëshiruar për ngrohtësi. Ai mund të jetë i vetëdijshëm , që duke pasur një histori dashurie me të, kjo mund të jetë çrregullim në jetët e tyre. Gjithashtu ai mund të jetë i vetëdijshëm se ajo ka frikë dhe kërkon një forcë mbrojtëse, prandaj nuk do ta lë t’i ikë lehtë. Megjithëse, ai i di të gjitha këto, vazhdon dhe jeton një histori dashurie me të.
Përse? Sepse ai është i vetëdijshëm për dëshirën e tij, por jo për forcat që qëndrojnë pas saj. Cilat janë këto forca? Do të përmend vetëm një ndër to, megjithëse është ajo që vepron më shpesh: egoizmi dhe narcisizmi (vetkënaqësia) i tij. Nëse ai ia ka kushtuar vëmendjen pushtimit të kësaj vajze, si provë e fuqisë tërheqëse dhe vlerave të tij, zakonisht nuk është i ndërgjegjshëm për motivin e tij. Ai do të përdorë të gjitha racionalizmet e përmendura më lart dhe do të veprojë sipas shtysës së tij të vërtetë, sepse nuk mund të kuptojë dhe ka iluzionin e të vepruarit për motive të tjera më të arsyeshme.
Nganjëherë, fjala dashuri përdoret si gënjeshtër e mjaltë e cila e mbulon dëshirën e egër të posedimit, nënshtrimit dhe supermacionit. Nganjëherë, prapëseprapë, fjala dashuri përdoret si plan dhe grackë e mirë që të arrihet deri te trashigimia. E në formën më të shpeshtë e më të përhapur fjala dashuri është mjet që të arrihet kënaqësia e epsheve dhe mënyrë që të qetësohet ndërgjegja, që të mposhtet turpi dhe të menjanohet efektacioni (jonatyrëshmëria)
Ajo është mendimi ynë permanent me ndikimin e së cilës e tejkalojmë kompleksin e mëkatit. Kështu femra do të heq edhe copëzen e fundit të teshës duke e bindur veten, se këtë po e bënë se është sakrificë e dashurisë…, se dashuria është ndjenjë e pastër, se kjo është caktim i Zotit, se kjo është fati dhe se ajo nuk është e para e cila ka dashuruar, as e fundit e cila është flijuar.
Nuk ka gënjeshtër më të rafinuar se ajo është dashuri. Këtu në çdo fjalë është rrena, në çdo kontakt e pavërteta. Edhe vet instikti seksual, është i rrejshëm, sepse ai aq lehtë zgjohet, e edhe lehtë fiket. Ai aq shpejt ngopet dhe kërkon ndërrimin e shijes.
Seksualiteti njerëzor, i cili ndoshta është prova më domëthënëse e intimitetit të ndjerë thellësisht, ka humbur gjatë viteve lidhjen që kishte me dashurinë. Rrallë flasim duke përdorur fjalë si “bëra dashuri”: më shumë thuhet “e pallova”, ose “e bëra”, për të mos përmendur shprehje më të rënda. Seksi dhe marëdhënia e ngushtë dashurore nuk janë modeomos sinonime, megjithëse nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën; seksualiteti mund të mos bëjë fare me dashurinë dhe është vetëm një veprim i organeve gjinore. Mund të përjashtohet edhe çfarëdo interesi për individin si të tillë ose për vazhdimësinë e species (qenies): trupi i një qenie njerëzore përdoret për të kënaqur nevojën e një tjetri, dhe asgjë më shumë. Mund të ketë të bëjë fare pak, në mos aspak, me dhembëshmërinë, dashurinë, dëshirën për të ndierë së bashku diçka ose të japësh kënaqësi. Mund të jetë vetëm një bashkim seksual që kënaq një epsh. Por, pa këtë përbërës të rëndësishëm, që është shprehja e dashurisë dhe përzemërsisë, veprimi seksual është plotësisht pa përfitime themelore, si siguria dhe kënaqësia jetëgjatë, të cilat arrihen vetëm me një bashkim të plotë fizik dhe emocional. Ashtu si çdo lloj droge, seksi pa dashuri bëhet vetëm një shprehje e një nevoje fizike themelore dhe një dëshirë vetjake dhe konsumohet pasi arrinë orgazma, pa ndërtuar asgjë në rrafshin e dashurisë dhe të një marëdhënie të thellë.
