Trajtesa juridike islame mbi xhumanë dhe obligueshmërinë e saj


"0 ju që keni besuar, kur të thirret ezani për namazin e xhumasë, nxitoni për ta përmendur Allahun, e lini shitblerjen, kjo është më e dobishme për ju nëse jeni që e kuptoni!”(El Xhumua, 9).

Zoti i Madhërishëm me urtësinë e Tij caktoi momente, ditë dhe raste që besimtarët të takohen dhe të njihen mes vete. Një ndër këto momente është edhe namazi i xhumasë, me ç'rast luan rol pozitiv në afrimin e besimtarëve dhe shoqërive të atij vendi. Juristët islamë shpjegojnë se emri i këtij namazi (pra fjala ”xhuma”) në vetvete ngërthen pikërisht kuptimin e tubimit, unitetit dhe bashkimit, sepse ai namaz i tubon dhe i bashkon besimtarët e atij vendi.

Norma e namazit të xhumasë

Namazi i xhumasë është farz ajn (obligim personal) për çdo besimtar i cili i plotëson kushtet për këtë namaz.
Thotë Allahu i Madhërishëm: "O ju që keni besuar, kur të thirret ezani për namazin e xhumasë, nxitoni për ta përmendur Allahun, e lini shitblerjen, kjo është më e dobishme për ju nëse jeni që e kuptoni!" (El Xhuma, 9).
Ndërsa Pejgamberi a.s., thotë: ”Më të vërtetë Allahu i Madhërishëm ua bëri obligim xhumanë, nga ky moment, nga kjo ditë, nga ky muaj dhe ky vit.”(1)

Kushtet e obligueshmërisë së namazit të xhumasë

Për të qenë obligim namazi i xhumasë duhet të plotësohen këto kushte:
a) Gjinia: Ky namaz është obligim vetëm për meshkuj. Femrat nuk e kanë obligim të prezantojnë në këtë namaz, mirëpo nëse prezantojnë dhe e falin xhumanë lirohen nga namazi i drekës.
b) Liria: Robi nuk e ka obligim këtë namaz, mirëpo nëse e fal atëherë lirohet nga dreka.
C) Mosha madhore: Sepse fëmija nuk është i ngarkuar me obligime fetare-ibadete.
d) Që namazliu të jetë vendës: Udhëtari lirohet nga ky namaz, mirëpo nëse e falë atë lirohet nga namazi i drekës.



Thotë Pejgamberi a.s., në një hadith: "Namazi i xhumasë është obligim për çdo besimtar, përveç katër personave: robit, gruas, fëmijës, dhe të sëmurit.”2
e) Mençuria: Njeriu i cili është i sëmurë psikikisht nuk obligohet me ibadete, sepse ai nuk ka mundësi t'i kuptojë ato.
f) Që namazliu të jetë fizikisht i shëndoshë: Njeriu i cili nuk mund të ecë, ose ka ndonjë sëmundje tjetër që e pengon atë të prezantojë tek xhemati, nuk obligohet me namazin e xhumasë, mirëpo nëse ai prezanton në këtë namaz lirohet nga namazi i drekës,
g) Të ketë siguri për shkuarje në xhami: Ai person i cili frikësohet nga zullumqari, armiku apo dikush tjetër, për të shkuar në xhami, nuk e ka obligim namazin e xhumasë.(3)

Vërejtje: Të gjitha kategoritë e lartpërmendura (me përjashtim të fëmijës dhe të sëmurit psikikisht) në rast se nuk e falin namazin e xhumasë e kanë obligim ta falin namazin e drekës.

Kushtet e vlefshmërisë së namazit të xhumasë

a) Që xhumaja të falet në vendbanim: Vendbanim konsiderohet çdo vend që ka infrastrukture, si hekurudhat, ndonjë zyrë komunale apo gjyqësore, dhe në të kolektivisht zhvillohet jeta. Kërkohet që xhumaja të falet vetëm në një vend në atë vendbanim, sepse edhe qëllimi i atij namazi është që t'i tubojë banorët e atij vendi. Sipas mendimit më të saktë të medhhebit hanefi, në qytetet e mëdha ku nuk ka mundësi që xhumaja të falet në një vend (xhami) lejohet që xhumaja të falet në dy e më shumë xhami, varësisht sipas mundësisë së tubimit të xhematit.(4)
b) Prezantimi i prijësit të vendit ose zëvendësit të tij, ose atij që prijësi e urdhëron: Sepse ai duhet ta mbajë hytben dhe t'i drejtohet xhematit me fjalimin e tij javor.
c) Te mbahet hytbeja: Mbajtja e hytbes para namazit të xhumasë është kusht i vlefshmërisë së këtij namazi, Imami hytben e mban me zë të lartë në mënyrë që xhemati ta dëgjojë atë. Është synet që imami ta fillojë hytben duke falënderuar Allahun, pastaj ta thotë dëshminë se nuk ka Zot tjetër pos Allahut, ta konfirmojë pejgamberllëkun e Muhamedit a.s., dhe t’i dërgojë salavate atij.
Është synet të mbahen dy hytbe, imami i ndan ato me një ulje të lehtë, sa mund të lexohen mesatarisht tri ajete.(5) Më pastaj Imami mban ligjëratën me të cilën i mëson dhe këshillon xhematin. Preferohet që hytbeja mos të zgjatet tepër, në mënyrë që mos të krijohet lodhja tek xhemati.
Transmetohet nga Abdullah bin Ebi Evfa të ketë thënë: "Pejgamberi a.s., e zgjaste namazin, por e shkurtonte hytben.”(6)
Hytbeja konsiderohet e vlefshme edhe vetëm nëse falënderohet ose lartësohet Allahu xh.sh.(7)
d) Namazi i xhumasë të falet në kohën e drekës: Nuk konsiderohet i vlefshëm namazi i xhumasë nëse falet para hyrjes ose pas daljes së kohës së drekës.
e) Xhemati: Namazi i xhumasë nuk konsiderohet i vlefshëm nëse në të nuk prezantojnë së paku tre xhematë meshkuj, pa marrë parasysh nëse jenë udhëtarë, vendës, apo edhe të sëmurë. Imam Ebu Jusufi mendon se namazi konsiderohet i vlefshëm nëse prezantojnë dy persona pos imamit.(8)
f) Që xhumaja të jetë e lirë për çdo besimtar që dëshiron të falet aty: Qëllimi i xhumasë është bashkimi i njerëzve, prandaj nëse ky qëllim nuk arrihet edhe xhumaja nuk konsiderohet e kryer.

Norma e namazit të drekës pas xhumasë

Nuk ka dyshim se namazin e drekës e kanë obligim të gjithë ata që për ndonjë arsye të justifikueshme nuk e falin namazin e xhumasë, ose ata që nuk e kanë obligimtare atë, Mirëpo, falja e namazit të drekës pas faljes së namazit të xhumasë është një çështje diskutabile, pasi që dihet fare mirë që Allahu Fuqiplotë na ngarkoi me pesë namaze ditore dhe jo më shumë, Ndërsa, në anën tjetër, është diskutabile tek juristët islamë se xhumaja në kohën tonë aktuale a i plotëson të gjitha kushtet e veta apo jo. Pra, a falet ashtu si është falur në kohën e Muhamedit a.s., dhe sahabëve, apo jo?
Ajo që është e njohur tek juristët islamë është se xhumaja brenda vendbanimit është falur në një vend në kohën e Pejgamberi a.s., dhe sahabëve, dhe ashtu vazhdoi deri në kohën e abasitëve. Mendohet se për herë të parë ndarja e xhematit ndodhi në kohën e halifit të abasitëve, Memunit, me ç'rast ndau xhematin në dy pjesë, andej dhe këndej lumit Eufrat. Më pastaj filloi ndarja e xhematit pothuajse në tërë botën islame, dhe kështu xhumaja humbi një prej kushteve elementare të saj.(9)
Mosplotësimi i këtij kushti (falja e xhumasë në një vend) i ka shtyrë juristët islamë të jene skeptikë në fetvanë e tyre, që besimtarët të mjaftohen me faljen e një xhumaje pa i plotësuar të gjitha kushtet e veta. Për këtë arsye, nga juristët e katër medhhebeve mund të konkludojmë se:
Nëse namazit të xhumasë i prin prijësi i vendit ose personi i autorizuar nga shteti,(10) dhe falet vetëm në një vend (ashtu si është falur në kohën e Muhamedit a.s., dhe të sahabëve), sipas të gjithë juristëve islamë namazi i xhumasë është i vlefshëm ngase plotëson të gjitha kushtet e tij, dhe rëndom namazi i drekës nuk kërkohet për t'u falur.
Nëse namazit të xhumasë nuk i prin prijësi i vendit ose personi i autorizuar nga institucionet zyrtare për çështje fetare, dhe falet në shumë vende (xhami) në atë vendbanim, atëherë të gjithë juristët islamë këshillojnë që të falet dreka pas xhumasë, pasi që xhumaja nuk i ka plotësuar kushtet e vlefshmërisë së saj.

