Dëlirësia, vetëpërmbajtja dhe ndershmëria

Allahu xh.sh. dhe i Dërguari i Tij kanë dëshiruar të formojnë një shoqëri fetare, të ndershme dhe të mbrojtur, në të cilën çdo person do të edukohej dhe do të mësonte se amoraliteti është i ndaluar, prostitucioni është i ndaluar, turpi është pjesë e imanit, dhe ndalimi i shikimit është adhurim, kurse ruajtja e nderit është obligim.

Rinia është forca e së sotmes dhe potenciali i së ardhmes së këtij ymeti, për këtë arsye është obligim yni që t’i edukojmë me besim, me virtytet fisnike dhe me moral, t’i mbrojmë nga shthurja, nga rrymat pushtuese të cilat në vete përmbajnë ide të importuara.
Ekziston një gjë që e quajnë “lidhje dashurie”, lidhje sensuale ndërmjet mashkullit dhe femrës, ndërmjet të riut e së resë, dhe lidhjen dashurore e kanë quajtur problematike! Po, sikur njerëzit të kishin pasuar udhëzimin e Allahut dhe të shkonin sipas metodës dhe rrugës së Allahut, ajo nuk do të shkaktonte probleme asnjëherë. Vërtet, Islami instinktin seksual në shpirtin e të riut a së resë, mashkullit a femrës, nuk e konsideron prej djallit. Islami këtë nuk e konsideron si diçka të ndyrë, që njeriu duhet ta kundërshtojë dhe t’i kundërvihet.
Jo, ai është një dukuri natyrore, që e ka mbjellë Allahu xh.sh. në mesin e njerëzve për shkak të një urtësie të madhe, për të inkurajuar të riun dhe të renë që të kërkojnë partnerin e jetës së tyre, që në këtë mënyrë të formohen familjet, e pastaj të formohen edhe bashkësitë dhe të vazhdojë të mbijetojë ky lloj të cilin Allahu e ka bërë zotërues në tokë, dhe prej tij ka kërkuar që ta zhvillojë atë. Në këtë dukuri natyrore nuk ka ndyrësi.
Jo, ndyrësitë ndodhin atëherë kur të tejkalohen kufijtë e Allahut xh.sh. , kur të tejkalohet ajo që ka dëshiruar Sheriati. Por, kur të vendoset në raporte të duhura, atëherë kjo dukuri nuk është as e pistë, as e fëlliqët e as e ndyrë.


Lejimi i martesës dhe ndalimi i imoralitetit

Nuk është mëkat për njeriun që të kërkojë për çlirimin e kësaj fuqie ose t’i përgjigjet ftesës së dëshirës seksuale, po të jetë në kufijtë e caktuar nga ana e Allahut xh.sh. . Allahu e ka lejuar martesën dhe ka ndaluar imoralitetin, prostitucionin. Allahu ka ndaluar devijimin seksual, homoseksualizmin, veprimin e popullit të Lutit a.s. . Allahu xh.sh. i ka ndaluar këto, por prej njerëzve ka kërkuar që të martohen.
Shoqëria e ka detyrim që t’u ndihmojë atyre që dëshirojnë të martohen.
“Dhe martoni të pamartuarat (të pamartuarit) edhe robërit e robëreshat tuaja që janë të ndershëm e të ndershme. Nëse janë të varfër, Allahu i begaton nga mirësitë e Tij, Allahu është bujar i madh, i gjithëdijshëm”. (En-Nur, 32).
Sipas këtij urdhri hyjnor, shoqëria myslimane është e urdhëruar t’i martojnë të pamartuarit, t’u ndihmojnë atyre për martesë, të mos pengojnë martesën e lejuar, të mos bëjnë pengesa dhe vështirësi në rrugën e tij, ta lehtësojnë të lejuarën, e ta pengojnë të ndaluarën.


