

VULLNETI
Vullnet d.m.th., vetia apo aftësia e njeriut për të plotësuar qëllimet dhe synimet e veta me përpjekje të vetëdijshme, me vendosmëri, me këmbëngulje dhe me durim .
Përveç lëvizjeve tona të natyrës bimore dhe shtazore kemi edhe një grup të lëvizjeve të cilat vërtetë janë tonat dhe janë shprehje e ekzistencës sonë njerëzore, respektivisht janë origjinë e jona. Këto vepra të vetëdijshme aplikohen vetëm pasi të filtrohen në dritën e vetëdijes dhe të maten në peshojën mendore. Kjo është zotësia shpirtërore dhe energjia metafizike të cilës ne i themi vullnet, gjegjësisht fuqia e nxjerrjes në shesh të gjërave të vendosura në brendinë tonë dhe sjellja e tyre deri në fazën e realizimit .Ç’është vullneti dhe çfarë do të thotë të kesh vullnet?
Për të kuptuar se ç’është vullneti duhet që në mënyrë të përgjithshme t’u qasemi veprave tona, gjegjësisht t’i vëzhgojmë më hollësisht veprat të cilat e mbajnë kontaktin e unit tonë me botën e jashtme. Kjo për arsye se zotësia shpirtërore e shprehur me fjalën vullnet është forcë që prezentohet përmes veprave dhe lëvizjeve. Pra, atë para se gjithash duhet ta kërkojmë në veprimtarinë tonë dhe medoemos duhet të nxjerrim vendime të larta nga brendia e saj .
Nëse i bëjmë vetës një intraspeksion (shikim brenda vetës), ne do të shohim se kemi dëshirë të madhe të veprojmë në mënyrë korrekte, t’i arrijmë të gjitha, por megjithatë ne duhet të dijmë të bëjmë dallimin në mes të dëshirës dhe vullnetit. Parasegjithash unë mendoj se e tëra kjo varet nga karakteri ynë, se a jemi të durueshëm, a jemi në gjendje të sakrifikojmë, a kemi mbi të gjitha a e kemi sadopak një vullnet të vockël për të krahasuar vetën me Profetët e All-llahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të gjithë. Kemi rastin e Nuhut a.s. ku me aq vendosmëri dhe vullnet iu përkushtua kësaj rruge përplot 950 vjet, apo sakrificën e Ismailit a.s. kur i tha babait të vet Ibrahimit a.s. që t’a bëjë atë që ish urdhëruar, apo Jusufi a.s. që zgjodhi burgun në vend të kënaqësisë së kësaj bote. Po Muhammedi s.a.v.s. kur i ofruan paria Kurejshite post, gruan më të bukur, çelësat e Qabës dhe shumë beneficione tjera? Me të vërtetë Pejgamberi a.s. ishte në moralin më të lartin me vullnet tejet të lartë, që nganjëherë të vjen turp për gjendjen tonë kur të bëjë ndonjë krahasim. Duke marrë shembullin e të Dërguarve të Zotit a.s., mund të shihet qartë se vullneti i tyre buronte nga njohja e vetëvetës, përgjegjësia për misionin që kishin, ishin të vetëdijshëm për pasojat që mund t’i kishin gjatë misionit të tyre, njëherit kishin një mbështetje jashtëzakonisht të forte gjithashtu në Krijuesin e gjithësisë. Tani shtrohet pyetja, se çfarë na mungon neve, kur dimë se të gjithë pothuajse kemi komoditet në këtë botë, literaturë nga më të ndryshmet, kurrnjëherë më të informuar se sot nuk kemi qenë për ndodhitë nëpër botë, kurrnjëherë më afër bashkimit nuk kemi qenë, të konstatosh këtë mjafton të të bëhet e qartë se çfarë na mungon ne, ajo pra është zgjuarsia dhe vullneti. Ku zgjuarsia tregon injorancën tonë, neglizhencën e të kuptuarit të ngjarjeve si dhe mos aftësinë e parashikimit të ndodhive para se ato të ndodhin, pra me një fjalë mungesë e diturisë. Edhe po të jesh i zgjuar dhe mos të kesh vullnet është sikur një dijetar kur flen. Ka ardhur koha e lëvizjes së motorit të ndryshkur, edhe ky motor lëvizë po të kemi vullnetin dhe vigjilencën, jemi në kohën e elektronikës ku lajmet dhe dituritë zgjerohen për një kohë shumë të shkurtë andaj prej nesh pritet veprim dhe vigjilencë.
