Në vigjilje të muajit të lindjes së Muhamedit a.s.

Përkujtimi i Pejgamberit a.s., gjegjësisht festimi i përvjetorit të lindjes së tij, ka zënë vend të merituar tek myslimanët shqiptarë në periudha të ndryshme kohore. Gjeneratat e viteve tridhjetë të shekullit të kaluar ditëlindjen e tij e konsideronin si një festë kombëtare. Në manifestime të ndryshme merrnin pjesë struktura të larta të qeverisë, që përfaqësoheshin nga ministrat e ndryshëm, e përkrah tyre merrnin pjesë edhe diplomatë të shteteve perëndimore të akredituar në Tiranë. Për kënaqësi të veçantë, në mevludet për gra, merrte pjesë edhe "nëna mretneshë". Në kuadër të manifestimeve të tilla ajo porosiste takime të veçanta. Ishte nder shumë i madh që fjalën e rastit ta merrte edhe dikush nga personalitetet politike të vendit.
Qytetet në trojet shqiptare, posaçërisht në Shqipëri, merrnin një pamje festive me të lagjeve dhe shesheve.
Sipas revistës "Zani i Naltë", festimet bëheshin aq masive, sa në to merrnin pjesë edhe pjesëtarë të feve të tjera. Gëzimi për ardhjen e muajit të lindjes së Muhamedit a.s. i ngjante një pritjeje madhështore që korrespondonte me respektin që myslimanët kanë ndaj tij.
Besoj se edhe shoqëria e re kosovare do të duhej të kishte një qasje tjetër nga e kaluara e afërt dhe të ishte më pragmatike ndaj personalitetit të Muhamedit a.s., së paku me shprehjen e respektit të përvjetorit të lindjes së Pejgamberit të mbarë myslimanëve të botës. Këtë ia ka borxh shumicës absolute të myslimanëve të Kosovës, fe, së cilës i përkasin edhe vetë.
Realiteti i ri kosovar obligon një qëndrim tjetërfare nga e kaluara e afërt. Jemi një shtet i ri, që kemi nevojë të krijojmë ura të miqësisë me mbarë botën. Jemi dëshmitarë se ministritë e caktuara, në shumë raste, nderojnë personalitete historike dhe ato nderime organizohen edhe nën patronatin e instancave më të larta të vendit. E ne, me të drejtë, pyesim kur do të vijë dita që një nderim i tillë t'i bëhet edhe pejgamberit tonë, Muhamedit a.s. ashtu siç bënë në periudhën e shkuar?

Në rrugëtim me Muhamedin a.s.

Veçori e Islamit është fakti se nevoja për njohjen e tij, gjithmonë të kthen në burimin e shpalljes dhe prej aty merr fuqinë dhe legjitimitetin. Rrugëtimi i Muhamedit a.s. është shembulli praktik se si duhet të ndërtohet jeta islame në të gjitha segmentet e saj, duke filluar nga ajo private për ta shtrirë deri në organizimin e sistemit shtetëror dhe funksionimin në praktikë. Nëse rrugëtimin e tij do ta vinim para vetes për ta studiuar dhe për të nxjerrë rezultate, do të shihnim se shtigjet e tij kanë realizuar synimet, që kanë formuluar objektivat e sistemit islam. Angazhimi për njohjen e Muhamedit a.s. buron nga besimi se Ai është i dërguar i Allahut dhe komunikues i fjalëve të Tij. Allahu na ka urdhëruar që t'i besojmë Pejgamberit a.s. dhe t'i nënshtrohemi atij për gjithë ato që urdhëron ose ndalon, duke na e bërë të qartë se tek ai kemi shembullin më të mirë. Ai është dërguar si mëshirë e përgjithshme, lajmëtar dhe qortues e udhëzues i mirëfilltë që u dërgua për t'i nxjerrë njerëzit nga terri i injorancës drejt dritës së besimit.



Allahu na urdhëron që t'i bindemi Pejgamberit a.s.: "O ju që besuat, binduni Allahut, binduni të dërguarit dhe respektoni përgjegjësit nga ju. Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë parashtroj eni atë tek Allahu (te libri i Tij) dhe tek i dërguari, po qe se i besoni Allahut dhe Ditës së fundit. Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë".( En Nisa'ë, 59)

Dëshmia e besës që nuk thyhet!

Personaliteti i Muhamedit a.s. i jep vazhdimisht shpirt jetës së besimtarit dhe e gjallëron atë. Sa ka të atillë që edhe gjatë jetës së tyre janë të vdekur, e vdekja për ta paraqet fundin e kësaj bote. Në anën tjetër, ka prej njerëzve që vdekja, për ta, paraqet përfundimin e kësaj bote dhe fillimin e një jete të re, edhe më të çmueshme dhe më të begatshme, frytdhënëse derisa të ekzistojë bota dhe të merret frymë në të. Vdekja i bën edhe më të vlefshëm, më të dashur e më të çmuar.
Muhamedi a.s. fizikisht nuk është në mesin tonë, por mësimet e tij janë aktivete çdo besimtar dhe ushtrojnë ndikimin e vet në çdo kohë, me insistimin që jetës t'i japin një kah të caktuar dhe ta orientojnë drejt formësimit mbi bazat e shëndosha të Islamit.
Sa myslimanë lindin në botë dhe fjalët e para që dëgjojnë janë termat e marrë nga dëshmia islame: Besoj Allahun xh. sh. dhe besoj Muhamedin a.s., për të treguar së e tërë jeta jonë duhet të ndërtohet mbi baza të besimit në Allahun dhe në të dërguarin e tij Muhamedin, dëshmi bese e lidhur në mes njeriut dhe Krijuesit të Tij.
Është e qartë se që në frymën e parë të jetës në këtë botë, I kemi dhënë besën Allahut se do ta besojmë Atë dhe besojmë të dërguarin e Tij, atë do ta pasojmë e ta respektojmë. Kështu do ta përmbushim kushtin e besimit, pa të cilin nuk pranohet as besimi në Allahun.

Përtej përkujtimeve tradicionale!

Nuk është mirë që organizimet me rastin muajit të lindjes së Muhamedit a.s. të kufizohen me leximin e vargjeve të mevludit, si një thesar kulturor e fetar dhe një gjini e veçantë letrare. Domosdoshmërish kisha tërhequr vërejtjen që kjo festë dhe tubimet që shkojnë në favor të saj, të shfrytëzohen për të ngjallur vetëdijen e besimtarëve ndaj Muhamedit a.s. dhe për të bërë të qarta obligimet që ata kanë ndaj tij.
Mosnjohja e disa detyrave që burojnë nga deklarata islame, bie ndesh me nevojën për njohjen e Profetit të Islamit. Mosnjohja e disa çështjeve, deri në një masë të caktuar është e pranuar, por, kur ajo kap rrethin e njohurive elementare, atëherë është e patolerueshme. Njohja e Muhamedit a.s. për besimtarin paraqet përmbushjen e pjesës së dytë të deklaratës islame.
Sa e sa njerëz në botë sot janë vënë në shërbim të tij. Sa mendje të ndritura, paraqesin me devotshmëri versionin origjinal të jetës dhe veprës së Profetit të Islamit. Sa faqe të specializuara elektronike ofrojnë njohuri burimore për gjithë ata që duan ta njohin nga dora e parë.
Muhamedi a.s. është i dërguar i Allahut dhe rob i Tij. Allahu e dërgoi Pejgamber, si mëshirë për mbarë njerëzinë. Erdhi pas një periudhe kohore njerëzimi kishte mbetur si i dehur, i zhytur në injorancë dhe pabesim.
Tani, flamuri i misionit të Shpalljes po kalonte nga një popull në tjetrin. Allahu kishte shtruar rrethanat për dërgimin e Muhamedit a.s.. Për këtë ishte përgatitur familja dhe tërë shoqëria. Shenjat e pejgamberisë ishin të hetueshme qysh në periudhën e hershme të rinisë së tij. Ishte ruajtur nga çdo lloj devijimi. Ai kurrë nuk u përul para ndonjë idhulli, kurrë nuk kishte gënjyer, nuk merrte pjesë në ndenjje të kota, refuzonte mënyrën e adhurimit që bënte shoqëria e asaj kohe. Kundërshtonte dukuritë negative që kishin përfshirë shoqërinë dhe dalëngadalë filloi të tërhiqej në vetmi.
Në moshën dyzet vjeç meleku Xhibril i solli mësimin nga Allahu, dhe prej aty nisi komunikimi me qiellin. Tani jeta do të udhëzohej me mesazhin e përkryer, ndërsa Muhamedi a.s. do të komunikonte Fjalët e Tij.

