Lidhja e moralit dhe bindjes është shumë e ngushtë. Për këtë arsye Allahu xh.sh. në të shumtën e rasteve bën ndërlidhje mes imanit-besimit dhe veprës së mirë, ku morali konsiderohet si shtyllë esenciale e besimit. Besimi pa moral është sikurse pema pa hije dhe fruta. Ndërsa, sa i përket ndërlidhjes së moralit me anën legjislative-sheriatin, është për arsye se pjesë të sheriatit janë adhurimet-ibadetet dhe, gjithashtu, edhe bashkëveprimi ndërmjet njerëzve, dhe si rezultat i bërjes së adhurimeve patjetër rrjedh edhe morali i mirë, nëse myslimani i kryen ato sipas formës dhe mënyrës së kërkuar

Fjala arabe "el-Ahlak-moral” është shumës i fjalës ”huluk”, që nënkupton: fe, natyrë, karakter dhe burrëri.
E vërteta e moralit nënkupton atë se forma e brendshme e njeriut, e që është shpirti i tij me të gjitha cilësitë dhe kuptimet e Veçuara për të, janë në pozitën e krijimtarisë së formës së jashtme të tij, të Cilësive dhe kuptimeve të tij.(1)
Dijetari i mirënjohur El-Xhurxhanij, moralin e ka definuar si në vijim: "Konsiderohet një formë-pozitë e ngulitur thellë në shpirt, nga e cila rrjedhin veprimet në një formë të lehtë, pa pasur nevojë për mendim apo kujtim, andaj nëse veprimi rrjedhës është i mirë, forma-pozita cilësohet si moral i mirë, ndërsa nëse veprimi rrjedhës është i keq, atëherë forma-pozita nga e cila buron quhet moral i keq.”(2)
Ndërsa, dijetari i mirënjohur Ibën Meskevejhi, moralin e ka definuar si në vijim: "Ai është një gjendje shpirtërore që e inkurajon atë në veprim, pa pasur nevojë për mendim apo kujtim. Kjo gjendje ndahet në dy pjesë: njëra pjesë është e kalitur natyrshëm në të, siç është rasti me një njeri që e nxit gjëja më e vogël drejt hidhërimit dhe të cilin e irriton gjëja më e vogël, apo siç është rasti me njeriun që frikësohet nga zëri më i vogël që dëgjon ose trishtohet nga ndonjë lajm që dëgjon, ose sikur rasti i njeriut që qesh pa kontroll, nga arsyeja më e vogël, ose sikur rasti i njeriut që mërzitet për çfarëdo që e godet, etj. Ndërsa pjesa tjetër përfitohet me kohë dhe përkushtim, fillimi mund të jetë përmes kujtimit dhe mendimit, dhe më pastaj vazhdon një nga një, derisa të shndërrohet në zotësi dhe moral.”(3)
Ndërsa, disa hulumtues moralin nga aspekti Islam e kanë definuar si: Grup parimesh dhe bazash që sistemojnë sjelljen e njeriut, të cilat i përcakton revelata, me qëllim të sistemimit të jetës së njeriut dhe përcaktimit të marrëdhënies së tij me tjetrin, në një formë që realizon apo arrin qëllimin e ekzistimit të kësaj bote në formën më të përsosur.(4)


Përkufizimi i shkencës së moralit


Shkenca mbi moralin është përkufizuar me disa definicione, e prej tyre:
a) Morali është: Shkencë, tematika e të cilës është dispozita me vlerë që ndërlidhet me veprimet që cilësohen si të mira dhe të liga.(5)

b) Përkufizimi tjetër thotë: Morali është shkencë që definon, sqaron domethënien e të mirës dhe të keqes, gjithashtu e sqaron atë se si duhet të jetë bashkëveprimi i ndërsjellë mes njerëzve, gjithashtu e sqaron qëllimin tek i cili duhet të arrijnë njerëzit me veprimet e tyre, dhe ndriçon rrugën e kërkuar.(6)

Tematika e moralit


Tematikë e moralit është çdo çështje e cila ndërlidhet me veprimin e një myslimani dhe aktivitetin e tij, dhe që ndërlidhet me marrëdhënien e tij me Krijuesin e tij, marrëdhënien e tij me veten e tij, marrëdhënien e tij me shoqërinë e tij dhe me gjithë atë që e rrethon nga kafshët dhe gjësendet.(7)

Rëndësia e moralit

a) Morali i mirë është respektim i urdhrit dhe porosisë së Zotit dhe të Dërguarit të Tij.

