Xhamia e Hadumit

(Historiku, arkitektura dhe piktura)

Me depërtimin e turqve në Gadishullin Ballkanik në shekullin XIV e XV, disa vende të teritorit të cekur, si Kosova (e cila bie më 1455), bien nën sundimin e tyre. Me pushtimin turk dhe vendosjen e rexhimit feudal ushtarak vendoset edhe administrata ushtarake. E tërë kjo solli si pasojë dhe ndërrimin në zhvillimin e qyteteve ballkanike ku qe e vendosur administrata e tyre.

Një gjë të këtillë e përjetoi edhe Kosova si dhe Gjakova, e cila njihet edhe në feudalizmin e zhvilluar, në periudhën kur ishte (si edhe tërë Kosova), nën shtetin feudal serb. Sa i përket Gjakovës, ajo njihet qysh nga decenia e pestë e shekullit XIV, më saktësisht nga viti 1348, kur i takonte nahijes së Altun - ihlisë, me qendër në Junik.

Në bazë të defterit të vitit 1571, Gjakova është ende fshat. Por, të cekim se, edhe më parë si edhe para rënies nën sundimi osman, Gjakova e kishte statusin e fshatit, ishte qendër pazari. Gjakova, kështu qëndroi me një status të këtillë gjerë më 1582. Dhjetë vjet pas, prej 68 familjesh sa kishte atëherë.

Gjakova si fshat i reduktuar me qendër të vogël kryente funksionin e tregut lokal. Ky treg lokal është një specifikë për Gjakovën si dhe qytetet shqiptare gjatë shekullit XV, deri në fillim të atij XVI.

Në këtë kohë, në fund të shekullit XVI, konkretisht në vitin 1594 - 95, Hadum Sylejman Efendia - Hadum Aga e ndërtoi xhaminë, e cila po ashtu edhe mban emrin e këtij ndërtuesi. Ky objekt, sipas traditës, u ndërtua në fushën e Jak Vulës, me ç'rast bëhet emërtimi i qytetit Jakovë.

Xhamia e Hadumit si dhe tregu, në shekujt e mëvonshëm, XVII, XVIII, XIX luajtën rol të rëndësishëm me karakterin urbanistik të qytetit. Çarshisë së madhe të Gjakovës e me te lidhet ndërtimi i këtij kompleksi urbano - arkitektonik. Pra, koha e ndërtimit të kompleksit në fjalë lidhet me paraqitjen e zejtarëve dhe të përpunimit të prodhimtarisë së zejtarëve, që zunë të vendosen rreth murevet të xhamisë së Hadumit. Me këtë lidhet edhe rritja e banorëve të Gjakovës, e cila numerikisht fillon të shtohet qysh nga shekulli XVII. Gjakova, prej një fshati në gjysmën e dytë të shekullit XVIII u zhvillua në qytet, ku lulëzonte zejtaria, ekonomia. Kjo qe pasojë e mërgimit të popullsisë së adhur nga fshati. Këta të ardhur kishin për qëllim të largohen nga fshati dhe t'i ikin shfrytëzimit feudal, me ç'rast zunë të merren me zejtari. Kjo gjë ishte karakteristike për tërë qytetet shqiptare të asaj kohe. Mirëpo, ekonomia si dhe numerikisht Gjakova, filloi të bjerë në fillim të këtij shkulli, pra të shekullit XVII, meqë përjeton një rënie të madhe sikurse edhe qytet të tjera të Kosovës.

Xhamia e Hadumit, vepër e rëndësishme e arkitekturës osmane, u sendërtua me qëllim të përhapjes së fesë Islame në këtë vend. Kjo gjë qe intenzive veçanarisht në qytete e që kishte për qëllim islamizimin (me qëllim të përhapjes së mesazhit Islam) e qytetarëve.

