ZGJIDHNI JETËN


Gjëja më e madhe që kemi është jeta. Dhe derisa jemi gjallë, siç thotë një fjalë e vjetër, ka shpresë. Të zgjedhësh jetën, nuk është kaq e vështirë sa kujtojmë. E megjithatë janë të shumtë ata që nuk janë në gjendje ta zgjedhin. Ka shumë njerëz të cilët thonë se pse duhet të zgjedhë jetën ,pasi që ajo më ka zgjedhur mua. Nuk kam kërkuar unë të lind. Më kanë bërë të vijë në botë, nuk kuptoj pse duhet të kem përgjegjësi të zgjedh jetën, përderisa nuk kam kërkuar të jetoj.
Do ti përmendi disa definicione mbi jetën: “Jeta është cilësia që e dallon një qenie të gjallë dhe funksionale nga një i vdekur.” “Jeta është ajo periudhë në të cilën nevojitesh për diçka”.-“Kalimi nëpër botë në një kohë të caktuar”.
Për të jetuar si duhet nuk duhet të kemi frikë të jemi ata që jemi.! Sepse, po të mendojmë pak do të vërejmë se kemi ndjenja të mrekullueshme dhe të çmendura të cilave nuk ia vëmë veshin. Shikoni një grua të bukur dhe tërheqëse dhe mendoni: “Do t’i them se është vërtetë e bukur”. Pastaj tërhiqemi: “Oh, jo nuk mund ta bëjë”.
Kemi frikë ta jetojmë jetën, prandaj nuk e përfitojmë dot eksperiencën tonë. Nuk shohim. Nuk ndjejmë. Nuk rrezikojmë! Nuk luftojmë më zemër për asgjë. Nuk jetojmë..., sepse të jetosh do të thotë të përfshihesh aktivisht. Të jetosh do të thotë të hudhesh në kurajo. Të jetosh do të thotë të biesh e të thyesh hundën. Të jetosh do të thotë të synosh të shkosh larg mundësive të tua...të fluturosh mes yjeve!
Por duhet të vendosni ju për veten tuaj: “ç’është për mua jeta?” Jam i bindur, nëse çdo ditë do t’i kushtonim mendimit për jetën, për të jetuar dhe për të dashuruar në të njëjtën kohë..., dhe nuk do t’i shpenzonim më tepër se ¼ e kohës që i kushtojmë sot gatimeve, do të ishim të pabesueshëm!
Po jeta ka mënyra të mrekullueshme për të zgjidhur këtë problem. Për mua është gjithnjë tërheqëse, sepse edhe kur jetën nuk e jetojmë , ajo shpërthen brenda nesh.Është si të kërkosh të bllokosh kapakun e një tenxhereje me ujë që zien. Do të ndodh diçka, për këtë jam i bindur. Fundi juaj do të jetë një gjendje e përhershme frike, vuajtjeje, vetmie ose më keq akoma, një gjendje psikopatie ose apatie. Të gjitha këto shenja dëshmojnë për faktin se nuk jemi duke jetuar. Pra, po t’ju shfaqet një nga këto dukuri, përmbysni gjithçka e thoni: “Tani do të jetoj!”- Në çastin që do të filloni t’i lejoni vetes të përfshiheni nga jeta, avulli shpërthen dhe ju keni shpëtuar. Nuk është e lehtë, por jeta na mëson se duhet jetuar.
Më pëlqen të mendoj se ditën kur lindët ju kanë dhuruar botën. Një kuti magjike, e lidhur me fije të pabesueshme! Dhe ka nga ata të cilët nuk marrin as mundimin t’i zgjidhin këto fije dhe aq më pak të hapin këtë kuti. Ka nga ata që kur e hapin kutinë presin të gjejnë vetëm bukuri, mrekulli dhe hare. Dhe mandej çuditën që takojnë në jetë edhe vuajtje, edhe dëshprim , vetmi dhe konfuzion. Jeta i ka të gjitha. Nuk di ç’mendoni ju, por unë nuk dua që jeta të më anashkalojë. Dua të njoh të gjitha gjërat që përmban kjo kuti. Një ndarje e kutisë quhet”vuajtje”. Mirë, edhe kjo është imja, do ta hap dhe do ta marrë ekseriencën e vuajtjes