Ndalimi i shikimit jo të dëlirë

Nga këto instanca, Islami ka ndaluar gjithçka që shpie drejt anarkisë (çrregullimit) seksual. Ndaloi shikimin jo të dëlirë, shikimin që përshkon trupin e personit të gjinisë tjetër.
Pejgamberi a.s. i ka thënë Aliut r.a.: “O Ali, mos e përsërit shikimin me shikim, i pari të lejohet, por jo edhe shikimi i dytë”. (Ahmedi, Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Hakimi, nga hadithi i Burejdes).
Allahu xh.sh. u drejtohet burrave e u thotë: “Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), t'i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më e pastër për ta. Allahu është i njohur hollësisht për atë që bëjnë ata”. (En-Nur, 30.)
E grave u thotë: “huaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, t'i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, le të venë shamitë mbi kraharorin e tyre dhe të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt përveç burrave të vet, babajve të vet ose babave të burrave të vet, djemve të vet ose djemve të burrave të vet, vëllezërve të vet ose djemve të vëllezërve të vet, apo djemve të motrave të veta, ose grave të tyre (që u përmendën) dhe robëreshave, të cilat i kanë në pronësinë e tyre, ose shërbëtorëve nga meshkujt të cilët nuk ndiejnë nevojë për femrat ose fëmijët që nuk e kanë arritur pjekurinë për gra. Le të mos kërcasin me këmbët e tyre për ta zbuluar fshehtësinë nga stolitë e tyre. Pendohuni të gjithë te Allahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim. (En-Nur, 31).
Islami dëshiron nga myslimani që të rritet duke iu bindur Allahut xh.sh. në atë masë, saqë, nëse dikush e thërret për prostitucion, ai i thotë: Unë kam frikë Allahun, Zotin e botëve. Me këtë akt, ai do të jetë njëri prej atyre shtatë personave që do t’i strehojë Allahu nën Hijen e Tij, atë ditë kur s’do ketë hije tjetër përveç Hijes së Tij. Islami i edukon myslimanët me moral të këtillë, me vetëpërmbajtje, ndershmëri dhe devotshmëri të këtillë, saqë, edhe kur para vetes të shohin haramin, të mos e pranojnë, po ta shmangin, për asgjë tjetër përveçse nga frika e Allahut dhe duke kërkuar kënaqësinë e Tij. Gjithashtu edhe myslimania, ndonjëherë e ka lehtë të gjejë para vetes së saj mundësinë për të bërë haram, por e përmban vetveten, ruan nderin e saj.
Kështu kishte bërë një grua, të cilën një person e kishte ftuar për të bërë mëkat me të, e ajo ishte përmbajtur dhe kishte refuzuar. Njeriu i tha: ‘Çfarë të ndalon të bësh një gjë të tillë me mua, kur askush përveç yjeve nuk na sheh’? Ajo iu përgjigj: ‘Mjerë për ty! E ku është Ai Që ua dha ndriçimin atyre’?! Islami dëshiron nga myslimanët dhe myslimanet që të rriten në dëlirësi dhe ndershmëri. Ndërkaq, injoranca bashkëkohore dëshiron nga bijtë dhe bijat e myslimanëve, që t’i lënë këto mendime e ide, në këmbim të ideve bashkëkohore të dëmshme.
Këto mendime të vjetra, ata i konsiderojnë nga mbetjet e shekujve të prapambetur, ato janë mbetje të dekadencës, nga të cilat duhet të çlirohemi. Sipas mendimit të pabesimtarëve, duhet të heqim kontrollin ndaj të rinjve e të rejave, në mënyrë që të shikojnë njëri-tjetrin me një shikim të ri; duhet të ketë përzierje të rinjsh e të rejash në: shkolla, universitete, klube, tregje e vende të tjera; duhet t’i eliminojmë këto barriera të vjetruara, që në shikimet e tyre paraqesin mendime arkaike dhe ide të vjetruara dhe, me kalimin e kohës, ato janë shuar. Mirëpo, këto mendime e ide kanë ardhur nga Libri i Allahut xh.sh. dhe Syneti i të Dërguarit të Tij, e ata që dëshirojnë t’i heqin këto pengesa, kundërshtojnë atë që kanë urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij. Allahu xh.sh. dhe i Dërguari i Tij kanë dëshiruar të formojnë një shoqëri fetare, të ndershme dhe të mbrojtur, në të cilën çdo person do të edukohej dhe do të mësonte se amoraliteti është i ndaluar, prostitucioni është i ndaluar, turpi është pjesë e imanit, dhe ndalimi i shikimit është adhurim, kurse ruajtja e nderit është obligim. “Dhe ata të cilët e ruajnë nderin e vet (sa i përket jetës intime), me përjashtim ndaj grave të veta (me kurorë) dhe ndaj atyre (robëreshave) që i kanë në pronësinë e vet, për të cilat nuk janë të qortuar” (El-Mu’minun, 5-6.)
“Edhe ata që janë ruajtur prej punëve të ndyra (amorale). Me përjashtim ndaj grave të veta dhe ndaj robëreshave që i kanë në posedim, ata nuk qortohen për to.” (El-Mearixh, 29-30).