Jemi në periudhën e rinisë, periudhë kjo e fuqisë, e cila gjendet në mes dy periudhave të dobësisë, dobësisë së fëmijërisë dhe asaj të pleqërisë, siç tregon për këtë Kur’ani famëmadh: “All-llahu është Ai që ju krijoi në një gjendje të dobët, pastaj pas asaj dobësie ju dha fuqi, e pas fuqisë, dobësi e pleqëri”.(ER RUM, 54). Periudha e rinisë është periudhë e gjallërisë kulminante, mesi i jetës, kurse mesi i çdo sendi ëshë pjesa më e fortë e tij, sikur dielli në mesditë, në zenit. Rinia, pra, është moshë e fuqisë, andaj njeriu edhe do të pyetet në Ditën e Gjykimit për jetën e tij në përgjithësi, kurse në moshën e rinisë në veçanti. Në hadithin e transmetuar nga Pejgamberi s.a.v.s. thuhet: “Nuk do të lëvizë njeriu nga vendi pa mos u pyetur për katër gjëra: për jetën ku e ka kaluar, rininë ku e ka harxhuar, për diturinë çka ka bërë me të, dhe për pasurinë, si e ka fituar dhe ku e ka harxhuar” .
Jemi mësuar me predikime mesjetare, një neglizhencë nga ana e predikuesve, ndaj edukatorëve. Na kanë mësuar me llojin e të nënshtruarit të krijesave, që të bëhemi “të dëgjueshëm” ndaj çdo pushteti (hyqymeti), sepse, “çdo pushtet është nga Zoti”.
Jemi edukuar, pra jo si muslimanë, por si poltronë (qyqarë), gati shërbëtorë.
Në një botë që është përplotë me të këqija, robëri e padrejtësi, t'u prediksoh të rinjve të shtëmëngën, të jenë të qetë, të bindur - a nuk është kjo bashkëpjesmarrje në robërimin dhe shtypjen e popullit tënd? Psikologjia për të cilën po flasim, ka më shumë aspekte. Njëri nga ta është gjithmonë tregimi i përsëritur mbi të kaluarën. Të riut tonë nuk i flasin çfarë duhet të jetë islami, veç çfarë ka qenë dikur. Ai di për Alhambrën dhe pushtimet e hershme, për qytetin nga "Një mijë e një netë", për bibliotekat në Samerkand dhe Kordovë. Shpirti i tij, vazhdimisht i kthehet së kaluarës dhe ai fillon të jetojë me të. Natyrisht, e kaluara është e rëndësishme. Por, sot është më e dobishme të riparosh kulmin e vjetër të xhamisë së thjeshtë në lagjën tënde, se sa të dish të numërosh të gjitha xhamitë e bukura që i ndërtuan paraardhësit tanë të lashtë. Si duket do të duhej t'ia futnim flakën tërë asaj historie të lavdishme, nëse ajo bëhet strehë e zhvillimit dhe të të jetuarit nga kujtimet. Do të ishte më mirë të rrënoheshin të gjitha ato permëndore të shkëlqyera, nëse ajo është kusht që më në fund të kuptojmë se nuk mund të jetohet nga e kaluarja dhe se duhet edhe ne të bëjmë diçka. Është paradoksale që kjo pedagogji fatale e nënshtrimit dhe moskundërshtimit, të predikohet në emër të Kur'anit, ku parimi i luftës dhe rezistencës është përmendur, të paktën në pesdhjetë vende. Si kod ligjor Kur'ani e ka hequr nënshtrimin. Në vend të nënshtrimit ndaj shumë autoriteteve të rrejshëm, Kur'ani vendosi një nënshtrim të vetëm - nënshtrimin ndaj Zotit. Por, në këtë nështrim ndaj Zotit, Kur'ani ndërtoi lirinë e njeriut, çlirimin e tij nga të gjitha nënshtrimet dhe frikësimet tjera. Që të edukojnë muslimanë, le të edukojnë njerëz, dhe atë, në mënyrë sa më të plotë dhe sa më komplete. Le t'u flasin atyre më shumë mbi krenarinë, se sa mbi modestinë, më shumë mbi trimërinë se sa mbi nënshtrimin, më shumë mbi drejtësinë se sa mbi mëshirën. Le të ngrejnë një gjeneratë dinjitoze, që do të dijë se nuk duhet të kërkohet leja e askujt për të jetuar dhe për të qenë ai që është. Sepse ta mbajmë në mend: progresi i islamit - sikurse edhe çdo progres tjetër, mbi të gjitha - nuk do të vijë nga njerëz të qetë e të nënshtruar, por nga trimat dhe kryengritësit, e posaçërisht ata që kanë vullnet dhe karakter të fortë .
LITERATURA:
Fjalor i shqipes së sotme, botimi i II, fq.1478, Tiranë 2002.
Kokë më kokë me të rinjtë – Ali Fuad Bashgil, fq.38, Logos – Shkup 2000.
Po aty, fq.31.
Dr. Jusuf Kardavi – Rinia në Islam, fq.3, Furkan – Prishtinë 2002.
Marr nga: Preporod, islamske informativne novine, izbor tekstova 1970-2000, Alia Izetbegoviq, Sarajevë, përktheu: Muhidin Ahmeti. http://www.mendime.net/tema/edukojme.html.
Shkruan:
Ardian Kurhasani
mars.2004.islamgjakova.net

. Faqja e parë - Kthehu lartë - .Arkivi.