Vetėrobėrimi
Natyra njerëzore është shumë komplekse dhe e vështirë për t`u definuar dhe për tu përcaktuar me ndonjë skemë eventuale.
Shumë dimenzionaliteti i saj e bënë atë një materie shumë të hulumtuar dhe të studiuar nga shumë fusha dhe aspekte, gjë që e ka zgjeruar edhe më shumë duke e bërë edhe më të komplikuar për studim. Sidoqoftë ky shumë dimenzionalitet dhe kjo hapësirë e madhe na jep mundësi që sadopak të marrim pjesë në këtë hulumtim dhe t`i përkushtohemi shumë problemeve që hasen në të dhe ajo që vetë ne jemi pjesë e saj është një pikënisje e mirë në këtë rrugë. Dy komponentet dikotomike, si liria dhe robëria, janë dy anët e medaljes që gjithmonë janë në një situatë të ekzistencës së njërës dhe mos ekzistencë së tjetrës pra kur mungon liria aty është robëria dhe e kundërta kur mungon robëria aty është liria. Liria në kuptimin e plot të fjalës, pra absolute, nuk ekziston në këtë botë materiale sepse ajo është e kushtëzuar nga shumë faktorë e mbi të gjitha vetë natyra njerëzore pamjaftueshme në vetvete e bënë atë shumë relative, por edhe tjetra, pra robëria nuk është e plotë dhe absolute pasi që ana shpirtërore e njeriut e bënë këtë të jetë, gjithashtu relative dhe e kufizuar. Megjithatë edhe pse njëra me tjetrën janë opozitare, prapë se prapë brenda njërës ekziston një dozë që atë e bënë jo të plotë, sikur brenda lirisë ekziston një lloj robërie po ashtu edhe brenda robërisë ekziston një lloj lirie. Sado që të jetë njeriu i lirë atë nuk mund ta përjetoj plotësisht nëse njerëz tjerë që jetojnë rreth tij nuk janë edhe aq të lirë, mos më tepër, së paku atë e përkujtojnë në robërim dhe ndjenjat e kapluar nga frika prej një robërie eventuale, e bëjnë të mos jetë plotësisht i lirë. Gjithashtu edhe ai që është i robëruar nëse këtë robëri e ka fituar për hir që të tjerët të jenë të lirë, atëherë ai nga ndjen për këtë liri nuk është plotësisht i robëruar. Duke u nisur nga ky fakt personi në tendencë për t`u çliruan nga kjo gjendje pra bënë përpjekje që të arrij një liri sa më të madhe, sa më të vetëmjaftueshme, mirëpo nga fakti se liria shtrihet ne anën shpirtërore, atëherë rruga drejt vetëçlirimit arrihet me elemente shpirtërore dhe e kundërta nëse përpjekjet për të arritur atë vetëçlirim bëhen me mjete jo shpirtërore gjegjësisht materiale në atë rast personi arrin në pikën e quajtur vetërobërim.
Tema qendrore e këtij hulumtimi nuk është vetëçlirimi por vetërobëria nga fakti se nëse mbrohemi prej vetërobërimit atëherë padyshim se do ta gjejmë veten në vetëçlirim. Nga vetë fakti që thamë edhe në fillim se natyra njerëzore është shumë komplekse dhe shumë dimenzionale, atëherë edhe rrugët dhe rrugicat që na dërgojnë te vetërobërimi janë të shumëllojshme. Të gjitha këto qëndrojnë varur në rrugën e jetës sonë sikur grepa që presin sa më parë të ngatërrohemi në to dhe të mos arrijmë drejt qëllimit tonë pra vetëclirimit. Humnera më e madhe që ekziston në këtë rrugë është prirja drejt formës dhe jo drejt esencës, gjë që derivatet e këtij problemi janë të shumta. Një ndër derivatet më të fuqishme dhe që më së shumti sot shkaktojnë probleme në jetën shoqërore është pamja e jashtme apo dukja. Gati çdo njeri sot vuan nga kjo sëmundje moderne e cila çdo ditë e më shumë është duke përcaktuar kursin e jetës sonë, është duke na bërë të varur tejmase dhe rezultati i saj i vetëm është vetërobërimi. Sot, bota moderne është duke u ndërtuat mbi këtë ves. Shtëpitë tona, veshmbathja jonë, ushqimi jonë , mënyra e të folurit tone, me një fjalë e tërë jeta e njeriut të kësaj periudhe është plotësisht e nënshtruat nga ky fenomen. Më shumë brengosemi se si dukemi se sa si jemi, më shumë për formën se sa për esencën , më shumë për atë se si na shohin të tjerët se sa si jemi në të vërtetë, Kjo është reflektuar edhe në marrëdhëniet sociale, në kulturë, në art etj. Përderisa një pjesë e popullatës botërore vdes për ushqim pjesa tjetër harxhon me miliarda për modë, për gara në ndërtimin e ndërtesave të larta dhe luksoze, për makina futuristike dhe të kushtueshme. Sikur që po ndodhë te bota mashkullore po ashtu e njëjta qëndron te bota femërore. Harxhime të mëdha në veshje , bizhuteri, frizura dhe parfumeri. Dëshira e madhe që të dukemi perfekt para të tjerëve ndërlidhet me të gjitha aspektet e jetës sonë. Pak rëndësi i kushtohet edukatës dhe sjelljes së mirë se sa veshjes dhe modës dhe brengosemi se vallë si do të na shohin të tjerët. Shtëpitë tona mundohemi që t`i pastrojmë, t`i zbukurojmë sepse ndoshta do të përgojohemi nga të tjerët se sa nevoja higjienike për to. Mobilimi i tyre është bërë jo sipas traditave dhe nevojave tona shoqërore, por sipas modës dhe asaj që paraqitet nëpër filma, e cila gjë krijon një disbalanc mes gjendjes reale ku gjendet populli jonë dhe asaj që jemi në të vërtetë, duke e krijuar në mënyrë artificiale që për pasojë shkakton prishje të asaj që është e natyrshme dhe normale me një stil jo adekuat dhe të papërballueshëm për gjendjen tonë qoftë financiare, por pse jo edhe kulturore. Kjo garë e pa mëshirshme për të arritur këtë pseudostandard i fut njerëzit në rrugë të pamoralshme dhe kriminale për përfitim dhe arritjen e këtyre të mirave materiale që mendojmë se gjoja do të na bëjnë më të lumtur. Nga presioni për të arritur këtë, tek njerëzit rritet hipokrizia, rrena, tradhtia, mashtrimet dhe çdo ves tjetër. Nga e gjithë kjo padyshim se individi, por edhe shoqëria shkojnë në një rrugë të pa kthim drejt vetërobërimit, pra e robërojnë veten me gjëra materiale në vend se ta çlirojnë veten nga grepat e kësaj bote materiale. Në vend të vetëçlirmit që mund ta arrijmë nëpërmjet botës shpirtërore ku dominon liria, ne vetërobërohemi me mjetet e botës materiale ku ekziston robëria. Nuk ka lumturi deri sa këto vese dhe ky model i jetës dominon tek ne. Nuk ka bashkëjetesë dhe respekt të ndërsjellë mes njerëzve deri sa nuk bëhemi më modest, më shpirtgjerë, më tolerant dhe të sinqertë mes vete, deri sa t`i jep përparësi më shumë të tjerëve se vetvetes, deri sa të luftohet e keqa në mesin tonë dhe të bëhet thirrje për të mirë dhe paqe.

E Dielė, 1 Korrik 2012; 15:56 





Author Info

Komentet
No Comments!