Gjithësia dhe Kur’ani (I)

“A nuk e dinë (shohin) ata të cilët nuk besojnë se qiejt dhe toka ishin të ngjitura (një tërësi), e Ne i ndamë ato të dyja dhe nga uji kemi krijuar çdo gjë të gjallë, vallë a nuk besojnë?! (El Enbija…)

Me zhvillimin e hovshëm të disiplinave shkencore e posaçërisht asaj të astronomisë, njeriu me ndihmën e aparaturave, teleobjektivëve dhe elektronikës moderne kompjuterike, depërtoi thellë në zbulimin dhe njohjen e shumë fshehtësive dhe misterieve të gjithësisë, të cilat në një të kaluar jo fort të largët ishin vetëm ëndrra, dëshira dhe iluzione të parealizueshme.
Studimi i hapësirës kosmike ishte dhe mbeti njëra ndër preokupimet kryesore të njerëzimit. Fatmirësisht, sot kemi arritur të studiojmë deri-diku Tokën, Sistemin Diellor, dhe me anë të teleskopëve të fuqishëm të depërtojmë edhe nëpër mjegullat e dendura interplanetare të galaktikave të ndryshme. Sondat (anijet) kozmike të tipit “Viking”, “Pioneer”, “Voyager”, etj, madje kanë filluar udhëtimet e tyre të largëta nëpër hapësirën kozmike. Bile, në sondën “Voyager” gjendet edhe një disk nga platina e pastër me mesazh të qartë për ndonjë intelegjencë tjetër, nëse ekziston diku, se këtu te Ne në Tokë ka jetë, gjallëri dhe intelegjencë e civilizim të zhvilluar.[1]
Mjafton ta hedhim vetëm një shikim lartë nesh, në kupën qiellore, dhe do të mbetemi të mahnitur e të magjepsur me bukurinë dhe harmoninë e miliarda-miliarda yjeve, planeteve dhe galaktikave, të cilat janë larg nesh me miliona-miliona vjet dritë.

Patjetër, njeriut në këto momente, mijëra mendime i sillen nëpër kokë:

- Vallë a jemi të vetmuar në këtë gjithësi të pafund?!
- Ku gjendet Toka në këtë oqean të pafund kozmik?!
- A mund të ketë krijesa tjera pos nesh, qoftë edhe në forma tjera të jetës?!
- Kah lëviz sistemi ynë diellor?
- Çfarë është galaktika “Rruga e Qumështit” apo “Rruga e kashtës së Kumtrit”
- Çjanë meteorët, asteroidët, kometet, njollat (gropat) e zeza?!
- Ç'është shpejtësia e dritës?
- Ç'janë “pjatat fluturuese”-ose objektet e paidentifikuara fluturuese, a janë pjellë e imagjinatës njerëzore, apo anije kozmike të vizitorëve nga Kosmosi?!
- Ç'është fenomeni i tërmeteve, vullkaneve, oqeanet, trekëndëshi i Bermudeve etj, dhe shumë e shumë pyetje tjera, që po e nxisin kërshërinë e njeriut në kohën e sotme?

Të gjitha këtyre pyetjeve do të mundohemi t'u japim shpjegime (përgjigje) adekuate në dritën e të arriturave të fundit shkencore dhe në dritën e ajeteve Kur'anore, të shpallura para 14 shekujsh, të cilat për çdo ditë e më shumë po bëhen aktuale, duke shtyrë shkencëtarët më eminentë botërorë, që të futen më thellë në hulumtimin e tyre.
Ky studim yni është vetëm një përpjekje modeste për të depërtuar në fshehtësitë e Gjithësisë së pafund, të kësaj ekzistence, të cilën Allahu xh.sh., e krijoi për të na treguar se Ai është i Gjithëfuqishëm dhe ekziston. Tekefundit, këto përpjekje, që po i bëjmë, i kemi obligim që nëpërmjet tyre më lehtë ta gjejmë rrugën e dritës dhe të shpëtimit-dhe njohjen e Krijuesit tonë-Allahun xh.sh.:
“Allahu është Ai, që krijoi shtatë palë qiej dhe prej tokës aq sa ata; në to zbatohet vendimi i Tij për ta ditur ju se Allahu ka fuqi për çdo gjë. Me të vërtetë Allahu ka përfshirë çdo send me dijen e vet” (Et-Talak, 12).
Ne, muslimanët, s'kemi arsye të turpërohemi para të tjerëve, pse jemi pjesëtarë të Islamit, por përkundrazi duhet të jemi krenarë, sepse mu këto fakte dhe argumente të pamohueshme të shkencës bashkëkohore tregojnë qartë se feja Islame nuk është fe e imagjinuar nga njeriu, por është fe hyjnore e zgjedhur dhe e shpallur nga ana e të Lartëmadhërishmit për mbarë njerëzinë.
Pra, ta hulumtojmë vetveten, atë që na rrethon-Gjithësinë e pafund dhe do ta gjejmë rrugën e të Vërtetës absolute siç thuhet në Kur'an:
“Ne atyre (pabesimtarëve) do t'ua dëftojmë argumentet tona në hapësirat tokësore e qiellore (horizonte), si dhe në vetveten e tyre, derisa t'u bëhet plotësisht e qartë se ai (Kur'ani) është i vërtetë, Vallë a nuk të mjafton ty që Zoti yt është dëshmues i çdo gjëje” (Fussilet, 53).
Allahu na ndihmoftë në këto përpjekje tona fisnike!
“A nuk e dinë (shohin) ata, të cilët nuk besojnë se qiejt dhe toka ishin të ngjitura, e Ne i ndamë ato të dyja...”
Allahu xh.sh., me këto fjalë u drejtohet pabesimtarëve-atyre, që janë të prirur për të mohuar çdo argument, i cili shpie kah ajo se Gjithësia e ka Krijuesin e vet. Ai, ua bën atyre me dije, se para “miliona” vjetve, Toka dhe qiejt dhe e tërë Gjithësia ishin një masë e madhe, e dendur dhe e përbashkët e cila masë i qe ekspozuar temperaturave dhe shtypjes tejet të lartë dhe pas kësaj ka eksploduar. Vetë fjala fetaknahuma nga rrënja feteka - do të thotë ndarje me forcë e dy gjërave, që përbëjnë një tërësi.
Dihet se materia, nëse i nënshtrohet shtypjes, fiton në temperaturë, e në të kundërtën, nëse zgjerohet, ajo ftohet.
Kjo është teoria kuranore, të cilën shkenca bashkëkohore e ka vërtetuar edhe në praktikë, në bazë të hulumtimeve të fundit. Në shkencën e astronomise kjo quhet “Shëpërthimi i Madh”-“Big Bang”. Këtë teori e përkrah edhe shkencëtari i mirënjohur George Gamov.[2] Pra, nën presionin dhe temperaturat e larta, u shkaktua eksplodimi i masës, e cila u shpërnda, duke u formuar kështu: galaktikat, sistemet e ndryshme diellore, yjet dhe planetet e ndryshme, të cilat janë në lëvizje dhe zgjerim e sipër. Kur'ani e vërteton këtë me ajetin:
“Ne me forcën tonë e ngritëm qiellin dhe Ne e zgjerojmë atë” (Edh-Dharijat, 47)
E pabesueshme! Para 14 shekujsh në Kur'an është përmendur teoria e “Shpërthimit të Madh”, ndërsa gati në Mesjetë nëpër Evropë mbretëronte bindja se Toka është një pllakë, që noton në ujë, të cilën e mbajnë një ka i madh ose një balene apo katër elefantë të mëdhenj,[3] etj. Çfarë ironie!!...
Derisa, në Mesjetë, Kisha digjte, vriste e prente njerëzit e shkencës të cilët të ndikuar nga mësimet islame në Endulus (Spanjë), pohonin se Toka sillet rreth Diellit dhe se Dielli është qendër të sistemit tonë diellor në Kur'an shpjegohet si lëvizje e Tokës dhe e gjithë trupave tjerë qiellorë në një harmoni të plotë:
“E i sheh kodrat dhe mendon se ato janë të palëvizshme, ndërsa ato lëvizin si retë, (kjo është) mjeshtri e Allahut që përsosi çdo send, e Ai është hollësisht i njohur se çka punoni” (En-Neml, 88) dhe...
“Çdo trup qiellor lëvizë (noton) nëpër orbitën e tij (Jasin,40)
Ndërsa, njëra ndër teoritë më të reja për kataklizmën, të cilën e parashikojnë shkencëtarët është edhe kjo: pas disa miliona vjetve dhe pas zgjerimit maksimal të gjithësisë, do pasojë përsëri fillimi i ngushtimit të saj, ku trupat qiellorë do të tërhiqen ndërmjet veti me anë të gravitacionit dhe do të shkaktohet ndeshja-eksplodimi i tyre.[4] Kjo është kataklizma e fundit para ringjalljes, të cilën na e përshkruan Kur'ani famëlartë:
“Atëherë kur të çahet qielli, dhe kur të shkapërderdhen yjet, dhe kur të përzihen detërat, dhe kur të trazohen varret. (El-Infitar, 1-4).

* * *

Tani do të përpiqemi që në mënyrë shkencore të depërtojmë në gjithësi për të cilën shkencëtari i njohur amerikan, Carl Sagan, thotë: “Gjithësi është tërë kjo që ekziston, që ka ekzistuar dhe që do të ekzistojë”.[5] Pra të vrojtojmë nga lartë këtë hapësirë kozmike me përmasa kaq të mëdha.
Sipërfaqja e planetit tonë-Tokës, është vetëm një bregdet i vockël i oqeanit kozmik; ndërsa, vetë sistemi ynë diellor, gjendet diku thuase i humbur ndërmjet paskajshmërisë dhe amshueshmërisë së kësaj ekzistence. Dimensionet e kozmosit janë aq të paarritshme dhe të pafundshme, saqë për matjen e tij është absurde të përdoren njësitë matëse me të cilat ne shërbehemi në Tokë, siç janë: metri, mila apo jardi. Në vend të tyre, largësitë kozmike maten me shpejtësinë e dritës. Dijmë se rrezja e dritës për një sekondë kalon përafërsisht 300.000 km/sec. Andaj për vetëm 8 minuta, drita e diellit arrinë në Tokë, që do të thotë se Dielli është larg Tokës sonë 8 minuta shpejtësie të dritës, kurse për një vit rrezja e dritës kalon përafërsisht 10 biljon kilometra të hapësirës qiellore (kozmike). Kështu, pra me shpejtësinë e dritës, nuk e matim kohën, por largësinë prej një trupi qiellor në një tjetër.[6] Është një realitet i pamohueshëm se sot për sot të udhëtohet me anije kozmike, e cila zhvillon shpejtësi të madhe-sa ajo e dritës është e pamundshme. Sa për ilustrim, raketat, anijet dhe sondat e sotme të tipit: “Apollo”, “Voyager”, “Pioneer” dhe “Space Shatle”, mund të zhvillojnë shpejtësinë maksimale vetëm deri në 40 km/sec, dhe atë vetëm deri sa kanë karburante përkatëse ose përafërsisht 7-8 min. Gjatë kësaj kohe ato e arrijnë shpejtësinë maksimale 7 herë më të madhe se ajo e forcës së gravitacionit dhe vazhdojnë udhëtimin me ndihmën e inercionit.
Njëra prej zgjidhjeve të mundshme në të ardhmen, është raketa atomike, e cila nxjerr nga reaktori bërthamor energji të lartë, me anë të së cilës mund të arrihet shpejtësi deri në 200 km/sec. Mirëpo, edhe përkundër kësaj shpejtësie të madhe anijes kozmike për të arritur deri te ylli “Proxima Centauri” do t'i nevojiteshin 6.666 vjet udhëtim. Nga kjo shihet, se, me raketa atomike, mund të hulumtojmë vetëm sistemin tonë diellor, por jo edhe të udhëtojmë nëpër hapësirat e mëdha kozmike.[7]