Tekstet kur’anore janë gërshetuar në urdhrin për t'u pajisur me moral të mirë, e shumë prej tyre janë edhe në mënyrë tekstuale, siç është ajeti kur’anor, ku Allahu xh.sh. thotë: "Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim”. (Kuran: 16: 90).
Pastaj ajeti tjetër: "Ti (Muhamed) merre të lehtën, urdhëro për mirë dhe largohu prej të padijshmëve. " (Kuran: 7: 199).
Pastaj ajeti tjetër: "O ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshëm ju sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos e goditni ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë." (Kuran: 49: 6).
Ndërsa, në anën tjetër, shumë ajete kur’anore kanë ndaluar rreptësisht nga morali i keq, si p.sh.: Allahu xh.sh. thotë në Kur’an: "O ju që besuat, nuk bën të tallet një popull me një popull tjetër, meqë të përqeshurit mund të jenë më të mirë nga ata që përqeshin dikë tjetër, e as gratë me gratë e tjera, sepse mund të ndodhë që gratë e tjera të jenë më të mira se ato që përqeshin (duke e nënçmuar njëri-tjetrin), dhe mos etiketoni njëri- tjetrin me llagape. Pas besimit është keq të përhapet llagapi i keq. E ata që nuk pendohen, ata janë mizorë. O ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të
shumta, meqë disa dyshime janë mëkat, dhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njëri-tjetrit, dhe mos përgjoni njëri-tjetrin; a mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Atë pra urrejeni! Kini frikë nga ndëshkimi i Allahut, e Allahu është Mëshirues, Ai shumë e pranon pendimin. ” (Kuran: 49: 11-12).
Meqë i Dërguari i Zotit vepronte në përputhje me urdhrin e Zotit dhe në të gjitha çështjet, si në fjalë ashtu edhe në vepra, dhe pasonte çdo moral të mirë, për këtë arsye është potencuar ky urdhër në Kuranin famëlartë, dhe meqë ndalonte nga çdo moral i keq, për këtë arsye në Kuran edhe është potencuar kjo ndalesë; prandaj morali i tij ishte Kurani. Gjithashtu të stolisurit me moral të mirë janë edhe porositë dhe përgjigjet ndaj mësimeve të Pejgamberit a.s.; ai çdoherë urdhëronte për moral të mirë.
Transmeton Ebu Dherri r.a., duke thënë: "Më ka thënë Pejgamberi a.s.: "Kij në konsideratë Zotin kudo që gjendesh, çdo vepër të keqe përcille me një vepër të mirë, sepse e eliminon atë, dhe ndaj njerëz sillu me moral të mirë.”(8)

b) Morali i mirë është njëri nga elementet e personalitetit të myslimanit.

Njeriu përbëhet nga trupi dhe shpirti, e dukshmja dhe e fshehta, e morali islam paraqet formën e fshehtë të njeriut, vendi i së cilës është zemra. Kjo formë e brendshme është masë e personalitetit të individit mysliman, sepse njeriu nuk matet me gjatësinë apo gjerësinë e tij, ngjyrën apo bukurinë e tij, skamjen apo pasurinë e tij, mirëpo sigurisht që matet dhe vlerësohet me moralin e tij dhe veprat që janë në përputhje me moralin e mirë.
Allahu xh.sh. thotë: "O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise, që të njiheni ndërmjet vete, e s'ka dyshim se te Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat), e Allahu është shumë i Dijshëm dhe hollësisht i Informuar për çdo gjë. ” (Kuran: 49: 13).
Ndërsa Pejgamberi a.s. thotë: "Me të vërtetë Allahu nuk i shikon trupat tuaj e as format tuaja, mirëpo shikon në zemrat tuaja dhe në veprat tuaja.”(9) Pejgamberi a.s. gjithashtu, në një hadith tjetër, thotë: "Për Zotin, ose duhet të ndalojnë një pjesë e njerëzve që të krenohen me paraardhësit e tyre që kanë vdekur dhe që janë lëndë djegëse e zjarrit të Xhehenemit, ose, për Zotin, ata do të bëhen më të pavlerë sesa insekti që rrokullis sekretimin e tij me hundën e tij. Me të vërtetë Allahu xh.sh. e ka larguar prej jush mendjemadhësinë e kohës së injorancës dhe të qenit krenar me paraardhës. (Në realitet ekzistojnë dy lloj njerëzish), ose besimtar i devotshëm, ose njeri i keq. Njerëzit, që të gjithë, janë bij të Ademit, ndërsa Ademi është krijuar nga dheu."(10)

