Hukmi i faljes së namazit në karrige


Njerëzit janë treguar shumë të butë në përdorimin e karrigeve në namaz, gjë që mund të çojë deri te zhvlerësimi i namazit të ndonjërit, për shkak të mungesës së dispozitës së përdorimit të karrigeve në namaz dhe xhami.
Prania e karrigeve në xhami është bërë një dukuri që vërehet nga të gjithë ata që falen në xhami dhe vendet e karrigeve nëpër xhami ndryshojnë nga një xhami në tjetrën. Ka xhami ku karriget vendosen në fund të xhamisë dhe të moshuarit falen larg rreshtave (safave), por ka edhe xhami, ku karriget vendosen në rreshtin e parë, ose edhe shpërndahen karriget sipas nevojës së atyre që falen në karrige.
Karriget kanë edhe një funksion tjetër në xhami, që është të ulurit në të gjatë hytbes ditën e premte. Mirëpo, është i habitshëm rasti kur gjyshi, të cilin e shoqërojnë disa fëmijë të vegjël, ai vetë ulet në një karrige, pastaj edhe fëmijët e tij të vegjël, secili prej tyre ulet në një karrige, kështu që krijohet përshtypja sikur jemi jashtë xhamisë; sikur të ishim në ndonjë lokal apo park publik, apo sikur të ishim në ndonjë vend të shfaqjes e jo në njërën nga shtëpitë e Allahut të Plotfuqishëm.
Vihet re, gjithashtu, kur ndonjë nga ata që falen të qëndrojë ulur në karrige gjatë të gjitha lëvizjeve të tij, edhe nëse është në gjendje të qëndrojë në këmbë dhe t’i kryejë disa lëvizje të namazit, ndonëse nuk është në gjendje ta kryejë një ose disa lëvizje të tjera.
Në të vërtetë, njerëzit janë treguar shumë të butë në përdorimin e karrigeve në namaz, gjë që mund të çojë deri te zhvlerësimi i namazit të ndonjërit, për shkak të mungesës së dispozitës së përdorimit të karrigeve në namaz dhe xhami.
Përdorimi i karriges në namaz mund të bëhet për qëllime të drejta, ndër të cilat edhe nga:

1 Pamundësia e kryerjes së qëndrimit në këmbë (‘kijam’) dhe qëndrimit në namaz.
2 Pamundësia e kryerjes së përkuljes (ruku’).
3 Pamundësia e kryerjes së sexhdes.
4 Pamundësia e qëndrimit ulur në uljen e parë dhe në uljen e fundit.

Legjitimiteti i faljes së namazit në karrige

Sipas dispozitave të sheriatit, është i lejuar përdorimi i karriges për ata persona, të cilët nuk janë në gjendje ta kryejnë pa të një veprim ose më shumë veprime të namazit.
Dëshmi për këtë është hadithi, të cilin e shënon Buhariu në Sahihun e tij me sened nga Imran ibn Husajn (r.a.), i cili ka thënë: Unë kisha hemorroide, andaj e pyeta Pejgamberin (savs), për namazin dhe ai më tha: “Falu në këmbë, nëse nuk mundesh, falu ulur, e nëse nuk mundesh, atëherë falu (i shtrirë) në njërin krah.”
Fillimisht, falësi i namazit duhet t’i kryejë të gjitha pjesët e namazit nëse mundet. Nëse nuk mund t’i kryejë të gjitha, ai duhet t’i kryejë ato ashtu siç mundet, qoftë edhe me gjeste, qoftë edhe nëse bie ndonjëra nga pjesët e namazit, ai e kryen atë ashtu siç ka mundësi.
Kështu, namazliu i cili nuk është në gjendje ta kryejë qëndrimin në këmbë (‘kijamin’), ai do të falet ulur dhe nuk do të privohet nga shpërblimi i namazit të tij.
Imam EnNeveviu (r.h.), në ‘ElMexhmu’ 4/226, ka thënë: “Umeti janë kompakt në çështjen se, nëse namazliu nuk është në gjendje ta kryejë ‘kijamin’ në namazet farze, ai do të falet ulur dhe nuk duhet ta përsëritë. Sahabët tanë kanë thënë: “Atij nuk i zbritet shpërblimi nga shpërblimi i tij kur falet në këmbë, sepse ai është i justifikuar.” Në Sahihun e Buhariut, theksohet se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Nëse robi sëmuret ose udhëton, atij do t’i shkruhet shpërblimi sikurse ka vepruar kur ka qenë në shtëpi dhe i shëndoshë.”