* * *

Në këtë paskajshmëri të Gjithësisë, athua vallë ku mund të gjendet Toka jonë?
Për ta gjetur më lehtë, ua japim fjalën astronomëve që nga këndvështrimi i tyre të na e gjejnë planetën tonë, nëpër këtë gërshetim yjesh, mjegullave kozmike, planeteve dhe galaktikave të panumërta.
“…Gjendemi diku në mbretërinë e mjegullave kozmike rreth, 8 miliardë vjet dritë larg Tokës, të rrethuar nga shumë galaktika, të cilat përbëhen prej elementeve të plinit, pluhurit dhe miliarda e miliarda yjeve.
Shikuar nga largësia, çdo galaktikë të përkujton në një koleksion gjërash të bukura e të çmuara, si guaca apo korale në oqeanin kozmik. Përafërsisht supozohet se ka rreth 100 miliardë galaktika dhe secila prej tyre përbëhet prej nga 100 miliardë yjesh. Në çdo galaktikë, ka ndoshta po aq planete sa edhe yje, që d.m.th.: 1011x1011 = 1022, ose 10 miliardë biljona yje dhe planete. Nëse e vështrojmë këtë shifër kaq impozante, shtrohet pyetja:
- Athua jemi të vetmuar në këtë gjithësi si qenie intelektuale, apo nëpër këtë gjithësi ka edhe forma tjera të jetës dhe të inteligjencës?
Nga largësia prej 8 miliardë vjet dritë, e kemi shumë vështirë ta dallojmë edhe tufën galaktike në të cilën gjendet galaktika jonë, e quajtur “Rruga e Qumështit”, e jo më, ta dallojmë Diellin apo Tokën, të vetmin planet të Sistemit tonë diellor për të cilin mund të dëshmojmë se është i banuar, i cili ndriçon shumë zbehtë nga reflektimi i dritës së Diellit.
Etapa e ardhshme e udhëtimit tonë, na shpie deri te “STRUKTURA” të cilën astronomët e quajnë “Grupi i galaktikave lokale”. Dimensionet e kësaj tufe galaktikash janë disa miliona vjet dritë. Në të, gjenden diku rreth 20 galaktika. Njëra prej këtyre galaktikave është edhe galaktika “M-31” e cila shikuar nga Toka gjendet në konstelacionin-tufën e ANDROMEDËS.
Sikurse galaktikat tjera spirale edhe ajo është një rreth i madh i zjarrtë yjesh, plinit dhe pluhurit. Galaktika M-31, i ka dy galaktika të vogla eliptike, të cilat mbahen ndërmjet veti me anë të gravitacionit. Ligji i gravitacionit mbretëron gjithkund në gjithësi.
Tash, nga bota jonë na ndajnë vetëm 2 milion vjet dritë. Pas galaktikës M-31 gjendet edhe një galaktikë e ngjashme me të, e ajo është galaktika jonë “Rruga e qumështit”, krahët spiral të së cilës sillen ngadalëz në rreth njëherë në 250 milion vjet.
Po i afrohemi dalëngadalëz shtëpisë sonë. Vetëm 40 mijë vjet dritë na ndajnë nga Toka. Po shpejtojmë drejt qendrës së masivit të galaktikës amë. Nëse duam ta gjejmë Tokën duhet ta ndërrojmë kahjen e udhëtimit tonë dhe të drejtohemi kah periferia e largët e “Rrugës së qumështit” në drejtim të një pike të errët, buzë cepit të krahut të largët spiral.
Galaktika jonë “Rruga e Qumështit” përbëhet prej më se 200 miliardë yjesh madhësish të ndryshme, lëvizja e të cilëve karakterizohet me përpikëri, përputhshmëri dhe graciozitet (elegancë) të mrekullueshme.
Toka, për çdo ditë lëviz rreth Diellit 2,5 milion kilometra, kurse 8 herë më tepër udhëton se bashku me Diellin kah qendra e “Rrugës së Qumështit” e ndoshta edhe dy herë më tepër “Rruga e Qumështit” nxiton kah tufa galaktike-VIRGO. Pra, ne, lirisht mund të quhemi - udhëtarë të përhershëm kozmik.[8]
Vallë! A nuk përputhet e tërë kjo përpikshmëri me fjalët e shenjta në Kur'an: “Çdo trup qiellor lëviz nëpër orbitën e tij” (Jasin, 40).
Tash, arritëm deri në oborrin tonë, 1 vjet dritë prej Tokës (në periferinë e sistemit tonë Diellor). Dielli është i rrethuar me luzma të rrumbullakëta të fjollave (shtëllungave) gjiganteske nga akulli, gurët dhe molekulave organike të bërthamave kometike. Kohëpaskohe, gravitacioni i ndonjë ylli apo planeti, në kalim e detyron ndonjërën prej këtyre pjesëve të akullta të afrohet kah brendësia e Diellit, e atëherë nxehtësia e Diellit e shkrinë atë akull, duke formuar kështu një bisht të mrekullueshëm si të kometës.
- Po i afrohemi planeteve të sistemit tonë Diellor “të robëruara” përgjithmonë nga Dielli, të detyruara të sillen nëpër shtigje spirale, nën ndikimin e gravitacionit dhe energjisë diellore. Ja, Plutoni i mbuluar i tëri me akull metanik, i përcjellur besnikërisht nga sateliti i tij i pandashëm Haroni, i ndriçuar shumë zbehtë nga Dielli i largët.
Ja ku duken edhe planetet gjigante nga plini-gazi: Neptuni, Urani, Jupiteri dhe margaritari i sistemit Diellor - Saturni.
Tash, dallohen shumë bukur Marsi-planeta e kuqe me vullkane të larta, kanjone dhe lugina, Venera dhe Merkuri dhe sateliti i Tokës - Hëna. Të gjitha këto planete, pra edhe Toka-sillen rreth Diellit, i cili përbëhet prej heliumit dhe plinit të lëngët. Dielli është qendra e sistemit tonë diellor. Nga tërë masa e Sistemit Diellor, Dielli zë 99,86 %, ndërsa masën tjetër të mbetur: 0.14 % e përbëjnë nëntë planetet tjera të Sistemit. Sipas shkencëtarëve, jeta e Diellit numëron mbi 5 miliardë vjet. Sipërfaqja e tij është 12.000 herë më e madhe se ajo e Tokës. Vëllimi i tij është 1.305.000 më i madh se i Tokës. Pesha (masa) e Diellit është nga 333.000 herë më e madhe se ajo e Tokës. Largësia ndërmjet Diellit dhe Tokës është rreth 150 milion km.[9]
Ja edhe fundi i udhëtimit tonë kozmik. Po i afrohemi Tokës sonë të kaltër, të vockël e të humbur diku nëpër oqeanin e pafund kozmik. Pra, mirësevini në planetën e Tokës-shtëpinë dhe folenë tonë! Mirësevini në botën e kaltër, të qiellit të pastër, të oqeaneve, maleve e lëndinave, botë, e cila vlon nga gjallëria, për të cilën në Kur'an thuhet:
“Prej asaj (Tokës) Ne u krijuam juve, në të do t'iu kthejmë përsëri dhe prej saj do t'ju nxjerrim edhe një herë” (Ta-Ha, 55).
“E pastaj Tokën e rrafshoi (në mënyrë vezake-eliptike)” (En-Naziat 30).
Ky ajet është njëri prej ajeteve, që tregojnë mrekullinë hyjnore gjatë krijimit të Tokës. Me anën e satelitëve artificialë dhe fotografimet e tyre, shihet qartë se Toka ka formë vezake-eliptike e jo plotësisht të rrumbullakët. Banorët arabë të Afrikës Veriore për fjalën vezë e përdorin termin “dahjetu” në vend të asaj “bejdatu” siç e përdorin arabët e tjerë.[10]
“Dhe në Tokë Ne kemi krijuar bjeshkë të paluhatshme që të mos i lëkundë ata, dhe nëpër to kemi bërë lugina e rrugë, në mënyrë që ata të orientohen”. (El-Enbija'ë, 31).
Emri Tokë “ERDUN” është përmendur 466 herë në Kur'an.
“... Dhe nga uji kemi krijuar çdo gjë të gjallë, vallë a nuk besojnë”.
Dihet se uji është njëra ndër komponentet kryesore të jetës së njeriut. Edhe vetë konstrukti i njeriut është i tillë që në trupin e tij përmban një masë të madhe të ujit, p.sh. trupi mesatar i njeriut prej 75 kg përmban 46 kg ujë, gjak dhe materie tjera të lëngshme. Po ashtu edhe Toka 73% është ujë ndërsa 27% tokë (dhe).
Nëpër oqeanet tokësore uji është i njelmët, e edhe kjo është një prej fshehtësive hyjnore të Allahut xh.sh. dhe një prej çudirave të kësaj bote. Njelmësia është ajo që mbron ujin nga prishja (që të marrë erë). Pa kripën oqeanike prishet edhe ajri dhe vdesin të gjitha qeniet e gjalla. Po ashtu oqeanet janë ato, që kryejnë veprimin e ujitjes së tokës me anë të shiut, sepse ata thithin nxehtësinë e dritës së Diellit dhe pastaj e shndërrojnë në ujë, në avull, aq sa ka nevojë.[11]
Edhe vetë krijimi i njeriut është i lidhur ngushtë me elementin UJË. Pasi që Zoti xh.sh. i urdhëroi melaiket të mbledhin të gjitha llojet e dheut për konstruktimin e trupit të njeriut, i urdhëroi gjithashtu që këtë dhe (pluhur, baltë) ta përziejnë me ujë, e pastaj i dha gjallëri. Ja si na i përshkruan Kur'ani etapat e krijimit të njeriut prej ujit-baltës dhe zhvillimin e embrionit në barkun e nënës.
“Për Allahun, Ne krijuam njeriun prej një ajke (lëngu), e një balte. Pastaj atë (ajkë-baltë) e bëmë (e shndërruam) pikë uji (farë) në një vend të sigurtë. Më pas, atë pikë uji e bëmë copë gjaku, e atë gjak të ngurtë e bëmë copë mishi, e atë copë mishi e shndërruam në eshtra, dhe eshtrave ua veshëm mishin, pastaj atë e bëmë krijesë tjetër (me shpirt) I lartë është Allahu, më i miri Krijues” (El-Mu'minun, 12-14), dhe
“Ai që përsosi krijimin e çdo gjëje, dhe krijimin e njeriut e filloi nga balta, pastaj bëri që pasardhësit e tij të rrjedhin prej një pike uji të dobët (spermës)” (Es-Sexhde 7-8)
Vallë, a nuk mjaftojnë këto fakte dhe argumente për zemërngurtët dhe pabesimtarët?!
A nuk e shohin ata, se tërë kjo ekzistencë kaq e përpikët, me këtë harmoni kaq të plotë ndërmjet veti e ka Krijuesin e vet?
Çdo lëvizje në këtë Gjithësi, çdo pëllëmbë e saj tregon Urtësinë e Krijuesit, sepse, Ai çdo gjë e ka krijuar me masë të përsosur:”
“... Ai krijoi çdo gjë, duke e përsosur në mënyrë të qartë e të matur” (El-Furkan, 2) dhe:
“Këta janë shembuj që Ne ua sjellim njerëzve, por këta nuk i kupton kush pos dijetarëve. Allahu krijoi qiejt dhe tokën, me një qëllim të caktuar Në to, me të vërtetë, ka fakte për besimtarët” (El-Ankebutë, 43-44)

