Përhapja e medhhebit hanefi në Ballkan (2)


Biografitë në silsilen (zinxhirin) e Hasan Kafit

Duke pranuar Islamin, myslimanët e Ballkanit kanë pranuar gjithashtu dhe medhhebin hanefi në fikh dhe shkollën maturidite në akaid, të cilat ishin medhhebet zyrtare në shtetin osman.

Përhapja e medhhebit hanefi në aspektin gjeografik

Medhhebi hanefi është më i përhapur në Turqi, Azinë Qendrore, Pakistan, Bangladesh, Indi, Afganistan, Irak dhe në Ballkan. Medhheb hanefi në fillim u përhap në Irak, pastaj në Horasan, Sixhistan dhe Transjordani, pjesërisht në Taberistan, ndërsa plotësisht në Azerbajxhan, Kaukaz, Tebriz, Rej, Hudistan dhe Iran. Edhe në Sind (Pakistan) ka hanefi. Popullsia e Sixhistanit dhe udhëheqësit e Bengalit janë hanefi. Ky medheb nëpërmjet selxhukëve dhe osmanëve ka ardhur në Ballkan. Medhhebi hanefi ka qenë dominues në Afrikën Veriore deri në shekullin e katërt, kurse më pas ia ka lëshuar vendin medhhebit maliki.(1)

Si arriti medhhebi hanefi në Ballkan

Prania e sotme myslimane në Ballkan është rezultat i kalimit masiv të popullatës lokale në Islam gjatë sundimit osman (futuhat) gjatë shekujve XIV, XV dhe shekujve vijues. Duke pranuar Islamin, myslimanët e Ballkanit kanë pranuar gjithashtu dhe medhhebin hanefi në fikh dhe shkollën maturidite në akaid, të cilat ishin medhhebet zyrtare në shtetin osman. Përkatësia e këtyre dy shkollave të mendimit, ndër të tjera, është karakterizuar nga manifestimi i Islamit në zonën kulturore turke të botës myslimane.(2)
Ne do të mundohemi që t’i përgjigjemi pyetjes se përse osmanët përkrahën medhhebin hanefi dhe cilat ishin rrugët e arritjes së këtij medhhebi në Ballkan dhe në hapësirat tona, duke u mbështetur në interpretimin historiko-gjeografik që i bën Fikret Karciq veprës “Nidhamu’l ulema ila hatemi’l-enbija” (Një numër i dijetarëve deri te Pejgamberi i fundit), që është shkruar në gjuhën arabe nga Hasan Kafi Pruscak (1544-1615).(3) Vepra është përkthyer në gjuhën boshnjake nga Mehmed ef. Handxhic,(4) dhe gjithashtu është përkthyer edhe nga Amir Ljubovic dhe Fehim Nametak.(5)
Kësaj pyetje do të përpiqemi që t’i përgjigjemi duke u mbështetur edhe në studimet mbi historinë e medhhebit hanefi. Vepra e Hasan Kafit është në kategorinë e veprave silsile, me të cilat dijetarët myslimanë të së kaluarës kanë provuar vërtetësinë e njohurive që ata kanë fituar. Vepra silsile përmend zinxhirin e mësuesve të një dijetari nga të cilët janë përcjellë njohuritë nga mësuesi tek nxënësi, duke u kthyer pas deri te Pejgamberi a.s. Kjo metodë është karakteristike në shkencën e hadithit që njihet si zinxhir/sened i hadithit.
Vepra e Hasan Kafit nuk është vetëm silsile e tij. Ajo, siç thekson Mehmed ef. Handzic, është vepër përmes së cilës ne marrim një pasqyrë të qartë të përhapjes të së drejtës islame (fikh), dhe veçanërisht medhhebit hanefi që nga Arabia, e deri në vendet tona.(6)
Përmes kësaj vepre, ne mund të shohim se si u shtri medhhebi hanefi, ku i kishte qendrat e tij kryesore dhe së fundi, si ka arritur në Ballkan
Rëndësia e kësaj vepre qëndron në faktin se ajo gjithashtu tregon se si ka arritur kjo njohje deri te ekspertët e tjerë të fikhut hanefi, bashkëkohës të Hasan Kafit. Duke pasur parasysh këtë fakt, ne mund të kuptojmë shtigjet gjeografike dhe rrethanat historike të përhapjes së medhhebit hanefi nga sahabët deri te shteti osman dhe edhe në hapësirat tona.

