Kurani famëmadh nga këndvështrimi shkencor

Gjatë këtyre 14 shekujve asnjë libër nuk është lexuar, nuk është komentuar dhe nuk e ka formësuar mendimin njerëzor, siç e ka bërë Kur’ani.
Te besimtarët që e lexojnë në gjuhën origjinale, Kur’ani fisnik ka efekt të fuqishëm dhe mahnitës.
Gjuha e tij është e përshkruar nga fuqia e fjalës hyjnore, andaj edhe mesazhi i tij është madhështor: “Ne do t’u bëjmë atyre të mundshme që të shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre derisa t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?” (Fussilet, 53)
Duke studiuar me vëmendje dhe hollësisht të vërtetat shkencore që ndodhen në Kur’anin famëmadh, lexuesi përjeton një tronditje të thellë shpirtërore, ndien një respekt dhe mahnitje.
Njerëzimi, në shkallë të ndryshme të zhvillimit të tij nëpër etapa, ka arritur të pasurojë fondin e vet me dije të ndryshme, andaj edhe zbulimet janë nëpër etapa, shkallëshkallë. Shumëçka është zbuluar, por edhe më tej mbetet i gjerë diapazoni i asaj që nuk është zbuluar.
Gjithësia e paskajshme e fshehtësive ekzistuese sikur rritet dhe bymehet përherë e më shumë pas çdo zbulimi të ri shkencor.
Para gjeniut shkencor ato fshehtësi të shumta mbajnë shenjën e një infiniti të papërkufizuar dhe dehet në vrapin e tij hulumtues, duke mbetur gjithmonë i mahnitur dhe duke u përulur para Krijuesit të Gjithëdijshëm.
Përkujtojmë duke medituar versetin e Kur’anit fisnik: “Ai është që krijoi shtatë qiej palë mbi palë. Në krijimin e Mëshiruesit nuk mund të shohësh ndonjë kontrast, andaj drejto shikimin se a sheh ndonjë çarje? Mandej, herë pas here drejto shikimin, e shikimi do të kthehet te ti, i përulur dhe i molisur.” (El Mulk, 34)
Gjatë leximit përjetohet gjithashtu ritëm i veçantë, përplot muzikalitet, një ritëm magjik, i butë, i ëmbël dhe i thellë, i cili trondit tërë qenien njerëzore.
Duke medituar me tërë qenien, lexojmë me vëmendje versetin e Kur’anit fisnik: “Është fakt se në krijimin e qiejve e të Tokës, në ndërrimin e natës e të ditës, të anijes që lundron në det, që u sjell dobi njerëzve, në atë shi që e lëshon All-llahu prej së larti e me të ngjall tokën pas vdekjes së saj dhe përhap në të nga çdo lloj gjallese; në qarkullimin e erërave dhe reve të nënshtruara mes qiellit e Tokës, (në të gjitha këto), për një popull që ka mend ka argumente.” (El Bekare, 164)
Fenomenet e ndryshme natyrore shënohen si argumente dhe simbole, të cilat udhëzojnë kah Kreatori dhe vëzhgimi real i tyre vërteton të vërtetat e mëdha që i janë ofruar njeriut përmes shpalljes.
Ekziston një All-llah Fuqiplotë, ndërsa e tërë natyra paraqet dëshmi të pakontestueshme.
Argumentet madhështore në Univers flasin me një gjuhë elokuente, me gjuhën e shkencës bashkëkohore, duke na bërë të mundur që të njohim planifikimin unik në shumëdimensionalitetin e fenomeneve natyrore dhe nëpërmes kësaj, dëshirën planifikuese, e cila qëndron pas të gjitha fenomeneve natyrore.
Posaçërisht, Kur’ani fisnik nëpërmjet vrojtimit, na shpall natyrën e pikturuar me të gjitha bukuritë dhe fenomenet, në mënyrë që këto t’i pranojë realiteti shpirtëror.
Versetet e shpallura kuranore janë shenjë e urtësisë dhe mirësisë së All-llahut të Madhërishëm, pikërisht siç janë madhështore veprat e Tij në krijimin e qartë, kurse veprat e Tij gjatë ndodhive janë argumente të fuqishme për ne, por vetëm nëse mund t’i shohim dhe t’i kuptojmë.
All-llahu i Madhërishëm në Kur’anin famëmadh thotë: “O ju njerëz, nëse dyshoni për ringjalljen, atëherë (mendoni krijimin tuaj që) Ne u krijuam ju prej dheu, pastaj prej uji, pastaj prej një gjaku të ngjizur, pastaj prej një sa kafshatë mishi, që është krijesë e formuluar ose e paformuluar, në mënyrë që t’ju sqarojmë. Ndërsa atë që e dëshirojmë Ne e përqendrojmë në mitër, deri në një afat të caktuar, e mandej u nxjerrim foshnjë dhe ashtu të arrini pjekurinë tuaj. Ka që dikush prej jush vdes herët, e dikush të jetojë deri në pleqëri të thellë, në mënyrë që të mos dijë asgjë nga dija që ka pasur. E ti e sheh tokën e thatëtë vdekur, e kur Ne ia lëshojmë asaj ujin ajo gjallërohet, shtohet dhe nga të gjitha llojet rrit bimë të këndshme.” (El-Haxhxh, 5)
Dhe verseti kuranor në vijim: “Nga argumentet e Tij është edhe toka që ti e sheh atë të thatë (shkretëtirë), e kur Ne i lëshojmë asaj shiun, ajo gjallërohet e shtohet. E, s’ka dyshim se Ai që e ngjalli atë, do t’i ringjallë të vdekurit, pse Ai ka mundësi për çdo gjë.” (Fussilet, 39)
Këto dy versete të Kur’anit fisnik përshkruajnë çfarë ndodh me tokën e tharë kur bie shi dhe përmend tri fazat nëpër të cilat kalojnë bimët, derisa të dalin në sipërfaqen e tokës, si dhe në fazën kur bimët japin frytet. Ç’thotë shkenca për fazat e mugullimit?

1. Lëkundja e truallit

Me lëkundjen e truallit kuptojmë lëvizjen e grimcave të truallit. Këto thërrmija përbëhen nga bashkëdyzimet e shtresuara tokësore, gëlqerore dhe argjilore. Shtresat janë të vendosura njëra mbi tjetrën. Kur uji depërton në këto shtresa, ai shkakton fryrjen e thërrmijave të dheut. Kështu shiu që bie në sasi të mjaftueshme, shkakton lëvizjen e thërrmijave të tokës.
Kjo mund të shpjegohet kështu:
Rivënia elektrostatike në sipërfaqen e grimcave (e cila paraqitet pas kontaktit me ujin) shkakton paqëndrueshmërinë e tyre. Ne këtu mund të vërejmë qartë urtësinë hyjnore në krijimin e krijesave çift, gjë që tregon për stabilitet dhe shfaqje të harmonizuar. Lëvizja e grimcave të truallit ndodh gjithashtu për shkak të ndeshjes me grimcat e ujit. Botanisti Robert Braun (1828) ka vërejtur këto lëvizje të grimcave të truallit dhe i ka quajtur lëvizjet e Braunit.
Kurdo që uji gjendet në sasi të mëdha, kjo rrit distancën mes grimcave të truallit dhe lehtëson lëvizjen e tyre. Nëse sasia e ujit zvogëlohet, ato afrohen dhe ngadalësojnë lëvizjet dhe kjo vazhdon deri kur lëvizja të ndalet tërësisht.

2. Faza e fryrjes

Me këtë shprehje kuptojmë fryerjen dhe trashjen e grimcave të truallit. Kur uji dhe elementet ushqyese depërtojnë në to, defundohen mes shtresave dhe ky proces rezulton me rritjen e madhësisë së grimcave të truallit.
Kjo është analoge me bymimin e dheut (në eksperimentet laboratorike). Kur në dhe hedhim ujë në sasi të konsiderueshme, dheu fryhet për shkak të absorbimit të ujit.
Këtu kemi një dukuri tjetër e cila, për shkak të gravitetit, nuk lejon ujin të rrjedhë, sepse grimcat e dheut përmbajnë ujë dhe e bartin në shtresat e tokës dhe si pasojë e forcës tërheqëse elektrostatike dhe bashkimit (fuzionit) të ndërsjellë të grimcave të ujit, që i bën si një erë e cila pengon rrjedhjen e ujit, graviteti ka mundësi t’i mbajë grimcat e ujit në sipërfaqen e saj.

3. Faza e mugullimit

Kur ka ujë të mjaftueshëm, embrioni i farës bëhet aktiv dhe thith materiet e thjeshta ushqyese. Rrënjët rriten teposhtë (me dëshirën e All-llahut), në mes grimcave të truallit.
Sythat primarë rriten, të tjerët me radhë. Ata shkojnë lart nëpër grimcat e truallit dhe shpërthejnë në sipërfaqe të tokës, duke u kthyer kah drita.
Lexojmë dhe përkujtojmë versetin kuranor: “S’ka dyshim, All-llahu është zbërthyes i farës (i kokrrës së saj) dhe i bërthamës (së pemës). Ai nxjerr të gjallin nga i vdekuri dhe Ai është nxjerrës i të vdekurit nga i gjalli. Ky është All-llahu, e si atëherë shmangeni (nga besimi)?” (El-En’amë, 95)
Teksti kuranor na pasqyron mrekullitë të cilat ndodhin në çdo moment dhe vazhdimisht, ditën dhe natën, mrekullitë nga të cilat buron gjallëria.
Teksti i Kur’anit famëmadh bën fjalë edhe për botën bimore, për skenat e shiut i cili bie rrëke nga qielli. Ai bën fjalë edhe për farën dhe bërthamën që mugullon dhe rritet, si dhe për frytet që piqen.
Kjo jetë kaq e llojllojshme dhe e pasur është një diapazon i gjerë për meditime dhe studim, prandaj atë duhet ta shikojmë me ndjenja të thella dhe zemër të hapur. Kështu, para nesh shtrihet një panoramë e re. Na duket se e shohim për herë të parë, të kthyer drejt nesh dhe të gjallë, ndërsa ne karshi saj. Ajo lëviz me gjallëri dhe ka vazhdimësi.
Një botë vërtet mahnitëse, e cila i nxit shqisat dhe intelektin e shtyn të meditojë. Duke marrë parasysh faktin se jobesimtarët në zemrat e tyre nuk e ndiejnë brendinë e Kur’anit, ai i provokon me argumentin e realitetit, i cili është i pakontestueshëm:“Pra, nëse ata janë drejt, le ta sjellin një ligjërim si ai.” (Et-Tur, 34)
Ky provokim i përsëritur në Kur’anin fisnik, të cilin mosbesimtarët e pritën me paaftësi, duke qëndruar para tij të humbur. Kështu do të qëndrojë secili individ jobesimtar deri në Ditën e Gjykimit.
Në këtë Kur’an mahnitës, vërtet gjendet një fshehtësi e veçantë. Këtë e përjeton secili që ballafaqohet me tekstin e tij, që nga fillimi, para se të fillojë të hulumtojë aspektet e mrekullive.
Njeriu ndien një fuqi të veçantë në shprehjet e Kur’anit fisnik. Ndien që ekziston diç pas shprehjeve të cilat i kupton intelekti nga shprehjet.
Ndjehet se një element rrjedh në ndjenjat posa ta dëgjojë këtë Kur’an madhështor. Këtë disa e shohin qartë, e disa të tjerë jo.
Burimi i këtij elementi, i cili përshkon ndjenjat, është vështirë të përcaktohet.
A ka të bëjë kjo me shprehjen?
Apo mos ndoshta me kuptimin i cili fshihet?
Apo ndoshta me nuancat të cilat rrezatojnë?
Apo ndoshta me ritmin e veçantë kuranor, i cili ndryshon nga ritmi i fjalëve të tjera?
Apo me të gjithë elementet së bashku?
Pra kjo është fshehtësia e tekstit kuranor, të cilin e has secili që i qaset Kur’anit fisnik në fillim... dhe më pastaj, pas kësaj, vijnë fshehtësitë që arrihen duke vështruar, shikuar dhe menduar për strukturën e tërë Kur’anit.
Në metodën që ndjek Kur’ani në formimin e kuptimit të tërësishëm dhe real në njohjen njerëzore, ai i referohet natyrës së lashtë njerëzore dhe me një të folur të veçantë, i cili nuk është i njohur me të folurit njerëzor.
Ai rrotullon zemrën e njeriut nga të gjitha anët, i afrohet me kujdes duke e trajtuar si një ekspert i vërtetë në çdo skutë të fshehtë të zemrës.
