Njih një grua që frymëzon: Flora Hajdarmataj

Flora Hajdarmataj është studiuese e shkencave të komunikimit dhe çështjeve të privatësisë në mediat e reja, gazetare dhe autore.
Flora ka lindur me 1990 në Tropojë, shkollën fillore e kreu në vendlindje, pastaj shkollimin e mesëm e përfundoi në medresenë Alauddin në Prishtine, ku u zgjodh edhe nxënësja më e mirë e kësaj shkolle. Studimin universitar e përfundoi me sukses në fakultetin e Filologjisë, Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe diplomoj në degën e Gazetarisë në vitin 2012. Studimet post-diplomike i kreu në Universitetin Ege, në Izmir të Turqisë. Aktualisht, studion për doktoratë në Universitetin Anadolu, në degën e gazetarisë në Eskishehir-Turqi. Hajdarmataj ka marrë pjesë në shumë trajnime të organizuara nga TRT, Anadolu Agency, YTB, dhe punëtori në fushën e shkencave të komunikimit nga Konrad Adenauer Foundation, WUS Austria, ORSAM, The Center for Postnormal Policy and Futures Studies; Television Supreme Council (RTÜK), FOCIC, Swedish International Development Cooperation Agency (SIDA), UN Women Turkey dhe konferenca ndërkombëtare të organizuara nga Universiteti Ovidius, Universiteti Istanbul Medeniyet, Universiteti Anadolu, Universiteti i Eges, Universiteti Necmettin Erbakan etj., ku ka prezantuar punime shkencore për gazetarinë, vëzhgimin dhe privatësinë në mediat e reja, qasja e mediave mbi përgjegjësinë gjinore etj. Ka punuar si gazetarë në agjensine e lajmeve “KosovaInfo”, “Mesazhi.com” dhe ka marre pjesë në trajnime për Gazetari Online në TRT (Radiotelevizionit të Turqisë), së fundmi është angazhuar në projektin e Akademisë së Studentëve Ndërkombëtare të organizuar nga YTB-së (Kryesia e Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike) në Turqi dhe është kohë pas kohë shkruan për revistën “Shenja”. Flora Hajdarmataj është autore e librit të sapo botuar në Turqisht “Transformimi i Privatësisë dhe Vëzhgimi në Mediat e reja”.

Në vijim, Flora i është përgjigjur pyetësorit të supergrate.net

1. Cila është ëndrra, frika, shpresa dhe pendimi yt më i madh?

Ëndrra ime është që të jap kontributin në mënyrën më të mirë nga fusha imë akademike me dijet edhe përvojat që kam arritur deri tash. Shpresa ime është që një ditë të mos bëhemi vetjake dhe të kuptojmë vlerën e ndarjes së gjërave, dijes, eksperiencave apo veprave të mira. Të shpresosh apo të arrish një sukses nuk sjellin lumturi, por kur pas një rrugëtimi të gjatë kuptoni se keni bërë hapat e duhur, jeni të rrethuar me shoqërinë e duhur dhe keni shpërndarë nga vetja gjëra të dobishme për të tjerët. Frika ime është që e gjithë përgatitja dhe angazhimi im mos të vlerësohet dhe mbetët nën hije.

2. Si do të doje të të mbanin mend njerëzit?

Si një njeri modest që ka ndihmuar shumë njerëz dhe ka dhënë kontribut për ngritjen dhe edukimin e shoqërisë.

3. Si të përshkruajnë njerëzit që të duan? Si të përshkruajnë njerëzit që nuk të duan?

Punëtore (si bleta), këmbëngulëse dhe e sinqertë, ndërsa ata qe nuk më donë si kokëfortë dhe egoiste.

4. Çfarë duhet të ketë secila grua?

Secila grua duhet të këtë vetëbesimin se mund të arrijë aty ky dëshiron dhe se nuk është gjini e dobët. E vendosur dhe të qëndroje prapa asaj që ka ideal duke mos hequr dorë asnjëherë. E mirëkuptueshme, të përdorë mençurinë e saj për të kuptuar më shumë dhe të qëndrojë larg botës së “thasheshemeve” dhe paragjykimeve.

5. A mendon se personaliteti i një gruaje shpërfaqet në veshjen e saj? Nëse po, si?

Veshja, fizionomia, gjestet apo mënyra si si flasim shfaqin personalitetin tonë. Kështu që në veshjet që i veshim me vetëdije të plotë tregojnë karakterin tonë, vlerat apo edhe besimet tona. Ndërsa, nuk e shfaqin personalitetin tonë kur ato na veshin neve apo thjesht vishemi në baze kodeve të kulturës globale mediale apo jemi ndjekës të modës që ofrohet si paketë nga rrjetet sociale. Në këtë rast një këshillë të vogël. Bëhuni vetvetja dhe sa më natyrale, reflektoni thjeshtësi sepse bukuria fshihet aty. Ne nuk kemi nevojë të vishemi si aktorët e Holliwoodit, këngëtaret apo të jetojmë me ëndrrat që duhet të dukemi si princesha për të gjetur princin. Vishuni ashtu si e ndjeni vet dhe mos shpenzoni kohë për krijimin e garderobave tuaja por krijimin e bibliotekave, projekteve dhe çdoherë zgjeroni diapazonin e dijes tuaj.

6. Cila është fuqia më e madhe e të qenit grua?

Përshtatja, mençuria dhe mosdorëzimi.

7. Çfarë mendon për glorifikimin e vetëmohimit të gruas? A është gruaja nga natyra flijuese e vetëmohuese, apo janë rrethanat ato që ia imponojnë këtë?