Ndalimi i vetmimit të mashkullit me një femër të huaj

Islami na urdhëron t’i ndalojmë shikimet, siç urdhëron që të mos vetmohen mashkulli me femrën përveçse me kusht që në praninë e tyre të jetë edhe mahremi (personi me të cilin femra e ka të ndaluar të martohet), sepse, kur të vetmohen mashkulli me femrën, në mesin e tyre i treti është djalli, meqë ai mund të joshë mashkullin me femrën dhe anasjelltas. Për këtë arsye, Islami mbyll rrugët që shpien në çrregullime, ndalon vetminë, ndalon edhe shfaqjen e bukurisë së trupit, gruas ia ndaloi daljen në rrugë e zbukuruar, e rregulluar dhe e parfumosur, sepse në këtë mënyrë ajo i josh njerëzit dhe i tërheq të rinjtë. Ata që dëshirojnë t’i thyejnë pengesat ndërmjet të rinjve e të rejave, bëjnë thirrje dhe insistojnë për programe të përbashkëta e të përziera, si në festime, kampingje, aktrime, lojëra folklorike dhe në veprimtari të tjera, për të cilat pretendojnë se janë prej shkaqeve të emancipimit dhe shenjave të modernizimit. Ata që dëshirojnë t’i zbatojmë ato që janë thënë në programet e sundimtarëve sionisët, në mënyrë që jetesa jonë t’i përshtatet Perëndimit, dhe filozofinë tonë ta marrim nga shkollat anarkike, nga shkollat sociologjike perëndimore, dhe të pasojmë idetë e Frojdit, Dorkajemit, Marksit e të tjerëve si ata.
Kjo intrigë perëndimore dëshiron të dëmtojë idenë e këtij ymeti, bindjen, moralin, familjet dhe shoqërinë e tyre. Ata dëshirojnë prej nesh të lëmë fenë tonë, Kuranin, Synetin e të Dërguarit tonë, Muhamedit a.s. për të ndjekur praktikat dhe idetë e tyre, hap pas hapi dhe krah për krahu.
Ata janë të huaj për ne, nuk ka vend për ta në shoqërinë tonë. Ne jemi shoqëri myslimane që krenohemi me Islamin, krenohemi me turpin e ndershmërinë, krenohemi me këto virtyte.
Por, shoqëritë e tjera, madje dhe në rrugë bëjnë marrëdhënie intime. A kërkohet nga ne që të bëhemi si ata? Ata janë që e kanë zgjidhur litarin, siç thonë, dhe ç’bënë kur u dhanë të riut e të resë lirinë e dashurisë, lirinë e marrëdhënieve intime, vallë, mos e zgjidhën problemin me këtë? Jo, për Zotin, imoraliteti është rritur edhe më shumë, saqë intelektualët, mendimtarët dhe reformatorët e tyre ankohen. Disa prej tyre thonë: “Problemi seksual në ditët e sotme për Perëndimin është më i rrezikshëm se bomba atomike”! Sepse, sa më shumë që kanë pirë, aq më shumë janë etur; sa më shumë që ishin të lirë, aq më shumë u ngjanin kafshëve. Pra, ata nuk e kanë zgjidhur problemin. Islami na ka ligjësuar rrugën mesatare dhe metodën e matur, e nuk dëshiron nga ne që të bëhemi (siç ndodh me disa religjione) murgjër e të heqim dorë nga martesa, dhe gratë t’i konsiderojmë të ndotura, apo gruan ta shohim si një djall të personifikuar. Islami nuk e konsideron martesën dhe as të menduarit për marrëdhënie intime të lejuar, si krim e mëkat. Kurani aktin seksual e vë në nivelin më të lartë shpirtëror, kur flet për agjërimin dhe lutjen; në mes të ajeteve të agjërimit dhe lutjeve, Kurani nuk heziton të flasë rreth marrëdhënieve seksuale.