Në vitet e fundit ka lulëzuar një letërsi e tërë që nënkupton se shkaku kryesor i shumë marëdhënive jo të kënaqshme midis të rriturve është mungesa e njohurive apo teknikave seksuale. Thuhet se pa zotërim të këtyre teknikave marëdhniet njerëzore do të vuajnë dhe do të jenë të paplota, ndërsa dashuria e pamundur.
Theodore Rubin pranon se rëndësia e tepërt që i jepet teknikës dhe njohurive të gabuara seksuale:
“…shkatërron shëndetin seksual të marëdhënieve dhe i qon të dashuruarit, të cilët do të synonin për një lidhje, në një pakënaqësi dhe shqetësim. Një emfazë e tepruar për aftësinë në teknikën seksuale, ankthi i realizimit të saj, stereotipet e dashnorit “ideal” dhe të veprimeve “ideale”: të gjitha këto janë gjëra që kanë ndikuar në ngadalësimin e lidhjeve midis seksit dhe ndjenjës.”
Kjo i ka bërë shumë njerëz të shikojnë seksin jo më si një shprehje të dashurisë, por si një art, si ushtrim. Një njëri kishte thënë: “Jam kaq i tendosur kur bëj dashuri, nga frika se mos nuk e bëj si duhet, sa rrallë herë provoj diçka.”
Ndërsa Rubin vazhdon e thotë: “Të këmbëngulësh për mënyrat mekanike është shkatrrimtare.Kjo të qon në diçka sipërfaqësore dhe në përplasjen me krenarinë gjatë mardhënjeve seksuale, në vend të një interesimi të shëndoshë për pasurimin e marëdhënieve. Atletika seksuale nuk mund të japë, thjeshtë, kënaqësi të thella të gjata, dhe të presësh që të jap do të thotë të përballesh më një zhgënjim shkatërrues për çdo fushë veprimi të marëdhënieve.”
Sinqeriteti në dashuri është i rrallë, më i rrallë se diamantet në shkretëtirë. Sinqeriteti në dashuri është etika e lojalëve reciprokisht, e jo shfaqje e simpatisë së rëndomtë. Trillohen poezi të dashurisë dhe tregime romantike dhe nga ana e tyre bëjnë komplot që ta thurin (trillojnë) fijen e gënjeshtrave të dekoruara dhe të bukura, ndërtojnë kulla në ajër dhe ëndërrojnë ëndërra trëndafili, fotografojnë fotografi mashtruese dhe të shkëlqyeshme mbi puthjen, përqafimin dhe kontaktin në shtrat, i përshkruajnë kënaqësitë e vuajtjeve dhe vuajtjet e kënaqësive, përmallimin e zhveshjes (privimit), lotët në shtrat, alivanosjet tronditëse, njohjet mbi ndarjet dhe mjegullat, mjegullat…, aromat dhe pikturat tërheqëse të pikturuara me furqën e artistëve, gënjështarëve të mëdhenj.
Gënjeshtra në art është traditë klasike të cilën kaherë e kanë filluar poetët. Arti është produkt i epsheve, ideve dhe temperamentit, e temperamenti edhe karakteri janë të ndryshueshëm.
Ne, vërtetë, gënjejmë edhe kur hamë, se hamë edhe kur jemi të ngopur.
Gjendja paradoksale me një numër të madh njerëzish është sot, ndërsa ata janë gjysmë të fjetur kur zgjohen dhe gjysmë të zgjuar kur flenë, ose kur ata duan të flenë. Të jesh plotësisht i zgjuar është kusht për të mos qenë i mërzitur dhe në fakt të mos jesh i mërzitur është një prej kushteve kryesore për të dashuruar.
Sot vërejmë mungesë sinqeriteti në dashurinë ndaj fqiut tonë. Marëdhëniet tona përcaktohen në fakt më së miri nga parimi i ndershmërisë. Ndershmëri do të thotë të mos përdoresh dredhi dhe mashtrim në shkëmbimin e mallrave dhe në shkëmbimin e ndjenjave. “Unë të jap ty aq sa më jep edhe ti,” si në të mirat materjale, si dhe në dashuri, është fjala më e përhapur në shoqërinë tonë. Etika e ndërshmërisë përzihet këtu me etikën e Rregullës së Artë. Sentenca “bëju të tjerëve atë që do të doje që ata të bëjnë ty,” mund të interpretohet si”jeni të ndershëm në shkëmbimet tuaja me të tjerët.”