Meteorët, kometat, asteroidet

I lartësuar qoftë i Madhi Zot xh.sh., ligjet e të Cilit mbretërojnë kudo në këtë gjithësi. Çdo lëvizje në të, është e përpiktë dhe ka një qëllim të caktuar. Çdo trup qiellor lëviz dhe noton me një elegancë të përsosur, duke na mahnitur e magjepsur dhe duke na nxitur neve të hulumtojmë këtë oqean të pafund, për të gjetur në të shenjat e udhëzimit tonë. Çdo gjë në këtë gjithësi është në shërbim të njeriut-kësaj krijese më të përsosur, të cilës Zoti xh.sh., i dha dhuratën më të çmueshme MENDJEN. Prandaj, o njeri-përdore logjikën-këtë dhunti hyjnore dhe gjeje të vërtetën e amshueshme, duke hulumtuar fshehtësitë dhe misteriet e kësaj gjithësie! Mëso, studio, hulumto dhe njihe Madhështinë e Krijuesit tënd!

Meteorët

Toka është një planet i mrekullueshëm, dhe kryesisht i qetë. Gjërat në të ndërrojnë, por me një ngadalësi shumë të madhe. Ne mund të jetojmë tërë jetën e që personalisht të mos përjetojmë ndonjë fatkeqësi elementare natyrore më të madhe e më të fuqishme se sa furtuna e përcjellur me shi e bubullimë. Për këtë arsye jemi bërë të qetë e të pabrenga, ndonëse në historinë e Tokës gjurmët janë evidente nga fatkeqësitë, që kanë ndodhur në këtë planet siç janë: përmbytjet, vullkanet, tërmetet, rënia e meteorëve dhe asteroidëve nga qielli etj. Një prej tyre ka ndodhur në Tokën tonë mu në këtë shekull dhe atë me 30.06.1908 në Tunguska të Sibirit, kur një disk gjigant nga zjarri çau me shpejtësi të madhe hapësirën qiellore dhe u ndesh me tokën.
Pas kontaktit me Tokën eksplodimi i kësaj mase të zjarrtë ishte aq i fuqishëm saqë rrafshoi dhe dogji pyjet me qindra km. përreth. Ky eksplodim i madh, bëri një goditje të fuqishme valore në atmosferë. Kjo valë u soll rreth tokës dy herë. Plotë dy ditë pas këtij eksplodimi në atmosferë kishte pluhur të pastër e të shndritshëm, saqë në mes të natës, nën dritën difuzive mund të lexoheshin gazetat nëpër rrugët e Londrës - 10 mijë km. larg vendit të ngjarjes.[12]
Qeveria e Rusisë cariste nuk i dha aq rëndësi kësaj ngjarjeje, kështuqë tek në vitin 1927 u dërgua një ekspeditë për ta analizuar këtë ngjarje (fenomen).
Disa shkencëtarë shprehën mendimin se ky eksplodim u shkaktua nga një pjesë e antimateries, e cila erdhi nga gjithësia dhe në kontakt me materien e rëndomtë të tokës eksplodoi dhe u zhduk duke u shkatërruar në formë të shkëlqimit me rreze GAMA. Mirëpo mosprezenca e radioaktivitetit në vendin e ngjarjes nuk e përmban këtë teori.
Grupi i dytë thanë se atë ditë një mini-vrimë (gropë-shpellë) e zezë kaloi nëpër tokë, u fut në Sibir dhe doli në anën tjetër të tokës. Mirëpo qendrat dhe institutet për hulumtimin e goditjeve valore në atmosferë, nuk përmendin se atë ditë pati fluturim të ndonjë objekti nga Atlantiku Verior.
Grupi i tretë i shkencëtarëve shprehën mendimin e tyre se ndonjë anije e madhe kozmike për shkak të ndonjë gabimi teknik, me prejardhje nga ndonjë civilizim jashtë sistemit tonë interplanetar, u rrëzua në Sibir. Mirëpo në vendin e goditjes nuk ka kurrfarë gjurmësh të ndonjë anijeje të rrëzuar kozmike, kështu që edhe kjo teori bie në ujë, megjithëse shkencëtari rus Dr. Aleksej Zolotov me ngulm pohon një gjë të tillë. [13]
Mirëpo, ajo që mund të konkludohet me siguri, thonë shkencëtarët, është se atë ditë në Tunguska të Sibirit ndodhi një eksplodim i fuqishëm, një goditje valore enorme dhe djegie masive e pyjeve përreth. Duket se ekziston vetëm një shpjegim: Në Tunguska të Sibirit ra një pjesë e madhe e ndonjë komete - meteori.
Athua ç'janë meteorët? Ç'janë këto predha të zjarrta, që vijnë nga qielli?
Në shumë vende në Kur'an përmenden këto shkëndija - shigjeta - gurë të zjarrtë, që bien nga qielli, p.sh:
“Ne jemi at që kemi arritur në qiell, por atë e gjetëm përplot me roje të forta (engjëj) dhe shkëndija të zjarrta (meteorë). Ne uleshim rreth tij nëpër vende të përshtatshme për të dëgjuar diçka, por ai që përgjon tani, do të hasë në pritën e shkëndijës së zjarrtë (meteorëve)” (El Xhinn 8-9).
Në realitet, meteorët janë trupa të ngurtë nga gurët, akulli dhe xehet e ndryshme, që herë pas herë bien nga qielli, të cilët në kontakt me atmosferën e tokës shkëlqejnë gjatë rënies së tyre në tokë. Pjesët e imta meteorike shkrihen dhe humbin plotësisht nëpër shtresat e larta të atmosferës. Pjesët e mëdha meteorike nuk arrijnë të shkrihen, kështu që bien në tokë si disqe apo masa të zjarrta. Këta meteorë duke çarë ajrin, prodhojnë zhurmë të madhe, e cila i shëmbëllen shpërthimit të bombës. Peshat e meteorëve janë të ndryshme, disa prej tyre arrijnë edhe në disa mijëra tonë. Një meteor i rëndë në Grenlandë, ruhet në muzeun e Nju-Jorkut dhe peshon 36 tonë.[14]
Në Arizonë (SHBA) ekziston krateri i madh prej 1200 m, nga një meteor i rëndë, siç supozohet para 15 deri 40 mijë vjetësh, kur një bllok i zjarrtë nga hekuri me madhësi prej 25 metrash, u ndesh me tokën me shpejtësi prej 15 km/sec. Energjia e liruar me atë rast ka qenë përafërsisht sa e bombës nukleare prej 4 megatonësh.[15]
Numri i meteorëve dhe i objekteve tjera, që e sulmojnë tokën pandërprerë arrin deri në 20 milion në ditë, por thuajse shumica e tyre shkrihen dhe humbasin në atmosferë, kështuqë vetëm nga mbeturinat e tyre në atmosferë mbesin afro 20 mijë tonë pluhur. Por Allahu xh.sh., i Cili ka krijuar çdo gjë në mënyrë të përsosur, ka përcaktuar që Toka atë pluhur ta lejë pas veti gjatë rrotullimit të saj rreth Diellit, se përndryshe nga ky pluhur do të formohej një perde e pakalueshme, e cila do t'i pengonte rrezet e Diellit të arrijnë në Tokë, e që do të rezultonte me zhdukjen graduale të jetës në planetin tonë. Kjo është Urtësia e Allahut, i Cili u kujdes edhe për çdo imtësi, siç thuhet edhe në Kur'an:
“...(Kjo është) mjeshtri e Allahut që përsosi çdo send e Ai është hollësisht i njohur se çka punoni” (En-Neml 88).