Mëshira e dhuruar

Personaliteti madhor i Muhamedit a.s. është paraqitur në ajetet e Kur'anit dhe për ne është i njohur deri në detaje. Ai është mëshirë e dhuruar, vulë e vargut të profetëve, mëshirë për mbarë njerëzinë, udhëzues në rrugën e drejtë. Allahu e ka dërguar dëshmitar e lajmëtar. Thirri për çdo të mirë e tërhoqi vërejtjen nga çdo e keqe. Është dërguar që të përkryejë vlerat morale. Pejgamber nga lloji njerëzor, e mundonte ajo që i dëmton besimtarët, ishte i kujdesshëm për atë që sjell çdo mirësi. Në çdo aspekt, për besimtarin ai është shembulli më i mirë, të cilin jemi porositur ta imitoj më dhe të shkojmë shtigjeve të tij. Imitimi i tij e bën jetën më kreative dhe e vë në binarë të shëndoshë e të ndërtuar sipas modelit origjinal, të cilin e gjejmë të tematizuar në Kur'an.

Mësimet nga lindja që na frymëzon

Lindja e Muhamedit a.s. na frymëzon të gjithë ne ashtu siç frymëzon miliona e miliona myslimanë në rruzullin tokësor mbarë. Këtë udhë rrëfim duhet ta synojmë të gjithë dhe në këtë janë të barabartë si elita e shoqërisë, ashtu edhe shtresa e gjerë. Ndjenja e përgjegjësisë për njohjen e Pejgamberit lëshon rrezet e veta në të gjitha horizontet. Kjo ndjenjë vazhdimisht konsiston në origjinalitetin e fesë, të kulturës dhe civilizimit, të cilat u formësuan me rregulla të veçanta dhe u plotësuan me dhuntitë e Allahut duke motivuar vlerat e mirëfillta morale, me synim të ngjitjes së tyre drejt devotshmërisë si pika më e lartë e përkushtimit ndaj Allahut xh.sh .. Historia është dëshmitare se me ardhjen e Muhamedit a.s. kanë ndodhur mrekulli të shumta, të cilat janë pasqyruar në politikën e kohës, në sistemet udhëheqëse, bindjet ideologjike, që deri atëherë mbështeteshin në kulte e ideolatri. Mrekullitë e tilla shtrijnë ndikimin e tyre në individin dhe shoqërinë e gjerë.
Allahu e zgjodhi për bartjen e misionit të tij, prandaj ishte i tillë në të gjitha periudhat e jetës, që nga fëmijëria e hershme e deri në vdekje. Në vegjëlinë e tij e njihnin si "el emin" besnik, sepse edhe në mesin e shokëve të vet dallohej për këtë virtyt shumë të lartë, prandaj kontestet e mundshme i kthenin për gjykim te Muhamedi a.s.. Kështu ndodhi edhe në të gjitha periudhat e jetës. Njohja e jetës së tij është burim i pashtershëm për njohjen e fesë, kulturës dhe civilizimit. Misioni i Muhamedit a.s. ka krijuar një realitet objektiv në sferat e ndryshme të jetës, si në aspektin fetar, historik e kulturor, po dhe në atë individual e shoqëror. Pjesë e një realiteti të tillë të integruar në kornizën islame, jemi edhe ne populli shqiptar, i cili u mishërua me Islamin dhe në atë që lidhet me të.

Vetëdija për atë që po përkujtojmë sot!