C) Lidhja e ngushtë mes moralit dhe fesë islame, si nga besimi ashtu edhe nga legjislativi

Për këtë Allahu xh.sh. thotë: ”...fal namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irrituarat ..." (Kuran: 29: 45).
Ndërsa, sa i përket lidhjes mes moralit të mirë dhe bashkëveprimit mes njerëzve, është fakt se bashkëveprimi mes njerëzve i tëri është i ngritur mbi parimin e moralit të mirë, si në fjalë ashtu edhe në vepra. Prandaj, ai që vështron mësimet islame shumë lehtë e vëren një gjë të tillë.

ç) Efektet e tij në sjelljen e individit dhe shoqërisë

Rëndësia e moralit islam vërehet qartë atëherë kur vështrojmë ndikimin e tij në sjelljen e individit dhe shoqërisë.
Sa i përket ndikimit të tij në sjelljen e individit, është evidente ajo që ngulet në zemrën e tij nga mëshira, ndershmëria, drejtësia, amaneti, turpi, dëlirësia, bashkëpunimi, solidariteti, sinqeriteti, modestia..., si dhe parimet tjera morale. Prandaj, morali për nga aspekti individual është themel i suksesit dhe fitimit. Allahu xh.sh. thotë: ”Pra, ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten. E ka dështuar ai që e poshtëroi vetveten.” (Kuran: 91: 9-10).
Allahu xh.sh. gjithashtu thotë: "Ka shpëtuar ai që është pastruar. Që e përkujton madhërinë e Zotit të vet dhe falet.” (Kuran: 87: 14-15).
Pastrimi në domethënien dhe kuptimin e tij nënkupton: vetëdisiplinim të brendshëm dhe të jashtëm, gjatë lëvizjes dhe qëndrimit në një vend.(11)
Ndërkaq, sa i përket ndikimit të moralit në sjelljen e shoqërisë në tërësi, është fakt se morali i mirë është bazament i themelimit të shoqërive njerëzore, pa marrë parasysh a janë ato shoqëri islame apo jo. Këtë e vërteton fjala e Zotit në Kuran: "Kur erdhi ndihma e Allahut dhe çlirimi (ngadhënjimi) , dhe i pe njerëzit që po hyjnë turma-turma në fenë e Allahut. Ti, pra, lartësoje Zotin tënd duke falënderuar, dhe kërko falje nga Ai. Ai vërtet pranon shumë pendimin, është Mëshirues i Madh." (Kuran: 110: 1-3)
Vepra e mirë dhe e mbështetur nga këshillimi për drejtësi dhe durim përballë tundimeve dhe sfidave patjetër do ta ndërtojë një shoqëri të sigurt, të cilën nuk mund ta destabilizojnë faktorët e përkeqësimit dhe dekadencës. Prandaj fatkeqësitë dhe telashet e popujve dhe civilizimeve nuk vijnë si rezultat i dobësimit të aspektit material apo stagnimit në aspektin shkencor, mirëpo ato vijnë si rezultat i humbjes së parimeve të moralit dhe mirësjelljes.(12)

b) Morali i mirë është nevojë imediate shoqërore

Nuk ka dyshim se asnjë shoqëri mbi rruzullin tokësor, përkatësisht individët e asaj shoqërie nuk kanë mundësi që të jetojnë në një harmoni, bashkëpunim dhe lumturi nëse mes tyre nuk ekziston një lidhje e fuqishme e mirësjelljes-moralit. Nëse supozojmë mundësinë e ekzistimit të një shoqërie vetëm mbi parimin e shkëmbimit të interesave të ndërsjella, pa ekzistuar pas kësaj një qëllim më fisnik, atëherë për ekzistimin e kësaj shoqërie patjetër duhet të krijohet besimi dhe ndershmëria si mundësia më e vogël. Morali i mirë është nevojë e domosdoshme shoqërore, e nga ai nuk mund të heq dorë asnjë shoqëri. Në atë moment kur humb morali, që është nyja lidhëse pa të cilën nuk ekziston lidhshmëria mes njeriut dhe vëllait të tij njeri, do të humbet edhe lidhja mes shoqërisë, do të shkaktohen konflikte, do të përqendrohen në realizimin e interesave personale, dhe e gjithë kjo do të jetë shkak i shkatërrimit dhe rënies së asaj shoqërie.
Është e mundur të paramendohet një shoqëri nga mesi i së cilës është zhdukur morali se si mund të duket ajo shoqëri?! Si mund të arrihet besueshmëria në shkencë, njohuri, lajme dhe respektim të të drejtave, sikur të mos ekzistonte virtyti i vërtetësisë?! Si mund të arrihet bashkëjetesa mes njerëzve në siguri e stabilitet, dhe si mund të arrihet bashkëpunimi mes tyre në punë brenda një ambienti të përbashkët, sikur të mos ekzistonte virtyti i ndershmërisë?! Si ka mundësi që një entitet (umet) të ketë mundësi të themelojë (të krijojë) një civilizim ideal, sikur të mos ekzistonin virtytet e vëllazërisë, bashkëpunimit, dashurisë dhe altruizmit?! Si mund të ekzistojë një grup i kualifikuar për ndërtimin e lavdit të madh, sikur të mos ekzistonte virtyti i trimërisë për t'iu kundërpërgjigjur agresionit të armiqve dhe zullumit të zullumqarëve, dhe sikur të mos ekzistonte virtyti i drejtësisë, mëshirës, mirësisë dhe ndihmës reciproke?! Si ka mundësi që njeriu të jetë i kualifikuar-përshtatshëm për t'u ngritur në gradat e përsosmërisë njerëzore, sikur ndaj tij të mbizotëronte egoizmi që do ta largonte nga çdo kontribut, sakrificë dhe altruizëm.
Përvojat njerëzore dhe ngjarjet historike kanë treguar se ngritja e fuqisë morale të popujve është si rezultat i ngritjes së tyre në shkallët e virtyteve morale, e gjithashtu edhe rënia e fuqisë morale është si rezultat i rënies së virtyteve morale. Prandaj, mes fuqisë morale dhe virtyteve morale ka një lidhje të vazhdueshme, si gjatë ngritjes ashtu edhe gjatë rënies. Kjo për arsye se virtytet morale që ekzistojnë në individët e një shoqërie apo populli përfaqësojnë dhe janë në pozitën e kontratave fikse që kontraktojnë lidhjet shoqërore, dhe në momentin kur këto kontrata mungojnë apo eliminohen nga individët, atëherë as lidhjet shoqërore nuk do të gjejnë vend për kontraktime të tilla. Dhe, në momentin kur humbin lidhjet shoqërore, atëherë miliona njerëz që përbëjnë një entitet do të shkëputen mes vete, dhe do të mbesin të furnizuar vetëm me fuqinë individuale dhe jo më me fuqinë kolektive.
Nëse virtytet morale ekzistuese në individët që përbëjnë një shoqëri janë në pozitën e kontratave lidhëse mes tyre, atëherë rregullat shoqërore të sistemit islam pasqyrojnë lidhjet të cilat janë në pozitë të përforcimit të atyre kontratave, dhe kështu ato janë si një bllok human dhe mjaft i fuqishëm i cili nuk mund të shembët.(13)

dh) Rëndësia e moralit gjatë thirrjes në rrugën e Allahut xh.sh.

