Shëndetësia në Civilizimin Islam

Në periudhën në të cilën jetojmë, kemi shumë nevojë që të përmirësojmë cilësinë e pajisjeve mjekësore dhe shërbimeve të spitaleve.

Ne do të reflektojmë mbi një pikë që mund të kompensojë mungesën e pajisjeve dhe të na ndihmojë ne të kapërcejmë të gjitha problemet shëndetësore. Me të vërtetë ndjenjat dhe mëshira njerëzore mund të bëjnë shumë. Pacientët duhet të trajtohen me dashamirësi. Kjo jep zgjidhje magjike për problemet shëndetësore. Mos harroni që mjekësia është një profesion humanitar. Imam Shafiu njëherë tha që studimi më fisnik nga çështjet fetare është mjekësia. Kur u pyet se përse besonte kështu, ai tha: "Zoti është i mëshirshëm me krijesat e Tij dhe profeti Muhamed (a.s) ishte mëshirë për njerëzimin. Dhe mjekësia është pjesë e kësaj mëshire për njerëzimin."

Shikoni? Mjekësia ka të bëjë me mëshirën për njerëzit mbi të gjitha. Do të trajtojmë tre aspekte çelës të shëndetit. Mjekët, njerëzit e shëndoshë që merren me të sëmurët dhe vetë të sëmurët, janë triniteti i mjekësisë. Këto elemente mbulojnë të gjithë segmentet shoqërore. Çdo njeri në shoqëri mund të jetë një pacient ose një i afërt i një pacienti që mund të jenë prindër, fëmijë ose një doktor që trajton pacientët. Prej këtu unë i drejtohem humanitetit tuaj. Mesazhi i sotëm është rreth dashurisë, mirësisë, simpatisë. Mjekët të kenë mëshirë për pacientët dhe të shëndoshët. Për më tepër pacientët duhet të kenë durim dhe ta marrin me lehtësi. Ndihmojini pacientët të kenë durim dhe përçojani mesazhin të shëndoshëve. Atyre u kërkohet t'i trajtojnë të sëmuret me mëshirë dhe mirësi. Mjekët duhet të jenë të mëshirshëm dhe të këndshëm. Jam në dijeni për kushtet e mjekëve në ditët tona, e sidomos për kushtet e mjekëve më të rinj. Klasat e mjekësisë janë plot me studentë dhe të gjithë do të konkurrojnë për karrierë. Por ata mund të bëjnë diçka që nuk është e kushtueshme, e cila është "të jesh i mëshirshëm dhe i këndshëm me pacientin." Ata duhet të kujtojnë një thënie profetike:
"Zoti do të thotë në Ditën e Gjykimit: 'O bir i Ademit, Unë isha i sëmurë por ti nuk më vizitove.' Ai do të thotë: 'Si mundem unë të të vizitoj Ty, kur Ti je Zoti i botrave?' Zoti i thotë: 'A nuk e dije që robi im ishte i sëmurë? Po ta kishe vizituar, do më gjeje Mua aty."

Një hadith tjetër thotë: "Ai që viziton të sëmurin është ai që ndodhet nën frutat e kopshteve të Xhenetit deri sa të kthehet." Kështu ai që interesohet për të sëmurin, shijon hijet e Parajsës. Kjo është për atë që e shikon të sëmurin. E cili mund të jetë shpërblimi i atij që e mjekon një të sëmurë? U adresohem doktorëve dhe profesorëve të mjekësisë. Mendoni një njeri që në vend që të shkojë në punë çdo ditë, shkon në Parajsë. Doktori duhet të jetë i këndshëm dhe t'i mirëpresë të sëmurët në çdo kohë me qëllim që ky të mirëpritet në Parajsë. Jo të gjithë mjekët mund t'i shijojnë hijet e Xhenetit. A e dini si thirreshin mjekët e mëshirshëm nga muslimanët në të kaluarën? P.sh. titulli i Umer ibn Hatabit ishte "Prijës i besimtarëve", kurse titulli i mjekut Er-Razi ishte "Shpëtuesi i besimtarëve".

Doktorit i lejohet të mos vijë në faljen e Xhumasë, nëse ka një operacion urgjent për të bërë. Të lehtësosh dhimbjet e të sëmurëve është më kritike se namazi i së premtes. Po buzëqeshja ndaj të sëmurëve? Disa i përçmojnë të sëmurët. Jini të durueshëm me të sëmurët që të shijoni hijet e Xhenetit. Po sikur t'i përkëdhelësh të sëmurët? Profeti Isa a.s ishte mjeku më i madh. Zoti thotë për të në Kur'an: "Unë shëroj ata që janë lindur të verbër ose me lebrozë...me lejen e Zotit".

Isait (a.s) iu dha emri Mesih sepse në arabisht rrënja e fjalës Mesih është "fërkoj". Isai (a.s) i fërkonte pjesët e trupit ku njerëzit ndienin dhimbje për t'i shëruar ata. Ngjashëm të gjithë doktorët duhet t'i përkëdhelin pacientët duke shfaqur mirësi ndaj tyre. Kohët e fundit shumë kërkime kanë provuar që ndodhet një lidhje e ngushtë midis kushteve psikologjike të pacientëve dhe fuqisë së sistemit të tyre imunitar. Sa më të mira të jenë kushtet e tyre psikologjike, aq më i fortë është imuniteti, i cili është më i rëndësishëm se drogat. Përkëdhelini të sëmurët, drejtojuni atyre me mirësi, buzëqeshuni atyre dhe i toleroni ata.

Pra, mjekët duhet të bëjnë katër gjëra. E para është t'i trajtojnë pacientët me butësi. I dyti është trajtimi mjekësor. Ja disa shembuj interesantë të gjetur në historinë tonë Islame. Muslimanët kanë shkëlqyer në fushën e mjekësisë në të kaluarën. Kjo histori ndodhi në vitin 831 të Hixhretit në spitalin En-Nur në Damask dhe është përmendur në libra perëndimorë. Një princ francez shkoi për të vizituar mikun e tij në Damask. Princi arriti atje, qëndroi me shokun e tij dhe sigurisht shtëpia e mikut të tij ishte shumë luksoze. Princi u ftua që të vizitojë spitalin En-Nur dhe u magjeps me kopshtet atje. Kishte pamje të mrekullueshme jashtë dhomave të pacientëve dhe shatërvanë me ujë. Ushqimi kishte aromë shumë të mirë, kështu që princi francez bëri diçka të çuditshme. Ai u shtir si i sëmurë dhe mjekët nxituan ta vizitojnë. Gjatë ekzaminimit mjekët panë që ai ishte i shëndetshëm, megjithatë ai u pranua në spital në shenjë mikpritje. Ai u shtrua në spital. Mjekët urdhëruan që ai të hajë ushqimet më të mira (marmelatë, mjaltë, zog të pjekur.) Princi u kënaq gjatë kohës që qëndroi atje, duke lëvizur nga një sallë në tjetrën. Ishte një eksperiencë e kënaqshme për të. Ai mendoi se ua kishte hedhur atyre doktorëve arabë dhe pas tre ditësh vendosi që të ikë. Kur u ngrit për të dalë, pa te dera një letër të shkruar nga doktori: "Arabët nuk i presin miqtë e tyre më shumë se tri ditë."

Imagjinoni kushtet e spitaleve gjatë kohës së artë të shtetit Islam. Ne kemi nevojë t'i imitojmë ato. Në spital asokohe pacientët do të gjenin një sallë argëtimi, kështu që të dëfreheshin gjatë qëndrimit të tyre në spital. Kjo ishte në vitin 300 Hixhri. Ishte një sallë që kishte aktorë që paguheshin për t'i argëtuar të sëmurët me dhënien e shfaqjeve komike. Kishte dhe një sallë për të kënduar. Natën, disa pacientë mund të vuanin nga pagjumësia dhe mezi prisnin ardhjen e mëngjesit. Në spital kishte myezinë me zë të ëmbël qetësues. Ata thërrisnin ezanin para ardhjes së agimit, që i sëmuri të mendonte se po afron mëngjesi. Kishte gjithashtu këngëtarë që këndonin këngë fetare në dhomat e të sëmurëve gjatë natës. Sa e habitshme! A ishte ky realitet? Edhe më interesante ishte se disa nga personeli spitalor do të bisedonin së bashku jashtë dhomës së një të sëmuri rëndë që do të vdiste së shpejti. Njëri do të tregonte se si ai kishte qenë i sëmurë më të njëjtën sëmundje të këtij pacienti dhe më vonë ishte kuruar dhe ishte shëruar. Madje kishte dhe pagesë për ata që kryenin këto biseda natën pranë të sëmurëve. Muslimanët e dinin që të ngresh moralin e një pacienti, do ta forconte imunitetin e tij. Ky është arti i trajtimit të të sëmurit. Mos mendoni se vetëm perëndimorët janë të suksesshëm e ne nuk jemi. Duke lexuar historinë tonë ne shohim që mund të arrijmë zhvillim të lartë. Kemi nevojë vetëm për punë serioze dhe sakrifica. Trajtimi i të sëmurit është një art shumë i gjerë, por le të shohim afrimin perëndimor me të dhe të përfitojmë prej tij.


Etika mjekësore

Studentët e mjekësisë në perëndim, mund të jenë shumë të zgjuar në teori. Nëse një student i ngre rrobën të sëmurit pa i marrë leje, ai dështon. Studentët e mjekësisë në perëndim mësojnë që trupi i pacientit është vetëm i tij dhe jo i doktorëve. Pasi kanë kuptuar plotësisht kushtet e tyre shëndetësore, ata japin recetën. Shohim sot shumë mjekë që nxitojnë gjatë ekzaminimit të pacientit dhe nuk janë të gatshëm për t'i kushtuar më shumë kohë të sëmurit ose t'i dëgjojnë ata kur i tregojnë problemet shëndetësore si p.sh. dhimbje veshi etj...

Së treti doktorët duhet të studiojnë gjatë gjithë kohës, sado të rinj, të vjetër apo të famshëm qofshin sepse procesi i mësimit nuk mbaron kurrë. Doktorët do të pyeten përpara Zotit. Të gjithë njerëzit do të pyeten për katër gjëra në Ditën e Gjykimit, ndër të cilat dhe si e harxhuan jetën e tyre, si e përdorën trupin e tyre. Mendoni një pacient duke qëndruar përpara Zotit i cili do ta pyesë për shëndetin dhe ai do të thotë: "Filan doktor e shkatërroi shëndetin tim." Doktorëve u është besuar mirëqenia e pacientëve. Një doktor mund të kurojë 1000 të sëmurë dhe ata mund ta çojnë atë në Parajsë nëse ai kujdeset për ta siç duhet. Zoti mund t'ia falë gabimin një doktori nëse ai ka bërë përpjekjet më të mëdha për të mësuar më shumë. Por ai që nuk mëson më shumë do të qëndrojë përpara Zotit për të justifikuar mungesën e dijes mjekësore. Profeti Muhamed (a.s) ka thënë:

"Për çdo sëmundje, Zoti ka caktuar një ilaç."

Profeti (a.s) me këtë thënie, i inkurajon kërkimet shkencore sepse për çdo sëmundje ka ilaç. Profeti (a.s) u drejtohet të gjithë mjekëve që të kërkojnë më shumë dije. Zoti thotë në Kur'an: "Ju kemi ndarë në kombe dhe fise që të dalloheni nga njëri-tjetri." Pra, Zoti ka dhënë burime mirësish të ndryshme në kombe të ndryshme. Mendoni një komb që vuan nga një sëmundje, dhe ilaçin e tyre, e kemi ne. Pra duhet të bëjmë vazhdimisht kërkime për dije.

Këshilla e katërt për doktorët është që t'i kujtojnë të sëmurëve Zotin. Trajtimi është më efektiv nëse i sëmuri ka besim të fortë. Është një doktor i famshëm i specializuar për sëmundjet e gjurit dhe kockave. Ky është personi që bëri shumicën e pacientëve të tij besimtarë, edhe pse s'u fliste kurrë për besimin. Si ka mundësi? Ai është një doktor aq i famshëm dhe i zgjuar saqë të gjithë futbollistët kanë nevojë për të. Ata praktikojnë disa ushtrime me qindra herë. P.sh. ngrenë dhe ulin këmbët pak nga pak ngadalë për të forcuar muskujt e tyre. Ky doktor përvetëson metoda interesante duke i detyruar lojtarët të ngrenë këmbët e tyre në tre shkallë duke thënë "El hamdu lil-lah." Ngjashëm ata ulin këmbët duke thënë "La ilahe il-Allah." Doktori u thotë ta bëjnë këtë ushtrim 300 herë. Duke ditur që për çdo lavdërim të Zotit ata fitojnë shpërblim, ata nxiten të ushtrohen më shumë. Të lidhësh trajnimin me besimin është më mirë se sa trajtimi kimik.

Shumë sëmundje janë përhapur ditët e sotme. Disa vuajnë nga veshkat, disa nga diabeti, disa kanë fëmijët të sëmurë. Unë dua tu jap katër këshilla të sëmurëve. Së pari ata duhet të jenë të durueshëm. Kushdo që është i sëmurë dhe qëndron i durueshëm, do të shkojë në Parajsë. Në një hadith kudsij thuhet:

"Nëse e privoj robin Tim nga dy të dashurit e tij (sytë), ai do të hyjë në Parajsë nëse bën durim."

Ata' ibn ebu Rebah takoi Ibnu Mes'udin që ishte një sahab. Ata' ishte ndjekës i sahabëve. Aty kaloi një grua. Ibnu Mes'udi i tha Ata' ibnu ebu Rebahut: "A dëshiron të shikosh një grua që do të hyjë në Xhenet? "Po." - U përgjigj Ata'. Atëherë Ibnu Mes'udi i tregoi me gisht kalimtaren e cila ishte një grua e vjetër dhe e dobët. Kur e panë Ata' atë grua u habit dhe pyeti se nga e dinte që kjo grua do të hynte ne Xhenet. Ibnu Me'usi iu përgjigj: "Kjo grua erdhi tek i Dërguari (a.s) i cili i tha: 'Nëse dëshiron, unë i lutem Zotit që të të shërojë dhe Ai të shëron. Nëse do që të bësh durim dhe të hysh në Xhenet, atëherë bëj durim.'" Gruaja iu përgjigj: "Unë do të bëj durim, por kur më kap sëmundja unë zbulohem, prandaj lute Zotin që të mos zbulohem." Profeti (a.s) e luti Zotin dhe ajo nuk zbulohej më.

Profeti (a.s) ka thënë: "Zoti ia fshin gjynahet një besimtari që vuan një natë nga ethet." Ibnu Mes'udi ka thënë që Zoti nuk e shpërblen të sëmurin për të qenit i sëmurë, por ia fal atij gjynahet. Profeti (a.s) ka thënë: "Nuk ka asnjë lodhje, as sëmundje, as hidhërim, as edhe një gërvishtje nga një ferrë, që të mos ia fshijë Zoti disa nga gjynahet për të." I sëmuri do të shpërblehet plotësisht pa dhënë llogari. Kështu të gjithë njerëzit do të pyeten Ditën e Gjykimit kurse të sëmurët jo sepse ata ishin të durueshëm. Prindërit gjithashtu duhet të bëjnë durim kur fëmijët e tyre janë të sëmurë.

Ejubi (a.s) mbeti i paralizuar për 18 vjet. Gruaja e pyeti: "A akoma nuk e humbur durimin?" Ai e pyeti gruan: "Për sa kohë jemi kënaqur me bekimet e Zotit?" Ai tha se do të bënte durim derisa dy periudhat të jenë të barabarta. Ejubi për 40 vjet i shijoi bekimet e Zotit. Një ditë Zoti e shëroi Ejubin. Durimi është fjala kyçe këtu.

Së dyti i sëmuri duhet të jetë i kënaqur me Zotin. Pra, jo vetëm, të bësh durim por të jesh edhe i kënaqur me vendimin e Zotit. Ti e di që Zoti është i vetmi që kontrollon gjithçka, kështu që të jesh i kënaqur edhe kur ti sëmuresh apo fëmija yt sëmuret. Kjo është porta më e madhe e mëshirës së Zotit. Kush hyn në të, do të shijojë qetësinë e mendjes dhe rehati në jetë dhe do t'i premtohet Parajsa në botën tjetër. Ne duhet të mësohemi të jemi të kënaqur me Zotin. Muhamedi (a.s) ka thënë: "Kush thotë tre herë çdo mëngjes dhe mbrëmje: Redijtu bil-lahi rabben, ue bil islami dijnen, ue bi Muhammedin nebijen (Jam i kënaqur me Allahun si Zot dhe me Islamin si fe dhe me Muhammedin si profet), do t'i falen gjynahet." Kush e thotë pas çdo ezani këtë, shkruhet nga banorët e Xhenetit.

Shikoni si shpërblehet kënaqësia me Zotin. Ai që vazhdimisht e thotë këtë, ai ka shijuar aromën e besimit. Profeti (a.s) lutej: "O Zot, më bëj të kënaqur me vendimin Tënd, që unë të mos i nxitoj gjërat që Ti ke vendosur t'i vonosh, apo të dëshiroj të vonohet ajo që Ti ke caktuar të nxitohet." Ai gjithashtu i lutej Zotit që ta bënte të kënaqur pas çdo vështirësie.

Umer ibn el Hatabi ka thënë: "Nuk shqetësohem rreth gjendjes sime mëngjes apo mbrëmje, qofsha në telash, i stresuar apo i depresionuar, përderisa mbetem musliman." Umeri nuk shqetësohej për asgjë, vetëm për të qenit musliman. Gruaja e tij i dha një mësim kur ai njëherë u grind me të dhe e kërcënoi se do t'i shkaktonte dëm. Kur u pyet nëse ai do ta detyronte atë të braktisë Islamin, ai tha: "Jo." Atëherë ajo tha: "Nuk i frikësohem asnjë dëmi përveç braktisjes së Islamit."

Imran ibnu Husjen ishte një sahab i madh. Pas vdekjes së profetit (a.s) ai vuajti nga një sëmundje që e bëri të pamundur për të lëvizur për 30 vjet. Ata që e vizitonin nuk dinin si ta ngushëllonin dhe ai vazhdimisht u thoshte atyre që ai donte çdo gjë që e donte Zoti, qoftë edhe sëmundjen e tij. Mendoj se këto fjalë mjaftojnë si një ilaç pë të sëmurët.

Urve ibn ez-Zubejr, tezja e të cilit ishte Aisheja (r.a), shkoi me djalin e tij tek udhëheqësi i Damaskut. Kur arriti atje filloi të ndjejë dhimbje të forta në këmbë. Kur u ekzaminua u pa që këmba duhej prerë. Për më tepër, djali i tij shkoi të luajë midis kuajve dhe një kalë e goditi dhe ai vdiq. Kjo ndodhi në të njëjtën ditë kur ai preu këmbën. Ai kishte 8 djem, por më i vogli të cilin e donte më shumë vdiq dhe këmba e Urves u pre. Kështu njerëzit nuk dinin si ta ngushëllonin atë. Por Urve e lavdëroi Zotin duke thënë: "O Zot, Ty të takon falënderimi. Më dhe 8 djem. Një e more, 7 mi le. Më dhe 4 gjymtyrë. Një e more, 3 mi le. Më more një gjë, më le shumë të tjera. Më sprovove me fatkeqësi dhe më fale për shumë të tjera. Ty të takon falënderimi për ato që më more dhe Ty të takon falënderimi për ato që më le." Dera e të qenit i kënaqur me Zotin, është dera më e madhe Parajsës.

Këshilla e tretë për të sëmurin është që të japë sadaka. Përse të japësh sadaka? Sepse Profeti (a.s) ka thënë: "Shërojini të sëmurët tuaj me sadaka." Një çift i ri kishte një djalë 5 vjeçar i cili papritur hoqi dorë nga ushqimi dhe filloi të dobësohej. Kur u vizitua u pa që kishte tumor dhe pritej të vdiste brenda pak muajsh. Imagjinoni sa vuanin prindërit e tij duke e parë djalin të vdesë përpara syve të tyre. Babai filloi të humbasë shpresën. Një ditë ai ishte duke ecur i dëshpëruar dhe takoi një plakë e cila mblidhte korre buke te mbeturinat, për të ushqyer fëmijët. Ai atëherë e morri plakën te dyqani i mishit. I tha kasapit që kjo plakë për çdo muaj do të merrte mish dhe pagesën do ta bënte ky. Pastaj e çoi te ushqimorja dhe e pagoi shitësin për t'i dhënë asaj çfarë kishte nevojë çdo muaj. Pastaj e çoi te dyqani i veshjeve. Ai betohet në Zotin që djali i tij për tri javë filloi ta marrë veten. Ai e morri djalin te doktori për tu treguar këtë fakt. Pasi e ekzaminuan djalin, doktorët thanë: Ky duhet të jetë një djalë tjetër. Ata menduan se ky nuk ishte fëmija që u zbulua të jetë me kancer. Ai bashkë me gruan, filluan ta falënderojnë Zotin që e shëroi djalin e tyre. Kur një ditë, ai lexoi hadithin e profetit Muhamed (a.s): "Shërojini të sëmurët tuaj me sadaka." Ai e falënderoi Zotin që ia dërgoi plakën e vjetër që të shërohej djali i tij.

Këshilla e katërt për të sëmurët është që ata duhet të vazhdojnë të punojnë, çfarëdolloj sëmundje që të kenë. Disa mund të thonë që fëmijët e tyre diabetikë nuk mund të punojnë. Përkundrazi, ata duhet të punojnë. Edhe të vjetrit duhet të punojnë për t'i nxitur të rinjtë që t'i imitojnë. Nëse të sëmurët punojnë, të rinjtë që kalojnë kohën në kafene duke pirë duhan e duke luajtur letra, do të nxiten të punojnë e do t'iu vijë turp. Ne të gjithë duhet të punojmë.


Cilat janë këshillat për njerëzit e shëndoshë?

Së pari ata duhet t'i shkojnë për vizitë të sëmurit. Përse disave u duket e vështirë të shohin të sëmurët? Një i ri që dëgjon që një kushëri i largët i tij është i sëmurë, mendon që ky nuk është i afërt. Mjafton babain i tij që ta vizitojë atë. Profeti (a.s) ka thënë:
"Nëse një njeri viziton një të sëmurë, 70000 engjëj do ta lusin Zotin për të deri në mëngjes."
"Një vizitor që ec për të vizituar një të sëmurë, do të mbulohet me mëshirën e Zotit."
"Kur një vizitor ulet me të sëmurin e ia heq mërzitjen, pa e rënduar atë, ata do të mbulohen me mëshirë derisa të rikthehet."

Kur Profeti (a.s) ishte i sëmurë, e vizitoi atë engjëlli Xhibril. Në atë kohë Xhibrili nuk zbriti me ajete të Kur'anit. Ai zbriti për të parë profetin (a.s) që ishte i sëmurë. Ai i tha profetit (a.s): "Në emër të Zotit të lehtësoj."

Ju nuk i vizitoni të sëmurët vetëm për t'i ngushëlluar, por edhe për të kujtuar Ahiretin. Profeti Muhamed (a.s) e rekomandoi vizitën tek të sëmurët dhe përcjelljen e të vdekurit sepse këto të kujtojnë Ahiretin. Në Egjipt, duke pasur nevojë të përmirësoj brendinë time, unë mblidhja shokë dhe shkoja për të vizituar varrezat, gjë e cila sillte me të vërtetë ndryshim. Kur shkova në Angli, unë morra disa miq dhe shkova të vizitoj varrezat. Por atje ishte plot me lule, si një park, gjë e cila na verboi më shumë me qejfet e jetës së dynjasë. Si mund të përmirësoheshin brenditë tona atëherë? Kështu vendosëm të shkojmë në një pavion të djegurish te një spital Anglez. Mos mendoni se duhet të vizitoni vetëm ata që janë të afërmit tuaj. Nëse vizitoni një pavijon të djegurish në çdo spital nesër, ju do të filloni ta adhuroni Zotin me devotshmërinë më të madhe. Do të shikoni që dynjaja s'është asgjë në krahasim me fuqinë e Zotit dhe do të kuptoni që ju nuk jeni veçse një njeri i varfër që
duhet t'i frikësohet Zotit shumë. Një student në fakultetin e inxhinierisë shoqëroi 100 të rinj për të vizituar fëmijët e spitaleve të kancerit dhe për tu dhënë atyre dhurata. Ai më morri mua me vete. Ne biseduam me ata fëmijë për t'i qetësuar ata. Tamir Sheuki bëri diçka të madhe për të cilën do të shpërblehet shumë. Ky student arriti të ndërtojë një spital bamirësie. Shumë nga të rinjtë tanë janë seriozë, por ato kanë nevojë të motivohen për të vepruar.

Së dyti të shëndoshët duhet t'ia kujtojnë Zotin të sëmurëve. Trajtimi nëpërmjet besimit është më efektiv se sa trajtimi kimik. Flisni rreth besimit, recitojini atyre Kur'an, jepuni tespihe.

Së treti të shëndoshët duhet t'i luten Zotit për të sëmurët përpara tyre. profeti Muhamed (a.s) lutej për të sëmurët. Ai (a.s) ka thënë: "Nëse ndonjë viziton një të sëmurë, të cilit nuk i ka afruar vdekja dhe i thotë: Bismilah (3 herë). Es'elullahel adhijm, rabbel arshil adhijm ej-jeshfijk (7 herë), Zoti do ta shërojë atë nga ajo sëmundje." Po ashtu profeti (a.s) vendoste dorën e tij mbi vendin e dhimbjes së të sëmurit dhe thoshte: "Allahumme rabben nas, edh'hib il be's, ishfi ue ente shefi, la shifae il-la shifauk, shifaen la jugadiru sekama."

Së fundmi, të shëndoshët nuk duhet t'i trajtojnë të sëmurët si njerëz të sëmurë por si njerëz normalë. Tu ngresh moralin të sëmurëve, i bën ata më produktivë. P.sh. nëse keni një djalë të pamundur, ju do të tregoni vetëm keqardhje për të. Ne nuk duhet të tregojmë keqardhje për të sëmurët, sepse kështu u shtohet më shumë vuajtja atyre.



vizion-islam


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

"Disiplinë dhe rregull" - Visar ef. Koshi