Mësime nga Hixhreti


Hixhret është shpërngulja e Muhamedit a.s. nga Meka në Medinë.

Nuk dihet saktë se në cilën ditë ka ndodhur kjo pas 13 vjetësh qëndrimi në Mekë pas Shpalljes, edhe pse ka shënime të ndryshme. Po në Medinë ka hyrë në muajin rebiul evvel, sipas një hadithi tek Buhariu, në ditën e hënë, më 12 rebiul evvel, gjegjësisht më 24 shtator të vitit 622.

Hixhri e ka kuptimin e vitit kalendarik hënor tek myslimanët, sepse ata për fillim të vitit kalendarik kanë marrë ngjarjen më të rëndësishme të historisë së tyre, pra Hixhretin. Viti hixhri është vit hënor dhe ka 355 ditë (pra dhjetë ditë më pak se viti diellor). Ndahet edhe ai në dymbëdhjetë muaj. Kur’ani nuk ka cekur ndonjë sure të veçantë për Hixhretin, por ngjarjen e tij dhe mësimet që mund të nxirren nga ai, i shpërndau në më shumë se në një sure, për faktin se përfitimet nga kjo ngjarje janë më të mëdha sesa përfshirja në një sure të vetme. Hixhreti është një nga ngjarjet më të mëdha dhe më të rëndësishme në historinë islame në përgjithësi, që bëri ndryshime të thella edhe në historinë botërore dhe në rrjedhën e saj.
Ajo ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve botërore, duke proklamuar qëllimet fisnike për njerëzimin dhe për të jetuar me programin hyjnor. Bëri kthesë vendimtare në zhvillimin e këtij njerëzimi me vullnetin e Allahut. U bë një dukuri që ndan dhe dallon të vërtetën nga e errëta dhe që i përket tërë botës. Është një fenomen për zbulimin e mjedisit më frytdhënës për zhvillimin e Fjalës së Allahut të Madhërueshëm dhe nuk është ikje prej vështirësive e problemeve, po shpërngulje nga një vend në një tjetër - për krijim të kushteve më të përshtatshme për përhapjen e Fjalës së Allahut. Po ashtu është braktisje e asaj që Allahu ndalon, dhe njëkohësisht përpjekja drejt asaj me se Ai kënaqet. Është sakrifica kulmore, të cilën njeriu mund ta bartë dhe ta ofrojë për idealin e tij. Myslimani, për hir të besimit të tij, shkëputi lidhjet me më të afërmit, braktisi jetën e deriatëhershme dhe afarizmin e deriatëhershëm.
Hixhreti është frymëzim i pashtershëm dhe motiv i fuqishëm për besimtarët e sinqertë. Ai bart me vete idenë e aksionit, ndryshimit dhe rimëkëmbjes, idenë e sendërtimit të porosive të Kur’anit dhe Sunetit në çdo çast historik.
Është revolucion i madh shpirtëror e material, intelektual e edukativ, social e ekonomik. Është mësim nga e kaluara, meditim dhe veprim në të tanishmen dhe shikim e planifikim drejt së ardhmes. Kjo ngjarje ia bëri me dije njerëzimit se respektimi i dinjitetit njerëzor, pa dallim race, gjuhe, vendi, klase, nacionaliteti e fisi, është ardhmëria e vetme e botës. Hixhreti është dy llojesh: hixhret i sigurisë dhe shpëtimit, dhe hixhret i bindjes dhe besimit. I llojit të parë ishte shpërngulja për në Abisini, ndërsa i të dytit është shpërngulja e zemrave. Kjo çështje nuk është shpërngulje e thjeshtë, po është bindje dhe besatim ndaj Allahut duke iu nënshtruar Atij me gjithçka, me shpirt, me trup dhe me pasuri. Pra është shpërngulje për Allahun tek Allahu i Lartësuar.