Në Kur’anin fisnik hasim një baraspeshë absolute, pa kundërthënie, qofshin në pyetjet primare apo sekondare. Këto dhe fenomene të ngjashme që janë të paarritshme, së bashku me fshehtësinë e fshehur, të cilës nuk ka mënyrë që t’i kundërvihet, i japin këtij Libri karakteristikën e mrekullisë universale për të gjitha kohët. Ky është një realitet, të cilin nuk e mohon njeriu që i respekton ndjenjat e tij, e respekton të vërtetën e tij e cila shkëlqen fuqishëm, thellë dhe qartë, sa herë që takohet me Kur’anin famëmadh me zemër të pastër.
“Pra, nëse ata janë drejt, le ta sjellin një ligjërim si ai.” (Et-Tur, 34)
Çështja tjetër ka të bëjë me brendinë e ekzistencës së tyre.
Ky është një fakt me të cilin ata duhet të ballafaqohen. Ata nuk kanë mënyrë që ta shpjegojnë, përveç ashtu siç thotë Kur’ani fisnik, e kjo është që ata e kanë Krijuesin i cili krijoi, e ky është All-llahu i Madhërishëm: “A mos u krijuam prej kurrgjësë, apo ata vetë janë krijues.” (Et-Tur, 35)
Ekzistenca e tyre kështu pa Krijues, është një gjë që logjika e na-tyrës së lashtë njerëzore e refuzon që në fillim.
Ndërsa, sa i përket çështjes se ata e kanë krijuar veten, është një gjë që ata nuk e kanë vërtetuar dhe që asnjë qenie nuk e ka pohuar.
Nëse këto dy hipoteza nuk i pranon natyra njerëzore që nga lashtësia, nuk mbetet asgjë përveç të vërtetës të cilën e sjell Kur’ani famëmadh, e kjo është që të gjitha krijesat e kanë një Krijues absolut, një All-llah të Plotfuqishëm, i cili krijon dhe formëson, orienton, edukon dhe furnizon. Kjo është logjika e qartë dhe e thjeshtë.
Gjithashtu, Kur’ani i ballafaqon me krijimin e qiejve dhe Tokës që janë para syve të tyre. A thua ata i krijuan? “A mos ata i krijuan qiejt e Tokën? Jo, por ata nuk janë të bindur.” (Et-Tur, 36)
Ata nuk mund të pohojnë se i kanë krijuar. Më tej Kur’ani fisnik i lëshon një shkallë më poshtë se shkalla e krijimit dhe kreativitetit të tyre apo krijimit të qiejve dhe Tokës, duke i pyetur, mos vallë ata posedojnë depot e All-llahut, siç bën aluzion verseti kuranor në vijim: “A mos tek ata janë depot e Zotit tënd, apo ata i mbizotërojnë?” (Et-Tur, 37)
All-llahu i Plotfuqishëm është Ai i cili jep, drejton dhe posedon e mbizotëron mbi gjërat.
Ndërsa ata as nuk posedojnë gjërat, as nuk mbizotërojnë mbi gjërat. Më pastaj e lëshon edhe një shkallë më poshtë duke i pyetur se a kanë mjet për ta dëgjuar shpalljen: “A mos kanë ata shkallë të larta që në to të përgjojnë? Pra, përgjuesit e tyre le të sjellin fakt të sigurt!” (Et-Tur, 38)
Muhammedi, a.s., u thoshte atyre se ai është i dërguar të cilit i shpallet Kur’ani nga sferat e larta. Por, ata këtë e mohonin.
Kur’ani kërkon prej tyre të sjellin një argument të fuqishëm për atë që flasin. Në këtë është aluzioni në fuqinë e Kur’anit, me të cilin ata ballafaqohen në versetet dhe argumentet, të cilat ata me kryelartësi dhe kokëfortësii nuk i pranonin. Gjurmat e dëshirës së All-llahut gjenden në zemrën dhe ndjenjat e njeriut në çdo fazë dhe çdo situatë. Përkujtojmë versetin e Kur’anit fisnik: “Dhe se Ai bën për të qeshë dhe bën për të qarë.” (En-Nexhm, 43)
Në këtë verset fshihen shumë fakte. Nga ky dalin imazhe frymëzuese dhe kuptime të mëdha...
Pra, All-llahu i Gjithëdijshëm mbolli te njeriu cilësinë e të qeshurit dhe të qarit. Qeshja dhe qarja janë një prej fshehtësive të organizmit të njeriut dhe paraqiten në këtë aparat të komplikuar të strukturës psikike, e cila nuk është asgjë më e vogël se struktura organike.
Në këtë qenie të quajtur njeri ngërthehen, duke vepruar së bashku, faktorët psikikë dhe organikë dhe krijojnë të qeshurit dhe të qarët.