Përveç xhamisë së Haddimit, në shekullin XVII, kur tanimë kishte marrur fizionominë e një qyteti, u ndërtuan edhe objekte të reja të kultit-sakral si dhe ato profane. Për këto ndërtime si dhe qytetin e Gjakovës, mjaft mirë flet edhe udhëpërshkruesi turk Evlija Qelebi, i cili kaloi këndej pari në shekullin e cekur (më 1663). Qelebiu, pos tjerash, në një mënyrë na paraqet një gjendje statistikore të objekteve sakrale dhe profane të Gjakovës. Sipas tij në këtë periudhë Gjakova ka pasur 2000 shtëpi, disa mesxhide dhe dy xhamia monumentale, hane të mbuluara me plumb, hamamin e bukur dhe 300 dyqane.

Të gjitha këto dëshmojnë për një rritje dhe zhvillim të zejtarisë, të tregëtisë si dhe të numrit të banorëve, të cilët u morën me këtë punë. Pra, lirisht mund të nxjerim përfundimin se Gjakova, në shekullin XVII formohet si qytet me plotkuptimin e fjalës.



Arkitektura

Prezenca shekullore e turqve osmanlinj në Kosovë, u shpreh edhe në kulturën materiale dhe shpirtërore të banorëve të kësaj treve. Nga artet figurative më së tepërmi depërtoi arkitektura, e cila la vulën kryesore në ndërtimtarinë e Kosovës.

Nga periudha osmane në teritorin e Kosovës mbeten mjaft vepra sakrale, xhamia të cilat veçohen me monumentalitetin e tyre. Një ndër këto monumente me vlerë është pa dyshim edhe xhamia e Haddimit në Gjakovë. Kjo vepër e mbuluar me kube i takon formës klasike të xhamive.

Xhamia e Haddimit përbëhet nga këto pjesë: salla e lutjeve (faljeve), hajati (portiku) që zë vend në fasadën veriore të veprës si dhe minaresë. Për rreth xhamisë janë varret ku në të kaluaren varrosësen anëtarët e familjeve të njohura të Gjakovës.

Si material ndërtimor konstruktiv është përdorur guri i latuar marrë në afërsi të Gjakovës, matanë lumit Erenik, e në mes të Devës dhe fshatit Guskë. Dekorimet plastike, ornamentet nuk prezentohen në xhami pos në parapastën e minares.

Salla e lutjeve ka vëllim unik dhe është e mbuluar me kupolë. Kjo sallë ka planimetri katrore, në të hyhet nga dera e cila gjendet në fasadën veriore. Dera është e mbuluar me arkitrah. Salla me vëllimin e saj unik , është e mbuluar me kupolë të konstruktuar drejtpërsëdrejti mbi të nëpërmjet të trompeve në qoshet. Madhësia e kupolës është 13,50 m.

Për këtë është specifike se kupola qëndron në tetë pilastra të forta dhe në konstruksion të trompeve.

Kjo mënyrë e konstruktimit paraqet vetëm zgjedhje të këtillë ndërtimore në ishJugosllavi . Zgjedhje të këtilla hasim edhe në Shqipëri. Muret e rrafshta në këtë xhami mbarojnë me harqe të vijuara nga trompet, në pjesët ku mbarojnë harqet dhe fillon kupola, krijohet korniza. Duhet të ceket se kjo kupolë nuk ndriçohet nga asnjë dritare, pra është e verbër. Sa i përket ndriçimit, salla e lutjeve merr dritë nga gjithsejt 11 dritare. Çdo faqe e kubit, për dallim nga ajo veriore, ku ndodhet hyrja ka 3 dritare. Dritaret janë të vendosura në dy rradhë, në formë piramidale. Në radhën e parë janë të konstruktuara nga dy dritare në çdo faqe të kubit. Këto dritare kanë qenë të mbuluara me hark, por tani janë me arkitrah (kjo gjë mund të vërehet edhe me sy nga fasada e jashtme). Ndërkaq në radhën e dytë ka të konstruktuar vetëm një dritare. Kjo dritare me hark të mprehtë ndodhet pikërisht nën harqe, në tre muret anësore, pos asaj veriore. Dritaret e xhamisë së Haddimit nga jasht janë të siguruara me parmak të metaltë.

