Komentimi i ajeteve 98-103 të sures

Përkthimi i Kur`anit me komentim
Xhuzi V- Kapitulli Ali Imran
Ajetet:98-103

Shkruan: Husein Xhozo

“Thuaj (o Muhammed): ”O ithtarët e Librit! Pse mohoni shpalljet e Allahut, ndërkohë që Allahu është dëshmitar i çdo gjëje që bëni?!” Thuaj:” O ithtarët e Librit! Pse e pengoni nga rruga e Allahut atë që e beson e përpiqeni ta shtrembëroni ( atë rrugë), ndërkohë që jeni dëshmitarë ( se kjo është rruga e vërtetë)?( Dijeni se) Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj veprave që ju bëni!” O besimtarë! Nëse i bindeni një grupi nga ata që u është dhënë Libri, ata do t`u kthejnë në jobesimtarë, pasi patët besuar. E si mund të mos besoni kur juve ju lexohen shpalljet e Allahut dhe midis jush ndodhet i Dërguari i Tij?! Kush mbahet fort pas ( fesë së) Allahut, sigurisht që është i drejtuar në udhë të mbarë. O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë! Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut ( Kuranin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja e, në saje të dhuntisë së Tij, u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu, Allahu jua shpjegon shpalljet e Veta, që ju të drejtoheni në udhën e drejtë.”

Komenti:

Kur`ani, tash, ka refuzuar kundërshtimet drejtuar Muhammedit alejhi selam nga ana e të krishterëve dhe hebrenjve, që gjithmonë kanë mohuar dëshmitë Hyjnore dhe qëndruan në mohim, duke u larguar nga Rruga Hyjnore, dhe duke e paraqitur atë si lloj deformimi.
Shpallja e Kur`anit ka hapur një proces krejtësisht të ri në zhvillimin e mendimit njerëzor. Ka qenë e natyrshme që elementet e reja, që i solli Islami për mendimin njerëzor, të bien në kundërshtim me elementet e atëhershme. Ajo përballje ka qenë e patjetërsueshme.
Gjithçka e re që lind dhe që vjen, patjetër do të përballet me çdo gjë të vjetër dhe të mbijetuar. Ai është ligji elementar i zhvillimit në përgjithësi. Në përplasjen ndërmjet të vjetrës ndaj të resë, e cila manifestohet në formën e proceseve të ndryshme, lind progresi. Përballja e të kundërtave hap procese të reja dhe në këtë mënyrë arsimimin e shtyn përpara.
Procesin të cilin e hapi Islami veçanërisht është karakteristik, në bazë të përballjes që e krijoi mendimi i ri islam me elementet e ngelura të krishtera dhe hebreje. Kjo përplasje gjithmonë është prezentë. Këtë gjë, Kur`ani i lexueshëm e manifeston në mënyra të ndryshme. Nuk mund të themi se ajo përballje nuk ka marr edhe forma të rrepta. Ajo është paraqitur edhe në formë të luftës dhe ka marrë formë të luftës së hapur, edhe pse motivet për hapa të tilla, asnjëherë nuk kanë dalë nga mësimet e Islamit. Është me rëndësi të madhe të dimë, se gjatë hulumtimit të kësaj përplasje, islami asnjëherë nuk e ka proklamuar, përdorur e arsyetuar dhunën. Ajo është përdorur nga njerëzit, në bazë të mësimeve të tyre. Kjo gjë, qartas shihet, në të gjitha ajetet ku flitet për këtë përplasje. Muhammedi obligohet që t`ia bëjë me dije të krishterëve dhe hebrenjve se lufta e tyre, mohimi i shenjave të Zotit dhe kthimi nga rruga e Zotit është e pakuptueshme dhe se nuk ka asnjë arsyetim. Është e pakuptueshme që ta kundërshtojmë vullnetin e Zotit, i cili mësohet nëpërmjet procesit. Kjo njëkohësisht është edhe mëkati më i madh. Mos njohja dhe mos pranimi i shenjave të Zotit ( ajatullah) të cilat neve na paraqiten në formën e proceseve të ndryshme, d.m.th. njashtu edhe mos njohje dhe mos pranim i ekzistencës së Zotit. Shpallja e Kur`anit ka përfaqësuar një shenjë të tillë. Kur`ani në procesin e mendimit njerëzor, përmes së cilës përcaktohet vullneti hyjnor, ka rregulluar rrugë të re dhe ajo rrugë ka sjell elemente të reja. Kjo gjë duket qartas qysh në fillim të shpalljes e deri në formën përfundimtare. Me të, përfundon evolucioni i shpalljes. Në formulimet definitive kuranore shpallja e fundit përfaqëson shpallje e cila i përmbledh të gjitha shpalljet e mëhershme që iu janë paraqitur mendimit njerëzor. Në bazë të atyre rrethanave, njeriu si përfaqësues i Zotit në tokë, i zbulon dhe i pushton të mirat natyrore, duke ndërtuar në natyrë dhe në këtë mënyrë kujdeset për një ardhmëri më të mirë.
I Gjithëmundshmi e ka autorizuar njeriun, që në emër të Tij, dhe në bazë të udhëzimeve kuranore të udhëheq me resurset natyrore dhe të përfitoj prej tyre. Më atë që i ka dhënë mendje, iu është mundësuar që në proceset dhe fenomenet natyrore ta gjej vullnetin e Zotit dhe që vullnetin e tij ta orientojë në bazë të vullnetit të Zotit. Ky është kuptimi esencial i misionit të njeriut si përfaqësues i Zotit në tokë. Udhëzimi kur`anor i mundëson njeriut që të dijë, se si ta përshtate vullnetin e tij me vullnetin e Zotit. Kur`ani neve na zbulon ligjet që ndodhin në natyrë si dhe ato që ndodhën në histori, shoqëri dhe në vet njeriun. Kur`ani është natyra e cila flet, ndërsa natyra është Kur`ani që heshtë. Zoti, përmes Kur`anit, njeriut ia barti disa përgjegjësi dhe e bëri të autorizuarin për botën. Në periudhat e hershme, Zoti përmes mrekullive të shumta indirekt “mori pjesë” në shumë fenomene shoqërore. Gjithçka ka ndodhur në formë të mrekullive. Dhiata e vjetër është e mbushur me mrekulli. Të gjitha ngjarjet që janë të përmbledhura aty janë të paraqitura si mrekulli. Në Dhiatën e Re, njeriu bëhet Zot, që nëpërmjet mrekullive të udhëheq me botën.
Kur`ani ka hapur procesin e ri në zhvillimin e mendimit njerëzor, i cili përjashton këtë lloj të mrekullive. Vullneti i Zotit këtu nuk manifestohet nëpërmjet mrekullive, ashtu siç janë, ringjallja e të vdekurve, shërimi i të verbërve, ndarja e detit etj. Ai, pra vullneti Hyjnor, tash manifestohet në mrekullitë e natyrës, në ligjet e saj, proceset dhe zbulimet. Kur`ani në esencë e udhëheq njeriun në ato procese duke i mundësuar atij, që të kyçet në zbulim dhe që vullnetin e tij ta përshtate me vullnetin e Zotit që neve na paraqitet në formën e ligjeve, që udhëheqin me sendet.