Pra, All-llahu i Plotfuqishëm krijoi te njeriu shkaqet për të qeshur dhe për të qarë. Shpesh qesh nesër për atë që ka qarë sot dhe qan sot për atë që ka qeshur dje. Nuk është ky shkak i çrregullimeve apo eksitimeve, por rezultat i gjendjeve psikike, motiveve dhe vlerave të cilat në ndjenjat e njeriut nuk mbesin në një gjendje të njëjtë.
All-llahu i Madhërishëm bën që njerëzit në një moment të qeshin e të qajnë, gjithnjë sipas rrethanave që veprojnë tek ai. Shpesh ndodh që një grup të qeshë ndaj grupit i cili qan.
Sa do të ketë prej njerëzve që kanë qeshur në këtë botë, por do të qajnë në botën tjetër, atëherë kur të qarët nuk bën dobi! Andaj, Kur’ani fisnik për hipokritët thotë: “Le të qeshin pak (në dunja) e le të qajnë shumë (në botën tjetër). Ai është shpërblim i asaj që fituan.” (Et-Teube, 82)
Kohëve të fundit, shkencëtarët zbuluan se në pjesën temporo-pari-etale ndodhet qendra me madhësi arre, nga e cila vijnë impulset për të qeshur dhe për të qarë.
Kur kjo qendër dëmtohet, personi qesh ose qan pa kontrolluar ndjenjat e tij. Pra këtë qendër All-llahu i Madhërishëm e krijoi në trurin e çdo individi dhe vetëm Ai ka kontrollin mbi të. Në tekstin e mëtejmë të Kur’anit fisnik lexojmë: “Dhe se Ai është që jep vdekje dhe jep jetë (gjallëri).” (En-Nexhm, 44)
Këto janë dy fenomene të njohura që ndodhin duke u përsëritur në çdo moment. Por, ato janë enigmë për njerëzit kur mundohen të njohin natyrën dhe fshehtësinë e tyre.
Andaj, pyetja mbetet e hapur:
Ç’është vdekja? Ç’është jeta?
Çfarë është brendia e tyre, kur njeriu provon të depërtojë pas fjalëve dhe formës së tyre të cilat i sheh?
Si hyri jeta në krijesën e gjallë?
Nga erdhi?
Çfarë është kjo gjallëri?
Si erdhi dhe ku shtegton?
Çfarë është vdekja dhe çfarë ishte para largimit të jetës?
Ku shkon pasi t’i lëshojë qeniet e gjalla?
Kjo mbetet fshehtësi pas vellos së lëshuar, në fuqinë e All-llahut të Gjithëdijshëm. Ndodhin miliona imazhe të vdekjes dhe jetës në të gjitha botët e qenieve të gjalla, në një moment dhe mu në këtë moment.
Sa milionë e milionë qenie të gjalla kanë vdekur?
Sa milionë e milionë të tjerë kanë filluar rrugëtimin jetësor tek të cilët ka hyrë kjo fshehtësi dhe ti nuk e di kur dhe nga hyri ky gjallërim; nuk di askush pos All-llahut të Plotfuqishëm!
Sa kësi imazhe dalin në shesh gjatë shekujve, kur fantazia zhytet në paraqitjen e të kaluarës së gjatë, e cila ka ekzistuar edhe para se të jetë njeriu në këtë planet.
Këto janë imazhe aq të shumta që i imitojnë këto pak fjalë, të cilat tronditin zemrën e njeriut në thellësi, kështu që ajo nuk mund t’i përballojë dhe t’i zotërojë, nën ndikimin e këtyre jehonave të fuqishme! Analizojmë duke menduar versetin e Kur’anit fisnik në vijim: “Dhe Ai është që krijoi llojet - mashkullin dhe femrën nga pika e farës që hidhet.” (En-Nexhm, 45)
Ky është një fakt real që përsëritet për çdo moment. Njeriu e harron këtë, sepse kjo ndodh dhe përsëritet para syve të tij. Kjo është më e mahnitshme se çdo mahnitje që mund ta prodhojë imagjinata e njeriut! Pika e farës që hidhet ... tajitet... Një prej shumë sekreteve të organizmit të njeriut, sikurse lotët, djersa, pështyma! Dhe si kjo pikë, pas një periudhe të përcaktuar nga All-llahu i Gjithëdijshëm, bëhet njeri - femër ose mashkull! Në këtë pikë, ky njeri me këtë strukturë madhështore dhe shumë të komplikuar?