Si në çdo xhami edhe në këtë të Haddimit, përballë hyrjes është mihrabi. Ky element është i thelluar në mur në formë unike me stabaktike në pjesën e sipërme gjysmë konike. Pos mihrabit, në të djathtë të tij është mimberi që sherben për predikime. Mimberi përbëhet prej: derës, shkallëve dhe balldahinit. Pra siç shihet, mimberi ka formë tradicionale të trajtave të mimbereve dhe është i punuar në tërësi nga druri. Të tëra elementet e drurit janë të gdhendura dhe të pikturuara në atë mënyrë që i përgjigjen trajtimit tektonik të këtij elementi.

Nga druri është i realizuar edhe mafili, i cili qëndron mbi shtylla të drurit. Mafili është i vendosur në anën veriore mbi hyrjen për në sallën e lutjeve, në tërë gjerësinë e saj. Në mafil arrihet nëpërmjet shkallëve të minares dhe atë nga salla e lutjes. Sikurse pjesët tjera të xhamisë edhe mafili është i tërë i pikturuar, natyrisht me motive të botës bimore. Dyshemeja e xhamisë të zënë në gojë është nga dheu i shkelur dhe e shtruar me qilima.

Shikuar nga jasht vëllimi kryesor me kupollë përbëhet prej pjesës kubike dhe tamburit me kupollë. Vëllimi kryesor është i konstruktuar nga gurët e latuar dhe nuk ka suva. Një muratim i këtillë vazhdon deri në fillim të kupollës

Për të realizuar, (konstruktuar) kupollën nga vëllimi i kubit është kaluar në tetëkëndësh. Në këtë rast, gjatë këtij proçesi të ngushtimit, në katër qoshet, formohen trekëndëshet të cilat në të dy anët e jashtme mbarojnë në kurorë dhe janë të mbuluara me plumb. Pjesa konstruktive e cila fillon nga vëllimi e vazhdon, përfundon në kurorë ku fillon kupolla paraqet tamburin. Tamburi në xhaminë e Hadumit në Gjakovë, është e ulët dhe tetëfaqëshe. Nga kurora e tamburit fillon mbulesa me plumb të kupollës së xhamisë në fjalë.

Hajati (portiku) i xhamisë së Hadumit përfshin fasadën veriore dhe ka një zgjidhje tradicionale të këtyre ambienteve. Hajati shërben (në rast nevoje kur në sallën e lutjes nuk ka vend apo arrihet me vonesë) për lutje. Hajati mbulohet me tri kupolla të madhësisë së vogël. Këto kupolla po sikurse edhe ajo kryesorja janë të mbuluara me mbulesa të plumbit.

Nga jasht në portik arrihet në mënyrë direkte. Portiku është në nivelin e dyshemesë së sallës së lutjeve, (faljeve). Prej koridorit të portikut e cila ndan në dy pjesë të barabarta veprën, arrihet në sallën e faljeve. Dyshemeja e portikut, hajatit si përherë është në nivel të lartë nga dyshemeja e sallës së lutjeve dhe të terenit pranë xhamisë së Hadumit. Pra siq shihet dyshemeja e hajatit të xhamisë në fjalë paraqitet si një podium dhe kështu shërben si një bazament ndaj arkadave mbi shtylla, kolona.

Arkada veriore, pra e ballit kryesor të xhamisë përbëhet prej tri harqeve që mbështeten në katër shtylla. Shtyllat e hajatit të xhamisë nuk janë monolite por të konstruktuara nga disa pjesë. Këto kolona (shtylla) nuk kanë bazament dhe paraqesin një gjë të rastit në arkitekturën osmane. Poashtu edhe kapitelet e shtyllave janë tejet modeste ku të vetmin dekorim paraqesin unazat e materialit të mesingut.