Etika e ndershmërisë na mëson të mos ndihesh përgjegjës dhe njësh me fqiun tënd, por i largët e i vequar: ajo do të thotë të respektosh të drejtat e tjetrit, por të mos e duash atë, përkundër sentencës fetare: “duaje për vëllaun tënd, atë që do për vete,” e kjo na mëson ta duam të afërmin tonë, të ndihemi përgjegjës për të dhe njësh me të.
Shumë njerëz mendojnë se ka një papajtueshmëri themelore midis dashurisë dhe jetës laike normale brenda shoqërisë sonë. Ata mendojnë se të flasësh sot për dashurinë do të thotë të marrësh pjesë në mashtrimin e përgjithshëm; ata pohojnë se vetëm një martir ose një i marrë mund të dashurojë në ditët e sotme, kështu që i gjithë diskutimi mbi dashurinë s’është asgjë tjetër vetëm se predikim.
Shoqëria jonë drejtohet nga një burokraci menazheruese, nga politikanë profesionistë; njerëzit nxiten nga sugjestionimi masiv, qëllimi i tyre është të prodhojë më shumë dhe të konsumojë më shumë dhe tërë kjo si një synim në vetvete. Të gjitha synimet varen nga qëllimet ekonomike, mjetet janë bërë të parëndësishme; njeriu është një automat- i ushqyer mirë, i veshur shik, por pa ndonjë inters final që të ketë të bëjë me cilësinë apo funksionin e tij njerëzor.
Është e vërtetë që të gjithë jemi të vetmuar. Ky fakt është shkatërrues për shumë nga ne. Megjithatë mbetet si fakt. Hymë në këtë botë vetëm dhe pavarësisht nga njerëzit që na duan, do të vdesim vetëm. Ndërkohë do të na duhet të rritemi vetëm, do t’i marrim vetë vendimet që lidhen me ne dhe që do të përcaktojnë zhvillimin dhe ndryshimin tonë vetë. Pothuajse të gjithë e ndiejnë një ndjenjë vetmie gjatë gjithë jetës. “Shumë burra dhe gra digjen për një dashuri të fuqishme dhe nuk e gjejnë…natë pas nate, ditë pas dite; ndjekin njëri-tjetrin në të njëjtën kohë gjahtarë dhe pse bredhin nëpër bare dhe klube për njerëz të vetmuar, nëpër diskotekat, hotelet, kryqëzoret dhe udhëtimet e fundjavës… Të veshur, krehur dhe parfumosur për zakon, më të guximshmit hidhen, më të druajturit vështrojnë, ëndërrojnë dhe presin. Pastaj, me përjashtim të rasteve të rralla, secili kthehet në shtëpinë e vet, në mos me duar bosh, të paktën me zemrën bosh…Të tjerët e kanë jetën të mbushur ose edhe të mbledhur me njerëz ose të kushtuar një njeriu të rëndësishëm që e shohin rregullisht, apo me të cilin jetojnë. Megjithatë, edhe pjesa më e madhe e këtyre provon një ndjenjë veçimi të brendshëm… Përse, pyesim veten ndihen të vetmuar? Përse ankthi i vjetër vazhdon?
E vërteta. Të rrallë janë ata që e gjejnë. Monotonia e jetës së përditshme e detyron njeriun në hulumtimin e gjërave të reja, aventurave nëpër vend të fshehta dhe ekzotike. Por ndodh që në vend të përjetimeve të këndshme, njeriu të zhytet në atë që nuk e njeh dhe misioni i tij në këtë botë të dështojë. Megjithatë, një grup i vogël insiston me këmbëngulje në gjetjen e së vërtetës.
Ku është pra sinqeriteti?
Kur do të pasojë ai çast i vlefshëm kur do ta themi të vërtetën dhe ku vetëm ajo do të vijë në shprehje?
Ai vjen shumë rrallë. Ai do të lajmërohet në laboratoriumin e shkencëtarit kur ai shikon me mikroskop që të kërkojë të vërtetën. Në këtë moment arsyeja jonë njëmend me plot zjarr dhe sinqeritet hulumton dhe absolutisht në mënyrë plot zjarr e kërkon të vërtetën.