Një qelizë mikroskopike që noton së bashku me miliona qeliza të tjera, ndodhet njeriu në miniaturë. Dhe cila mendje njerëzore që qëndron para këtij fakti madhështor mund të ndalet, të mohojë apo me mendjemadhësi të thotë: Kjo ndodhi si ndodhi dhe... lamtumirë?!
Kush është Ai që në këtë qelizë futi këtë predispozicion?
Si funksionon ky kod gjenetik dhe kush udhëheq me të?
Kush është ai i cili ia skicoi rrugën këtij spermatozoidi, duke ia realizuar dëshirën e fshehtë të tij?
“Ai është që vetëm Atij i takon sundimi i qiejve dhe i Tokës. Ai nuk ka as fëmijë e as nuk ka shok në sundimin e Tij. Ai krijoi çdo gjë, duke e përsosur në mënyrë të qartë e të matur.” (El-Furkanë, 2)
Molekula e quajtur ADN, që gjendet në bërthamën e çdo 100 trilionë qelizave të trupit tonë, e përmban gjithë informacionin strukturor të trupit të njeriut. Informacioni që ka të bëjë me të gjitha karakteristikat e një personi, që nga pamja e jashtme deri në strukturën e organeve të brendshme, është i regjistruar në ADN me anë të një sistemi të veçantë kodimi. Informacioni në ADN është i koduar brenda sekuencës së katër bazave speciale që e ndërtojnë molekulën. Këto katër baza janë specifikuar si A, T, G, dhe C sipas shkronjës me të cilën fillon emri i tyre.
Të gjitha ndryshimet strukturore midis njerëzve varen nga ndryshimi në sekuencën e këtyre shkronjave. Kjo është pak a shumë si një kasafortë me të dhëna, e përbërë prej katër shkronjash. Rregulli i shkronjave të ADN-së përcakton strukturën njerëzore deri në hollësitë e saj më të vogla. Përveç karakteristikave, si gjatësia, sytë, flokët dhe ngjyra e lëkurës, ADN-ja e një qelize gjithashtu përmban dizenjimin e 206 kockave, 600 muskujve, një rrjeti me 10000 muskuj dëgjimi, një rrjet me 2 milionë nerva optikë, 100 bilionë qeliza nervore, 130 bilionë metra enë gjaku dhe me 100 trilionë qeliza. Në qoftë se do të shkruajmë informacionin e koduar në ADN, atëherë do të na duhej të përpilonim një bibliotekë gjigante me 900 vëllime enciklopedike, me nga 500 faqe secili. Kur merret në konsideratë se ka 200.000 gjene në trupin e njeriut, bëhet edhe më e qartë se sa është e pamundur që miliona nukleotide, të cilat i përbëjnë gjenet, të formohen rastësisht në sekuencat e duhura. Të gjitha informacionet për qenien e gjallë ruhen në molekulën e ADN-së.
Vetëm kjo metodë kaq efikase e ruajtjes së informacioneve është një provë e mjaftueshme për faktin që jeta nuk erdhi rastësisht, por është krijuar në një mënyrë të mrekullueshme nga Krijuesi i plotfuqishëm.
Pohimi se jeta evuloi nga gjërat jo të gjalla, është një përrallë e parë e ëndrrave të evolucionistëve dhe është krejtësisht në kundërshtim me rezultatet e çdo eksperimenti dhe observimi. Pra, mund të përfundojmë se kompetenca e krijimit i takon vetëm All-llahut të plotfuqishëm.
Ta rikujtojmë versetin e Kur’anit fisnik: “Ky është All-llahu, Zoti, Krijuesi i çdo sendi, nuk ka zot pos Tij, e si prapësoheni?” (Gafir, 62)
Roli i njeriut në krijim nuk kalon më shumë se lëshimi i lëngut spermatik në organin femëror. Këtu përfundon puna e njeriut, ndërsa më tej dora kreative e merr rolin duke formësuar etapë pas etape, siç bën aluzion verseti kuranor në vijim: “A më tregoni për farën që e derdhni: a ju e krijoni atë, apo Ne jemi që e krijojmë?” (El-Vakia, 58-59)
Këtë nivel të meditimit mund ta arrijë çdo njeri. Kjo është mrekulli e mjaftueshme që të ndikojë te njeriu. Por ajo që ndodhi me këtë qelizë të dobët-spermatozoidi, pasi që të hidhet e derisa të bëhet krijesë e mrekullueshme, është më e çuditshme se fantazia jonë, diçka që i duket e pabesueshme mendjes se ajo ndodh vërtet, sikur për të nuk dëshmon çdo njeri.