Nga ana lindore dhe perëndimore paraqiten vetëm nga një hark të mbështetur në kolonën e arkades veriore dhe murin në fasadën kryesore të objketit.

Këtu bëmë analizimin e portikut, hajatit i cili është ndërtuar në një kohë me sallën e lutjeve dhe i takon, natyrisht projektit fillestar të xhamisë së Hadumit. Mirëpo ne këtu, në anën veriore kemi edhe një pjesë të zgjedhur të hajatit e cila përfshin gjërësinë e arkadës kryesore. Kjo pjesë e shtuar nuk i takon kohës së projektit fillestar por është ndërtim i decenieve të para të shekullit XIX. Po si kupollat tjera edhe kjo pjesë e zgjeruar me çati druri një ujëshe me tavan të rrafshtë është e mbuluar me mbulesë të plumbit. Kjo pjesë konstruktive e realizuar nga materiali i drurit në pjesën veriore qëndron mbi shtyllat e drurit.

Edhe pse nga aspekti konstruktivo - arkitektonik nuk i përgjigjet kohës së ndërtimit ekzistues, mendojmë se në një mënyrë dhe masë është koordinuar në ambientin e tanishëm dhe si i tillë me vlerën e saj historike të kohës duhej edhe më tej të jetojë , të paraqitet si pjesë përbërëse e ambientit dhe kompleksit të xhamisë së Hadumit edhe pse për këtë kemi mendime të kundërta.

Si pjesë e pandarë dhe me rëndësi është edhe minareja e cila si zakonisht zë vend në të djathtë të sallës së lutjeve. Në minare arrihet nga enterieri i xhamisë me ndihmen e portës së vogël e cila është në nivel të dyshemesë të sallës së lutjeve. Portë të vogël kjo minare ka edhe në mafil nga komunikohet me këtë ambient apo prej kësaj pjeseje me minaren.

Baza e minares është këndëdrejtë dhe vazhdon deri në lartësi të çatisë trekëndëshe, në anën veriperëndimore të xhamisë. Në këtë pjesë muratimi përfundon me një kornizë të gurit. Nga korniza e cekur trupi i minares kalon në formë shumë këndore dhe shkon duke u ngushtuar gjer në kornizën e dytë. Distanca në mes kornizave nuk është e madhe. Prej lartësisë së kornizës së dytë, trupi i minaresë gjithmonë, lehtazi duke u ngushtuar vazhdon deri në kazan - sherifeja. Para kazanit egziston edhe një kornizë. Kazani në lëshime anëcake në disa rende gurësh të latuar del nga muri perimetral të trupit të minaresë dhe kështu fiton një gjerësi sa për të lëvizur në rast nevoje, për kryerjen e ndonjë ceremonie të caktuar fetare. Kazani e ka edhe parapetën e tij. Kjo pjesë, pra kazani - sherifeja në xhaminë e Hadumit edhe të vetmin element ku prezentohen edhe punimet në reliev, plastikë të imët. Daljen në kazan e mundëson një portë e ngushtë dhe e ulët. Konstruksioni i minares nuk mbaron me kaq, po, tani mbi kazan vazhdon pjesa e sipërme e cila mbaron me çati të drurit në formë konike dhe është e mbuluar me mbulesë të drurit.

Funksioni i minares që nëpërmjet të shkallëve të saja të arrihet në kazan - sherife. Shkallët janë nga gurët që pjesërisht lëvizin ndaj njëri tjetrit. Enterieri i minares në xhaminë e Hadumit ndriçohet me një numër të vogël ditaresh. Këto dritare kanë formë të frengjisë. Dritaret të zëna n'gojë pos fuksionit të cekur luajnë edhe rrolin e ajrosjes së minares.