Dimensioni i Hixhretit

Pikërisht prandaj të pyes dhe ty lexues i nderuar - A je në gjendje që në çdo kohë dhe në çdo vend të bësh hixhret për Allahun? Nuk është hixhret vetëm të dalim nga shtëpitë tona, madje edhe mund të pyesim: A kemi nevojë ne sot të bëjmë këso lloj shpërnguljeje?
Shpërngulje e vërtetë është ta ndryshosh zemrën tënde, ta pastrosh atë dhe ta mbushësh me iman e bindje ndaj Allahut, ta bësh një zemër pa zili, inat e urrejtje. Një zemër që nuk njeh tjetër veçse dashurinë ndaj Allahut dhe nënshtrimin ndaj Tij, kryerjen e veprave të mira dhe bashkëpunim të mirë me të gjithë. Duhet të bëjmë hixhret duke caktuar prioritetet tona në jetë. Qëllimi final të jetë kënaqja e Allahut. Ta pyesim veten në këtë fundviti hixhri: Ç’kam bërë unë gjatë këtij viti dhe çfarë duhet të bëjë gjatë vitit që po vjen? Të fillosh duke iu përmbajtur së mirës dhe rrugës së drejtë, dhe duke u larguar nga mëkatet dhe punët e këqija. Vepro për ta kënaqur Allahun dhe vazhdo kështu me listën e prioriteteve të tua, në mënyrë që të arrish vlerën e atyre muhaxhirëve që u shpërngulën nga Meka për në Medinë duke kaluar mbi 400 km rrugë të vështirë, që e bënë vetëm për Allahun dhe themeluan shtetin islam. Ky veprim ndryshoi rrjedhën e historisë njerëzore dhe botëkuptimet e njerëzve në tërë botën. Nga Hixhreti nuk mund të përfitojmë nëse e kalojmë vetëm në atmosferë festive e me qasje kulturore. Këtij i duhet dhënë dimension më i madh, dimensioni i shkollës dhe mësimeve. Festimi i Hixhretit nuk nënkupton festimin e ditës, muajit dhe vitit, por nënkupton riaktualizimin e faktorëve që e nxitën gjithë atë kthesë në historinë e Botës Myslimane dhe të botës përgjithësisht, nënkupton freskimin e shpirtit, zemrës dhe mendjes, kthjelltësimin dhe ndriçimin e pikëpamjeve dhe forcimin e radhëve para furtunave dhe rrebesheve të jetës.
Pa dyshim që nga ndodhitë e Pejgamberit a.s. ne duhet të marrim mësim, se përndryshe qasja jonë ndaj Pejgamberit dhe historisë së tij është jo e drejtë. Mësimet që mund të nxirren nga Hixhreti, janë të shumta. Ne do të përmendim vetëm disa prej tyre:
1. Feja a besimi, për besimtarin është më e vlefshme se gjithçka tjetër, më e vlefshme se familja, pasuria dhe atdheu. Është më e vlefshme se gjithçka për se do të mburreshin njerëzit. Pejgamberi dhe besimtarët lëshuan Mekën, edhe pse ishte vendi më i dashur te Allahu dhe për ata, por në ato rrethana nuk mund ta mbanin fenë dhe ta ngrinin Islamin. Ata dolën me besimin e tyre, duke kërkuar një bazë të re, një vend tjetër që u mundësonte mbajtjen dhe përhapjen e këtij besimi. Dhe këtë e realizuan përmes Hixhretit.
2. Ndihma e Allahut pa dyshim që nuk mungon.
3. Planifikimi dhe organizimi i Pejgamberit a.s. për tërë procesin e Hixhretit. Strategjia e zgjedhjes së këtij vendi për migrim, të fiseve, shoqëruesit etj. Shquhet edhe gjenialiteti i Pejgamberit a.s. në tërë këtë veprim.
4. Vetëmohimi dhe durimi në rrugën e drejtë dhe këmbëngulja e vendosur në këtë.
5. Kontributi i madhe dhe sakrifica. Ashabët dhanë gjithçka dhe vepruan shumëçka në këtë drejtim, si rasti i Aliut që fjeti në shtratin e Pejgamberit, rasti i Ebu Bekrit, Esmasë, Abdullahut, Aishes, Amirit etj..
6. Përparësia që i jepet dashurisë ndaj Allahut dhe kënaqësisë së Tij, para dashurisë ndaj pasurisë, atdheut dhe familjes.
7. Dashuria për hir të Allahut dhe përkrahja e fesë së Tij duhet të jenë prioritet para çdo dashurie tjetër. Përndryshe e cenon këtë dashuri dhe besim.
8. Tevhidi është ajo bërthama dhe gërshetimi që lidh dhe unifikon shoqërinë myslimane, dhe asnjë qëllim tjetër. Ashabët i tuboi, i lidhi dhe i bashkoi vetëm ky qëllim: Tevhidi.
9. Mbështetja vetëm në Allahun e Lartësuar e në askënd tjetër dhe kapja për litarin e Allahut.
10. Duhen analizuar shkaqet e nevojshme dhe duhen ndërmarrë masat paraprake të domosdoshme që i takojnë njeriut. Kjo nuk është në kundërshtim me tevekulin, po madje është edhe urdhër nga Sheriati. Këtë na e dëftoi praktika e Pejgamberit, i cili planifikoi dhe organizoi çdo gjë në detaje për Hixhretin.
11. Kërkohen strategjia, planifikimi dhe organizimi. Në kuadër të kësaj hyn edhe ndarja e përgjegjësive dhe caktimi i detyrave. Kështu veproi Pejgamberi a.s. duke i dhënë detyrat e caktuara secilit, si Esmasë, Abdullahut, Amirit etj..
12. Shquhet edhe roli i femrës dhe kontributi i saj. Spikatet rëndësia e saj në shoqëri.
13. Konfidenca dhe ruajtja e sekretit janë prej organizimit dhe strukturimit të mirë.
14. Përzgjedhja e duhur dhe e mirë e shoqëruesve në kauzat e mëdha.
15. Vlera e ashabëve, të cilët u ndanë nga fëmijët, pasuritë, familjet dhe atdheu i tyre për hir të Allahut. Veçanërisht këtu shquhet vlera e Ebu Bekrit.
16. Rruga e da’vetit nganjëherë i imponon njeriut që ta ndërrojë vendin dhe ambientin, për të plotësuar rrugëtimin drejt synimeve të larta.
17. Intrigat dhe kurthet e armiqve, sado të mëdha të jenë, nuk arrijnë dot të shuajnë dritën e kësaj feje.
18. Është obligim të punohet shumë, në mënyrë që të arrihet fitorja dhe mbisundimi në tokë. Për të bërë shtetin që vepron e punon me ligjin e Sheriatit. Madje edhe përmes Hixhretit, nëse është e nevojshme.
19. Ky mbisundim dhe kjo fitore nuk mund të arrihen pa sprova e telashe, mundime e vuajtje.
20. Kush bindet sinqerisht në fitoren e fesë së Allahut, Allahu do ta përkrahë në forma të ndryshme.
21. Da’veti merr kohë dhe kalon nëpër disa etapa e situata, derisa të arrijë në cakun final.
22. Përplasja në mes së vërtetës dhe të pavërtetës kalon nëpër disa faza. Së pari bëhet proklamimi i ftesës për të vërtetën, pastaj përhapja, përfitimi i njerëzve dhe përkrahësve. Pastaj ballafaqimi drejtpërdrejt dhe i nxehtë në mes tyre me fakte e argumente, e më pastaj përballja në mes tyre me forcë, e më tutje fitorja për ithtarët e së vërtetës. Para fitores, duhet ballafaquar patjetër me sprova, sfida e telashe të ndryshme.
23. Triumfi i jobesimtarëve në disa faza gjatë përplasjes në mes së vërtetës dhe të pavërtetës është një gjë që ka ndodhur edhe më parë, dhe kjo nuk i dëmton besimtarët dhe as do të thotë se Allahu i ka harruar besimtarët e Tij.