Momenti tjetër i sinqertë është ai i vetmisë, i kuvendimit me vetveten, kur fillon dialogu i brendshëm, ai kuvendim në vetmi ku nuk ka vesh tjetër të përgjojë. Në këtë moment jeta fillon të rrjedh që ta shpreh sekretin e vet. Atëherë edhe koha pushon që kësaj ndjenje mezi të kuptueshme t’ia mundësojë prezencën, sepse atëherë jemi para të vërtetës, atëherë nuk mund të gënjejmë, mashtrojmë dhe falsifikojmë, sikur që nuk mund të bëjmë këtë në çastin e vdekjes.
Atëherë, në atë çast, zbulojmë se tërë jetën kemi jetuar në këtë çast, se kemi vuajtur dhe i kemi duruar që të arrijmë deri te kjo njohje e vlefshme mbi shpirtin tonë.
Kur të ndizeni nga zjarri i dashurisë ju mendoni se në botë ekzistoni vetëm ju të dy. Ndërsa ekzistojnë një sërë njerëzish së bashku me të cilët duhet të jetoni, e që do të ndikojnë në lumturinë tuaj. Në këtë grup njerëzish më së pari hyn familja e juaj. Dashuria i ngjan një ujvare të mahnitshme e cila i lidh njerëzit në mënyrë të magjepsur. Megjithatë është një ndër ndjenjat më të kënaqshme, prap se prap në çdo dashuri ekzistojnë pengesa dhe vështirësi, e për ti kaluar ato nevoitet zemër, trimëri, mençuri, logjikë, dituri, durim dhe ç’është më e rëndësishmja një metodë. Në qoftë se ndonjërën nga veçoritë e mësipërme nuk e keni, atëherë ekziston rreziku që dashuria e jonë të mbetet në gjysëm, ndërsa kasollja e jonë e dashurisë do të bëhet e palumtur.
Marëdhëniet nuk janë vend për shkarkimin e egoizmit, egocentrizmit, dëshprimit dhe inatit. Ne rritemi vetëm kur ndihemi përgjegjës për lumturinë tonë, e cila nuk lindë jashtë nesh. Paqja dhe lumturia e qëndrueshme vijnë nga brenda. Kur i kemi ato, njerëz dhe ngjarje shkojnë dhe vijnë por gëzimi mbetet me ne përgjithmonë. Po të mos ishte kështu, ato mund të bliheshin. Përkundrazi, paraja që na jep mundësinë të blejmë gjërat që na bëjnë të lumtur ose që i shtojnë mundësitë tona për të qenë të tillë, do të të thotë shumës , por jo gjithçka.
Dashuria për të cilën unë bëj fjalë në këtë rast është ajo dashuri që ka për qëllim martesën dhe çdo herë synon lumturinë, dhe është në gjendje të kalon çdo vështirësi, si dhe një dashuri që zgjatë përjetë. Dashuria e vërtetë do të thotë që dy përsona të bëhen një trup. Me të dashurin qanë, qeshë, vetëm me të je i lumtur , kudo që shikon vetëm atë e sheh dhe vetëm atë e mendon. Për të dashuruarin para së gjithash ekziston i dashuri. Kur ai nuk është i qetë nuk je as ti, kur ai s’qesh nuk mund të qeshësh as ti, kur ai s’është i lumtur nuk je as ti.
Kur ne bëhemi dy, do të kuptojmë se kemi shumë më tepër. Kur unë të pranoj në jetën time, kam katër duar në vend të këtyre dyjave. Dy koka, katër këmbë. Dy mundësi gëzimi. Sigurisht, edhe dy mundësi për dëshprim e lot, por ti mund të jesh aty kur unë qaj dhe unë do të jem aty kur ti qan, sepse asnjëri nuk duhet të qaj kurrë vetëm.
“E rëndësishme është të bëhemi të ndërgjegjshëm se, pavarësisht nga fakti që e kuptojmë plotësisht se kush jemi apo ç’do të ndodhë kur të vdesim, qëllimi ynë është të rritemi si qenie njerëzore, të vështrojmë brenda vetes sonë, të ndërtojmë mbi këtë burim paqeje, mirëkuptimi e force, që është uni ynë individual. Dhe atëherë t’u shtrijmë krahët të tjerëve me dashuri, me përkushtim dhe me shpirt të durueshëm me shpresën për atë që mund të bëhemi së bashku.”