PIKTURAT MURALE

Në xhaminë e Hadumit në Gjakovë, në veprën arkitektonike osmane e ndërtuar në decenien e fundit të shekullit XVI, na prezentohet edhe piktura murale e cila është karakteristike për këto objkete të kultit. Enterieri, fasada kryesore e xhamisë së Hadumit, hajati, janë të dekoruara me pikturë murale të realizuara në seko teknikë. Motivet kryesore janë peisazhet e taktizuara ( në ca raste edhe me motive të arkitketurës popullore, kullave të rrafshit të Dukagjinit) me selvi, motive arkitektonike të objekteve të kultit, xhamive, ornamente bimore, figurat gjeometrike si dhe citatet e Kur'anit. Dekorimet e zëna n'gojë, paraqiten në kube, kurorë nishe, harqe dhe trompe. Njëherit duhet cekur se edhe mihrabi, mimberi, mafili si dhe pjesët e sallës së lutjeve, poashtu janë të dekoruara me piktura murale. Të tëra këto piktura murale të konzervuara dhe të restauruara. Kjo punë e cekur u bë në disa faza gjatë viteve 1977 - 1981 nga ekipi i piktorëve të Entit Krahinor të Mbrojtjes së Monumenteve të Kulturës. Me këtë rast do të japim parashkrimin, analizën e pikturave murale, arabeskave të konservuara dhe të restauruara të këtij objekti. Meqë punimet u bënë duke filluar prej pjesëve më të larta pra prej kubesë atëherë poashtu do të jetë edhe përshkrimi.



Në pjesën qendrore të rozetës gjenden të pikturuara gjethet. Ngjyra dominuese në këto gjethe është e kuqja dhe e kaltëra. Këto gjethe janë të përqëndruara gjer në unazën e parë të rozetës. Hapsira në mes të gjetheve të përmendura dhe të unazës së parë përmbanë ton të përhimtë, po të njejtin ton që ka edhe pjesa dominuese e kubesë pa dekorimet pikturale. Unaza e parë e rozetës fillon në konturë rrethore të ngjyrës së kaltër. Kjo unazë është plotësuar me dekorime nga bota bimore ku dominon ngjyra e kaltër. Sfondi i kësaj unaze është oker. Poashtu në unazën e dytë vërejmë motivet nga bota bimore të pikturuara me ngjyrë të kaltër, kurse sfondi është i kuq. Unaza përfundon me konturë të kaltër e prej së cilës dalin dekorimet, gjethet të stilizuara të së njetës ngjyrë. Me këtë përfundon dekorimi në pjesën më të lartë të kubesë, pra në rozetë. Nga rozeta e gjer në pjesën dirkte mbiunazore të kubesë nuk ekzistoijnë dekorimet. Kjo pjesë e cila përfshinë edhe hapsirën më të madhe të kubesë përmban ton të përhimtë.

Në unazë si dhe në pjesët tjera direkte mbiunazore të kubesë, motivet kryesore të dekorimit janë të botës bimore, figurat gjeometrike, citatet e Kur'anit si dhe motive arkitektonike. Këto motive bëjnë pjesë në pikturat murale më të bukura dhe me të vlefshme për nga vlera artisktike të kësaj vepre arkitektonike osmane. Interesant është se në kubenë e kësaj vepre nuk ekziston asnjë dritare por në vend të tyre janë të pikturuara në mënyrë dekorative tetë dritare. Këto dritare janë të lidhura dhe të pandara nga motivet e unazës. Dekorimet e unazës me motive të botës bimore (gjethe) të stilizuara në mënyrë lineare pandërprerë vazhdojnë nëpër dritaret e përmendura. Motivet në këto dritare janë të botës bimore, figura gjeometrike dhe citate të Kur'anit. Dritaret në pjesën e brendshme i kanë harqet (litarin harkor) kurse në pjesën e brendshme të harkut janë citate nga Kur'ani. Ngjura dominante në këto dritare është e kaltëra e kuqja, oker dhe e zeza (e zeza përdoret vetëm në citatet e Kur'anit). Në mesin e dy dritareve është nga një motiv e në të dy anët e motiveve janë të pikturuara selvitë. Të tërë selvitë kanë një formë dhe i përngjajnë njëra tjetrës në çdo pikëpamje. Në pjesët mbiunazore pos tjerash, janë të pikturuara edhe motive me përmbajtje arkitektonike, xhamitë. Këto piktura murale nuk kanë të bëjnë aspak me modelin e veprës ku ekzistojnë.