24. E vërteta triumfon me punën e përkrahësve të tij nga njerëzit. Për këtë arsye Pejgamberi a.s. u shpërngul dhe shkoi te përkrahësit e tij, sepse edhe Allahu i ka thënë atij se do ta ndihmonte me përkrahjen e Tij dhe të besimtarëve. Për këtë arsye duhen zgjedhur përkrahësit e sinqertë për këtë mision, po qe nevoja edhe në ndonjë vend tjetër.
25. Atyre që shpërngulen për hir të Allahut, Allahu do t’ua hapë mundësitë në tokë dhe u jep të mira të shumta.
26. Hixhreti në kuptimin e Sheriatit është jo vetëm transfer fizik nga një vend në një vend tjetër, por transferim nga e keqja në të mirë, nga destruktiviteti në konstruktivitet, nga deformimi në formim, nga anarkia totale në sistem, nga kriminaliteti në veprimtari profitabile dhe afatgjatë, nga injoranca në dituri, nga errësira në dritë dhe, thënë thjesht e shkurt, nga shtazëria në njerëzoren. Nga kjo nënkuptohet se Hixhreti është një evolucion i brendshëm shpirtëror dhe sentimental, që ndikon pozitivisht në jetën e njeriut dhe të shoqërisë në përgjithësi.
27. Mrekullitë hyjnore si: Dalja e Pejgamberit nga rrethimi i komplotistëve përmes shpatave të tyre, pa e vërejtur fare, madje edhe u hodhi dhé mbi kokat e tyre. Pastaj thurja e rrjetës nga merimanga në hyrje të shpellës, sharrimi i këmbëve të kalit të Surakas në tokë, delja shterpë e Umm Ma’bedit që e moli e dha qumësht. Të gjitha këto janë mrekulli që tregojnë fuqinë e Allahut dhe se Ai, kur do, i ndihmon besimtarët. I mjafton Atij t’i thotë diçkaje: Bëhu! Dhe ajo bëhet.
28. Dashuria ndaj Pejgamberit të jetë më e madhe sesa dashuria ndaj vetes, prindërve, fëmijëve dhe familjes. Kjo dashuri e bëri Ebu Bekrin të qante nga gëzimi, kur mori vesh se qe zgjedhur shoqërues i Pejgamberit në Hixhret. Po
ashtu, po kjo dashuri e bëri atë që të rrezikonte veten në vrimat e shpellës dhe të duronte pickimin e dhembshëm në këmbë. Gjithashtu qe dhe flijimi i tërë pasurisë së Ebu Bekrit për kauzën e madhe dhe Pejgamberin a.s.. Po kjo dashuri i nxirrte banorët e Medinës në vapën më të madhe për të pritur ardhjen e Pejgamberit etj..
29. Sinqeriteti i plotë në tërë këtë dhe në jetën në përgjithësi.
30. Aspekti historik i Hixhretit. Hixhreti i Pejgamberit a.s. është një aspekt i madh historik i myslimanëve, për të cilin ata dallohen si Umet nga popujt e tjerë, dhe është simbol i krenarisë së tyre. Koha kur është marrë vendimi që Hixhreti të caktohet si pikëfillim i vitit kalendarik për myslimanët, kthehet tek Umeri r.a.. Kur vendosi të përpilonte për Umetin Islam një kalendar vjetor, nga i cili do të dalloheshin nga popujt tjerë, ai u konsultua edhe me ashabët se nga se të fillonin llogaritjen vjetore: A të fillonin me ditëlindjen e Pejgamberit a.s.? Të fillonin me kohën e shpalljes së tij pejgamber? Apo me hixhretin e tij? Apo me vdekjen e tij? Përzgjedhja e hixhretit ishte më e kënaqshmja, më e qëlluara e edhe më krenarja. E pra, që nga ajo kohë myslimanët për llogaritje vjetore kalendarike kanë vendosur vitin hixhri.



Bahri Curri