Ne përkujtojmë njeriun më të dashur në zemrat tona. Atë që Allahu për ne e ka bërë më të afërt se familja, pasuria dhe vetja jonë. Përkujtojmë Muhamedin a.s., të dërguarin e Allahut. Nuk ishte një prijës politik, i cili ofroi projektin për një periudhë të caktuar dhe, me rënien e qeverisë, të përfundonte çdo gjë. Nuk ishte filozof, i cili formuloi mendimet e veta për ta kuptuar një rreth i caktuar. Nuk ishte një yll që shuhet posa të vijë agimi, nuk ishte një i pasur që i bënte të tjerët të bëheshin vasalë për shkak të ndikimit të tij. Rrethi i tij nuk paraqiste një servis në shërbim të tij, por që të gjithë ishin këshilltarë që punën e bënin me shumë devocion. Jo, nuk ishte i tillë. Ne sot po përkujtojmë atë që Allahu garantoi moralin, sjelljen, edukatën, shembullin personal, virtytet morale, rrugën e besimit, metodën e praktikumit, ndjenjën dhe dhembshurinë e tij. Po sjellim në vetëdijen e besimtarit karakterin e tij madhor, shpirtin e tij bujar, dashurinë për njeriun, përpjekjet e pafund për të ndërtuar një shoqëri ideale, të bazuar mbi parimet e besimit. Udhëheqja dhe pushteti nuk i sollën asgjë në rrafshin personal. Me të dalë nga kjo botë, pas vete la vetëm gjësendet personale, kurse një pjesë toke që posedonte, e la në shërbim të sadakasë, e ajo do t'u jepej nevojtarëve.
Shumë herë mbetej i uritur, ngase atë që posedonte, ua jepte atyre që ishin më të nevojshëm. Ishte shumë i ndjeshëm ndaj kategorive të veçanta. Ai thoshte: "Unë dhe ai që kujdeset për jetimin, në Xhenet do të jemi së bashku", kurse atë që kujdeset për familjen e jetimit, e llogaris si luftëtarin në rrugën e Allahut ose si atë që falet pa u lodhur dhe agjëron pandërprerë. Nuk është mysliman ai që fle i ngopur e fqinji i tij mbetet i uritur. Kush na mashtron, nuk është nga besimtarët. Gjaku juaj, pasuria dhe nderi janë të ndaluara në mes jush. Besimtarët janë vëllezër, mos u urreni, mos shani, mos nënçmoni, mos përgojoni. Kush merr të drejtën e tjetrit, le ta dijë se ka marrë një copë zjarri. Këto ishin vetëm disa nga mijëra e mijëra mësime të Muhamedit a.s. të kësaj natyre, të cilat i kujtojmë me shumë përgjegjësi. Sa mirësi e humanitet bëhet në mbarë botën në përfillje të mësimeve të Pejgamberit a.s.!

Shembulli i Pejgamberit a.s.

Ai ishte shembulli më i mirë për angazhimin në shoqëri dhe zgjidhjen e problemeve sociale. Nuk jetonte nga djersa e të tjerëve, edhe pse për këtë kishte mundësi. Puna e kishte skalitur që në periudha të hershme të jetës. Sa prej nesh do të pranonin të bënin punën e bariut? Kujtoni Pejgamberin tuaj, i cili ruante tufa delesh dhe, nga një fitim i tillë, realizonte të mira materiale. Në periudha të mëvonshme kaloi në tregti, ku sinqeriteti i tij i siguroi besimin që iu shpërblye në periudha të mëvonshme. Për nga gjendja e vështirë materiale radhitej në kategorinë e atyre që japin e jo të atyre që marrin. Në mirësi ishte më i shpejtë se era e furishme.
Rregullimi i marrëdhënieve në mes etniteteve dhe fraksioneve të ndryshme në Medinë është model praktik për shoqëritë që kanë probleme bashkëjetese. Në këtë aspekt ai ishte shumë i udhëzuar dhe, në bashkëpunim me të gjithë, nxori një dokument, ku përcaktoi të drejtat dhe ndau përgjegjësitë.

Nevoja për shembullin personal

Sa të bukura janë fjalët për këtë njeri të madh, veçanërisht në këtë kohë kur nga mejdani është tretur shembulli personal dhe mungon modeli i jetës kreative. Shtigjeve të kujt të ecim dhe kujt t'i referohemi në ndërtimin e personalitetit islam sidomos në këtë kohë kur në masë të madhe kanë rënë vlerat morale dhe është zbehur karakteri shembullor në nivele të ndryshme të shoqërisë. Kjo ka bërë që të shembet kriteri i vlerave dhe të shfaqet dukuria e degjenerimit, që shquhet për devijime sistematike.
Ecja që bëri Muhamedi a.s., është model studimi për të gjitha gjeneratat islame në periudha të ndryshme kohore, ngase mundi i tij bëri që të ndërtohej një shoqëri e pashembullt, për të cilën Allahu zbriti ajete për të treguar se është i kënaqur me të. Ketë mirësi ua solli ecja rrugës së Pejgamberit a.s..
Natyrisht, synimi ynë është pasimi i shembullit të tij dhe kjo paraqet intencën ideale për çdo pjesëtar të Islamit. Ai është thellë në zemrat tona. Personaliteti i tij qarkullon në ne ashtu si gjaku në trupin tonë. Emri i tij përmendet me kënaqësi, sa herë të hapim gojën dhe rrotullojmë gjuhën. Ai është me ne derisa të pulsojnë zemrat tona.