Mirëpo në mesin e këtyre realizimeve, në pjesën lindore është me rendësi dhe është interesante një komponim me elemente arkitektonike si pjesë përbërëse e pikturës. Me këtë rast posaçërisht do të ndalemi në analizën e kësaj piktureje.

Autori në qendër të komponimit i ka grumbulluar elementet, veprat arkitektonike si sarkale poashtu ato profane. Nga veprat sarkale janë të pikturuara dhjetë xhami të vendosura pesë nga pesë në të djathtë dhe në të majtë të komponimit. Këto vepra si elemenete të komponimit janë tejet identike. Kjo ngjashmëri përsëritet edhe në objektet e ndërtimtarisë folklorike, në kullat e rafshit të Dukagjinit të cilat poashtu pikturohen dhe janë pjesë e komponimit në fjalë.

Në këtë komponim është fusha e gjelbër me drunjë të stilisuar si pjesë të piktures duke zënë edhe planin e parë në këtë realizim. Drunjtë prezentohen edhe në pjesën qëndrore të komponimit ku janë të pikturuara motivet arkitektonike. Mbi këto motive është qielli i kaltër. Komponimi është i kornizuar. Kornizën e përshkruajnë lulet e stilizuara. Ngjyra dominuese në komponim është e gjelbëra, e kaltëra dhe e përhimëta.

Shikuar në tërësi këtu kemi të bëjmë me një pikturë me vlerë artistike. Në këtë komponim nuk ëstë vështirë të vërehet se autori nuk ka ndjeshmëri për proporcione, nuk e njeh përspektivën. Ai, elementet e komponimit, ndërtimet arkitektonike i vendos në njërën mbi tjetrën. Mirëpo pa marrur parasysh vlerën e saj artistike ky komponim ka një rëndësi të një pikture dokumenti. Piktura ka një vlerë të posaçme meqë me një mënyrë tregon, dokumenton, paraqet disa objekte ekzistuese në gjysmën e pare të shekullit XIX (kur është edhe pikturuar) në Gjakovë apo edhe në rrethinën e saj. Në saje të disa elementeve konstruktivo - arkitektonike (karollhanes, dyshekllëkut) të prezentuara në këtë komponim mund të konkludohet se autori i njeh mirë rrethanat dhe objektet në këtë trevë të Dukagjinit dhe mu për këtë nuk është vështirë të arrihet në përfundim, se mjeshtri, piktori është vendas.

Loja në mënyrë mjeshtrore e linjave më së miri mund të vërehet në motivin që poashtu gjendej në anën lindore të kubesë. Këtu dominojnë figurat gjeometrike si dhe ato të botës bimore (akantusi i stilizuar). Në pjesën e brendshme të figurave janë tërhequr linja horizontale dhe vertikale, të cilat japin formën e rrjetës. Në brendi të disa figurave gjeometrike, në rrjeta janë të pikturuara lulet me ngjyrë të bardhë dhe të kuqe. Ngjyra dominuese në këtë motiv është e kuqja e kaltëra dhe oker. Kjo lojë e linjave vërehet edhe në motivin e anës verilindore. Poashtu edhe në anën veriore të kubesë është pikturuar motivi i pavarur me tematikë të botës bimore (gjethe të stilisura dhe lulet). Këtu vërehet edhe një objekt i natyrës së qetë, amfora antuike, por si pjesë përbërëse e veprës. Nga amfora e përmendur dalin lulet. Motivet e natyrës së qetë paraqiten edhe në dekorimet në pjesën perëndimore të kubesë. Në këtë anë gjendet edhe një pikture murale me motive të botës bimore.