Shiu meteorik

Gjatë netëve të kthjellta, nëse vrojtoni qiellin, sigurisht se do të vëreni ndonjë meteor, i cili për një moment shndrit dhe zhduket. Ka netë kur mund të shihet edhe “shiu meteorik”, i cili shfaqet gjithmonë në të njëjtat ditë të vitit, si një festë e vërtetë qiellore me fishekzare.
Këta meteorë nuk janë të mëdhenj, e nuk janë as yje, që bien, siç mendojnë disa, por janë thërmia meteorike. Këto thërmia meteorike janë pika që ndriçojnë në qiell. Udhëtojnë me një shpejtësi të madhe saqë pas veti lënë bisht të shndritshëm si të ko¬metës, i cili nuk vonon shumë e shuhet. Këta në të vërtetë janë trupa të errët, që sillen rreth Diellit me shpejtësi prej afro 40 km/sec. Me ajrin e tokës ndeshen në lartësinë prej 120 km, dhe në kontakt me mbështjellësin ajror nxehen, shkëlqejnë dhe ndizen në lartësi prej 70 km. Ndonjëherë ngjan që të mbushet tërë qielli me një shkëlqim të tillë, i cili në astronomi quhet “shiu meteorik”. Kjo ndodh, atëherë kur i afrohen mbështjellësit të tokës në formë të pluhurit dhe atë kur këta meteorë ia prejnë rrugën tokës gjatë lëvizjes së saj rreth Diellit. Athua si ndodh ky fenomen natyror? Përgjigja është se meteorët janë mbeturina nga kometat. Kometat e vjetra, të cilat shpesh nxehen me rastin e kalimeve të panumërta afër Diellit, treten dhe shkatërrohen. Mbeturinat, që mbesin shpërndahen përgjatë tërë laudhës kometike. Aty ku ajo laudhë e pren shtegun e Tokës, na pret një luzmë e vërtetë meteorike. Një pjesë e asaj luzme qëndron gjithmonë në të njëjtën pjesë të stazës së Tokës, kështuqë “shiu meteorik” mund të vërehet çdo vit në të njëjtën ditë. Sipas hulumtimeve më të reja dita e 30.06.1908 ishte ditë e luzmës meteorike të “Beta Tauridit”, e cila luzmë ka lidhje me kometën e Inkës (Encka). Pra sipas të gjitha gjasave “ngjarja e meteorit të Tunguskës” u shkaktua nga një pjesë meteorike e kometës së Inkës (Encka).[16]
Në historinë Islame hasim në një rast të tillë kur luzma (tufa) meteorësh dhe shkëndijash të zjarrta mbuluan qiellin dhe atë natën e vdekjes së halifit të muslimanëve - Ibrahim Ibën Muhammedit në muajin Shevval 289 h. Shiu meteorik mbuloi tërë qiellin saqë çdo gjë ndriçonte në pikë të natës. Disa mendonin se sytë e qiellit po qajnë e lotojnë për vdekjen e halifit të muslimanëve.[17]

Kometat

Në kohët e vjetra njerëzit kishin bindje se shfaqja e yjeve me bisht-kometave sjell kob, kështu që datat e shfaqjes së tyre, gjithmonë i lidhnin me ndonjë luftë apo fatkeqësi. Shfaqjen e një komete të tillë në vitin 1066 e lidhin me invazionin e Kumanëve në tokat ruse, në vitin 1378 me Luftën Tataro-Ruse, ndërkaq shfaqjen e kometës në vitin 1811 e lidhin me pushtimin e Rusisë nga Napoleoni.
Edhe në historinë Islame hasim në një rast të tillë gjatë kohës së halifit abasit Muëtesimit në vitin 223 h/837 e.r, para çlirimit të Amurijes, gjë që i shtyri disa të jenë skeptikë dhe të dyshojnë në suksesin e kësaj lufte. Mirëpo imani (besimi) i paluhatshëm dhe i fortë i Muëtesimit i shkatërroi të gjitha këto bestytni të kota, sepse ngadhënjeu në atë luftë. Kjo kometë, që u shfaq gjatë kohës së Muëtesimit ishte “kometa e Haleut”, e cila u shfaq edhe një herë në vitin 1456 duke futur frikë dhe pesimizëm në mbarë Evropën, sepse pikërisht në atë kohë sulltan Mehmet Fatihu e kishte çliruar Konstantinopojën.
Athua ç'janë këto kometa disa prej të cilave enden në kuadër të sistemit tonë diellor e disa të tjera herëpasherë na vizitojnë nga thellësitë e largëta të gjithësisë?
Kah shkojnë nëpër hapësirën e pafund kozmike dhe si u shpëtojnë ndeshjeve me trupat tjerë qiellorë? (me disa përjashtime të rralla)!
A nuk është kjo mrekulli e vërtetë, të cilën na e vërteton edhe Kur'ani:
“Çdo gjë (trup qiellor) noton nëpër orbitën e tij” (Jasin 40).
Shkencëtari i parë, që u mor me studimin e kometave ishte Tycho Brahe, e pas tij këtë punë e vazhdoi Johann Kepler, i cili pohonte se kometat notojnë nëpër hapësirën kozmike sikurse peshqit në oqean. Mirëpo, i pari që në mënyrë precize foli shkencërisht rreth kometave, ishte shkencëtari anglez Edmond Haleu, i cili duke studiuar dhe duke krahasuar datat e shfaqjes së kometës në vitet 1531, 1608 dhe 1682, dhe duke përcjellur lëvizjet dhe rrotullimet e saj në hapësirë, nxori përfundim se kjo kometë shfaqet në tokë çdo 76 vjet. Bile në vitin 1682 edhe vetë ishte dëshmitar i shfaqjes së saj. Ai parashikoi se shfaqja e ardhshme e kësaj kometeje do të jetë në vitin 1758. Edmond Haleu vdiq në vitin 1742. Kur erdhi viti 1758 kometa u paraqit me të vërtetë sipas parashikimeve të tij dhe për këtë arsye u quajt me emrin e tij “Kometa e Haleut”.[18]
Shpejtësitë e kometave janë të ndryshme. Ato, që janë më larg Diellit zhvillojnë shpejtësi më të vogël, ndërsa ato, që janë më afër tij nxitojnë me shpejtësi prej afro 400-500 km/sec.
Shtrohet pyetja: Athua përse këto kometa nxitojnë kaq shpejt? Përgjigjja e vetme është se me këtë shpejtësi ato e mbrojnë veten nga forca e madhe tërheqëse e gravitacionit të Diellit dhe rënia në të, sepse nga nxehtësia e tij shumë lehtë mund të shkrihen.
Kometa kryesisht përbëhet prej akullit dhe gazeve të ngurta dhe atë prej: akullit të lëngët H2O, akullit metanik CH4 dhe akullit amoniak NH3, të shoqëruar edhe me gurë meteorikë. Bishti i saj, i cili është gjithmonë i kthyer kah Dielli (nga reflektimi i dritës së Diellit shkëlqen) përbëhet prej gazeve të ngurta, kurse astronomi Ëiliam Huggins në vitin 1868 konstatoi se në bishtin e kometës ka edhe CIJAN (CN).[19]

Si lindin kometat?

Sa i përket kësaj çështjeje ekzistojnë dy mendime (hipoteza), e ato janë:
1. Kometat lindin nga eksplodimet e yjeve, të cilat shpërndahen në hapësirë dhe
2. Kometat formohen nga eksplodimet e vullkaneve në planetet e Saturnit dhe të Jupiterit. (ky mendim është më shumë një hipotezë) [20]
Dihet se planetet sillen nëpër shtigje eliptike rreth Diellit, megjithëse elipticiteti i tyre nuk është edhe aq i theksuar. Në shikim të parë ato fare nuk dallohen prej shtigjeve rrotullare, ndërkaq kometat e posaçërisht ato me kohë të gjatë periodike enden nëpër shtigje të zgjatura eliptike. Planetet janë vendës (autokton) në sistemin diellor, ndërsa kometat janë mysafirë të ardhur në këtë sistem. Kometa të panumërta ekzistojnë dhe enden nëpër këtë hapësirë kozmike, e posaçërisht në sistemin tonë Diellor. Ndër më të njohurat prej këtyre kometave me shtigje eliptike janë:
1. “Kometa e Haleut” - Këtë kometë e zbuloi anglezi Edmond Hale në vitin 1682. Koha e rrotullimit të saj të plotë kryhet brenda 76 vjetësh. Kjo kometë u shfaq në këtë shekull dy herë, dhe atë në vitin 1910 kur shumë bestyt e lidhën shfaqjen e saj më Luftën e Parë Botërore, dhe herën e fundit në vitin 1986. Shfaqja e saj e ardhshme pritet në vitin 2062.
2. “Kometa e Bellës” - Për herë të parë është zbuluar në vitin 1862. Rrotullimi i saj kryhet për 6 vjet e 251 ditë. Gjatë rrotullimit të saj, ia pret udhën rrotullimit të Tokës. Pas paraqitjes së saj në vitet 1845 dhe 1852, kur u kthye si kometë e dyfishtë më nuk u pa, sepse në vitin 1859 kushtet për ta parë nga toka ishin të papërshtatshme. Sot e asaj dite ajo më nuk është shfaqur. Astronomët në orbitën e kësaj komete vërejtën disa grimca të shndritshme meteorike, dhe nga kjo u kuptua se kjo kometë është ndeshur me një trup tjetër qiellor dhe është shkatërruar. Ky është fati që i përcjell kometat, herët a vonë!
3. “Kometa Encka (Inka) - Rrotullimi i saj kryhet për 3 vjet e katër muaj. Për herë të parë është zbuluar në vitin 1786. Kjo kometë i afrohet Diellit edhe më shumë se planeti Merkur dhe largohet nga ai deri-diku para shtegut të Jupiterit. Siç cekëm edhe më parë supozohet se kjo kometë ishte shkaktar i drejtëpërdrejtë i shpërthimit të madh në Tunguska të Sibirit.