Një ndarje quhet”vetmi”. Edhe kjo është e imja dhe do ta marrë eksperiencën e “vetmisë”. Dhe kur ju të më thoni ndjehem aq i vetmuar!”- unë mundem ta kuptoj pak vetminë tuaj dhe atëherë mund ta ndjejmë njëri-tjetrin pranë e ti shtrëngojmë dorën. Ne mund ta kthejmë dëshprimin në shpresë dhe kjo mund ti fshijë lotët dhe t’i kthejë në buzëqeshje.
Ka dy lloj forcash të mëdha, ato të jashtmet dhe ato të brendshmet. Kemi shumë pak mundësi t’i mposhtim forcat e jashtme, si tërmetet, përmbytjet, shkatërrimet, sëmundjet, vullkanet dhe epidemitë. Ajo që ka rëndësi vendimtare është forca e brendshme. Si reagoj unë ndaj këtyre shkatërrimeve?
Prandaj, që të përballemi me këto forca nevojitet që të zgjedhim ndërmjet shumë gjërave. Një nga gjërat më të rëndësishme është “të zgjedhë vetveten”. Mos e urreni atë. Mos e lini të bjerë moralisht. Përqafojeni duke thënë: “A e di më mirë kështu! Janë duke të rënë flokët, por je gjithçka që kam!” Kur të jetoni në paqë me dobësitë tuaja, ia keni arritur qëllimit! Nuk janë kaq të shumta, janë vetëm një pjesë e vogël juaja.
.Jemi të përveçëm e kjo shihet në çdo pjesë të trupit tonë. Kemi sy, hundë, gojë të ndryshme. Jemi aq të ndryeshëm saqë mund të identifikohemi edhe nëpërmjet gjurmëve të gishtave. E nëse as kjo nuk ju bënë të kuptoni që jeni unikë...
Pse u krijuat kaq të përveçëm? Mos vallë që të mund të bëheni si të gjithë të tjerët? Nuk e besoj që qëllimi i Zotit të ketë qenë ky. Unë besoj se jeni krijuar unikë ngaqë keni diçka unike për të thënë. Përkushtojani jetën tuaj zbulimit të kësaj gjëje. Zhvillojeni dhe ndajeni me të tjerët, sepse nëpërmjet këtij procesi do të bëhemi diçka më shumë. Ju keni përgjegjësinë dhe detyrën të bëheni gjithka që jeni. Kur e humbni veten tuaj, nuk mbetet më asgjë. Ruani dinjitetin tuaj. Integritetin tuaj. Askush nuk mund t’ju rrëzoj përdhe, përveçse vetja juaj. Të tjerët mund t’ju shohin në mënyrë të ndryshme, por ju e dini cili jeni, pra jini ai që jeni.
Kultura e shoqërisë sonë është një kulturë që analizon gjithçka. Dikush ju thotë:”Të dua!”- e ju i thoni”Më shpjegoni më mirë”. Çdo gjë që vjen deri tek ne kalon duke përshkruar një mekanizëm të çuditshëm filtrimi dhe kur arrin nuk është më ajo që është, por është ajo që ne duam të jetë. Prandaj ne nuk ndryshojmë. Nuk bëjmë progres, nuk piqemi. Vazhdojmë të bëjmë të njëjtat gjëra, ditë për ditë... Por ju jeni një histori. Secili prej jush është një histori unike. Një histori e mrekullueshme! Sido që të jetë kjo histori, nuk do të mundeni ta ndryshoni. Dashurojeni dhe përqafojeni. Gjeni sërish faljen, ndjesën. Nuk mund të zgjidhni jetën, nëse më parë nuk do të mësoni të falni! Falni ata që ju kanë bërë keq. Mësoni që t’i falni! Thoni: “U bë ç’u bë, më mirë kështu!” Sepse nëse nuk e bëni këtë, atëherë do t’i mbani këto gjëra mbi shpinë, si një trup të vdekur dhe do t’ju rëndojnë. Po mësuat të falni, do të mundeni t’i hiqni nga trupi këto pesha të rënda dhe të gjitha energjitë do të mundeni t’i përdoreni per t’u rritur e për t’u bërë të shkëlqyer. Mos merrni me vete të kaluarën tuaj, të varur si trup të vdekur.
Pra jeni një e kaluar, por jeni edhe një e ardhme. Këtë e dimë . Por kush mund ta dijë ç’do të jetë e ardhmja? Askush nuk mund ta bëjë këtë. Pra pse të preokopohemi me të ardhmen. Por ne jemi edhe një e tashme. “Jemi tani”. Me vullnet, intelekt, dëshirë dhe shpëtim..., mund të bëheni gjithçka që dëshironi, këtej e tutje.
