Të përfitojmë nga butësia e Muhamedit a.s.

Rreth butësisë dhe mëshirës së Pejgamberit a.s., ndaj besimtarëve, Allahu i madhërishëm thotë: "Në saje të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do largoheshin prej teje. " (Ali Imran: 159).
Muhamedi a.s., ishte ngarkuar me shpalljen më madhështore për të gjithë njerëzit, prandaj ai nuk ishte hakmarrës. Dëshira e tij ishte që t'i largonte nga mendjet dhe zemrat e njerëzve pengesat dhe drynat, që t'i shpëtonte të humburit dhe të hutuarit, prandaj agresorit i përgjigjej me falje, së keqes me të mirë.
Kur ishte kërkuar nga i dashuri i Allahut që të mallkonte, ai kishte thënë: "Unë nuk jam dërguar për të mallkuar: Unë jam pejgamber i mëshirës.”
Në betejën e Uhudit, sahabët i thanë: O i Dërguar i Allahut, a s'po i mallkon idhujtarët? Ai u qe përgjigjur: "Unë nuk jam dërguar si një mallkues, por si një thirrës dhe mëshirë! O Zoti im! Fale popullin tim se nuk di se ç'bën!"
Kur i Dërguari i Allahut kishte shkuar në Taif, për ta thirrur popullin e tij në fenë islame, ata kishin nxitur femijët e tyre që ta gjuanin me gurë. Xhebraili, më pas, i thotë Muhamedin a.s.: “A ta shkatërroj këtë popull duke i bashkuar këto dy bjeshkë njëra me tjetrën?" Ai thotë: "Unë nuk jam dërguar për ndëshkim, por për mëshirë.” Madje, Pejgamberi a.s., lutet duke thënë: “Zoti im! Sille në rrugë të vërtetë këtë popull. Unë shpresoj që nga ata të dalë një brez besimtarësh."
Edhe me rastin e çlirimit të Mekës, ai, me zemërgjerësi, ua fali banorëve të saj të gjitha veprimet armiqësore duke u thënë: "Shkoni, jeni të lirë!" Qëllimi i tij ishte që njerëzit të pasonin të Vërtetën. Zoti na kujton këtë duke thënë: "Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët." (Et Tevbe: 128)
Pejgamberi a.s., nuk përdori forcën, pavarësisht nga provokimet e munafikëve. Nuk i urdhëroi myslimanët që t'i luftonin apo t'i vrisnin ata, apo prijësit e tyre. Ai nuk ua konfiskoi pasurinë dhe as nuk ua mohoi atyre ndonjë të drejtë. Ata gëzonin të drejta të plota si shtetas, siç i gëzonin të gjithë myslimanët e tjerë. Ata merrnin pjesë në xhami, jepnin opinionet e tyre për çështjet e bashkësisë dhe merrnin pjesën e tyre të presë së luftës nga arka shtetërore. Madje i Dërguari i Zotit sillej ndaj tyre me bamirësi dhe i trajtonte me një sjellje fisnike.
Enes ibn Maliku thotë se nuk kishte parë njeri më të mëshirshëm me të vegjlit se Pejgamberi a.s.. Ai tregon se kishte një vëlla të vogël që quhej Umejr, i cili kishte një zog të vogël të sëmurë që quhej Nugejr. Pejgamberi a. s., sa herë që e takonte, e pyeste për Nugejrin. Një ditë Umejri po qante dhe Pejgamberi a.s., e pyeti: "Çfarë ke, o Umejr që po qan?" Ai iu përgjigj: "Ka ngordhur Nugejri (zogu), o i Dërguar i Allahut ... " Pejgamberi a.s., filloi të luante me të. Sahabët u çuditën kur panë se i Dërguari i Zotit po luante me një femijë dhe e pyetën: "Si është puna, O i Dërguar i Allahut?" Ai iu përgjigj: "Ka ngordhur Nugejri dhe unë desha që ta bëj Umejrin të luajë.”
Me tolerancën, humanitetin, thjeshtësinë dhe çiltërsinë e tij, Pejgamberi a.s., arriti që t’i bënte për vete edhe armiqtë më të përbetuar.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Ka filluar mësim-besimi fetarë në rreth 20 xhami të qytetit dhe të fshatrave të Gjakovës