Një nga qëllimet dhe intencat e sheriatit është edhe ruajtja dhe mbrojtja e nderit dhe moralit.
Sheriati e konsideron të pacenueshëm nderin e njeriut (hifdhul-irdi). Prandaj, ruajtes së nderit i është kushtuar rëndësi e veçantë, ngase ai është përmendur në një kontekst me rëndësinë e jetës dhe pasurisë në një numër të konsiderueshëm ajetesh e hadithesh.
Për rrjedhojë askush s'ka të drejtë të njollosë apo nëpërkëmbë nderin e tjetrit, qoftë në prezencë ose në mungesë, as me fjalë e as me mimikë: "O ju që keni besuar, asnjë burrë prej jush të mos tallet me burra të tjerë, se këta mund të jenë më të mirë se ai. Gjithashtu asnjë grua të mos tallet me gra të tjera, se këto mund të jenë më të mira se ajo. Mos e nënçmoni dhe mos e qesëndisni njëri-tjetrin me nofka (të këqija)! Sa e shëmtuar është të thirresh me emër të keq pas (pranimit të) besimit! Ata që nuk pendohen, janë vërtet keqbërës. O ju që keni besuar, mënjanoni shumë dyshime, se vërtet disa dyshime janë gjynah. Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë ndokush prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë. Kini frikë Allahun! Me të vërtetë Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë!" (El Huxurat, 11- 12).
Pejgamberi alejhis selam ka thënë: "Gjakërat tuaj, pasuritë tuaja dhe nderi juaj janë të ndaluar (të shkelen) mes jush, ashtu siç është e ndaluar të cenohet shenjtëria e kësaj dite, (të Arafatit), shenjtëria e këtij muaji (Dhul hixhe) dhe shenjtëria e këtij vendi (Mekës)".
Pejgamberi a.s. po ashtu thotë: "Çdo mysliman e ka të ndaluar (të cenoj) gjakun, pasurinë dhe nderin e myslimanit ..., një myslimani i mjafton si mëkat nënçmimi i vëllait të tij mysliman".
Sheriati ka ofruar dispozita të rrepta ndaj atij që bën akuza të rrejshme për kurvëri dhe amoralitet (zina) ndaj njerëzve që janë të pastër e të pafajshëm, e kjo me qëllim që të mbrojë nderin dhe dëlirësinë e njeriut. Ai lufton këtë fenomen që sjell vetëm telashe dhe probleme në shoqëri. Allahu xh.sh. në Kuranin famëlartë thotë: "Ata që i akuzojnë gratë e ndershme (për imoralitet), e pastaj nuk sjellin katër dëshmitarë, t'i rrihni me tetëdhjetë goditje dhe të mos ua pranoni kurrë më dëshminë; të tillët janë njerëz fasikë. (En Nur, 4).
Në të vërtetë ata që shpifin për njerëzit e ndershëm e të paafajshëm janë të mallkuar në këtë botë, e në botën tjetër i pret një dënim shumë i madh.
Sheriati ka paraqitur masë ndëshkuese edhe ndaj atij që bën shpifje të tjera, e që janë më të vogla se shpifja për kurvëri, në funksion të ruajtjes së nderit. Juristët myslimanë i kanë shpjeguar dhe vendosur normat që kanë të bëjnë me shpifjen në aspektin e moralit. Disa nga urtësitë e ndalimit të shpifjes për amoralitet janë:
1. Pengimi për të akuzuar njëri-tjetrin për amoralitet.
2. Ruajtja e nderit të njerëzve nga shpifjet dhe trillimet e të pandershmëve.
3. Mospërhapja e armiqësisë dhe urrejtjes në mesin e njerëzve, që shpesh ndodh për shkak të shpifjes në aspektin e moralit.
4. Ruajtja e pastër e opinionit të shoqërisë nga trillimet dhe gënjeshtrat, dhe
5. Pengimi i përhapjes së amoralitet në mesin e besimtarëve, duke eliminuar edhe shpifjen si faktor të drejtpërdrejtë në nxitjen e kësaj dukurie tepër të rrezikshme.
Nderi i tjetrit kurrsesi nuk duhet të atakohet. Prandaj dispozitat islame ndëshkojnë marrëdhëniet seksuale jashtë martesës: "Laviren dhe lavirin - ta rrihni çdonjërin prej tyre me nga njëqind goditje ... !" (En Nur, 2).
Si pasojë, lidhjet seksuale jashtëmartesore janë krim i ndëshkueshëm vetëm nëse ekzistojnë katër dëshmitarë okularë për lidhjen. S' do mend se fakti që kërkohen katër dëshmitarë qartazi nënkupton se lidhja ka qenë publike. Kjo sepse sheriati e ndalon spiunimin ndaj njëri-tjetrit në shoqëri. Kërkesat e rrepta shkojnë në favor të ruajtjes të shenjtërisë së nderit njerëzor. Prandaj, besimtarit i takon që t'i nënshtrohet urdhrave të Allahut xh.sh. dhe të largohet nga ndalesat që ka përcaktuar Ai.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Ka filluar mësim-besimi fetarë në rreth 20 xhami të qytetit dhe të fshatrave të Gjakovës