Islami, në bazë të kësaj, nuk përfaqëson asnjë sistem vetvetiu të mbyllur. Ai është porosi Hyjnore ndaj njeriut, që ka për qëllim ta përfshije në manifestimin e vullnetit Hyjnor, se si në mënyrën më të mirë të realizohet një lumturi. Në bazë të kësaj, nuk guxojmë të harrojmë se ajo është porosia e fundit nga numri i madh i porosive gjatë zhvillimit njerëzor.
Refuzimi i kësaj porosie dhe angazhimi në mënyrë aktive për të penguar këtë porosi nga njerëzit, Kur`ani i nënvizon si njerëz ziliqar dhe inatëçor. Kjo gjë nuk ka asnjë arsyetim. Ajo është kundërshtim dhe tentim që të ngelet në rrugë dhe të pengohet rrjedha e zhvillimit të mendimit njerëzor, që sipas lëndëve të ajeteve, përfaqëson mohim të shenjave të Zotit ( lime tek-furune bi ajatil-lahi)(100-103)
Në procesin të cilin e hapi Kur`ani në zhvillimin e mendimit njerëzor, në konfrontim dalin dy palë: muslimanët si bartës të atij procesi dhe jo muslimanët (të krishterët dhe hebrejët) të cilët i kundërshtojnë. Në ajetet paraprake Kur`ani iu drejtua palës, e cila në mënyrë destruktive vepron në lidhje me këtë proces. Në lëndët e ajeteve, ai i drejtohet muslimanëve, bartësve të procesit, duke i dhënë udhëzime të mjaftueshme se si në mënyrë të suksesshme ta përfundojnë misionin e tyre.
Për sukses në këtë mision historik të muslimanëve, në lëndët e ajeteve sugjerohet:
1) Bindje e palëkundur dhe punë e pa kompromis në rrugën e Islamit. Në këtë gjë, nuk guxon që të ketë asnjë oportunizëm. Me idenë e Islamit nuk tregtohet. Ajo, në sytë e tyre që e kanë pranuar, duhet që të përfaqësojë vlerën më të lartë, më e lartë sesa më të afërmit e tij, madje vlerë më e lartë se edhe vet jeta e tij. Misioni i Islamit duhet që të bëhet përmbajtje e jetës së njeriut, kështu që njeriu nuk mundet lehtë të përcaktohet për diçka tjetër, e as për llogari të atij, misionit të Islamit, të bëjë kompromise. Lodhja nga ai mendim, duhet që të shndërrohet në kënaqësi, e cila tek njeriu duhet që të përfaqësojë punë të tillë, e cila vazhdimisht do ta ngrit në aksion pa marrë parasysh të gjitha rëndesat dhe flijimet. Një rilindje dhe shtytje e tillë është kushti i parë për sukses. Muslimanët e parë kanë mundur që të realizojnë suksese të mëdha në të gjitha poret e jetës, si rezultat i një shtyse të tillë. “ Shtysa, si e tillë, thotë Hegel ( Rilindja e filozofisë), asnjëherë nuk ka pasur sukses sa tek muslimanët ndaj fesë së tyre Islamit.
Edhe shtysa e një populli për pavarësi, ka ndonjë qëllim, por abstrakt, dhe çdo shtysë ngelet e parealizuar kur askund nuk kufizohet, e cila asgjë nuk përdor, përveç shtysës së muslimanëve të Orientit. Ashtu siç arabët, shpejtë i kanë realizuar pushtimet e tyre, ata njashtu shumë shpejtë kanë përparuar edhe në artë, shkencë etj”. Duke përfunduar këtë mendim Hegeli konstaton se ajo shtysë ka qenë e njëjtë si tek arabët e thjeshtë, si tek grua-ja analfabete ku në atë shoqëri kanë qenë të trajtuar në mënyrë të barabartë me vet halifët.
Duke zbuluar rëndësinë vendimtare të këtij faktori, Kur`ani në lëndët e ajeteve në formë mjaftë të rreptë, i thirr muslimanët të mos i tolerojnë kundërshtarët që duan përsëri të kthehen në paganizëm, të mos kthehen nga rruga e tij, përderisa janë udhëzuar me rrugën e drejtë Hyjnore, të cilën ia vizatojnë ajetet kur`anore, të cilën e predikon dhe e deklaron Muhammedi a.s i cili ka ardhur nga mesi i tyre. Muslimani nuk guxon që të kthehet mbrapa, e as të bëjë kompromis oportun me ato që kanë ngel në besimet e vjetra. Ai duhet që të renditet në rrugën e Zotit, dhe në atë rrugë nëse duhet të digjet, edhe do të digjet. Vetëm në atë mënyrë mund ti shërbehet idesë dhe të fitohet.
2) Për mirëmbajtjen dhe suksesin në misionin e tij, njeriu i cili ka anën e tij shpirtërore e cila duron për atë ideal, iu është e nevojshme edhe ana materiale. Ajo anë materiale sigurohet nëpërmjet rrugës së bashkimit dhe punës së përbashkët.
Misioni i bashkimit dhe mirëkuptimi i përbashkët, veçanërisht theksohet në lëndët e ajetit si dhe në shumë ajete tjera. Kur`ani, ashtu siç shikohet nga ajeti: va`tesimu... në mënyrë imperativ kërkon nga myslimani që të bashkohet dhe që në mënyrë të fuqishme të mbahen për një lidhje të përbashkët e të mos përçahen.