Falja e namazit të xhumasë në ditën e Bajramit

Nëse rastisë që Bajrami të qëllojë ditën e xhuma, sipas medhhebit hanefi nuk bie obligueshmëria e xhumasë për banorët e qytetit, kurse banorët e viseve të largëta, të cilët kanë vështirësi për t'u kthyer në xhuma për shkak të largësisë së tyre, lirohen nga obligimi i xhumasë, nëse kanë prezantuar dhe e kanë falur namazin e Bajramit.(11)
Transmetohet nga Ebi Ubejd r.a., të ketë thënë: "Isha i pranishëm në namazin e Bajramit me Othmanin r.a., pasi që fali namazin mbajti hytben dhe tha: "Në ditën e sodit kemi dy festa, prandaj kush dëshiron nga banorët e fshatrave që ta presë xhumanë le ta presë, e kush dëshiron që të kthehet në shtëpi, le të kthehet me lejen time!”(12)
Juristët islamë kanë theksuar se, Othmani r.a., u ka dhënë leje atyre që, nëse shkojnë në xhami, nuk mund të kthehen në xhuma për shkak të largësisë së tyre nga qyteti apo mungesës së mjeteve të udhëtimit. Mirëpo, në kohët e sotme, me lehtësimin e mjeteve të transportit, besimtarët e fshatrave apo viseve të largëta nga qytetet apo xhamitë duhet të jenë të kujdesshëm në arritjen e fadiletit të xhumasë, edhe nëse e kanë falur namazin e bajramit.

Falja e namazit të xhumasë në dy kohë të ndryshme në të njëjtin qytet

Tek ne në Kosovë, viteve të fundit, është bërë zakon që Këshilli i Bashkësisë Islame i disa qyteteve, të caktojë ndonjë xhami ku xhumaja në të falet dy herë; herën e parë në kohën e caktuar, ndërsa herën e dytë caktohet një orë më vonë, natyrisht jo me të njëjtin imam dhe të njëjtin xhematë. Zakonisht kjo ndodh për t'ua mundësuar disa punëtorëve, studentëve e xhematit faljen e këtij namazi të rëndësishëm, pasi të tillët nuk mund ta falin në kohën e caktuar paraprakisht. Atëherë lind pyetja se cila është norma sheriatike sa i përket faljes së namazit të xhumasë në dy kohë të ndryshme brenda të njëjtit qytet?
Natyrisht, siç e cekëm më lart, xhumaja në esencë duhet të falet në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë, përveç nëse qyteti është i madh sa që nuk ka mundësi të falet në një vend. Mirëpo, nëse xhumaja nuk falet vetëm në një vend (vetëm në një xhami në atë qytet), atëherë lejohet që xhumaja të falet edhe në dy kohë të ndryshme, me imam dhe xhemat të ndryshëm, mirëpo xhemati këshillohen që ta falin edhe namazin e drekës, pasi që xhumaja ka humbur një nga kushtet e vlefshmërisë së saj.(13)


____________
(1) Transmeton Ibn Maxheh me nr. (1081).
(2) Transmeton Ebu Davudi në Sunenin e tij (214).
(3) Juristët islamë kanë theksuar se edhe kushtet atmosferike duhet të kihen parasysh në daljen e namazit të xhumasë, e sidomos nëse besimtari ka frikë shëndetin e tij, si p.sh.: në rast të shiut të madh, acarit të madh, apo vapës së madhe (për ata persona që kanë marramendje dhe nuk kanë mundësi t'u përballojnë kushteve të tilla atmosferike), e të ngjashme, besimtari mund ta falë dreken në shtëpi pa dalë për namaz të xhumasë.
(4) El-bahru-Rraik sherh kenz-ed-dekaik (2/154).
(5) Transmetohen në Sahihul-Buhari nga Ibni Umeri r.a. të ketë thënë: "I dërguari i Allahut i mbante dy hytbe dhe i ndante ata me një ulje mes tyre”.
(6) Transmeton Imam En-nesaiu (35). Ndërsa Imam Muslimi ne Sahihun e tij (Kapitulli i xhumasë - 13) transmeton hadithin: "Më të vërtetë zgjatja e namazit dhe moszgjatja e hytbes është shenjë e zgjuarsisë së besimtarit”.
(7) Imam Shafiu mendon se hytbeja nuk konsiderohet e vlefshme nëse imami nuk falënderon Zotin, nuk i dërgon salavat Muhamedit as. dhe nuk lexon të paktën një ajet kur’anor.
(8) Nëse ky xhematë e pasojnë imamin derisa kanë rënë në sexhde imami vazhdon namazin e xhumasë edhe nëse ata ndërpresin namazin, ndërsa nëse ata të tre ose ndonjëri prej tyre e ndërpret namazin para se imami të shkojë në sexhde, duhet të ndërkrehet namazi i xhumasë dhe të falet dreka.
(9) Erkanul-Islam (1/300), Vehbi Sulejman Gavoxhi.
(10) Tek ne mjafton autorizimi nga Bashkësia Islame, sepse ajo është organi
kompetent për mbarëvajtjen e çështjeve fetare në Kosovë.
(11) Erkanul-Islam (1/299) Vehbi Sulejman Gavoxhi.
(12) Transmeton Imam Maliku në Muvete'a (kapitulli i Bajrameve - 2).
(13) Darul-Ifta El misrije, nr. i fetvasë: 3836.



Mr. Ekrem Maqedonci