Pak rrethanat historike e sociologjike, por edhe pak ato politike ja kanë imponuar një gjë të tillë.

8. A është lindja dhe rritja e një njeriu puna më e madhe që mund të bëjë një grua? A duhet gratë të definohen me rolin e amësisë?

Gratë janë të gjithanshme dhe nuk duhet të definohen vetëm me rolin e amësisë. Çështja e definimit të gruas me rolin e amësisë lidhet me përsëritjën e vazhdueshme të diskursit tradicional, mediatik apo religjioz, ku gruaja në këtë aspekt gjithmonë ngritët dhe shenjtërohet me këtë detyrë.

9. “Shtëpia duhet të jetë qendra, por jo kufiri i një gruaje.” Si e komenton këtë thënie?

Shtëpia është qendra e njeriut jo vetëm e gruas. Shtëpia nuk është vendi i katër mureve, por është vendi ku njeriu lind, rritet, formohet, zhvillon imagjinatën, thur ëndrra… vendi ku planifikohet e jashtmja. Ai është vendi ku bashkohemi, mblidhemi, ku ndahet dhimbja, gëzimi dhe përqafimet, ku ndajmë bukën e ujin. Shtëpia është vendi ku mbledhim kujtime nga fëmijëria deri në pleqëri. Jeta fillon në shtëpi dhe mbaron në shtëpi…Prandaj, prandaj edhe për gruan shtëpia nuk duhet të jetë kufi por vend zhvillimi i jetës së saj.

10. Një grua nga e kaluara që të frymëzon?

Çdo grua e cila me punën e saj ka arritur të kontribojë për mirëqenien shoqërore për mua është frymëzim. Prandaj nuk mund ta kufizoj kontributin e tyre në një.

11. Po të ishe fjalë, cila fjalë do të ishe?

Kuptimi i emrit tim “Flora” (Perëndesha e luleve).

12. Po të ishe një artikull veshjesh, çfarë do të ishe?

Ajo që e dua më së shumti “Shamia”

13. Nëse do të duhej të dëgjoje vetëm një këngë gjithë jetën, cilën do ta zgjidhje?

Zanin e natyrës.

14. A mendon se shoqëria ka standarde të dyfishta për gratë dhe burrat? Si ballafaqohesh me diskriminimin gjinor?

Sigurisht që një nga problemet në të cilat hasim në shoqërinë shqiptare është çështja e diskriminimit gjinor. Reagimi im cdo herë ka qënë në aspektin e mbrojtjes të drejtave njerëzore (qoftë burrë apo grua) dhe njëkohësisht me vetdijësimin e palës së diskriminuar ( kryesisht grave).

15. Si e mendon organizimin ideal të jetës në familje dhe shoqëri? A mendon se duhet të ekzistojnë rolet gjinore? Pse?

Një organizim i tillë mund të realizohet vetëm atëherë kur respektohen të drejtat e secilës qenie njerëzore, pa dallim shtetësie, feje, gjuhe, race, apo gjinie. Asgjë nuk është e rëndësishme, vetëm të qenit njeri është e mjaftueshme që ky rregull të vlejë. Gjinia nuk duhet të jetëpërcaktues i rolit. Secili duhet ta kryej rolin e vet në baze të nevojave, aftësive dhe mundësive që ka jo në bazë të përcaktimit gjinor.

16. Në cilën periudhë të historisë dhe në cilin vend do të doje të jetoje?

Në secilën kohë dhe vend kur dhe ku hyjnorja ka folur drejtpërdrejtë me njerëzoren.

17. Kush janë heronjtë?

Për mua hero-inat/njtë janë të gjithë ata njerëz të cilët e marrin përsipër një detyrë, rol, një mision dhe i kushtojnë kohë mund, dhe të cilët arrijnë në suksesin dhe pikën e synuar.

18. Si do ta zgjidhje problemin e urisë në botë?

Nëse konsumojmë sa kemi nevojë dhe ndajmë më të tjerët besoj që do zgjidhej ky problem.

19. Cili trend i momentit do të mund ta sillte fundin e botës siç e njohim?

Paturpësia dhe injoranca e madhe. Njerëzit kur nuk kanë turp bëjnë gjithçka dhe kur janë injorant antivlerat i vlerësojnë si vlera.

20. Si do të dukej bota nëse do ta udhëhiqje ti?

Jo si duket tani.

21. A të mrekullon jeta? Ku e gjen domethënien e saj?

Jeta është vet mrekulli, se ta mundëson ta shijosh atë.

22. Si do të doje të vdisje?

Njeriu nuk vdes, kalon në botën tjetër. Se jeta është vazhdimësi.

23. Po të kishe super fuqi, çfarë fuqish do të doje?

Kontrollimin e kohës.

24. Çfarë është një gjë që ti e beson si të vërtetë, por që pak njerëz e besojnë si të tillë?

Njeriu, i cili e ka brengë të vërtetën sublime, çdoherë synon njohjen e vetes dhe, nëpërmjet saj, synon ta arrijë të vërtetën. E vërteta dhe botëkuptimi për të vërtetën dallon nga njeriu në njeri. Për të arritur tek një e vërtetë duhet zhvilluar më shumë mirëkuptimin sesa paragjykimin e gjërave.

25. Si e mendon takimin tënd me Zotin?

Nuk mund ta imagjinoj vetëm lutem që kur të dal para Tij mos të turpërohem, por të ndjej gëzimin dhe lumturinë më të madhe!/supergrate.net/


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë