Rrugëtimi im drejt leximit të Kuranit Fisnik


Nuk thuhet së koti se kur ia dëshiron të mirën dikujt tjetër në fakt i bën mirë vetvetes. Jo rastësisht takohen njerëzit edhe në këtë botë, çdo takim është i inscenuar me përpikmëri nga Krijuesi i gjithë këtij Universi. Ashtu siç ka krijuar të gjithë mikro dhe makrokosmosin ashtu edhe jetët tona i ka bë në përpuethshmëri të asaj se çka na ka mbjellur në shpirtat tanë, e kush i njeh këto shpirta më mir se Ai që i ka krijuar, I lartësuar qoftë ai natë dhe ditë dhe në çdo çast, deri në pafundësi.

Andaj jam shumë e bindur se shpirtat tanë janë takuar që më parë, për tu afruar në këtë podium të vogël, por me shumë vlerë, për tu bashkuar të mësojmë leximin e Kuranit. Aishja r.a. transmeton se Profeti s.a.v.s. ka thënë : » Shpirtat janë trupa të mbledhur së bashku dhe ata që mirren vesh me njëri -tjetrin (në botën ku ekzistojnë shpirtat para se të hynë në trupat fizikë të kësaj bote) do të kenë një afrimitet me njëri -tjetrin edhe në këtë botë [Bukhari, 3158; Muslim, 2638].

Por edhe çdo natë kur njeriu bie në gjumë me abdes, siç e tregon tradita Profetike, shpirtat e tanë shkojnë te Allahu azze we xhel dhe i bien në sexhde Allahut për çdo natë. Ata me abdes janë më afër Arshit të Lartësuar të Allahut, e ata pa abdes më larg, kurse të jobesimtarëve shumë edhe më larg prej aty. Aty janë takuar shpirtat tone të etur për të mësuar leximin e bukur dhe të rrjedhshëm të Kuranit Famëlartë.

Ëndrra ime që kur jam takuar së pari më fjalën e Allahut, ka qenë të lexoj atë në gjuhën origjinale; rrugë jo edhe pa sakrifica sidomos për ne që nuk jetojmë në trevat tona, por në vende ku Islami nuk ka bazë aspak. Ishe ti e dashura Firdeus ajo që more iniciativën e para dhe më ftove të zhytem në oqeanin e diturisë për të realizuar ëndrrën time dhe ëndrrat e të gjitha nxënëseve tjera. U bëra edhe unë pjestare në këtë kor të mrekullueshëm, jo për të kënduar këngë të cilat vetëm se të japin mërzi, por për të lexuar Fjalën e Allahut, i cili jep qetësi, mbjell mëshirë, shërim, shpërndan bukuri të paevindentushëm në shpirtat tanë por edhe në dëgjuesit që e dëgjojnë për rreth.

Çdo takim i ynë bëhej për çdo ditë edhe më motivues duke na dhënë kurajo me fjalët e tua, me lëvdatat, edhe pse po flas për vete, shumë mirë e dija se nuk i meritoj. Por ishe ti ajo që edhe përskaj dhimbjes që ne të gjitha e dimë, përskaj lodhjes dhe pa asnjë lloj kompenzimi, nuk hoqe dorë në asnjë moment për të na afruar te Fjala e Allahut. Saktësia jote, ai zëri i ëmbël i yti, qetësia, dashuria për të përçuar diturinë në mendjet e secilës prej nesh, vërehej në çdo minutë të orëve që ishim së bashku. Ishe aq e bindur se do ia dalim, aq na ke dhënë frymëzim sa që asnjëra nuk tenton të stagnojë, por të gjitha bëhen dita ditës edhe më të mira në leximin e Kuranit Fisnik.

Allahut i takon falëmnderimi pasi Ai me të vërtetë, çdo ditë e më tepër e vërej se nuk ia humb askujt mundin por edhe i pranon lutjet e sinqerta, ashtu siç më pranoi edhe lutjen time për të mësuar leximin e Kuranit ashtu siç është më së miri. Pra e them që asnjëherë askush mos të hjek dorë nga qëllimet personale, pasi herët apo vonë Allahu i realizon nëse jemi këmbëngulës dhe e duam një gjë me shpirt.

Ka thënë Profeti ynë Muhamedi, s.a.v.s: "Më i miri prej jush është ai që e mëson Kuranin për vete dhe ua mëson atë edhe të tjerëve."( (6) Evidenton Buhariu në "Sahihun" e tij, nr. 5027.) Këtu zen vend edhe ti e dashura jonë mësuese me plot kuptimin e fjalës dhe lutem që Allahu të kompenzon të gjithë mundin, çdo milisekondë të kaluar për të na mësuar neve çdo lodhje; me prehje, mirësi, begati në këtë botë por edhe në botën tjetër, në Xhenetin Firdeus, ashtu edhe siç je e emërtuar, Firdeusi për Firdeusen. Së bashku me të gjithë të dashurit e tu?!

Edhe pse të shpërndara nëpër shumë shtete të botës na afroi Allahu për një vepër madhështore të gjithave, bashkoi shpirtat tanë për të mësuar dhe lexuar librin më të çmueshëm nga Thesaret e fshehura të kësaj bote, vetëm ajo që lexon e din se çdo lexim i ri përmban diçka tjetër edhe më imagjinuese. Kur ulemi dhe presim të fillojë ora e paramendoj veten se çka ka thënë Allahu në Kuran për atë që ka dituri dhe ai që shpërndan dituri:
“All-llahu vërtetoi se nuk ka zot tjetër përveç Tij, e dëshmuan edhe engjëjt e dijetarët, dhe se Ai është Zbatues i drejtësisë. Nuk ka zot përveç Tij, Fuqiplotit e të Urtit”.( Sure Ali Imran, ajeti, 18)
“Me të vërtetë, Allahut i druajnë vetëm të dijshmit prej robërve të Tij.” (Sure Fatir, ajeti28)
“Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?” ( Sure Zumer, ajeti 9)

Por, edhe shumë Hadithe në lidhje me këtë vepër, por do ta veçoj këtë:

Profeti i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Atij që niset në rrugën e dijes Allahu ia lehtëson rrugën e xhenetit! Engjëjt, të gëzuar, i shtrojnë krahët e tyre para tij. Çdo gjë në qiell dhe në tokë, madje deri edhe peshqit në det, i luten Allahut (xh. sh.) që ta falë. Epërsia e dijetarit mbi të devotshmin është si epërsia e Hënës karshi yjeve. Nuk ka dyshim se dijetarët janë trashëguesit e pejgamberëve…”
“Ai që lexon Kuran bukur do të jetë në shoqëri të shkruesve (engjëjve) të ndershëm, ndërsa kush e lexon duke hasur në vështirësi, do të ketë shpërblim të dyfishuar.”

Ashtu ndjehem në çdo takim tonin për të lexuar Kuranin e mrekullueshëm. Paramendoj një podium nga krahët e engjujve mbi ne, mëshirën e Allahut e ndjej në shpirt por edhe dashurinë që lind pas çdo ore për të mësuar edhe më shumë, sikur kur pin nga një ujë që nuk e shuan etjen por e shton edhe më shumë. Mrekulli mbi mrekulli… kur më sillet e gjitha kjo në mendje, harroj çdo lodhje dhe çdo mërzi, e vetmja brengë në atë moment është të arrihet kënaqësia a Atij që na solli në këtë jetë dhe na pajisi me gjithë këto të mira. Elhamdulilah Allahu i jonë pa fund dhe pa masë për këtë mirësi dhe privilegj njëkohësisht, pasi kjo nuk i mundësohet çdokujt përveç ato që zgjedh Ti I Lartësuar dhe Madhëruar qofshë pa fund.

E më pas të them edhe ty edhe një herë e dashura mësuese dhe motër Firdeus, Allahu të shpërbleftë me atë më të vlefshmën që ekziston në të dy botërat. Lus Allahun që çdo shkronjë që ne do ta lexojmë të shumëfishohet në librin e veprave të tua të mira, të bëhet shkallë ngritëse në Xhenetin Firdeus dhe argument në të dy botërat për mundin dhe sakrificën tënde. Kurse neve të gjithave Allahu të na e bën edhe më të dashur leximin e Kuranit, të lehtë dhe të na e zbukuron në gjuhët tona.

Është një falëmderim shumë i vogël në krahasim me vlerën e asaj çka kemi përfituar por rrjedh nga thellësia e shpirtit tim por edhe besoj edhe të të gjitha shoqeve, motrave që janë të pranishëm në këtë audiencë të mrekullueshme të dijes.

Nga ana tjetër është edhe si shtytje për të gjitha ato që kanë këso lloj ëndrre?!
Sot është mundësia më shumë se kurrë, që mos të dalim përpara Krijuesit tonë Mëshirues, me duar dhe mendje të zbrazta nga dituria më e bukur, e cila i jipet njeriut, nga leximi i Kuranit origjinal. Kurani është fjalim i Allahut, i cili ka rrjedhë nga Goja e Tij fisnike, të cilin shumë kohë më parë, e ka regjistruar Pena e Tij Fisnike në Pllakën e Ruajtur (Levhi Mahfudh), ku më pas përmes melekut fisnik Xhibrilit, në pjesë, i është shpallë pejgamberit fisnik Muhamedit (savs), kurse pastaj, përmes gojës së tij fisnike dhe regjistruesve dhe hafëzëve fisnikë, na është sjellë neve në pëllëmbë të dorës, si dhuratë nga Zoti, edhe në formë verbale edhe të shkruar.

Kurani është fjalë, por nuk është fjalë njerëzish, fjalë mendjelehtësh, fjalë shkencëtarësh apo filozofësh, por është fjalë e Zotit të gjithësisë, fjalë e Krijuesit, prandaj pesha e tij nuk krahasohet me asnjë fjalë tjetër, prandaj edhe vlera e tij nuk matet me vlerën e asnjë fjale tjetër.

Ka thënë Profeti s.a.v.s.:"Nuk ka njerëz të cilët qasen në një nga shtëpitë e Zotit (xhamitë) lexojnë librin e Zotit dhe e studiojnë mes tyre, veçse do u jepet qetësia, do i përfshijë mëshira dhe do i kujtojë Zoti mes banorëve të qiellit."
Thotë Allahu I Madhëruar:"Vërtet, Ne e kemi bërë Kuranin të lehtë për t’u kuptuar dhe kujtuar, prandaj, a ka ndonjë që të marrë këshillë?!" (Sure Kamer, ajeti 17)
“Thuaj: O Zoti im! Ma shto diturinë.” (Sure TaHa, ajeti 114)

Andaj mos harroni: “Kur je në Namaz ti flet me Allahun, e kur lexon Kuran, Allahu flet me ty?!”….



* Për mësuesen më të dashur Firdeus Mamuti nga Suzana H.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, e mbajtur me rastin e festës së Fitër Bajramit (video)