Asteroidet

Nëpër këtë hapësirë kozmike ka shumë trupa qiellorë, të cilët lëvizin dhe kanë orbitat e veta. Në ta mbretërojnë ligjet e gravitacionit, diku më pak e diku më shumë. Edhe asteroidët bëjnë pjesë në këta trupa. Sipas mendimit të shkencëtarëve, asteroidët janë trupa të madhësive të ndryshme. Disa prej tyre janë të mëdha disa qindra km. Shumica e tyre janë në formë të zgjatur dhe sillen nëpër hapësirë. Në shumë raste, dy a më tepër asteroidë mbahen ngushtë njëri me tjetrin duke u sjellur kah një pikë e përbashkët. Rrypi asteroid, të cilin e hasim bukur shpesh në këtë gjithësi është hapësirë, ku më parë ka ekzistuar ndonjë planet, por është shkatërruar, apo janë pjesë të mëdha kozmike, të cilat nga ndikimi i plimave shkatërruese të gravitacionit të planeteve të mëdha gjigante,[21] nuk kanë arritur të formohen si planete.
Ndeshjet ndërmjet asteroidëve janë të shpeshta, gjatë të cilave ndonjë pjesë e ndërron kahjen e vet dhe rastësisht ia pren rrugën Tokës duke rënë në të si meteor nën ndikimin e fuqishëm të gravitacionit të saj. Këtë e shohim edhe nga Kura'ni kur Allahu xh.sh. thotë:
“A nuk e shohin qiellin e tokën, që i ka rrethuar ata para dhe prapa? Sikur të duam, Ne i shafitim (fundosim) ata në tokë ose shembim (hedhim) mbi ta copa nga qielli (meteorë). S'ka dyshim se në këtë ka argument për secilin njeri që kthen mendjen te Zoti” (Sebe'ë 9).
Unazat e Saturnit kanë ngjashmëri të madhe me rrypin asteroid, sepse gravitacioni i fuqishëm i Saturnit i ka robëruar përgjithmonë këto pjesë të akullta të sillen rreth stazës së tij.
A ka jetë në planetet tjera?! Fenomeni i pjatave fluturuese?! Trekëndëshi i Bermudeve?!
Kjo gjithësi e pafund, që na rrethon me të gjitha misteriet dhe fshehtësitë e veta, kjo lëvizje e pandërprerë e miliarda-miliarda yjeve, planeteve dhe galaktikave të panumërta, që në shi¬kim të parë patjetër të futë në mejtime dhe të nxitë që ta pyesësh vetveten: Vallë, a jemi të vetmuar në këtë gjithësi?!
Kjo çështje i ka preokupuar dhe ka nxitur kërshërinë e njerëzve që nga la¬shtësia, për të qenë më e theksuar dhe më aktuale sot në kohën tonë bashkëkohore, të zhvillimit dhe të përparimit mjaft të lartë teknologjik, e posaçërisht pas “pushtimit” të njeriut të parë në Hënë më 1969. Të gjithë jemi bërë kureshtarë dhe në ankth presim se ç'të re do të na sjellë e nesërmja! Athua ka jetë në planetet tjera?! A mund të ketë?! Nëse ka atëherë ku?! Nëse s'ka, athua ne banorët e Tokës jemi të vetmit që patëm fatin ta shijojmë JETËN - këtë dhuratë të çmueshme nga ana e Allahut xh.sh.?!
Në të gjitha këto pyetje është vë¬shtirë të japësh ndonjë përgjigje precize, derisa të mos zotërosh me fakte bindëse, përndryshe kjo çështje mbetet gjithmonë enigmë e pazbuluar.
Mirëpo, duke u nisur nga prizma e faktologjisë do të përpiqemi ta shtjellojmë këtë çështje në dritën e fakteve shkencore dhe të atyre fetare.

Ç'thotë shkenca?

Në këtë paskajshmëri të gjithësisë dhe miliarda yjesh e galaktikave, që enden nëpër të, është absurd të mendohet se vetëm në planetën e “vockël” të Tokës ka jetë dhe gjallëri. Nuk është e mundur, thonë shkencëtarët që vetëm Toka, e cila gjendet në periferinë e largët të krahut spiral të galaktikës “Rruga e Qumshtit”, kundruall miliarda planetesh e galaktikave tjera në këtë gjithësi, të jetë e privilegjuar me dukurinë e JETËS, GJALLËRISË dhe CIVILIZIMIT. Megjithatë, është një realitet i pamohueshëm se Toka jonë në kuadër të sistemit tonë diellor gjendet në një pozitë tejet të përshtatshme dhe të volitshme në radhitjen planetare. As nuk është aq afër Diellit, që të mbretërojnë në të temperatura të larta e të padurueshme, e as nuk është aq larg tij, që temperaturat të jenë tepër të ulëta, e të mos ketë jetë.
Sipas pohimeve të shkencëtarëve, në këtë hapësirë të pafund kozmike ka mijëra e mijëra sisteme diellore, në të cilat ka shumë planete që i shëmbëllejnë Tokës sonë me klimë dhe atmosferë, prandaj ata janë më se të bindur se në gjithësi mbretëron një gjallëri e vër¬tetë dhe me padurim presin sinjalet nga lart, dhe kontaktet me “jashtëplanetarët”.
Meqenëse me anije kozmike është e pamundur të hulumtohen planetet jashtë sistemit tonë diellor (për shkak të largësisë tepër të madhe, ku p.sh. ylli më i afërt “Alfa Centauri” është larg nesh 4 vjet dritë), shkencëtarët dhe astronomët tërë forcën e tyre e kanë përqëndruar në emitimin e sinjaleve dhe të radiovalëve në gjithësi, me shpresë se ndonjë ditë do t'u kthehet përgjigja nga “ata”. Kemi cekur në vazhdimin e parë të kësaj teme se sonda kozmike “Voyager” bart me vete një disk (pllakë) nga platina, me mesazh të qartë nga Toka, me shpresë se një ditë ajo pllakë do të bjerë në dorë të civilizimeve tjera interplanetare.
Gjithashtu nga observatoriumi “ARECIBO” për çdo ditë që nga 16.01.1974 me anë të radiovalëve të fuqishme, emitohet për në gjithësi në drejtim të tufës galaktike M 13, e cila gjendet larg prej galaktikës sonë “Rrugës së Qumshtit” 25 mijë vjet dritë, një signal i cili përmban 1679 informata ose 73x23=1679. Këto 1679 informata duhet të radhiten në rrjetën prej 73x23 fushash në mënyrë që të fitohet kjo fotografi:
Këtu fotoja:
1) Pjesët e epërme tregojnë shenjat e atomeve dhe elementeve kimike të njeriut dhe Tokës.
2) Blloku vertikal paraqet numrin e nukleotideve në gjenet e krijesës më poshtë.
3) Njeriu - krijesë me intelekt dhe civilizim që jeton në planetin – TOKË,
4) Sistemi ynë diellor, e Toka planeti i tretë me radhë pas Diellit e renditur pak më lartë se planetet tjera, që aludon se njeriu është nga Toka.
5) Teleskopi me anë të të cilit emitohen këto sinjale në gjithësi.[22]
Shkencëtari rus R.S.Agrest është i bindur se në këtë gjithësi ka jetë dhe civilizim edhe më të zhvilluar se yni në Tokë. Argumenti i tij kryesor janë disa kristale të ngjashme me qelqin që quhet TEKTITË, prejardhja e të cilëve është mjaft enigmatike. Duke marrë parasysh se TEKTITËT posedojnë substanca radioaktive të aluminiumit dhe boriliumit, vjetërsia e tyre konstatohet shumë shpejt. TEKTITËT mund të formohen si të gatshëm vetëm gjatë temperaturave të larta dhe rrezatimeve të forta radioaktive. Sipas Agrestit TEKTITËT në Tokë arritën të formuar, të gatshëm nga sondat dhe projektilat e anijeve të huaja kozmike, që në të kaluarën e lashtë e kanë vizituar Tokën tonë.[23]
Sidoqoftë, edhepse kjo teori është më shumë një hipotezë në sferat e fantazisë, dhe se shkenca ende nuk ka argument të fortë, i cili sinjalizon se ka jetë në planetet tjera, shkencëtarët me¬gjithatë besojnë se në këtë gjithësi ka jetë, gjallëri dhe civilizim.

Ç'thotë feja?

Sipas mësimeve Islame, dijmë se Allahu xh.sh., para njeriut krijoi edhe dy lloj krijesash tjera: Melaiket (engjëjt) dhe exhinët (demonët), por që të dy kategoritë hyjnë në sferën e gajbijateve (të fshehtave) dhe janë të pakapshme për njohuritë dhe shqisat tona njerëzore. Melaiket i krijoi nga drita (nuri), kurse exhinët nga zjarri.
Mirëpo, shtrohet pyetja: A ka qenie tjera fizike me intelekt në këtë gji¬thësi, pa i futur në këtë sferë as engjëjt, as exhinët e as njerëzit?!
Të shohim se ç'na thotë Kur'ani për këtë:
“Dhe, një prej argumenteve të Tij është krijimi i qiejve dhe i Tokës dhe i (të gjitha) qenieve të gjalla, që i ka shpërndarë nëpër to; Dhe Ai me fuqinë e Tij mund t'i tubojë kurdo që të dëshirojë” (Esh-Shura 29)
Pastaj me radhë pasojnë ajetet:
“... Ai (Allahu) krijon çka ju nuk e dini” (En-Nahl, 8)
“Zoti yt krijon çka të dojë ...” (El-Kasas, 68)
“Në ndërrimin e natës e të ditës dhe në çka krijon Allahu në qiej e në Tokë, vërtetë ka fakte për njerëzit që kanë drojë” (Junus 6)
“... Vetëm Atij (Allahut) i takon pushteti i qiejve dhe i Tokës dhe çka ka në mes tyre. Ai krijon çdo gjë që dëshiron. Ai është i Gjithëfuqishëm për çdo gjë”. (El-Maidetu, 17)
Duke lexuar këto ajete të shumta Kur'anore, të cilat shumë qartë aludojnë në atë se Allahu xh.sh. krijoi shumë krijesa në qiej dhe në Tokë, kuptojmë se i Lartmadhërishmi është i gjithpushtetshëm. Ai krijon kur të dojë, çka të dojë dhe krijoi çka ne nuk mund të dijmë e as s'mund të paramendojmë, dhe vetëm kur Ai të dëshirojë pa kurrfarë vështirësie mund t'i tubojë të gjitha këto krijesa në një vend.
Të inspiruar e të frymëzuar nga këto ajete hyjnore, ne me zemër të pastër e plot Imanë jemi më se të bindur se Allahu xh.sh. krijoi këto planete të panumërta edhe krijesa (gjallesa) tjera pos nesh, që secila në mënyrën e vet e madhërojnë dhe e falënderojnë të Gjithëfuqishmin. Nuk është e thënë që kë¬to krijesa (intelegjente) të jenë në formën tonë dhe të jetojnë sikurse jetën tonë këtu në Tokë, për arsye se në këtë gjithësi çdo gjë i nënshtrohet ligjeve të caktuara nga ana e Allahut xh.sh.
Ai, që mendon se ne jemi të vetmuar në këtë gjithësi, është njësoj sikurse ai, që e mbyll derën e shtëpisë së vet nga brenda dhe mendon se është i vetëm në rruzullin tokësor. Natyrisht se edhe vetë mendja e njeriut e refuzon një gjë të tillë, prandaj vërtetë është e palogjikshme të mendojmë se vetëm kjo Tokë jonë e vockël - e humbur diku në këtë paskajshmëri të gjithësisë, të jetë e banuar me qenie intelegjente, ndërsa miliona-miliona planete tjera që i shëmbëllejnë Tokës të jenë të pabanuara.
Një gjë është më se e sigurt se feja, as dje, as sot e as në të ardhmen, nuk e mohon faktin se në këtë gjithësi mund të ketë forma të ndryshme të JETËS.[24]
Pikërisht këto ajete të zëna ngojë, ishin ato që i nxitën dhe i shtynë muslimanët e gjeneratave të mëhershme që të merren me studimin e shkencës së astronomisë, sepse ndjenin përgjegjësi dhe obligim moral-fetar që ta studiojnë këtë gjithësi, të cilën Allahu xh.sh. e krijoi me një përsosmëri kaq të plotë. Shumë prej YJEVE, të cilët u zbuluan nga muslimanët dhe u emërtuan prej tyre në shkencën e astronomisë edhe sot njihen me po ato emërtime. Sa për ilustrim ja vetëm disa prej tyre:

1. Achernar – ??? ?????
2. Aldebran –???????
3. Deneb - ?????
4. Algol - ?????
5. Fornex – ??? ???????
6. Fomalhaut – ?? ?????
7. Betelgeuse – ??? ???????
8. Rigel - ???
9. Sirius - ??????
10. Altair - ??????
11. Mira – ??????
12. Taurus – ?????

Të gjitha këto argumente dhe fakte bindëse, të gjitha këto shenja të udhëzimit hyjnor sot duhet të jenë nxitje dhe inspirim edhe për ne, por edhe për breznitë që do të vijnë pas nesh, se gjithmonë duhet kthyer mendjen te Krijuesi ynë, të hulumtojmë dhe të studiojmë atë që ka krijuar, dhe ta madhërojmë Atë ashtu siç na përket neve si muslimanë, sepse:
“Atë (Allahun) e madhërojnë shtatë qiej dhe Toka dhe gjithçka gjendet në to, dhe nuk ka asnjë send që nuk e madhëron Allahun, duke i shprehur falënderim Atij, por ju nuk e kuptoni madhërimin që i bëjnë ata (sepse nuk është në gjuhën tuaj). Ai (Allahu) me të vërtetë është i butë dhe fal shumë” (El-Israë, 44)

“Pjatat fluturuese” ose objektet e paidentifikuara fluturuese (UFO)

Fenomen natyror? Pjellë e imagjinatës njerëzore? Apo realitet?!
Është shumë vështirë të japësh ndonjë përgjigje precize në këto tri (3) pyetje, për shumë arsye, sepse çdo tabor (grup), që përkrah njërën prej kë¬tyre tri mendimeve (teorive) ka argumentet dhe kundërargumentet e tij: PËR ose KUNDËR.
Çështja e ekzistimit apo mosekzistimit të pjatave fluturuese, është mjaft e ndjeshme dhe delikate dhe kërkon një trajtim serioz, sepse është e përcjellur me shumë polarizime, kundërthënie dhe mospajtime të theksuara, ndër qarqe shkencore. Prandaj të thuash diç për këtë çështje është njësoj sikur të ecësh nëpër teh të shpatës.
Dihet mirëfilli se shkenca materialiste nuk pranon ekzistencën e asgjëje që nuk preket, nuk shihet e as nuk dëgjohet me shqisa, por athua sa mund të jetë ky vlerësim real, kur dihet se në këtë gjithësi (atë që na rrethon) ka shumë gjëra, të cilat as s'i shohim as nuk i prekim, por jemi të sigurt se ato ekzistojnë.


Sabri Bajgora
www.bajgora.com


Vazhdon pjesa e dytë
HISTORIKU I PARAQITJES SË FENOMENIT “PJATAT FLUTURUESE”

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.