Unë nuk ia dal dot vetëm. Dyhet të jemi dy, për të parë. Katër sy shohin më qartë. Dhe të gjithë të pranishmit në publik, të gjithë së bashku, shikojmë akoma me më qartësi. Po të vinim në veprim energjitë tona të dashurisë, do të ngrinim peshë tërë qytetin tonë. Do të ishte qyteti i parë në botë që do të bëhej satelit pa përdorur asgjë tjetër, përveqëse energjinë njerëzore. Ajo që të dashurin e juaj e bën të veçantë nga të tjerët, nuk është bukuria por vet fakti që është i dashuri i juaj. Ndoshta ka shumë më të bukur e më të pasur se ai , por asnjëri s’është i dashuri juaj, sepse ajo që e dallon nga ata është vet dashuria e juaj. Andaj dijeni që dashuria çdo herë është e bukur dhe e ëmbël. Sigurisht se ka dhimbje, derte, vuajtje e lotë, por të gjitha këto do të jenë shkas që dashuria e juaj të bëhet sa më e mrekullueshme. Për këtë arsye nëse jeni të dashuruar do të vuani, por më dëshirë sepse duhet ta dini se çdo vuajtje e bëni për të dashurin tuaj. Në rrugën e dashurisë edhe e ithëta edhe e ëmbla, edhe mërzia edhe gëzimi janë një kënaqësi. Dijeni se nëse dashurisë suaj nuk i jepni çdo gjë, atëherë nuk mund të prisni shumë nga ajo dashuri. Dashuria e vërtetë kërkon sakrificë dhe vendosmëri. Kurrë nuk duhet të dorëzohemi nëse dëshirojmë të jemi me atë të cilën e dashurojmë. Kurrë mos thuaj, se nuk e do dikënd, përderisa nuk mund ta lësh të shkoj. Dashuria vjen te ata të cilët shpresojnë edhe pse kanë qenë të dëshpëruar, te ata të cilët shpresojnë edhe pse kanë qenë të tradhëtuar, te ata të cilët ende kanë nevojë të dashurojnë edhe pse kanë qenë të lënduar më parë dhe te ata të cilët kanë guxim ta ndërtojnë besimin sërish.
Nëse dashurinë e keni në emër të Zotit, padyshim që do të jeni të lumtur ngase Zoti është me të drejtit dhe më të sinqertit…
Në fund vijmë në përfundim se, njeriu lind,rritet dhe në fund vdes dhe i vetëm arrinë tek e vërteta. Dhe nuk e teprojmë kur, duke e përshkruar këtë botë, themi se është e rrejshme, ose është e pavërtetë dhe se të gjitha këto janë kapje të erës. Sepse, krejt çka na rrethon në këtë botë fenomenale, çdo gjë është rrenë dhe falsifikim. E mbysim njëri-tjetrin përshkak të mashtrimit, mburrjes dhe krenarisë së rrejshme. Bota më tepër është komedi se sa do të ishte tragjedi. Por, ne megjithatë ne digjemi për të vërtetën dhe të lumtur vdesim. Ndjenja për të vërtetën mbush tërë ndjenjën tonë edhe pse jemi të paaftë që deri te ajo të mbërrijmë. Ne, edhe pse është rreth nesh, nuk e shohim, por me plotë zemër e ndjejmë. Dhe pikërisht kjo ndjenjë vërshuese, është argument se e Vërteta ekziston. Edhe pse nuk e kemi parë të vërteten, edhe pse deri te ajo nuk kemi mbërritur, ajo është tek ne. Ajo është pikërisht kjo e cila na motivon, ajo është ideali absolut e cila për asnjë çast nuk e lëshon ndërgjegjën tonë dhe arsyeja jonë përherë mallëngjyese për atë. Çasti i mendimit të pastër na shpie kah e vërteta. Të njëjtën gjë e bën edhe shkenca. Në të njëjtin drejtim lëviz edhe kontrolli ynë i brendshëm, vetëdija. Edhe arsyeja jonë na orienton kah e vërteta.