Një qelizë e bashkuar fillon të ndahet dhe të shumëzohet në milio-na e miliona qeliza të reja. Secili grup qelizash përbën specifikën e cila e dallon nga grupet tjera. Këto qeliza janë eshtrat, muskujt, lëkurat, nervat, ... Më pastaj, kë-to janë qelizat për funksionimin e syrit, gjuhës, veshit dhe për funksi-onimin e gjëndrave me sekretim të brendshëm...
Dhe secila prej tyre me precizitet të mrekullueshëm e di vendin e veprimit të saj. Qelizat e syrit nuk gabojnë, për shembull të shkojnë në stomak ose në këmbë, dhe atje ta formojnë syrin. Por të gjitha punojnë me inspirim hyjnor, duke ndërtuar organizmin e njeriut në formën më të bukur dhe nën mbikëqyrjen e Gjithkrijuesit absolut, ngase njeriu nuk merr pjesë fare në këtë sferë të krijimit.
Nga krijimi i parë që është realitet i cili përsëritet dhe të cilin askush nuk mund ta mohojë, direkt drejtohet në ringjallje siç përkujton verseti kuranor në vijim: “S’ka dyshim se idhujtarët kriminelë, janë edhe në një huti edhe në zjarr të madh.” (El-Kamer, 47)
Ringjallja tjetër është fshehtësi. Por, krijimi i parë për këtë është argument. Ai i cili krijoi çift mashkullin dhe femrën nga fara që hi-dhet, ka fuqi pa dyshim që ta ringjallë përsëri. Krijimi i parë bart argument të dyfishtë për ringjalljen e sërishme. Gjatë krijimit të parë dhe ringjalljes së sërishme All-llahu i jep pasuri kujt të dojë nga robërit e Tij: “...ditën kur me fytyrat e tyre do të tërhiqen zvarrë në zjarr. “Vuaje-ni dënimin Sekar (emër i një xhehennemi).” (El-Kamer, 48)
I jep pasuri atij që do prej robërve të Tij në këtë botë, në forma të ndryshme të pasurisë: në mall, në shëndet, në pasardhës, pasuri në shpirt, në mendime, në lidhshmëri me All-llahun dhe furnizim të llojeve të ndryshme. I jep pasuri kujt të dojë prej robërve të Tij, në botën tjetër. Jep kë-naqësi kujt të dojë prej robërve të Tij në këtë dhe në botën tjetër. Krijesat janë të varfra dhe të pakënaqura; nuk mund të pasurohen dhe të varfërohen përveç nga depot e All-llahut.
Përkujtojmë versetet e Kur’anit fisnik në vijim: “Vazhdo me këshillë, sepse këshilla besimtarëve u bën dobi. Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër, pos që të më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre ndonjë furnizim e as dëshiroj të më ushqejnë ata. All-llahu është furnizues i madh. Ai - Fuqiforti.” (Edh-Dharija-të, 55-58)
Këto versete përmbajnë një realitet të madh, njërën prej të vërtetave më të mëdha kozmike, pa kuptimin dhe njohjen e së cilës nuk ka jetesë të vërtetë në tokë, qoftë për jetën e individit ose shoqërisë, qoftë për jetën e tërë njerëzimit në çdo periudhë dhe epokë.
Aspekti i parë i këtij fakti është që ekziston një qëllim konkret i ekzistimit të xhinëve dhe njerëzve.
Ky qëllim është paraqitur në detyrën konkrete dhe kush e kryen e ka plotësuar qëllimin e ekzistencës së tij, ndërsa kush nuk e kryen jeta e tij ka ngecur pa qëllim.
Kjo detyrë konkrete, e cila lidh xhinët dhe njerëzit me ligjin e ekzistencës, është bindja dhe adhurimi ndaj All-llahut të Madhërishëm. Njeriu e kupton që është rob, kështu që nuk kalon kufijtë e robit në ndjenjat dhe kërkesat e tij. Gjithashtu di që All-llahu është Zot.