Mënyra e faljes së namazit në karrige

Ky lehtësim bazohet në pamundësi dhe në pafuqi, sepse ata që nuk janë në gjendje të kryejnë ndonjë pjesë të namazit, lirohen nga ajo pjesë, siç ka thënë Ibn Tejmije në ‘Përmbledhjen e fetvave’ (8/438): “Sheriati është i plotë, ashtu që veprimet e urdhëruara janë të kushtëzuara me mundësi dhe aftësi. Siç i ka thënë Pejgamberi a.s. Imran ibn Husajnit: “Falu në këmbë, nëse nuk mundesh, falu ulur e nëse nuk mundesh, atëherë falu (i shtrirë) në njërin krah.”
Myslimanët kanë rënë dakord se nëse namazliu nuk është në gjendje ta kryejë ndonjërën nga detyrimet e tij; si qëndrimi në këmbë, ose leximi i Kuranit, ose përkulja (ruku’), ose sexhdeja, ose mbulimi i pjesëve të turpshme, ose drejtimi kah kibleja, ose ndonjë tjetër, atëherë hiqet prej tij ai detyrim të cilin nuk është në gjendje për ta kryer.”
Sidoqoftë, përdorimi i karriges në namaz nëse nuk është e nevojshme, nuk ka të bëjë me sheriatin, sepse lejimi i namazit në karrige është i kushtëzuar me paaftësinë dhe pamundësinë e kryerjes së lëvizjes (pjesës së namazit), të cilën nuk mund ta kryejë në formën e duhur. Kështu, kush nuk mund ta kryejë qëndrimin në këmbë (‘kijamin’), ai mund të ulet në karrige gjatë kohës së ‘kijamit’, por, ai pastaj përkuljen dhe sexhden duhet ta bëjë pa u ulur në karrige, për derisa është në gjendje ta bëjë këtë. Gjithashtu, nëse nuk është në gjendje ta kryejë përkuljen dhe sexhden, ai mund të ulet në karrige dhe ato dyja t’i kryejë me gjeste. Nëse i kryen me gjeste këto dy lëvizje, atëherë duhet ta bëjë dallimin midis përkuljes dhe sexhdes, duke e bërë gjestin e përkuljes më të vogël, ndërsa gjestin e sexhdes më të madh.
Mirëpo, nëse është në gjendje, ai duhet ta bëjë qëndrimin në këmbë, ndërsa, nëse nuk është në gjendje të bëjë ndonjë gjë, atëherë është i liruar nga ajo.
Nëse namazliu ulet duke qenë në gjendje ta kryejë qëndrimin në këmbë (kijamin), do t’i zhvleftësohet ai rekat i namazit dhe, nëse zhvleftësohet një rekat, atëherë do të zhvleftësohet krejt ai namaz i tij.
Rregulli i definuar i fikhut për këtë çështje është: Namazliu, pjesët e namazit, të cilat mund t’i kryejë sipas rregullit, është i detyruar t’i kryejë sipas rregullit të paraparë, ndërsa lirohet prej atyre pjesëve që nuk mundet t’i kryejë sipas rregullit të paraparë.

Drejtimi në rresht (saff) i personit që falet në karrige

Sipas dispozitës së faljes së namazit në karrige, namazliu duhet të drejtohet në rresht (saff), dhe nuk lejohet që të dalë më përpara e as të ngelet prapa rreshtit, sepse drejtimi i rreshtave është prej kërkesave të namazit.
Nëse namazliu falet në karrige duhet të barazohet në rresht dhe barazimi duhet të bëhet në pozitën e qëndrimit në këmbë (kijam), në mënyrë që karriga të vendoset pas rreshtit dhe të jetë në një pozitë që të mos i pengojë ata që falen pas tij.
Po ashtu, nuk lejohet vendosja e karriges në skaj të rreshtit majtas ose djathtas, pa u rreshtuar në namaz, sepse është e ndaluar të falurit vetmas.

Të ulurit në karrige jashtë namazit

Ndërkaq, për sa i përket uljes në karrige në xhami kur nuk falet namazi, qëndrimi bazë është se nuk është haram, por ai është i lejuar, nëse është për ndonjë çështje të domosdoshme ose të ngjashme. Mirëpo, nëse nuk është e domosdoshme, atëherë është mekruh (e papëlqyer), sepse është larg nga nderimi dhe modestia në xhami. Kjo është kështu, sa u përket kohëve të namazit dhe në prani të namazlive, por nëse nuk ka namazli të pranishëm, atëherë nuk ka asgjë të keqe nëse ulemi për të lexuar Kuran ose për të bërë dhikër.
Sidoqoftë, ka namazli që dëshirojnë të largohen nga rreshti, menjëherë pas namazit dhe të ulen në karriget pa ndonjë nevojë, ky veprim është i urryer, por jo i ndaluar..
Ndërsa për sa i përket uljes në karrige në kohën e namazit të xhumasë, ajo lejohet për dikënd që nuk është në gjendje të ulet në tokë (dysheme), ose nëse ulja në tokë e lëndon dhe e lodh, por nuk është e ligjshme që disa namazli të sjellin karrige dhe të ulen në to për ta dëgjuar hutben pa ndonjë justifikim, sepse ajo është një lloj lartësimi i Myslimanit në vendin ku kërkohet modesti ndaj vëllezërve të tij, dhe jo shkaktim i urrejtjes ndaj të tjerëve.
Në xhami kërkohet të mbretërojnë përulësia, qetësia dhe frikërespekti, ndërsa të ulurit i vetëm në karrige në mesin e qindra njerëzve të tjerë, për ta dëgjuar hytben, e largon atë nga shpirti i përuljes dhe frikërespektit.
Ekziston edhe i ashtuquajturi ‘rendi shtëpiak i xhamisë’, i cili duhet të ruhet, kurse ndryshimi i tij duhet të bëhet për të mirën e interesit legjitim dhe jo sipas tekeve të njerëzve.
Duhet tërhequr vërejtja se ajo që lejohet për nevojë ose domosdoshmëri, duhet të kufizohet vetëm në nevojë dhe domosdoshmëri, që njerëzit të mos zgjerohen pa asnjë nevojë ose domosdoshmëri, sepse mund t’i zhvlerësojnë veprat e tyre në disa raste.



Mesud Sabri
Nga arabishtja: Miftar Ajdini


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

"Disiplinë dhe rregull" - Visar ef. Koshi