Agjërimi – një nga pesë shtyllat e Islamit


“Islami është ngritur mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguar i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe vizita e Qabesë për atë që kanë mundësi”. (hadith, transmeton Buhariu, Muslimi, Termidhiu).

“U erdhi muaji i Ramazanit, muaji i bekuar. Allahu ua ka obliguar agjërimin e tij. Në të hapen dyert e xhenetit, mbyllen dyert e xhehenemit dhe lidhen shejtanët. Në të është një natë më e vlefshme se njëmijë muaj, kush privohet nga e mira e saj është privuar (prej shumë të mirave).”
Agjërimi është një nga pesë shtyllat e Islamit. Ai është një adhurim i veçantë dhe i dalluar nga adhurimet e tjera në Islam, që kërkon angazhim dhe sakrificë më të madhe nga myslimani e myslimania, sepse nënkupton largimin nga gjërat që në esencë i kemi të lejuara mirëpo, kur vjen muaji ramazan, na bëhen të ndaluara prej kohës së fillimit të agjërimit e deri në përfundimin e tij.
Agjërim (ar. savm) në aspektin gjuhësor-etimologjik do të thotë: përmbajtje nga diçka, pengim, frenim, heshtje, ndalim, lënie, largim, braktisje. Në kuptim të heshtjes, përmendet në këtë ajet të Kuranit fisnik:
“…thuaj: “Unë kam vendosur heshtje (sevm-en) për hir të Gjithëmëshirshmit, prandaj asnjë njeriu sot nuk i flas!” (Merjem, 26)
Ndërkaq, në kuptimin terminologjik termi agjërim/savm”, do të thotë: “ndërprerje e ngrënies, e pirjes dhe e marrëdhënieve seksuale nga koha e agimit të hershëm (imsakut) e deri në perëndim të diellit (iftarit), me qëllim të bërjes adhurim – ibadet”.(1)

Agimi i vërtetë (el-fexhrus-sadik) dhe perëndimi i diellit

Ky është agimi, i cili është përhapur gjithandej në horizont, kurse drita e tij
është shtrirë në skajet e qiellit. Paraqitet dymbëdhjetë minuta pas agimit të rremë.
Agimi i rremë (el-fexhrul-kadhib) së pari paraqitet si rreze e zgjatur drejtvizore, si
bisht i ujkut, pastaj tretet dhe e pason errësira. Koha e namazit të sabahut dhe fillimi i agjërimit fillojnë me paraqitjen e agimit të vërtetë.92) Kurse perëndimi i diellit është koha e perëndimit të diskut diellor, ashtu që errësira paraqitet dukshëm në anën lindore. I Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Kur nga errësira (nga lindja) arrin nata, kurse dita shkon atje (në perëndim) dhe kur dielli perëndon, atëherë agjëruesi mund të bëjë iftar.”(Buhariu dhe Muslimi)