Për këtë nuk lëshohet në kompetencat që i takojnë All-llahut të plotfuqishëm. Emocionet e tij ndahen te ky kufi; All-llahu i kënaqur me të dhe ai i kënaqur me All-llahun. Falënderimi i qoftë All-llahut për këto argumente kozmike. Falënderimi i takon vetëm All-llahut të plotfuqishëm në çdo situatë!
Tërësia e skenave kozmike bëjnë aluzion dhe duan të tregojnë dhe ta vërtetojnë se fuqia kreative e Tij nuk ka fund, se dituria e Tij nuk mund të përcaktohet, se dëshira e Tij absolute gjithashtu është e pafund: “Sikur të gjithë drunjtë në tokë të jenë lapsa dhe sikur detit t’i shtohen edhe shtatë dete (e të jenë me ngjyrë), nuk do të mbaronin fjalët e All-llahut (do të shteroheshin detet; do të soseshin lapsat, e jo mrekullitë e Zotit). All-llahu është Ngadhënjyesi i urtë.” (Llukman, 27)
Andaj fjalët e All-llahut nuk mbarojnë kurrë, ngase edhe dituria e tij nuk mund të kufizohet, dëshira e tij nuk përfundon, dëshira e tij rrjedh pandërprerë, ajo është e përhershme dhe e pakufishme në kohë dhe hapësirë. Drurët dhe detet treten, jeta dhe gjërat zhduken, zhduken format dhe situatat, por zemra e njeriut mbetet e përulur para madhështisë së Kreatorit të përhershëm: “Sikur të gjithë drunjtë në tokë të jenë lapsa dhe sikur detit t’i shtohen edhe shtatë dete (e të jenë me ngjyrë), nuk do të mbaronin fjalët e All-llahut (do të shteroheshin detet, do të soseshin lapsat, e jo mrekullitë e Zotit). All-llahu është Ngadhënjyesi i urtë.” (Llukman, 27)


Literatura e konsultuar:

1.H. Sherif Ahmeti: “Kur’ani” – Përkthim me komentim , Prishtinë, 1988.
2.Jusuf b. Abdullah Ali: “The Meaning of the Holy Qur’an” Maryland, USA 1991.
3.Rama Atajiq: “Prijevod Kur’ana sa tefsirom i komentarom na bosanskom jeziku”, Sarajevë 2001.
4.Muhammed Sha’ravi : “Mrekullia e Kur’anit” Prishtinë, 1996.
5.Mustafa Mlivo: “Kur’an ispred nauke i civilizacije”, Bugojna, 2001.
6.Keith Moore: “Developing Human” , 1998.
7.Abdul Mexhid Zendan: “Njëshmëria e Krijuesit”, Furkan, Shkup 2000.
8.Gary Miller: “Qudesni Kur’an”, 2003.
9.Husein Muhammed Dhehebi: “Komentimi shkencor i Kur’anit”. Dituria Islame nr. 42 Prishtinë, 1992.
10.Harun Jahja: “Mrekullitë e Kur’anit” Tiranë, 2002.
11.Enes Kariq: “Semantika Kur’ana” Sarajevë, 1998.
12.Enes Kariq: “Uvod tefsirske znanosti” Sarajevë, 1995.
13.Feti Mehdiu: “Kur’ani kryevepër”, Prishtinë, 1992.
14.Sejjid Kutub: “ U okrilju, Kur’ana” Sarajevë, 1996.
15.Hamilton Brid Musman: “Human Embryology”, Baltimore, USA, 1967.
16.Jusuf Raloviq: “Dituritë gjeografike në Kur’an”, Shkup, 1999.
17.Mehmed Karahoxhiq: “Knjiga o stvaranju”, Sarajevë, 2003.
18.Orijeta Deda, Samir Bulku: “Thesare në Kur’an” Tiranë, 2002.
19.Ali Iljazi: “Kur’ani dhe shkenca bashkëkohore” Gjakovë, 2000.
20.Ali Iljazi: “Kur’ani famëmadh nga këndvështrimi shkencor”, 2002.
21.Ali Iljazi: “Kur’ani prijatar i shkencës” Gjakovë, 2003.
22.Rasim Bejtullahu: “Astronomia” tekst universitar, Prishtinë, 2003.
23.Nedim El Xhisr: “Vjerovanje u Boga u svetlu filozofije, nauke i Kur’ana”, Sarajevë, 1976.
24.David Levy: “Skywatching”, Usa, 1994.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Fillon kampanja "Sofra e Ramazanit 2021"