Zvicra voton për ndalimin e mbulimit të fytyrës në ambiente publike

Zviceranët votuan në referendum pro ndalimit të veshjes së burkës në hapësirat publike.

Pak më shumë se 51% e votuesve zviceranë votuan në favor të nismës për të ndaluar njerëzit të mbulojnë fytyrën e tyre plotësisht në rrugë, në dyqane dhe restorante.

Mbulesat e plota të fytyrës do të lejohen ende të vishen brenda vendeve të lutjes dhe për “zakonet vendase”, por jo në hapësirat publike.

”Një sulm kundër komunitetit mysliman në Zvicër. Ajo që synohet është që të stigmatizohen dhe margjinalizohen myslimanët edhe më shumë”, tha një nga përfaqësuesit e komunitetit mysliman.

Kritikët e akuzojnë atë për promovimin e Islamofobisë dhe argumentojnë se ndalimet e veshjeve nuk duhet të ekzistojnë në një shoqëri të lirë.

Myslimanët përbëjnë rreth 5% të popullsisë zvicerane prej 8.6 milion banorësh, ose rreth 390,000 njerëz, shumica e të cilëve i kanë rrënjët në Turqi, Bosnjë dhe Kosovë.
Ndalimet e plota ose të pjesshme të veshjes së mbulesave të fytyrës në publik janë gjithashtu në Austri, Belgjikë, Bullgari, Danimarkë dhe Holandë.