Kjo mund t’ju duket si naivitet, por unë besoj sinqerisht se po qe se vendosni të “jeni” që sonte..., le të jetë kjo dita që kur të dilni që këtej të vendosni: “Do të zbuloj çdo të thotë të dashurosh jetën.” Ose “Do të zbuloj se ç’do të thotë të dashuroj dhe duke filluar që sonte do të sillemi si ata që dashurojnë. Kur të jemi duke nxjerrë ndonjë fjalë të keqe nga goja, do t’i bie vetes me grusht.” Ajo që do t’ju ndodhte, brenda tre-katër javësh, do të ishte e pabesueshme dhe e jashtëzakonshme.
I keni këto forca, mund ta bëni këtë. Nikos Kazanxaqis thotë: “Keni penelin, keni ngjyrat, pikturoni parajsën dhe pastaj hyni në të!” Dhe po deshët të pikturoni ferrin, bëjeni, pikturojeni, por pastaj mos ua vini fajin prindërve tuaj, shoqërisë, por as Zotit. Mbajeni vetë përgjegjësinë për ferrin që keni krijuar. Jemi një e kaluar, jemi një e ardhme. Por ajo që duhet të bëjmë, nëse duam të zgjedhim jetën, është të zgjedhim jetën e tanishme, të jetojmë të sotmen. Sepse e sotmja ka vlerë, ajo vlen. Ne jemi një potencial, por për ta zhvilluar këtë potencial’ duhet të çlirohemi nga “uni që shkatërron vetveten”. Paul Reps i quan “armatime anti-unë”. Dhe ndodh të kemi plot gjëra nga këta anti-unë! Duhet t’i heqim nga përdorimi: Të mos themi asnjëherë fjalën “kurrë”, duhet të zhvishemi nga: “Nuk mundet, nuk mundem”. Të mos themi “Jo”, “E pamundur”..., nuk ka asgjë të pamundur. Të mos themi “Nuk ka shpresë”. Këto janë fjalë për budallenj, jo për njerëz intelegjentë. Fshini nga fjalori juaj. Mos thoni “Kurrë”! “E pamundur?
I thoni ”po” jetës “Po” mrekullisë, gëzimit, dëshprimit, vuajtjes, asaj që nuk kuptoni.
Jam i bindur se është joplotësia e juaj shkaku i vuajtjeve tuaja më të mëdha. Bëhuni gjithçka që jeni. Është detyrë e jetës suaj. Zbuloni gjëra të reja, aftësi të reja, krijimtari të reja. Po nëse doni të ndryshoni me të shpejtë, duhet të ndryshoni “unin” duke e zgjeruar në “ne”.
Për të zgjedhur jetën duhet të jemi të gatshëm të rrezikojmë vazhdimisht dhe të dashurojmë përgjithmonë. Arrini të mendoni ndonjë gjë më të rëndësishme? Përse punojmë? Përse luftojmë? Përse vuajmë? Për ç’gjë shpresojmë? Për Zotin. Për dashurinë. Për jetën. Nëse lejoni që t’ju ikin këto, do të jetë për ju humbja më e madhe. Po të jesh i gatshëm të rrezikosh,të vuash, do të thotë ta njohësh dashurinë.
Van Gogh thoshte: “Mënyra më e mirë për ta dashuruar jetën është të dashurosh shumë gjëra”. Po të doni të zbuloni se a dini të dashuroni, vini re se sa herë gjatë ditës thoni:”s’e duroj dot”...”s’e duroj dot këtë”. “Oh hiqma këtë, se duroj dot”, “s’i duroj dot këta lloj njerëzish” etj. Në vend që të thuani: “Unë dua”
Gjëja tjetër duhet të dimë të përballojmë është vdekja. Duhet të pajtohemi me vdekjen, sepse është një mike e mirë. Na mëson se nuk kemi në dispozicion një kohë të pakufishme për të jetuar. Dhe nëse e duam jetën, më mirë ta jetojmë që në këtë çast. Sepse po të rrimë e të presim ndoshta nuk do të kemi rast tjetër.


Shkruan:
NAPOLON ZEQIRI/Gjakovë 2004

 

maj.2004.islamgjakova.net

       

         

. Faqja e parë   -   Kthehu lartë   -  .Arkivi.