

VETEDUKIMI
Shtytës i rëndësishëm në ecje drejt përsosmërisë së shpirtit është vetedukimi. Secili prej nesh duhet të verifikojë ndërgjegjen e vet, sjelljet, fjalët dhe veprat. Duhet t’i drejtohemi vetes në mënyrë të qetë. Në këtë rrëfim të qetë duhet të jetë i pranishëm vetëm All-llahu.
Besimtari duhet të shtrojë pyetjen: a është dashuria e tij ndaj All-llahut, çfarë kërkon islami? A i ka kryer obligimet, që janë urdhëruar nga Zoti i Dashur.? A i ka nderuar prindërit e vet, vëllain, motrën, të afërmit dhe çdo njeri. A ka ditur të kërkojë falje për dhimbjen e shkaktuar dhe fyerjen e bërë? A ka qëndruar larg nga ngatërresa dhe përgjimi? A ka qenë xheloz, a ka fyer dikënd? Duhet parë se a ka qenë i vyeshëm në punë gjatë mësimit? A ka repektuar dinjitetin njerëzor? A i ka dhënë ndihmë atij që ka pasur nevojë për të?
Pyetjet këmbëngulëse vertetojnë dhe pastrojnë ndërgjegjen. Kontrolli i veprimeve personale ofron rezultate më të mira të fuqisë dhe të vetëdijes për mundësitë dhe aftësitë tona të brendshme.
Në këtë punë duhet t’i përmbahemi një sistemi të caktuar.
Kjo punë dhe kjo luftë për fisnikërimin e vlerave shpirtërore fillon me spastrimin e mendimeve të jetës nga të gjitha veset dhe të këqiat, nga të gjitha refleksionet e tyre, që janë shtresuar në shpirtin tonë. Çdo mendim të keq duhet ta largojmë që në nismën e tij. Pastaj duhet t’i shpallim luftë gabimeve themelore personale, të cilat bëhen me vetëdije të plotë, me vullnet të lirë edhe përkundër vërejtjes së ndërgjegjës. Në këtë luftë duhet të jemi këmbëngulës, madje, nëse ka nevojë, të përqendrohemi edhe me muaj në një gabim. Duhet t’i lutemi All-llahut për ndihmë, të luftojmë. Pastaj duhet filluar lufta kundër gabimeve të bëra në shpejtësi. E pas tyre, kundër gabimeve më të vogla, kundër shkeljeve të vogla e të mëdha. Çdo ditë duhet të bëjmë përtëritjen shpirtërore. Duhet të ngadhënjejë çdo ditë Ligji i All-llahut në shpirtin tonë, qoftë edhe në pjesët të shpirtit.
Ndikim të fuqishëm që sjell mëshirën e All-llahut ka padyshim pendimi.Thotë All-llahu i madhëruar:
“O ju që keni besuar, pendohuni te All-llahu me një pendim të sinqertë, në mënyrë që Zoti juaj t’i largojë prej jush të këqijat, t’ju shpie në xhennete, në të cilat rrjedhin lumenj...” (66:8).
Muslimanët gjithmonë përpiqen që shpirtërat e vet t’i bëjnë më të mirë, duke bërë verifikimin e besimit dhe moralit të vet. Kjo përpjekje ka filluar me njeriun e parë dhe vazhdon gjatë tërë historisë njerëzore.
Muhammedi a.s.lutej:
“Të lutem, o Zot, të më mbrosh nga veset, punët e dëshirat e këqija dhe sëmundjet”.
Na la amanet të vazhdojmë këtë vepër të madhe në luftë për mirëqenie dhe shpëtim të njeriut. Ai thonte:
“I mençur është ai, i cili vetveten e merr në përgjegjësi dhe i cili punon për jetën pas vdekjes, kurse i lig është ai,i cili udhëhiqet nga pasionet, e prapë shpreson dhe kërkon nga All-llahu xh,sh. që t’ia plotësojë dëshirat e ndryshme.”
“Xhihadi më i mirë është lufta me vetveten” , ndërsa, lutej:
“O Zot, më bën nga ata, të cilët pendohen shumë dhe përpiqen të pastrohen.” Ndërkohë shtoi:
“Lum ai njëri, të cilit i interesojnë të metat personale, ndaj, duke menduar për to, nuk ka kohë të mendojë për të metat e huaja.”
Hazreti Omeri thoshte:
“Qëroni hesapet me vetveten, para se të thirreni në ballafaqimin përfundimtar.”
Poashtu, është obligim që njëri-tjetrit t’ia tërheqim vërejtjen. Duhet të jemi si muslimanët e parë, e jo kryelartë, e egoistë.
Tevbe bin es-Sime nga Raka e kishte bërë zakon që gjithmonë ti bënte llogari vetes. Kur e bëri një ditë këtë i ra ndërmend se i kishte i bërë 60 vjeç? I llogariti ditët dhe konstatoi se ato ishin 21.900 ditë. Morri frymë thellë e tha:- Vaj halli për mua, athua para All-llahut do të dal me kaq shumë mëkate, nëse çdo ditë e kam bërë nga një mëkat. Mirëpo, unë për çdo ditë kam nga 10.000 mëkate. Nga frika vdiq. Atëherë, dikush tha: “Për mrekulli kërceu në xhennetin më të lartë”. Kjo u tha për arsye se ai që jep llogari para vetvetes për veprat e veta, pendohet dhe përmirësohet, prandaj është lehtë të jap llogari edhe para All-llahut xh.sh.
