Zemrat tona i shkatërron ...


Zemrat tona, imanin dhe shpirtin tonë e shkatërrojnë bisedat boshe, bisedat e padobishme dhe të folurit e panevojshëm, thashethemet, përcjellja e fjalëve të huaja, sjellja e të metave të tjerëve dhe mangësive, rrëfimi pafund për gjërat që nuk kanë kurrfarë dobie as të dynjasë e as të ahiretit.

Vërtet pas këtyre bisedave mund të ndihet boshllëk në zemër dhe shpirt, keqardhje për atë që ke folur, pikëllim që nuk ke mundur ta pengosh përgojimin, pamundësi që bisedën nuk ke mundur ta kanalizosh në diç më të mirë dhe pozitive. Por, me siguri do të vie dita kur zërat tanë do të heshtin ashtu siç thotë i Lartësuari:
“Atë ditë ata do të shkojnë pas thirrësit, e nuk do t'i largohen atij, e para të Gjithëmëshirshmit ulen zërat e nuk dëgjohet tjetër pos një zë i ulët.” (Ta Ha, 108)
“Zoti i qiejve e i tokës dhe çka ka ndërmjet tyre, që është mëshirues, të cilit nuk kanë të drejtë t'i bëjnë vërejtje.
Atë ditë Xibrili dhe engjëjt qëndrojnë të rreshtuar, askush nuk flet pos atij që e lejon Mëshiruesi, dhe i cili e thotë të vërtetën.” (En - Nebe’ë, 37-38)
Në anën tjetër ekzistojnë biseda që njeriun e pasurojnë, fisnikërojnë, e përkujtojnë për qëllimin e qëndrimit në këtë stacion kalues të dynjasë. Këto janë biseda që neve na përkujtojnë Allahun dhe në ato që Ai do. Tubimet në të cilat vie rasti t’i dëgjojë këto biseda, njeriut i japin energji pozitive. Këto biseda pa epur na përkujtojnë fjalët e të Lartësuarit kur përshkruan Xhennetin:
“Aty nuk dëgjojnë fjalë boshe, por vetëm përshëndetje. Aty kanë ushqimin e vet (të llojllojshëm) mëngjes e mbrëmje.” (Merjem, 62)
Të lutemi Ty, o Zot, mos lejo të jemi në grupin që merren me biseda boshe, na mbroj që tjerëve mos t’u shkaktojmë padrejtësi me gjuhët tona. Na ndihmo që të largohemi nga ato që nuk interesojnë. Na ndihmo që të përmallohemi për Fytyrën Tënde të Cilën do ta shikojnë vetëm të sinqertit dhe na kujto që të mallëngjehemi për bisedat e Xhennetit . . . Amin!



Hfz. Senita Sinajiq
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Ka filluar mësim-besimi fetarë në rreth 20 xhami të qytetit dhe të fshatrave të Gjakovës