Miliona muslimanëve u prishet ëndrra për Haxh


Shirin Nazirmadova, një mjeke nga Taxhikistani Jugor, ka kursyer për vite me radhë për të shkuar në Haxh, pelegrinazhin që të gjithë muslimanët e aftë duhet ta bëjnë një herë në jetë.
Por, si miliona të tjerëve, rrugëtimi i ëndrrave të saj u prish, pasi Arabia Saudite vendosi muajin e kaluar që t’i ndalojë vizitorët ndërkombëtarë që të bëjnë Haxhin këtë vit, në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Autoritetet saudite thanë se rreth 1,000 njerëz –vetëm banorë të Arabisë Saudite – do të lejohen të bëjnë Haxhin vjetor, i cili këtë vit nis mbrëmjen e 28 korrikut dhe përfundon më 2 gusht.
Kushdo që merr pjesë duhet të jetë nën moshën 65 vjeç dhe të bëjë testin e koronavirusit përpara se të hyjë në vendet e pelegrinazhit në qytetet e shenjta të Mekës dhe Medinës.
Nazirmadova, 60 vjeçe, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk do të presë edhe një vit tjetër për mundësinë për të vizituar vendet e shenjta islamike, të cilat shpresonte t’i shihte këtë vit.
Ajo i dhuroi paratë e kursyera për Haxh në spitalin e saj në qarkun Farkhor, për të blerë pajisje të nevojshme për luftimin e koronavirusit.


Pajisjet e blera nga dr Nazirmadova.

Spitali rural i përdori paratë e gatshme për të blerë pajisje mbrojtëse për stafin, si dhe ilaçe dhe antiseptikë. Në shumë spitale të Taxhikistianit, vend me rreth 9.5 milionë banorë, ka mungesa të pajisjeve mbrojtëse.
Si mjeke me përvojë, Nazirmadova është në vijën e parë të frontit kundër koronavirusit.

Rregulla të reja

Autoritetet në Arabinë Saudite, ku deri më 7 korrik janë regjistruar mbi 217,000 raste me koronavirus, kërkuan këtë vit që besimtarët në Haxh, përveç veshjes së thjeshtë të bardhë, të mbulojnë edhe fytyrën dhe të vendosin doreza.
Në Mbretërinë saudite kanë vdekur mbi 2,000 njerëz nga sëmundja që e shkakton koronavirusi, COVID-19.
Rregullat e distancës fizike, kontrollet e temperaturës dhe përdorimi i dezinfektuesve pritet të bëhen pjesë e masave të autoriteteve saudite, për të siguruar shëndetin e besimtarëve.


Mekë, qershor, 2020.

Turma prej 1,000 njerëzish është e vogël krahasuar me turmat normale të Haxhit, që zakonisht është tubimi më i madh i muslimanëve në botë. Vitin e kaluar, rreth 2.5 milionë njerëz e ndoqën pelegrinazhin.
Për shkak të krizës së koronavirusit, Arabia Saudite pezulloi edhe Umrën, një pelegrinazh më të vogël që –ndryshe nga Haxhi – mund të kryhet në çdo kohë të vitit. Rreth 7 milionë haxhinj të Umrës e vizitojnë këtë vend çdo vit.

“Secili musliman ëndërron ta bëjë këtë pelegrinazh”

Sipas një sistemi të kuotave, për të cilin kanë rënë dakord autoritetet taxhike dhe saudite, taxhikët nganjëherë presin nga pesë deri në gjashtë vjet që t’iu vijë radha për të shkuar në Haxh.
Numri i aplikantëve tejkalon dukshëm kuotën vjetore të Taxhikistanit prej rreth 6,000 pjesëmarrësish.
Pritje të ngjashme të gjata ka edhe në vende të tjera të Azisë Qendrore, si Kirgizi, Kazakistan, Uzbekistan dhe Turkmenistan.
Në Farkhor, dr Nazirmadova nuk e di nëse do të jetë në gjendje të shkojë në Haxh në një vit tjetër.
Udhëtimi, që bëhet i mundur nga Komiteti i çështjeve fetare të shtetit, kushton 3,700 dollarë për person. Kjo është një shumë e madhe për mjeken taxhike të fshatit, rroga e së cilës është rreth 150 dollarë në muaj.
Zëdhënësi i komitetit, Afshin Muqim, tha për Radion Evropa e Lirë se ata që janë përfshirë në kuotën e Haxhit për vitin 2020, do të kenë shans ta bëjnë Haxhin vitin e ardhshëm nëse duan.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë