Veprime të gabuara të namazlive në namazin e xhumasë


Në këtë punim dëshirojmë të nxjerrim në pah disa gabime të cilat gjatë namazit të xhumasë mund të vërehen te disa namazli të caktuar (e ndoshta disa nga këto gabime ndodhin edhe në namazet e tjera me xhemat, apo edhe kur një njeri falet në shtëpinë e tij).

Këto janë çështje shumë të rëndësishme të cilat imamët shpesh duhet t’ia kujtojnë xhematit të tyre, sepse, duke qenë se namazi është shtyllë e Islamit dhe çështja e parë për të cilën njeriu do të pyetet në Ditën e Gjykimit dhe pastaj sipas saj do të maten edhe veprat tjera njerëzore, kështu që disa nga këto gabime mund ta shpijnë njeriun në xhehenem ose ia zvogëlojnë shpërblimin e namazit, ose njeriu mund ta humbasë shpërblimin e madh të namazit të xhumasë për të cilin Pejgamberi (savs) ka thënë:“Kush lahet në ditën e xhuma, pastaj shkon herët (në xhami), i afrohet imamit dhe hesht, për çdo hap të bërë ka shpërblimin e një viti agjërim dhe namaz, dhe kjo për Allahun është e lehtë.” (Ahmedi, Ibn Huzejme, Tirmidhiu, Nesai dhe Ebu Davudi)
Duke pasur këtë parasysh, ne duhet të mundohemi që t’i evitojmë këto devijime në mënyrë që namazliu të ketë dobi si nga namazi i xhumasë, ashtu edhe nga namazet tjera.

Disa nga këto gabime janë si më poshtë:
1. Veshja e pahijshme me rastin e shkuarjes në xhami. Disa namazli veshin këmisha ose bluza jashtëzakonisht të shkurtra, dhe kur falin namaz, gjatë rukusë, sexhdes ose gjatë uljes duke dëgjuar hutben, ndodh të zbulohet gjysma e prapanicës. Në këtë mënyrë, namazliu e vë në rrezik vlefshmërinë e namazit (të tij) të xhumasë, sepse i është zbuluar vendi i turpit, ndërsa njerëzit që qëndrojnë pas tij i vë në pozitë të palakueshme.
2. Mosfalja e dy rekateve të namazit tehijjetul-mesxhid me të hyrë në xhami gjatë mbajtjes së hutbes. Xhabiri (r.a.) ka thënë: “Një të premte (në xhami) hyri një njeri, derisa Pejgamberi (savs) e mbante hutben, dhe Pejgamberi e pyeti: ‘A je falur?’ ‘Jo’, u përgjigj ai. “Atëherë fali dy rekate!’, i tha Pejgamberi (savs).” (Buhariu dhe Muslimi)
Ky hadith është një dëshmi e qartë e faktit se ai i cili vonohet në namazin e xhumasë dhe hyn në xhami gjatë mbajtjes së hutbes, është i detyruar t’i falë dy rekate edhe përkundër asaj se çfarëdo aktiviteti gjatë hutbes është i ndaluar. Hadithi gjithashtu tregon se imami mund të flas me të pranishmit, ndërsa ata që janë ulur nuk duhet të flasin. – (Këtu autori ka përmendur versionin që duhet falur 2 rekatë edhe pasi që imami të ketë hipur në minber për të mbajtur hutben. Mirëpo, sipas medh’hebit tonë hanefi, konkretisht shumicës absolute të dijetarëve tanë, pasi që imami të hip në minber, nuk duhet bërë asgjë, madje nuk duhet të falen as dy rekatë tehijjetu’l-mesxhid, por duhet dë dëgjohet hutbeja, ngaqë sipas dijetarëve tanë, të cilët padyshim se argumentohen me argumente të tjera të mirëfillta nga Kur’ani dhe Sunneti, konsiderojnë se gjatë hutbes është sikurse të jemi në namaz – shën. i red.)
3. Namazliu shikon përreth vetes në vend se të shikojë në vendin e kryerjes së sexhdes.Ndonjëherë njeriu mund të vërejë se si disa namazlinjë shikojnë përreth vetes dhe përcjellin se kush hyn ose kush del nga xhamia. Disa herë ka ndodhur që njeriu i cili sapo ka hyrë në xhami, shkon për ta përshëndetur dikë që qëndron në një pjesë të xhamisë dhe e shikon drejt në sy, dhe vetëm kur e sheh se ai i ka duart njërën mbi tjetrën në gjoks apo bark, atëherë e kupton se ai njeri është në namaz duke i falur sunnetet, por se po shikon rreth vetes!?
4. Përshëndetja dhe shtrëngimi i duarve me të njohurit, derisa imami e mban hutben, të folurit gjatë hutbes, shikimi apo loja me celular apo diç tjetër. Kur imami ngjitet në minber, atëherë namazlinjëve të pranishëm u bëhet e ndaluar të folurit, ndërsa ai që loz me ndonjë guralecë apo me diç tjetër, e ka humbur shpërblimin e namazit të xhumasë.
– Ai që hyn në xhami derisa imami është duke e mbajtur hutben, nuk e ka të lejuar që të japë selam. Megjithatë, nëse dikush përkundër kësaj jep selam, është lënë mundësia e zgjedhjes së kthimit të selamit me shenjë, të mos i përgjigjemi fare, ose t’i përgjigjemi me selam në vetvete, por jo me zë.
– Kur hatibi e përmend emrin e Pejgamberit (savs), i lejohet dëgjuesit që t’i dërgon salavat në vetvete.
– Nëse namazliu gjatë hutbes teshtin, i lejohet që në vetvete ta falënderojë Allahun.
– Gjatë hutbes lejohet të folurit me rastin e shpëtimit të personit të verbër, paralajmërimi për ekzistimin e gjarprit, akrepit, zjarrit apo diçka të ngjashme në xhami, për ta eliminuar dëmin.
5. Kalimi para namazlive. Kur një njeri vjen në xhuma ose në ndonjë namaz tjetër të përbashkët, shpesh ndjehet i shqetësuar se ku të qëndrojë gjatë faljes së sunneteve, sepse ka shumë njerëz që janë të shkujdesur duke kaluar para njerëzve të cilët janë duke u falur. Kjo veçanërisht është e theksuar pas faljes së farzit, kur ata që për shkak të punës ose detyrimeve të tjera nuk i falin sunnetet në xhami, por menjëherë nisen kah dalja e xhamisë, dhe në atë mënyrë shpesh kalojnë para të tjerëve që mbeten për t’i falur sunnetet.
Nga Ebu Xhuhejm është transmetuar se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Sikur ta dinte ai që kalon para namazliut se çfarë ka fituar (nga mëkati), do të ishte më mirë për të që të presë dyzet.” Ebu Nadri (njëri nga transmetuesit) thotë: “Unë nuk e di nëse ai tha dyzet ditë, muaj apo vite.” (Buhariu)