Hasan Basriu, thoshte: “O njeri, nëse do të jesh i drejë, atëherë mos i fsheh të metat e tua, por vazhdimisht evitoi dhe kështu do të jesh më i dashur te All-llahu xh.sh.
O njeri ! Sa i dobët dhe i pakujdesshëm që je. Të tjerët i fajëson për mëkate, kurse mëkatet e tua i fsheh. I sheh të metat më të vogla të vëllait, e nuk i sheh të metat e tua edhe më të mëdha. Shumë pak je i drejtë, e shumë i padrejtë, o njeri!
Njeriu do të jetë në gjendje të mirë gjithmonë, derisa të jetë udhërrëfyes i vetes, derisa mendimet t’i shndërrojë në vepra, derisa ta kujtojë All-llahun xh.sh., e pastaj të shqyrtojë vetveten, kurse Dita Gjykimit do të jetë për të shqetësimi kryesor. Do të jetë në gjendje të keqe derisa të ngurojë të bëjë mirë, derisa të veprojë sipas epsheve të trupit, derisa të jetë i pakujdesshëm dhe të përfundojë me dëshira të shkreta.
Shpesh i drejtohet zemrës, sepse zemrat ndryshohen shpejt. Bëhuni të rreptë ndaj vetvetes, sepse njeriu është i dhënë pas së keqes, prandaj nëse nuk i frenoni epshet e trupit, ato do t’iu shpiejnë në katastrofën më të madhe.”
Ka raste të panumërta të cilat tregojnë se si muslimanët iu kanë përmbajtur obligimeve të tyre. Ata kanë përdorur ndaj vetes dënimin si masë ndëshkuese.P.sh. hazreti Umeri duke soditur arën e vet e humbi namazin e ikindisë me xhemat, prandaj tha: “kjo arë le të jetë vakëf për të varfërit.”
Duhet mësuar nga njerëzit e mençur dhe të mirë se si bëhet njeriu i përkryer. Nëse ka nevojë edhe duhet denuar për kundërvajtje, por duhet qenë i butë dhe i arsyeshëm në dënim. Qëllimi i dënimit është që njeriu të bëhet më i mirë, e jo që t’i bëhet keq. Dënimi duhet të jetë njëra nga metodat edukative. Në luftën praktike kundër së keqës, krahas vetkontrollit, do të mund të shërbente në mënyrë të dobishme tabela e kontrollit të vetedukimit. Në të janë paraqitur rubrikat, të cilat analizohen çdo mbrëmje dhe pastaj jepet nota e sukseseve të arritura në luftë kundër gjërave tona negative. Notat jepen prej 1 deri në 5. Në fund të muajit bëhet kontrolli i përgjithshëm i vetedukimit. Rubrikat bëhen sipas zgjedhjes së lirë të bazuar në synimet dhe në qëllimet personale.
Në luftën për fitore nëpërmjet vetedukimit dhe vetkontrollit, me rëndësi është të njihen trajtat esaj. Kjo e lehtëson avancimin e mirë. Kështu, në vetkontroll paraqiten dy synime themelore, të cilat manifestohen si vetkontroll i jashtëm dhe si vetkontroll i brendshëm.
Vetkontrolli i jashtëm paraqitet te personat, të cilët orientohen më tepër kah fati dhe rezultati i rastësishëm pa mund dhe përpjekje. Personat, që synojnë vetkontroll kësisoji, përpiqen që për mossukseset e veta gjithnjë t’i fajësojnë të tjerët ose rrethanat e tjera, e asnjëherë veten, fajtorin e vërtetë.
Shembull i vetkontrollit të jashtëm: dikush që dëshiron ta lë duhanin, përpiqet të mos e sheh cigaren ose të mos e ndiej erën e tij. Po kështu, dikush qe dëshiron të dobësohet e braktis ushqimin e mirë. Ky është mekanizmi mbrojtës kundër pasioneve tërheqëse. Ai nuk ka fuqi të ballafaqohet drejtpërdret me provokimin.
Vetkontrolli brendshëm shfaqet te personat që e kanë të theksuar fuqinë shpirtërore, aftësinë dhe dëshirën për mund dhe përpjekje kundër veseve dhe pasioneve negative. Njeriu me qëndrim të këtillë, me ballafaqimin provokativ të cigares ose të ushqimit të mirë, u qaset problemeve në mënyrë thelbësore. Ai në vete merr vendim të fortë se nuk do të dorëzohet as para njërës, as para tjetrës sprovë, pa marrë parasysh se këto provokime qëndronin drejtpërdrejt para tij. Njohuria e tij për dëmin e njërës dhe tjetrës dhe vetdija për përdorimin e veprimeve të këtilla, është forca me të cilen ai ngadhënjen. Vetkontrolli i brendshëm është ajo forcë e mirëfilltë, e cila futet në thelbin e ngjarjeve të shpirtit të njeriut për dallim nga vetkontrolli i jashtëm që synon vetëm efektet e jashtme.
Shkruan:
NAPOLON ZEQIRI/Gjakovë 2004
maj.2004.islamgjakova.net

. Faqja e parë - Kthehu lartë - .Arkivi.