Biografitë në silsilen e Hasan Kafit


Hasan Kafi në veprën e tij citon 30 biografi. Kjo silsile shkon prapa deri te Pejgamberi a.s.:

1. Pejgamberi Muhamed a.s. Pastaj përmendet halifi i parë, Ebu Beker es-Siddiku (v. 13/634 në Medinë).
2. As’habët Umer b. el-Hattabi (v. 23/644 në Medine), Uthman b. Affan (v. 35/656 në Medinë), Ali b. Ebi Talibi (v. 40/661 në Kufe), Abdullah b. Mesud (v. 32/652-3 në Medinë).(7)
3. Alkame b. Kajs en-Nehai (v. 62/681-2 në Kufe)(8), Mesruk b. el-Exhda el-Hamedani (v. 63/682-3 në Kufe), El-Esved b. Jezid en-Nehai (v. 74/693-4 në Kufe), Shurejh b. Harith el-Kindi (v. 79/698-9 në Kufe), që i përkasin grupit tabiinë të përqendruar në Irak.
4. Ibrahim b. Jezid en-Nehai (v. 96/714-5 në Kufe).(9)
5. Hamad b. Ebi Sulejman (v. 120/757-8 në Kufe).
6. Ebu Hanife Numan b. Thabit (v.150/767 në Bagdad), themeluesi i medhhebit.(10)
7. Muhamed b. el-Hasan esh-Shejbani (v. 189/804-5 në Rejj, afër Teheranit të sotëm), kodifikues i medhhebit hanefi.(11)
8. Ebu Hafs el-Kebir Ahmed b. Hafs el-Buhari (216/831).
9. Ebu Hafs es-Sagir Abdullah b. Ahmed (v. 264/877-8 në Buharë).
10. Abdullah b. Muhamed b. Jakub es Sebzemuni (v. 340/952 në Buharë), me origjinë nga Sebzemuna, një fshat në Buharë.
11. Muhamed b. el-Fadl el-Buhari el-Kumazi (v. 381/991-2 në Buharë), me origjinë nga Kumaza, një fshat në Buharë.
12. El-Husejn b. el-Hidr ibn Muhamed en-Nesefi (v. 424/1032-3), nga Nesefa afër Semerkandit.
13. Abdulaziz b. Ahmed el-Halvani (v. 448/1056-7), nga Kesha në Buharë.
14. Ebu Bekr Muhamed b. Ahmed ibn Ebi Sehl es-Serahsi (v. 490/1096-7 në Fergani), me origjinë nga Serahsa në Horasan.
15. Abdulaziz b. Umer b. Maze, “es Sadru’l-madi” (v.c), i lidhur me Buharanë dhe Ferganin.
16. Husamudin Umer b. Abdulaziz b. Umer ibn Maze, “es Sadru’sh-Shahid” (v. 536/1141-2) në Semerkand, u varros në Buharë.
17. Ali b. Ebi Bekr b. Abdulxhelil el-Fergani el-Marginani, autor i librit El-Hidaje (v. 642/1244 në Buharë).
18. Muhamed b. Abdusetar b. Muhamed el-Kenderi el-Beraniki (v. 642/1244 në Buharë), me origjinë nga Kerdera në Iranin e sotëm.
19. Ebulfadl Muhamed b. Muhamed b. Nasir el-Buhari (v. 693/1294 në Buharë).
20. El-Husejn b. Ali el-Haxhxhaxh es Signaki (v. 710/1310-11 në Halep), me origjinë nga Signaka, Turkestani, ligjëronte në Bagdad, Damask dhe Halep.
21. Muhamed b. Muhamed b. Ahmed el-Buhari “Kavamuddin el Kaki” (v. 749/1348-9 në Kajro).
22. Ekmeludin Muhamed b. Muhamed b. Mahmud al-Baberti (v. 786/1384 në Kajro), me origjinë nga Baberti në afërsi të Bagdadit, i lidhur me Halepin dhe Kajron.
23. Shemsudin el-Fenari (v. 834/1431), nga Fenara në Iran, i lidhur me Kajron dhe Anadollin, mufti-enam i shtetit Osman në kohën e Sulltan Muratit I (763/1362-791/1389).
24. Muhjidin Muhamed b. Ermegan (v. gjatë sundimit të Muratit II, 824/1421 -. 855/1451) në Iznik të Anadollit.
25. Hidr-bej b. Xhelaluddin (v. 863/1458 në Stamboll). Kadiu i parë i Stambollit, i lidhur me Sivrin -dhe Hisarin dhe Bursën.
26. Muhjidin Muhamed b. Taxhudin Hatib-zade (v. 901/1495-6), në Stamboll dhe Muhjidin Mustafa el-Kastalani (v. 901/1495-6) i lidhur me Bursën, Edirnen dhe Stambollin. (myftiu i njerëzve dhe xhinëve) (v. 940/1533-4 në Stamboll), një dijetar i madh dhe Shejhu’l-Islam.
27. Kara Jilan Jahja efendiu (v. 983/1575-6 në Stamboll), mësuesi i Hasan Kafi Pruscakut.Biografia e njëzet e nëntë është e Kafit, kurse biografia e tridhjetë është e nxënësit të tij.
Te shkenca e hadithit, silsilet e dijetarëve islamë, njashtu sikurse edhe isnadi, janë të lidhura në fund të tyre me Pejgamberin a.s., si transmetues dhe int-erpretues i shpalljes së fundit hyjnore. Muhamedi a.s. është shpjeguesi më autoritativ, prandaj çdo dije, për të qenë e besueshme, është dashur të transme-tohet më pas besueshëm nga brezi në brez. Kjo metodë e përcjelljes së njohu-rive quhet menhexhun-nakl (metoda tradicionale).(12)