Koha e nijetit

Për agjërimin e muajit ramazan, koha e nijetit është prej fillimit të natës së ditës që do të agjërohet e deri në gjysmën e asaj dite. Dita, sipas Sheriatit, fillon prej agimit dhe përfundon me perëndimin e diellit, andaj gjysma e ditës është në pjesën e fundit të mëngjesit, respektivisht afërsisht një orë para kohës së drekës. Nëse dikush bën nijet para kësaj kohe, nijeti i tij është i drejtë.(3)
Agjërimi është një nga obligimet themelore islame i cili kërkon nga agjëruesit që të heqin dorë dhe të abstenojnë plotësisht nga ushqimi, pija, pirja e duhanit dhe marrëdhëniet intime, prej agimit deri në perëndim të diellit. Mospranimi i këtij obligimi islam, si dhe fyerja e nënçmimi i tij paraqet mosbesim/kufër.(4)
Agjërimi është bërë obligim në vitin e dytë të hixhretit, para betejës së Bedrit. Si njëri prej adhurimeve, agjërimi ka ekzistuar, me disa ndryshime, në të gjitha periudhat e historisë. Këto ndryshime kanë qenë të lidhura me hollësitë e agjërimit. Mund të thuhet se në të gjitha sheriatet e shkuara ka pasur agjërim, pavarësisht nga forma, koha, synimi dhe përbërja. Popuj dhe kultura të ndryshme në të kaluarën e hershme i kanë dhënë rëndësi agjërimit.(5) Argumenti më i madh për ekzistencën e agjërimit edhe te shpalljet e pegamberëve të tjerë është Kurani, ku Allahu i Gjithëmëshirshëm ka zbritur ajetin:
“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim, sikurse ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, ashtu që të bëheni të devotshëm!” (El-Bekare, 183)
Ky ajet tregon se agjërimi na është bërë obligim sikurse u ishte bërë obligim edhe atyre që ishin në kohët e pejgamberëve të tjerë.
Allahu xh.sh., lidhur me umetin e Muhamedit a.s., ka zbritur gjithashtu edhe ajetin tjetër:
“(Ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramazanit, që në të (filloi të) shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju. (Të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, ta madhëroni Allahun për atë, që iu udhëzoi dhe që të falënderoni.” (El-Bekare, 185). Me këtë ajet çdo mysliman i rritur, qoftë mashkull apo femër, urdhërohet që ta agjërojë muajin ramazan.
Çdo punë që bëhet në emër të Allahut ka mirësinë dhe sevapin e vet. Por kur vjen fjala për agjërimin, shpërblimi i tij është i pakrahasueshëm. Ebu Umame r.a. thotë: “I kërkova të Dërguarit të Allahut të më thotë një punë të dobishme për ta bërë. Ai më tha: ‘Mbaj agjërim, sepse ai s’ka të krahasuar!’ Ia përsërita kërkesën për herë të dytë të Dërguarit të Allahut dhe ai më tha përsëri: ‘Mbaj agjërim, sepse ai s’ka të krahasuar!’ Unë ia përsërita edhe një herë tjetër kërkesën dhe ai për të tretën herë më dha të njëjtën përgjigje: ‘Mbaj agjërim, sepse ai s’ka të krahasuar!’” (Nesai).
Në agjërim nuk ekziston ndonjë autoritet më i madh për të kontrolluar sjelljen e njeriut, për ta penguar agjërimin nga ana e tij. Agjëruesi e mban atë me vetëdije që të fitoj kënaqësinë e Allahut, duke treguar ndershmëri e përpikmëri, në vetvete dhe publikisht.(6)
Prandaj, Pejgamberi a.s. thotë: “Çdo punë e njeriut i përket atij dhe për atë vepër do të shpërblehet dyfish, madje deri shtatëqind herë. Allahu i madhëruar thotë: ‘Pos agjërimit. Ai është i Imi dhe Unë shpërbëj për të, sepse agjëruesi për Mua ka braktisur kënaqësitë dhe ushqimin’. Agjëruesi ka dy gëzime, kur bën iftar dhe kur do të takojë Allahun, dhe kjo do të ndodhë në botën tjetër, kur njeriu do të dëgjojë thirrjen: Ku janë agjëruesit ? Le të hyjnë në xhenet përmes derës Rejhan, përmes së cilës nuk mund të hyjë askush tjetër përveç tyre.” (Buhariu dhe Muslimi).
Agjërimi është adhurim, shpërblimin e të cilit Allahu i Lartë e ka marrë mbi vete, përgjegjësinë e të cilit nuk e mbajnë dot kalemat dhe librat e llogarisë, është shenjë e marrëdhënieve të ndërsjella mes besimtarit me Zotin e vet.(7)
Ebu Hurejre tegon se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Allahu ka urdhëruar kështu: ‘Çdo vepër e njeriut është për vetë atë, me përjashtim të agjërimit. Shpërblimin e agjërimit e jap Unë, sepse njeriu i braktis ngrënien dhe dëshirat trupore vetëm për Mua.’ Për agjëruesin ka dy çaste të gëzuara. Njëri, kur ha iftarin dhe i dyti, kur takohet me Zotin. Kundërmimi i gojës së agjëruesit tek Allahu është më i këndshëm se aroma e parfumit.” (Buhariu, Muslimi, Tirmidhiu, Nisaiu, Ibn Maxhe).
Prandaj me të drejtë Ramazani konsiderohet muaji i devotshmërisë, i ngritjes shpirtërore dhe i afrimit me Zotin, muaj në të cilin çdo vepër shpërblehet shumëfish pasi agjërimi bëhet vetëm në emër të Zotit.

Roli i agjërimit në edukimin moral të njeriut

Qenia njerëzore është sintezë e shpirtit me trupin. Sikurse trupi pa shpirt nuk shpreh ndonjë gjë, nuk përbën ndonjë vlerë njerëzore, po ashtu edhe shpirti pa trup nuk përbën ndonjë vlerë njerëzore për propozimet ose emocionet e kësaj bote.
Ndërkaq, njeriu trajtohet si kafshë nga ana e biologëve dhe e filozofëve, kurse mendësia materialiste e kundron thjesht si një vegël dhe makinë lëvizëse. Agjërimi është një dhuratë e madhe hyjnore dhe burim i virtyteve të larta. Ai është e kundërta e rrymave të kohës së sotme, sepse filozofirat materialiste që dominojnë në Lindje dhe Perëndim e njohin tokën, por nuk e njohin qiellin, e njohin trupin por nuk e njohin shpirtin, e njohin dynjanë por nuk e njohin ahiretin.
Me ato që ha e pi, me qëndrimet dhe veprimet, me adhurimet, përgjithësisht me detyrat dhe dispozitat fetare që përpiqet t’i kryejë, njeriu ushtron një sërë ndikimesh mbi trupin dhe mbi shpirtin e vet. Kufizimet, privimet dhe abstenimet zënë në vend shumë të rëndësishëm në zhvillimin dhe maturimin e jetës individuale të njeriut, dhe kjo mund të bëhet vetëm me agjërim. Agjërimi rezulton me vlera dhe virtyte që formohen në botën e brendshme, në ndërgjegje. Nuk mund të pritet që tek njeriu që është fokusuar te stomaku, që në çdo vend e çdo kohë mendon stomakun, të ketë një shpirt të pastër dhe një zemër të kulluar. Ai do të konsumojë si një mosmirënjohës, pa falënderuar Allahun e Lartëmadhërishëm.(8)
Islami e sheh jetën si një rrugëtim, një pjesë e të cilit kryhet në këtë botë, ndërsa pjesa tjetër në botën tjetër. Përkundër kësaj, shpeshherë njeriu i bën padrejtësi vetes dhe e dëmton atë duke iu nënshtruar pasioneve dhe dëshirave të tij trupore. Ai largon dobinë dhe të mirën me veprime të pamenduara mirë. Nën cytjet e djallit, egoizmi, urrejtja dhe pangopësia e bëjnë gjithnjë e më të vështirë jetën e tij. Për rrjedhojë, në shumë shpirtra njerëzorë sundon boshllëku dhe zbrazëtia.
Trupi rrallëherë në histori ka pasur përparësi dhe ka dominuar ndaj shpirtit sikurse në ditët tona. Vështirë që ndonjëherë pasioni dhe dëshirat e pakontrolluara të kenë pasur lirinë sikurse e kanë sot. Sa më shumë që njeriu prosperon në planin material, aq më shumë ai molepset dhe asfiksohet shpirtërisht, duke u bërë skllav i prodhimit dhe i konsumit.
Ndërkaq, çdo dispozitë islame që vjen nga Allahu i Gjithëdijshëm dhe i Gjithëmëshirshëm është për të mirën e njeriut. Një ndër urtësitë që gjendet pas rregullave të caktuara të sheriatit, është edhe rritja e vetëdijes për Zotin, e cila përbën një nga arsyet e kryerjes së namazeve të rregullta, të agjërimit dhe të lutjeve.(9)
Ato synojnë pastrimin e njeriut dhe të shpirtit të tij nga çdo njollë, si dhe pajisjen e karakterit të tij me virtyte dhe cilësi pozitive. Agjërimi, padyshim, është i dobishëm për trupin dhe shëndetin e tij dhe motivon të falënderuarit e Allahut.
Agjërimi e përmbush njeriun me një virtyt të çiltër dhe afërsi me Zotin, sepse kur agjëron, njeriu e bën këtë vetëm për hatër të Zotit. Ai e kultivon njeriun me një vetëdije vigjilente dhe të shëndoshë. Kjo sepse agjëruesi e mban agjërimin e tij fshehurazi edhe publikisht.(10)
Sikurse ujërat e tokës, përrenjtë, vijat dhe lumenjtë që ndjekin një linjë drejt derdhjes në dete dhe së bashku formojnë oqeanet e pamatshme të botës, njëlloj edhe dispozitat islame synojnë që njeriu të ecë drejt vullnetit, mëshirës dhe kënaqësisë së Zotit.
Adhurimet që i ka obliguar Islami kanë për qëllim që ta mësojnë myslimanin të jetojë jetë të vërtetë dhe të pajiset me moral të mirë, pavarësisht kushteve dhe rrethanave, larg mëkateve që zemërojnë Krijuesin.
Agjërimi është faktor i pazëvendësueshëm në edukimin moral të njeriut dhe formimin e personalitetit të tij. Pejgamberi a.s. thotë: “Essijamu Xhunnetun” (Agjërimi është mbulesë, pengesë) që do të thotë është pengesë nga gjynahu e gabimi dhe mburojë nga zjarri i xhehenemit.

Dukuritë negative

Dukuritë negative kanë vërshuar në shoqërinë tonë për shkak se njohuritë fetare janë shumë të përcipta e sipërfaqësore. Familja jonë është në rrezik. Shoqëria jonë sot po ballafaqohet jo vetëm me varfëri ekonomike, por ajo po përjeton edhe një mjerim të madh moral. Kultura dhe tradita fetare, që e kanë mbajtur familjen të shëndetshme dhe e kanë mbrojtur nga ndikimi i kulturave të huaja dhe nga infektimi i dukurive negative, kanë filluar të zbehen dhe asaj sot i kanoset rreziku i shthurjes dhe i zvetënimit.
Prandaj, Ramazani është rast i volitshëm që të evitojmë çdo gjë që është në kundërshtim me mësimet islame dhe që zbeh vlerat e mirëfillta në familjet tona. Ramazani duhet të shfrytëzohet si një përvojë e papërsëritshme që të përmirësojmë gjendjen tonë jo të mirë morale sepse “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete.” (Er Ra’d, 11).
Secili përgjegjës i familjes duhet të kujdeset për familjen e tij veçanërisht në këtë muaj duke i nxitur ata të agjërojnë, të dinë rregullat e tij, të pendohen, të falen, të lexojnë Kuranin dhe të shtojnë veprat e mira. Secili duhet të kultivojë tek ata ndjenjën se bindja ndaj Allahut është rruga e suksesit dhe e shpëtimit në dynja dhe ahiret.
Ramazani është muaji i pendimit, i dhikrit dhe i adhurimit të Allahut në çdo çast dhe i shtimit të veprave të mira. Në të filloi zbritja e Kuranit fisnik, me të cilin Muhamedi a.s u urdhërua nga Allahu që t’i ftojë njerëzit në Islam. Ai është muaji i mirësive dhe i begative, muaji i shpërblimeve dhe i dhuratave të pamasa: “Kush e kalon muajin e Ramazanit duke u falur gjatë natës, duke besuar fort dhe duke shpresuar shpërblim të mirë (vetëm nga Allahu), atij do t’i falen mëkatet e mëhershme”. (Hadith, Buhariu dhe Muslimi)
Ramazani është si mysafir i veçantë që gëzon zemrat dhe shpirtrat tanë, duke sjellë me vete begati dhe mirësi të pamasë. Fillimi i tij është mëshirë, mesi i tij falje prej gjynaheve dhe fundi lirim nga dënimi i zjarrit. Në këtë muaj Allahu ofron favore dhe shpërblime të shumta për agjëruesit. Secili individ duhet të përgatitet që ta shtojë intensitetin e ibadetit të tij dhe t’i pakësojë sa më shumë shprehjet dhe veset e këqija.
Gjatë Ramazanit kalitet shpirti dhe trupi prandaj ai konsiderohet një shkollë hyjnore ku individi dhe shoqëria pajisen me mësimet e tij të vlefshme sikurse janë: bindja, vullneti, këmbëngulja, qëllimi fisnik, pastrimi i vetes dhe sinqeriteti.
Agjërimi i pastron zemrat që janë vend i dashurisë, i mëshirës dhe i guximit dhe kultivon te myslimani cilësinë e vigjilencës së vazhdueshme të Allahut. Ai është lartësim i shpirtit dhe ngritje drejt dëlirësisë. Ai fisnikëron shpirtrat, që janë vend i përkushtimit, i devotshmërisë, i nderit, i moralit dhe i virtyteve njerëzore.
Agjërimi është një gjendje e veçantë dhe përmbajtje jo vetëm nga ushqimi e pija, duhani, marrëdhëniet intime por edhe nga shpifja, gënjeshtra, shikimi i ndaluar dhe nga çdo gjynah. Prandaj agjërimi më shumë duhet të ndihet me zemër dhe shpirt sesa të njihet dhe kuptohet me logjikë e arsye.

Aspekti social

Vlera dhe rëndësia e Ramazanit ngërthen jo vetëm aspektin fetar dhe moral por edhe atë social. Agjërimi i kuptuar drejt si një institucion social zhvillon altruizmin dhe dashurinë tek njeriu dhe edukon ndjenjën e vetëmohimit dhe të sakrifikimit. Ai zhvillon ndjenjat për nevojat e të tjerëve dhe nxit në bërjen e hajrateve. Islami dëshiron të ndërtojë një njeri që sakrifikon të mirat materiale dhe jetën e tij për të mirën e shoqërisë. Pikërisht për këtë, krahas agjërimit, në këtë muaj të bekuar është bërë obligim (vaxhib) edhe sadakai-fitri dhe preferohet dhënia e zekatit të obligueshëm, si dhe ndihma e të varfërve.
Shoqëria islame nuk guxon të ketë mjerim social dhe dallime klasore. Egoizmi dhe individualizmi i skajshëm duhet të jenë të panjohur për myslimanin. Muhamedi a.s. ka thënë: “Nuk është mysliman i vërtetë ai që ka barkun plot, kurse fqinji përkrah tij është i uritur.” Prandaj, të gjithë myslimanët gjatë këtij muaji janë më të devotshëm, më dorëlirë dhe më modestë.
Kusht për një jetë të virtytshme dhe të moralshme është harmonia e brendshme mes instinkteve të nevojshme dhe synimeve morale: “Allahu nuk ka nevojë për njeriun që e braktis ushqimin e pijen, e nuk e braktis fjalën e keqe dhe veprën e ligë!” (hadith, Buhariu).
Duke mposhtur epshet që nxisin për mosbindje dhe gjynah, duke u liruar nga gjërat materiale dhe nga robërimi ndaj tyre, agjëruesi bëhet rob i vërtetë i Allahut. Njeriu me durimin e urisë e të etjes zgjon forca të brendshme duke zotëruar dëshirat e ulëta, sikurse janë shpërthimi i epsheve, i zemërimit dhe i grykësisë. Duke agjëruar, njeriu nuk e shkatërron epshin e tij, por e mban atë nën kontroll. Agjërimi është një metodë perfekte për zhvillimin e virtyteve individuale dhe për kontrollin e vetvetes. Ai synon ta pasurojë shpirtin dhe zemrën me sinqeritet, mëshirë, mirësi dhe humanizëm.
Agjërimi te njeriu inicion frymën e vërtetë të përkatësisë sociale, të unitetit dhe të vëllazërisë, të barazisë para Zotit si dhe para ligjit. Kur njeriu agjëron ndien se i bashkangjitet gjithë shoqërisë myslimane dhe kryerjes së detyrës së njëjtë në të njëjtën mënyrë, për motivet dhe qëllimet e njëjta.(11)
Pejgamberi a.s. i përgëzonte shokët e tij më ardhjen e muajit fisnik dhe u thoshte: “U erdhi muaji i Ramazanit, muaji i bekuar. Allahu ua ka obliguar agjërimin e tij. Në të hapen dyert e xhenetit, mbyllen dyert e xhehenemit dhe lidhen shejtanët. Në të është një natë më e vlefshme se njëmijë muaj, kush privohet nga e mira e saj është privuar (prej shumë të mirave).” Sigurisht se besimtari gëzohet me hapjen e dyerve të xhenetit, mbylljen e dyerve të xhehenemit dhe me lidhjen e shejtanëve.
Muhamedi a.s ka thënë: “Edhe agjërimi, edhe Kurani, Ditën e Ringjalljes do të ndërmjetësojnë për besimtarin. Agjërimi do të thotë: O Zot! Unë agjëruesin e pengova ditën nga të ngrënët, të pirët dhe nevojat e tjera të natyrshme. Pranoma ndërmjetësimin për faljen e tij!” Edhe Kurani do të thotë: “O Zot! Unë lexuesin e pengova natën nga gjumi dhe pushimi: Jepmë leje të ndërhyj për faljen e tij!”
O Allah! Na bëj prej atyre që e meritojnë këtë ndërmjetësim!


___________________
1. Shih: Muhamed Ashih Ilahi el Bureni, Çështje të fikhut sipas Kuduriut Ibadat, Prishtinë, 2009,f. 155.
2. Abdulhamid Mahmud Tuhmaz, Fikhu Hanefi vëll. I, Ibadat (pastërtia, namazi, zekati, agjërimi, haxhi), SHB Sira, Prishtinë, 2008, f. 460.
3. Muhamed Ashih Ilahi el Bureni, op. cit., f. 462.
4. Hutbe dhe vaze të zgjedhura II, (pa autor) ShB "ASR", Tetovë, 2001,f. 138.
5. Ali Budak, Gjithçka rreth agjërimit & Muaji i Ramazanit, Prizmi Tiranë, 2005, f. 10.
6. Hamudeh Abdul Ati, Islami në fokus, Shkup 1413/1992, f. 102.
7. Ali Budak, po aty, 116.
8. Ali Budak, po aty, f 22.
9. Jasser Auda, Objektivat e ligjit islam një udhëzues për fillestarë, Tiranë 2020. f. 11.
10. Hamudeh Abdul Ati, po aty, f. 102.
11. Hamudeh Abdul Ati, Islami në fokus, po aty, f. 102.



Dituria Islame nr. 364


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Program fetar dedikuar ardhjes së Muhamedit a.s. si mëshirë për botën