Pyetja e bashkimit si një faktor jashtëzakonisht i fuqishëm në luftën për realizimin e lumturisë, nuk është këtu aq me rëndësi. Nevoja e bashkimit dhe e integrimit sot është më shumë se nevojë. Ajo është bërë imperativ i kohës. Misioni i cili zgjerohet dhe forcohet mbi baza të bashkimit në kohën tonë përfaqëson njërën prej tendencave kryesore e cila në mënyrë implicite është e deklaruar dhe prezentë në zhvillimin bashkëkohor. Ajo tendencë ka fituar edhe formë konkrete në kohët moderne. Kombet e Bashkuara, internacionalizmi socialist, plani për bashkimin e Evropës (Bashkimi Evropian), Organizata Botërore e Tregtisë, ekumenizmi, të gjitha këto janë lloje të ndryshme në të cilat neve, në jetën tonë të përditshme paraqitet si tendencë.
Por, ashtu siç deklaruam, kjo gjë këtu shumë pak na intereson. Problemi i cili po parashtrohet dhe i cili është parashtruar edhe më herët është se në çfarë baze janë bashkuar njerëzit? Nuk është problem vetëm bashkimi. Njeriu është më shumë se aq, ai është pjesë përbërëse e grupit, por edhe pjesë përbërëse e shoqërisë dhe tek ai përfaqësohet identiteti i shoqërisë. Problemi është në atë se si të kapërcehen interesat vetjake e egoiste, të cilat përcaktojnë njashtu, shumicën e grupacioneve e shoqërive moderne. Kur`ani i ka thirrur njerëzit që të mos mbyllen në kufirin e interesave të tyre personale, i ka udhëzuar ata, që të bashkëpunojnë ndërmjet veti në principin e luftës për një jetë më të mirë dhe për realizimin e vlerave të larta njerëzore (ve teavenu adel-birri vet takva) dhe në mënyrë të obliguar i ka drejtuar që fjala e Zotit ti bashkojë dhe të mbahen për të (hablul-lah).
Islami shumë herët e ka hapur procesin e shtysës së bashkimit dhe bashkëpunimit në kuadrin e grupeve dhe shoqërive të caktuara, ka hapur procesin e integrimit, duke e thirrur shoqërinë njerëzore në të, ka ndërtuar rrugën më të shpejtë të integrimit, duke i thirrur njerëzit që të bashkohen për fjalën e Allahut, pas bashkimit në bazë të vlerave njerëzore të përgjithshme, të cilat janë të përbashkëta dhe ata midis tyre i ka bashkuar në formë të vëllazërimit. E vërteta është se, këtu thirrja në bashkim në fjalën e Allahut i drejtohet muslimanëve, përderisa Kur`ani i drejtohet drejtë atyre, por kjo gjë nuk përjashton edhe thirrjen në bashkim të përgjithshëm të gjithë njerëzve. Mospajtimet dhe hulumtimi në mangësitë e njëri tjetrit, padyshim pamundësojnë realizimin e solidaritetit vëllazëror në shoqëritë mbarë njerëzore. Në lëndën e ajetit (Vatesimu bi hablil-lahi) Kur`ani thekson në dëmet e mospajtimeve dhe keqkuptimeve të ndërsjella si dhe në mirësitë e bashkimit dhe të mirëkuptimit e pajtimit. Nuk ka aspak dyshim se kokëfortësia midis njerëzve çon në shkatërrim, ndërsa solidariteti, dashuria e ndërsjellë, mirëkuptimi dhe vëllazëria janë baza e secilës lumturi dhe zhvillim.
Këtu bëhet fjalë, ashtu siç vetëm se kemi përmendur, për bashkimin dhe pajtimin e muslimanëve. Duhet që menjëherë të themi, se do të ishte gabim të kuptohet ky urdhër kuranor si një përjashtim dhe mbyllje vetëm në rrethin e bashkimit islam. Në kontekst të ajeteve tjera, qartas shihet, që qëllimi esencial i urdhrave në Kur`an, është realizimi i solidaritetit mbarë njerëzor në bazë të vëllazërisë. Kur`ani, njashtu e përjashton mendimin se bartës të këtyre mendimeve të mëdha duhet të janë vetëm muslimanët. Për këtë arsye, është me rëndësi, që para së gjithash në atë qëllim të fillohet me vetveten pastaj me të tjerët. Ashtu siç një shoqëri përbëhet nga individët edhe familjet, ashtu edhe njerëzimi përbëhet nga organizatat individuale, religjioze, shoqërore dhe shtetërore. Ndjenja e solidaritetit, dashuria e ndërsjellë, pajtimi dhe vëllazëria nuk mund që të realizohen në shoqëritë njerëzore, e as në shoqëritë individuale, përderisa nuk ekzistojnë në shpirtin e individit, edhe nëse ato nuk realizohen në kuadrin e marrëdhënieve të tyre brenda shoqërisë së ngushtë.
Si edhe në të gjitha rastet tjera, Kur`ani, edhe këtu, sipas metodës së saj të vërtetuar, flet realisht për bartësit. Nëpërmjet njeriut si individ, del si shoqëri e caktuar, shoqëri konkrete, dhe prej këtu, kyçet në shoqërinë mbarë njerëzore në përgjithësi. Që të realizohet dhe zgjerohet kategoria e ekzistencës së njerëzve- shoqëria në kuptimin e ngushtë dhe të gjerë të fjalës, duhet që të fillohet me formimin e personaliteteve njerëzore. Metoda e tillë, neve na zbulon kuptimin e lendes së ajeteve në të cilën përcaktohet principi i bashkimit në rrugën e besimit tek vlerat e përbashkëta.



Nga boshnjakishtja: Hamdi Nuhiju
Burimi: Glasnik Vrhovnog Islamskog Starjesinstva u SFRJ, Sarajevo, nr.7-8, viti, 1974, f.289-293


Artikulli radhës
Kaptina el-A raf

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Program fetar dedikuar ardhjes së Muhamedit a.s. si mëshirë për botën