Ndërkaq në unazën e kubesë dominojnë figurat gjeometrike, rrathët dhe polikandët e në to citatet e Kur'anit si dhe emri i All-llahut xh.sh. i Muhammedit a.s. dhe pasardhësve të tij. Emri i All-llahut xh.sh. është shkruar në pjesën ballore të sallës të lutjeve, kurse duke shkuar nga e majta vjen emri i Muhammedit a.s. dhe pasardhësve të tij. Emrat janë të vendosura në radhë ndërsa citatet e Kur'anit dhe kështu me radhë. Poashtu në këtë pjesë janë të pikturuara edhe gjethet e stilisura dhe lulet. Trompa jug - perëndimore si dhe ajo juglindore përkah motivi janë të njejta dhe i përmbajnë po ato elemente karakteristike të dekorimit të kësaj vepre. Në qendër është teksti i Kur'anit i vendosur në radhë në formë të elipsës (kjo është karakteristike për të tërë trompën). Këso elemente, elipsa dekoruese por me madhësi më të vogla kemi edhe në të dy anët e kësaj, të kryesorës. Brendësinë e sipërfaqës së elipsave e dekoron buketi i trëndafilave. Ky motiv vërehet edhe në trompën verilindore kurse në atë veriperëndimore nuk kemi. Sipërfaqet tjera të trompeve jugperendimore dhe juglindore e dekorojnë lulet, gjethet e stilisura të akantusit, rrathët në formë të elipsës motivi në formë të rrjetës e në lulet e stilizuara. Ndërkaq trompet verilindore dhe veriperëndimorë e dekorojnë kryesisht motivet në formë të rrjetës e në të lulet e stilizuara.

Hapësira nënharkore, nishat ku edhe ekzistojnë dritaret (pos asaj veriore nuk kemi dritare) gjithashtu e dekorojnë motivet cilësore të pikturës murale në këtë objekt. Elementet dekoruese në sipërfaqen mbi mihrab janë: citatet e Kur'anit, gjethet dhe lulet e stilizuara, mirëpo në këtë hasim edhe në motivin e rrushit gjë që është rast i vetëm në dekorimin e kësaj vepreje. Dekorimet e këtilla por pa motivin e rrushit kemi edhe në hapsirën e anës perëndimore, veriore dhe lindore. Në vend të elementit të cekur, pra rrushit këtu paraqiten selvitë si dhe trëndafilat të cilët dalin nga vazat (pos të asaj perëndimore nga ana e majtë e dritares të cilën mjeshtri për shkak të sipërfaqes jo të mjaftueshme e paraqet pa vazo). Të tërë pjesët ballore të harqeve i përshkojnë rrathët në formë të elipsës, të lidhura në mes veti në formë të pa ndërprerë të cilat fillojnë nga pilastra ku edhe prezentohet motivi i cekur i trëndafilit. Në sipërfaqet e brendshme të elipses kemi motive bimore, lulet e stilizuara. Këtu motiv nuk kemi vetëm në pjesën e lartë të harkut, në ato vende ku harku arrinë në unazë. Këtu paraqitet teksti i Kur'anit. Ndërkaq pjesët tjera të harqeve ballore i dekoron elementi i njohur në formë të rrjetës, e në të lulet e stilizuara.

Në sipërfaqet e dekoruara të cilat formohen në vendet ku fillojnë harqet mbi pilastra paraqitet citati i Kur'anit si dhe elementi veçantë i njohur i rrjetës. Elementin e rrjetës nuk e kemi në ballin kryesor të xhamisë. Në vendd të këtij motivi janë të pikturuara ato të botës bimore, lulet e stilizuara. Muret në sallën e lutjeve, palistrat, dritaret mimberi, muhrabi dhe mafili dekorohen poashtu me motivet e botës bimore, citatet e Kur'anit si dhe figurat gjeometrike. Citatet e Kur'anit prezentohen mbi dritare, në timpanone. Këtu pos palistrës veriore e cila dekorohet me motivin e rrjetës të tjerat janë me motive të gjetheve të akantusit. Dritaret i përshkon motivi i luleve të stilizuara të ngjyrës së kaltër pastaj motivi në formë të rrjetës, lulet e stilizuara me në fund gjethet e ngjyrës së kaltër dhe të kuqe.

