Mund të fle edhe në stuhi

Para disa vitesh, një bujk kishte blerë një fermë në një kodër ku frynte shumë erë. Pasi u vendos aty, puna e parë që bëri ishte gjetja e një ndihmësi. Por, as në fshatrat e afërta dhe as në ata të largëta askush nuk donte të punonte në fermën e tij.

Të gjithë ata që kërkonin punë, hiqnin dorë sapo shihnin vendin e punës dhe thonin: “Këtë vend e rrahin shumë stuhitë. Do të ishte mirë që edhe ju të hiqnit dorë nga kjo fermë.”
Së fundi, punën e pranoi një burrë i dobët, që e kishte kaluar moshën e mesme. Pronari i fermës e pa gjendjen e burrit dhe nuk duroi dot pa e pyetur: “A di të punosh në fermë?” Burri i tha: “Diçka mendoj se di. Them se mund të fle edhe kur të fillojë stuhia.” Pronari i fermës mendoi pak për këtë fjalë pa lidhje, por pastaj nuk i dha shumë rëndësi dhe e mori burrin në punë. Pasi kaluan disa javë dhe vuri re se burri i administronte mirë punët e fermës, u qetësua. Derisa filloi stuhia. Në mes të natës, u zgjua prej zhurmës së frikshme të stuhisë. Ajo ishte aq e tërbuar, sa edhe ndërtesa dukej se po shkulej nga vendi. Menjëherë u ngrit nga shtrati dhe shkoi në dhomën e punëtorit: “Çohu, çohu! Ka filluar stuhia. Le të bëjmë çdo gjë që duhet para se era t’i marrë të gjitha!” Burri pa u ngritur fare nga shtrati pëshpëriti: “Mos u brengosni, zotëri! Shkoni dhe flini! Unë ju pata thënë kur më morët në punë se mund të fle edhe kur të fillojë stuhia.” Bujku desh u hutua nga nënvlerësimi i punëtorit. Puna e parë që do të bënte të nesërmen, ishte përzënia e tij, por tani duhej të gjente një zgjidhje për stuhinë. Doli jashtë dhe shkoi te mullarët e kashtës. Sa çudi! Mullarët e kashtës ishin vënë bashkë, ishin mbuluar me mushama dhe ishin lidhur fort. Shkoi në ahur. Të gjitha lopët ishin futur brenda dhe dera ishte mbyllur mirë. Pastaj u drejtua nga shtëpia. Qepenat e shtëpisë ishin të mbyllura. Bujku u kthye i qetë në dhomën e tij dhe u shtri në shtrat. Stuhia vazhdonte të fishkëllente. Buzëqeshi dhe, kur po mbyllte sytë, pëshpëriti: “Mund të fle edhe kur të fillojë stuhia.”

Si përfundim, nëse - logjikisht (keni dije dhe plane), - shpirtërisht (lutje), - materialisht (merrni masa) kundrejt vështirësive, mund të flini rehat edhe kur të fillojë stuhia. Madje gjatë gjithë jetës.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kumtesa e Dr. Valon Myrta në Dëgjesën - Konfigurimi i zbatimit të Islamit për një shoqëri në ndryshim