__________________
1. Hayreddin Karaman, Historia e të drejtës Islame, nga fillimi deri në kohën tonë, op. cit., f. 238.
2. Fikret Karcic, Kako je hanefijski mezheb dosao u Bosni, Interpretacija silsile Hasan Prušcaka, shih: https://bosnamuslimmedia.files.wordpress.com/2011/08/islamske-teme-i-perspektive-dr-fikret-karc48dic487.pdf.
3. Nizamul-ulama’ ila Hatemil-enbija ((Niz ucenjaka do posljednjeg Božijeg Poslanika), në gjuhën arabe e ka shkruar Hasan-ef. Kafi Prušcak, kurse e ka përkthyer: Mehmed Handžic (Sarajevo: Islamska dionicka štamparija, 1935.).
4. Fikret Karcic, Kako je hanefijski mezheb dosao u Bosni, op. cit.
5. Shih: Hasan Kafija Prušcak, Izabrani spisi, hyrja, përkthimi dhe shënimet Amir Ljubovic dhe Fehim Nametak, Sarajevo, Veselin Maslesa, 1983.
6. Nizamul-ulama’ ila Hatemil-enbija, 54, shih: https://bosnamuslimmedia.files.wordpress.com/2011/08/islamske-teme-i-perspektive-dr-fikret-karc48dic487.pdf.
7. Këtu është lëshuar emri i Ebu Bekrit, kurse në përkthimin e bërë nga Amir Ljubovic dhe Fehim Nametak dhe emri i Uthmanit r.a. Shih: Hasan Kafija Prušcak, Izabrani spisi, hyrja, përkthimi dhe shënimet Amir Ljubovic dhe Fehim Nametak, Sarajevo, Veselin Masleša, 1983, f. 127.
8. Alkame b. Kajs en-Nehai, fekihu i famshëm, xhaxhai i Esved bin Jezidit dhe daja i Ibrahim en Nehaiut. Lindi sa ishte gjallë Pejgamberi a.s. Kuranin dhe diturinë e mori prej Ibni Mesudit, Aliut, Umerit, Ebu Derdasë dhe Aishes, Allahu qoftë i kënaqur me ta. Shih: Muhamed Ashik Ilahi el Bureni, op. cit., f. 231.
9. Ibrahim b. Jezid en-Nehai, imam i njohur dhe i devotshëm. Shih: Muhamed Ashik Ilahi el Bureni, op. cit., f. 232
10. Ebu Hanife, themeluesi i medhhebit hanefi. Imami i imamëve, pishtari i këtij umeti. Ai qe i pari që e klasifikoi fikhun, e sistemoi dhe e radhiti atë në kapituj e libra ashtu siç është sot. Shih: Muhamed Ashik Ilahi el Bureni, op. cit., f. 232.
11. Muhamed b. el-Hasan esh-Shejbani i ka precizuar dhe detajuar edhe më rregullat dhe bazat e vëna nga Imam Ebu Hanifeja, duke u përpjekur për shtimin dhe deduktimin-nxjerrjen e dispozitave të reja dytësore, “Kadil kudat-Gjykatës i gjykatësve”. Shih: Muhamed Ashik Ilahi el Bureni, op. cit., f. 232.
12. Shih: Aiša ‘Abdurrahman, Mukaddime fi’l-menhedž (el-Kahire: Ma’hedu’l-buhusi ve’d-dirasati’l-arebijje, 1971.), 116 e tutje, sipas: Fikret Karcic, Kako je hanefijski mezheb dosao u Bosni, op. cit.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

"Disiplinë dhe rregull" - Visar ef. Koshi