6. Lëshimi i namazliut që të vendosë para vetes sutrën, dmth. ndarëse, si pengesë nga kalimi i njerëzve para tij. Kalimi para namazliut, gjithashtu, e pakëson vlerën e namazit të tij. Është transmetuar se Abdullah ibn Mesudi (r.a.) ka thënë: “Ai që kalon para namazliut e zvogëlon vlerën e namazit të vet.” (Taberaniu) Në një transmetim tjetër Ibn Mesudi (r.a.) ka thënë sekush kalon para namazliut e zvogëlon gjysmën e vlerës së namazit. (Taberaniu) Ngjashëm me këtë transmetohet edhe nga Omer b. El-Hattabi (r.a.). (Abdurrezzak)
Disa namazlinjë, kur i falin sunnetet, fare nuk kujdesen për këtë, por ndonjëherë dinë të qëndrojnë menjëherë pranë derës, ose nga hapësira e gjerë e xhamisë, ndalën aty ku njerëzit kalojnë dhe para vetes nuk vendosin ndonjë ndarëse, pastaj namazlinjët tjerë, të cilët janë të vetëdijshëm për qortimin e kalimit para namazliut, duhet të presin derisa ky ta përfundojë namazin e tij, që të mund të dalin apo të hyjnë në xhami.
Njeriu duhet të ketë një ndarëse para vetes kur falet, dhe për këtë mund të shërbejë shtylla, shpina e namazliut tjetër, karriga, muri, e të ngjashme. Nga Ibn Omeri (r.a.) transmetohet se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Mos u fal përveç ndaj ndarëses dhe mos lejo askënd të kalojë para teje, ndërsa nëse dikush përpiqet, parandaloje me forcë, sepse, me të vërtetë me të është shejtani.” (Ebu Davudi)
Distanca në mes namazliut dhe ndarëses mund të jetë tre bërryla, andaj në qoftë se dikush përpiqet të kalojë në atë hapësirë, namazliu pa e ndërprerë namazin, e ngrenë dorën e tij dhe e ndal kalimtarin ose me dorë i ia bën me dije se ai aty është duke falur namaz dhe nuk mund të kalojë para tij. Madje edhe kur njeriu falet vetëm, në shtëpi apo në xhami, duhet të ketë një ndarëse para tij, sepse Pejgamberi (savs) ka thënë: “Kur të falet dikush, le të shmangët dhe le t’i afrohet ndarëses, sepse shejtani kalon para tij.” (Ebu Davudi )
SHËNIM: Ndarësja që e vendos imami në të njëjtën kohë është ndarëse edhe për ata që falen pas tij (muktedij), kështu që është më e rëndësishme që kur të falen me xhemat, askush të mos kalojë para Imamit, ndërsa kur të paraqitet nevoja që dikush të kalojë para namazlive që janë pas imamit duke e falur namazin farz (për shembull, nëse dikush është vonuar në namaz dhe duhet të kalojë para ndonjë saffi për të arritur deri te vendi i lirë, ose nëse dikush për ndonjë arsye të caktuar detyrohet ta ndërpresë namazin dhe të dalë nga saffi), në këto situata nuk është e qortueshme të kalohet para namazlive, sepse siç theksuam më sipër, këtu ndarësja llogaritet para imamit.
Nëse namazliu është vonuar në një ose më shumë rekate të namazit të përbashkët, pasi imami të japë selam, ndërsa ky ngritët për t’i plotësuar rekatet e humbura, atëherë ndarësja e imamit nuk është më edhe ndarëse e namazliut nuk prish punë të lëvizët pak përpara ose prapa, majtas ose djathtas, në kërkim të ndarëses.
7. Përkulja e pamjaftueshme në ruku’, si dhe përkulja e tepruar, duke u mbajtur për kërçikë, ndërsa mënyra e drejtë është që shpina të rrafshohet, koka të jetë në nivel të shpinës dhe me duar të mbahemi për gjunjë.
8. Falja e shpejtë dhe mos qëndrimi në ruku’, në sexhde, si dhe ndërmjet tyre, me çka nuk plotësohet ‘tadili erkani’, do të thotë qetësia, që është rukn – një nga themelet e namazit, dhe nuk realizohet përulësia në namaz.

Shënim i rëndësishëm:

Muslimanët janë të obliguar që të kujdesen për higjienën personale ashtu që edhe burrat pas kryerjes urinimit duhet t’i lajnë pjesët intime, sepse neglizhenca në këtë rast mund të çojë deri aty sa njeriu të jetë i papastër për namaz, sepse është e mjaftueshme vetëm një pikë e urinës për ndotjen e të brendshmeve. Në këtë mënyrë njeriu mundët të falet për vite e vite, por duke mos u kujdesur për këtë çështje, asnjë namaz nuk do t’i pranohet për shkak të ndyrësisë që ka vazhdimisht ka me vete (njeriu disa herë në ditë duhet të urinoj dhe atëherë ajo papastërti vetëm rritet nëse nuk lahet pas urinimit).
Gjithashtu, muslimanëve (burra) u rekomandohet të urinojnë galuc (ulur), ndërkaq, nëse ndonjëherë këtë e bëjnë në këmbë, atëherë duhet pasur kujdes të madh që ndonjë pikë urine të mos i stërpik rrobat e tyre.



Hfz. mr. Muhamed Porça
“Greske klanjaca prilikom namaza”
Përktheu: Miftar Ajdini