Ai person që mendon se njerëzit apriori e pranojnë fenë vetëm pse binden logjikisht, nuk ka dyshim se është gabim. Shumë njerëz hynë në këtë fe sepse shohin pjesëtarët e saj janë njerëz me moral të lartë. Gjithashtu, thirrësit që i ftojnë ata i vërejnë se kanë sjellje-moral të mirë, e për këtë çështje ekzistojnë shumë dëshmi. Prandaj, përkushtimi dhe morali i mirë kanë efekt pozitiv dhe dobi të madhe. Këtë më së miri e vërteton ajo që është përmendur në librat e sires-jetëpërshkrimit të Muhamedit a.s., ku thuhet se morali i Pejgamberit a.s. i ka mahnitur politeistët para zbritjes së shpalljes, derisa edhe e kanë quajtur besnik.
Transmeton Ibën Abbasi r.a. dhe thotë: "Kur zbriti ky ajet: "Dhe tërhiqju vërejtjen farefisit tënd më të afërt!” (Kuran: 26: 214), Pejgamberi a.s. tha: "Çfarë mendoni nëse ju informoj se një kali do të dalë nga ky mal, a do të më besonit? Ata thanë: "Nuk na ka ndodhur që të na gënjesh.” Atëherë Pejgamberi a.s. tha: "Unë jam dërguar që t'jua tërheq vëmendjen nga dënimi i rëndë.”(14)
Format e mirësjelljes-moralit të mirë kanë reflektuar shumë pozitivisht në përhapjen e kësaj feje në disa vende ku nuk ka arritur çlirimi përmes intervenimit ushtarak. Ekzistojnë popuj në tërësi që kanë pranuar mësimet e kësaj feje si rezultat i ekzistimit të njerëzve me mirësjellje dhe moral të lartë, të cilët ishin në pozitën e bartësit të një llambe ndriçuese e cila e ndriçonte rrugën e tij dhe njerëzve të tjerë, të cilët në rrugën e tyre ndriçoheshin përmes dritës së tij. Është shumë e vërtet se ekzistimi i një cilësie të mirë te një mysliman ka më shumë ndikim sesa dhjetëra ligjërata, sepse njerëzit mund të largohen nga fjalët e një personi dhe mund ta konsiderojnë se ka ndonjë interes, ndërsa Veprat kanë ndikim shumë të madh.“(15)

e) Rëndësia e moralit në ngritjen e lumturisë tek individi dhe shoqëria

Nuk ka dyshim se lumturia reale ekziston në besimin në Zot dhe bërjen e veprave të mira. Sa më i përkushtuar që të jetë myslimani në praktikimin e mësimeve islame, në mirësjellje dhe moral, aq më i lumtur do të jetë ai. Përkushtimi dhe respektimi i rregullave morale islame është garancia më e mirë për realizimin e përqindjes më të lartë të lumturisë, si për individin ashtu edhe për shoqërinë, si dhe për të gjithë partnerët në jetë, e të cilët janë mbi këtë tokë.(16)


_______________
(1) El-Fejruz Abadi, El-Kamus El-Muhit, f. 881.
(2) Ali bin Muhamed El-Xhurxhanij, Et-Tarifat, f. 101.
(3) Ahmed bin Muhamed Miskevejhi, Tehdhibul-Ahlak ve Tethirul-A'rak, f. 41
(4) Grup autorësh, Nadretun-Neim Fi Mekarimi Ahlaki Rresul, f. 22.
(5) Grup autorësh, El-Mu'xhemul Vesit, 1 / 252.
(6) Ahmed Emin, Kitabul Ahlak, f. 8.
(7) Halid bin Uthman El- Harraz, Mevsuatul-Ahlak, f. 22.
(8) Tirmidhiu (1987) ,Ahmedi (21392).
(9) Transmeton Imam Muslimi (2654).
(10) Tirmidhiu (3955) dhe Imam Ahmedi (8721).
(11) Muhamed El-Gazali, Iilulukul-Muslim, f. 15.
(12) Hasan Seid El-Mursij, El-Ahlak El-Islamije, f. 26.
(13) Abdurrahman Habenneke El-Mejdanij, El-Ahlak El-Islamije ve Ususuha, 1/ 29.
(14) Buhariu (4971) dhe Imam Muslimi (208).
(15) Halid bin Uthman El-Harraz, Mev- suatul-Ahlak, me ndërhyrje, f. 39.
(16) Abdurrahman Haben-neke El-Mejdanij, El-Ahlak El-Islamije ve Ususuha, 1/ 82.



Mr. Vedat Shabani


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

"Disiplinë dhe rregull" - Visar ef. Koshi