E vërteta në Kur’an është sinonim i All-llahut dhe e vërteta el-Hakk është një prej emrave të Tij.
Të gjitha këto përjetimet tona të brendshme, indikatorët dhe orientuesit tregojnë se e vërteta ekziston. Vetëm ajo është sipër kësaj bote, ajo e tejkalon. Ne me sy atë nuk e shohim, por e përjetojmë. Atë e dëshmojnë shpirtërtat tonë, me tërë fuqinë dhe impulsin e tyre. Për këtë vërtetë habitemi me atë i cili kërkon dëshmi për ekzistencën e Zotit, për ekzistencën e së vërtetës. Më pyet për të vërtetën e ajo e përshkon tërë qenien e njeriut, ajo e ka pushtuar tërë zemrën e tij!
Si të bëhet pikë dyshimi diç që është pika qëndrore të cilët e synojnë të gjitha zemrat, e dashur nga të gjitha zemrat dhe synim i të gjitha arsyrave?
Në këtë çast unë nuk gjej këshillë më të çmueshme veçse të them që të gjithë t’i kthehemi natyrës sonë të pafalsifikuar të pastër, të virgjër, të dëlirë të cilën nuk e ka ndotur pseudologjika e izoluar dhe të përsiaturit ekuivokë, që secili në vetminë e tij, me mendimet personale të kërkojmë përgjigjet në zemrat tona. Zemrat tona do të përgjigjen në çdo gjë.
Thotë All-llahu i madhërishëm në Kur’anin fisnik:
“Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë”. 30:21.
Me fjalë tjera, All-llahu i madhërishëm u ka dhuruar zemrave tona atë kompasin i cili nuk gabon, e të cilën e quajmë intuitë. Intuita nuk mund të mashtrojë as të shtrembërohet dhe të deformohet, sepse ajo ëshë boshti i botës fenomenale, pika e saj qendrore, fusha e gravitacionit dhe mbi të ndërtohen të gjitha njohjet dhe kuptimet. Ndoshta, ti do jesh pjesë e asaj së vërtete… mendo…përkujto… beso…sepse, dhemb ta duash dikënd e të mos jesh i dashuruar, por çka është ajo që më së shumti dhemb, është të duash dikënd dhe kurrë mos ta gjesh guximin ti tregosh se çfarë ndjen. Ndoshta, Zoti dëshiron që ne ti takojmë disa njerëz të gabuar, para se të takojmë të vërtetin dhe kur përfundimish e takojmë, ne do të dimë se si të jemi mirënjohës për këtë dhuratë. Dashuria, është kur i bashkon ndjenjat, pasionin dhe romancën në një lidhje dhe e kupton se ti ende kujdesësh për atë person.
Asnjëherë , mos e shiko bukurinë, sepse ajo mund të të mashtrojë, mos shiko gjithashtu, pasurinë se mund të dëshprohesh. Shikoje , dikënd që të bën të qeshësh, sepse duhet vetëm një buzëqeshje që dikujt një ditë të errët t’ia bësh të shkëlqyer. Ka momente në jetë të mungon dikush shumë, sa që dëshiron ta marrësh nga ëndërrat t’ua dhe ta kesh atë në të vërtetë.
Një fjalë e ëmbël do ta bënte dikënd të lumtur, ndërsa një fjalë mizore do të shkatërronte një jetë, ndërsa një fjalë e dashurisë do ta bekonte dikënd. Të duhet vetëm një moment të takosh dikënd, një orë të pëlqesh dikënd dhe një ditë ta duash dikënd, por të duhet një jetë e tërë ta harrosh dikënd. Dashuria, fillon me buzëqeshje, rritet me përqafim dhe përfundon me lot, ndërsa e ardhmja e ndritshme, gjithnjë bazohet në të kaluarën dhe dhimbjet e zemrës. Kur ke lindur, t’i ke qajtur dhe të gjithë të tjerët përreth kanë qeshur. Jetoje jetën në mënyrë që kur të vdesësh, ti je ai që do të qeshësh dhe të tjerët përreth teje do të qajnë…
Bëhu ai që je! Shpirti ytë do të udhëzojë në rrugën e drejtë.
Shkruan:
NAPOLON ZEQIRI/Gjakovë 2004
mars.2004.islamgjakova.net

. Faqja e parë - Kthehu lartë - .Arkivi.