Edukata seksuale në Islam

Allahu xh.sh. i mëson besimtarët duke thënë: ”Gratë tuaja janë vendmbjellje e juaj, afrohuni vendmbjelljes suaj si të dëshironi, por përgatitni për veten tuaj, dhe kini frikë Allahun, e ta dini se fundi juaj është tek Ai, e besimtarëve jepu myzhde” (El-Bekare, 223).
Afrojuni grave tuaja si të dëshironi, në vendin e duhur, në vendmbjellje, nuk ka lidhje se në çfarë mënyre do ta bëni atë, që të kënaqesh me gruan tënde. Gjer në këtë masë flet Libri i Allahut, rreth këtyre marrëdhënieve, dhe fare nuk heziton të flasë për to. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush, kur të dëshirojë t’i afrohet gruas së tij, thotë: Me emrin e Allahut, o Zot, na e largo djallin nga ne dhe nga ai me të cilin do të na furnizosh. Nëse nga ai çast u bëhet (lind) fëmija, djalli kurrë nuk do ta lëndojë atë (fëmijën)”. (Buhariu, Muslimi, Ahmedi, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibn Maxhe nga Ibn Abbasi r.a. ).
Madje, edhe në këto momente, në momentet e instinktit dhe pasionit, myslimani nuk harron të përmendurit dhe lutjet drejtuar Zotit të vet, në mënyrë që ta mposhtë djallin, dhe me këtë, akti natyror instinktiv shndërrohet në një akt adhurimi të qëllimshëm. Islami nuk e shikon aktin seksual si një gjë të ndyrë dhe të fëlliqur, po ajo bëhet e ndyrë dhe e fëlliqur atëherë kur të kalohet nga hallalli në haram. Mirëpo, nëse ajo bëhet në kushte të lejuara, në këtë mënyrë ajo konsiderohet ibadet dhe sadaka (lëmoshë), dhe për shkak të saj besimtari shpërblehet. Për këtë arsye, Pejgamberi a.s. u ka treguar ashabëve për lloje të ndryshme të lëmoshës, pastaj u tha: “Edhe marrëdhënia seksuale (bashkëshortore) është sadaka. Njerëzit i thanë: O i Dërguar i Allahut, a edhe për epshet e ndonjërit prej nesh ka shpërblim? Tha: Më thoni, nëse epshin e tij e përdor në haram, a nuk ka mëkat për të? Po ashtu, nëse e përdor në hallall, do të ketë shpërblim”. (Muslimi).
Domethënë: A po i llogaritni të këqijat e nuk i llogaritni të mirat?! Islami i edukon njerëzit që nga vegjëlia, dhe u jep njohuri rreth edukatës seksuale. Myslimani njihet me to atëherë kur i mëson gjërat që prishin abdesin, ose shkaqet që detyrojnë marrjen e gusullit, ose hajdin (menstruacionin) dhe nifasin (lehoninë), e gjëra të tjera. Në këtë mënyrë, ai mëson shumë prej këtyre gjërave që kanë lidhje me të, po ato i mëson në një atmosferë pozitive dhe të pastër, larg nga atmosfera e ndyrë dhe e infektuar. Ata që dëshirojnë të ndryshojnë strukturën islame të kësaj shoqërie, përpiqen dhe dëshirojnë të fusin tek ai ide të reja, në emër të këtij idhulli të ri, që quhet “evolucion”.
Në sytë e tyre, Jusufi i sinqertë ishte njeri i përmbajtur, konservator, dhe, sikur t’i përgjigjej gruas së zotërisë së tij, atëherë, sipas mendimit të tyre, ai do të ishte njeri modern dhe i lirë. Me ndihmën e propagandës perëndimore, kulturës dhe civilizimit perëndimor, ata po luftojnë që ne t’u përngjajmë atyre, mirëpo nuk do të pranohet asnjëherë ndikimi i tyre në shoqërinë tonë. Asnjëherë nuk do t’u shkojë për dore që t’i transferojnë këto ide të dëmshme e të ndyra në shoqërinë myslimane, në shoqërinë që krenohet me virtytet e vetëpërmbajtjes dhe ndershmërisë, që konsideron se ruajtja e nderit dhe ndershmërisë është tipar i moralit të njerëzve që janë besimtarë.




Burimi: “Predikimet e Shejh El-Kardavit”, përgatitur nga Halid Essa’d, mektebetu vehbeh, Kajro, 2001, vëll. 4).
Përktheu: Mr. Faruk Ukallo,
Dituria islame nr. 258


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, e mbajtur me rastin e festës së Fitër Bajramit (video)