Po vjen edhe një përvjetor

Po vjen edhe një përvjetor i lindjes së Pejgamberit tonë, Muhamedit a.s .. Krijesës më të dashur të Allahut, mirësisë së mbarë njerëzisë, kurorës së gjithë profetëve. Po vjen edhe ky përvjetor që në mesin tonë të ngjallë ndërgjegjen e Ymetit më të mire që Allahu nxori në ekzistencë. Ymetit që po kalon nëpër sfida të ndryshme, i cili po ecën si një trup i goditur dhe i dëmtuar në rrugëtimin e tij, aq sa nuk po mund ta shohë rrugën e qartë të treguar nga Krijuesi i gjithësisë, të cilën e zbatoi në jetën praktike i dërguari i Allahut, Muhamedi a.s..
Po vjen edhe ky kujtim për lindjen e tij, e Ymeti edhe më nuk po mund të radhisë safin, të unifikojë qëndrimin, të bartë amanetin, të ecë drejt mirësive të kësaj bote dhe Ahiretit.
Po vjen ky përvjetor që në ne të ngjallë ndjenjën e heshtur, mendjen që ka pushuar së vepruari, ndoshta të ngjallë shpresën e humbur për të ardhmen e Ymetit. Po vjen që për ne të shtrëngojë muskujt e të shtrijë krahët për të na thënë: O YmetI Ja hipni edhe një herë që t'ju bart drejt fitoreve për të kthyer krenarinë e humbur. Ja ngjituni mbi gjoksin tim, që të ecni të sigurt pa u tundur në bartjen e emanetit. Ymet, vendosu mirë mbi supet e Kur'anit dhe Synetit, dhe qëndro i sigurt që të vazhdosh ecjen me bajrakun e ngritur, i cili lartëson misionin islam.
Është kader i Allahut që ky Ymet të përjetojë rënie, të zbresë tatëpjetave, të rrokulliset e të zmbrapset, sepse sukseset janë të garantuara
në masën e përqafimit të Islamit dhe përfshirjes së tij në jetë. Ky është caktim i Allahut: Sa më afër rrugës së Tij, aq më e fortë është ndihma, dhe garancia se Ymeti do të kthehet në pozitën e duhur, që me të gjitha kapacitetet t'i shërbejë ekzistencës në përgjithësi, dhe jo vetëm llojit njerëzor. Nuk ka dyshim se bash për këtë qëllim ka ardhur Muhamedi a.s..
Historia njeh kultura dhe civilizime që janë harruar dhe kanë kaluar në anale të historisë e sot përmenden vetëm se kanë ekzistuar.
Ymeti ka pasur rënie, por ngritja ka qenë shumë më e shpejtë. Është zgjuar si një organizëm shumë i kthjellët dhe është ngritur si feniksi.
Allahu i krijon kushtet për ringjallje, ngase nuk do të fiket drita e Tij edhe se është zbehur. Allahu mbjell farën e kësaj feje, që të vijnë në jetë gjenerata të cilat ndërtojnë veten në rrugën Allahut, dhe nuk ka dyshim se kjo farë po pulson dhe është e gatshme për të vazhduar jetën.
Në parim, Ymeti është i aftë për të bartur amanetin, për të bërë reformat e duhura në shoqëri, me kusht që t'i kthehet vetvetes dhe të ndryshojë botëkuptimet mbi qenien e vet. Kjo nuk do të arrihet pa ligjësimin praktik të kthimit tek Pejgamberi a.s. dhe Syneti i tij. Nuk do të arrihet pa njohur mirë veçoritë e Ymetit dhe përparësitë ndaj të tjerëve. Në aspektin teorik dhe praktik, para nesh kemi shembullin ideal, i lavdëruar nga Allahu dhe i garantuar në çdo pikëpamje të jetës. Mesazhi i tij ishte i karakterit gjeneral, i përhershëm dhe përfundimtar. I shtrirë horizontalisht në mbarë rruzullin tokësor, i zgjatur vertikalisht në mes Tokës dhe qiellit, i lëshuar në thellësi që të përfshijë dynjanë dhe Ahiretin



Dituria Islame 270


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Ka filluar mësim-besimi fetarë në rreth 20 xhami të qytetit dhe të fshatrave të Gjakovës