Dekorimet pikturale, në seko teknikë paraqiten edhe në hajatin, portikun e xhamisë dhe në fasadën me kupola në harqe si dhe në pjesën ballore të hajatit.

Në këtë pjesë të xhamisë, sikurse edhe në enterierin e saj prezentohen motivet e botës bimore, arkitektonike dhe citate të Kur'anit. Për dallim nga dekorimi në enterier këtu prezentohet edhe motivi i yllit bosh, të shpuar. Ky motiv na prezentohet në kupollën e mesme të hajatit si dhe në ballin kryesor poashtu të këtij ambienti. Në fasadën kryesore të sallës lutëse (natyrisht nga jasht) mbi portalin e saj prezentohet motivi i xhamisë së Haddimit në disa kulla të rrafshit të Dukagjinit si elemnte përbërëse të komponimit (një motiv të këtillë e kemi pasur edhe në enterierin e xhamisë). Pos këtij motivi natyrisht se këtu paraqiten edhe lulet e gjethet e stilizuara si dhe citatet e Kur'anit. Dekorimet i përshkojnë edhe dritaret në të dy anët e portalit kryesor te xhamisë.

Përqendrimi kryesor i dekorimit piktural, në hajat e cila veçohet nga vlerat artistike është kjo e kubesë së mesme. Këtu paraqitet simboli i yllit bosh (dy yje) njëra është e ngjyrës së kuqe ndërsa tjetra e përhimtë. Pjesën qëndrore të këtij motivi e dekorojnë lulet e stilizuara. Motivin në fjalë e konturojnë dy rrathë të cilat distancohen në mes veti afër 20cm. Në hapësirën e distancuar të rrathëve paraqiten gjethet e stilizuara të kombinuara me ngjyrë të kaltër dhe të kuqe. Motivi i përshkruar përsëritet edhe në pjesët tjera të kubesë, gjerë në motivin e rrjetës, të vendosur në figura gjeometrike, trekëndëshe dhe romboide. Në unazën e Kubesë janë të pikturuara gjethet e stilizuara të ngjyrës së kaltër dhe të kuqe. Sfondi i tyre është i gjelbër.

Motivi i rrjetës i ngjyrës së gjelbër dhe të kaltër paraqitet në dy trompe, ndërsa në të tjerat lulet edhe gjethet e stilizuara të akantusit. Rrjetat e cekura na prezentohen edhe në pjesët ballore të harqeve pos asaj të ballit kryresor ku pikturohen rrathët sferike.

Edhe dy kubetë anësore të xhamisë dekorohen me lule dhe gjethe të stilizuara si dhe me citatet e Kur'anit.

Ballin kryesor të hajatit e pikturojnë motivet dekoruese të rozetave (gjithësejtë katër) prej të cilave dy nga dy janë të njejta. Në mesin e rozetave prezentohen yjet bosh, ndërkaq anash motivi i lules. Në harqet e ballit të hajtit paraqiten rrethe sferike e në to rrjetat me lule të stilizuara. Shtyllat në hajtin e xhamisë janë të lyer në të bardhë por edhe këto ishin të dekoruara me figura gjeometrike të ngjyrës së kaltës.



FAZAT E PIKTURIMIT

.

Këto dekorime të analizuara dhe të përshkruara në enterier, fasadën kryesore si dhe në pjesët tjera të portikut të realizuara në seko teknikë, me motive të pejsazheve të silizuara, me selvi, motive arkitektonike, ornamente bimore, figura gjeometrike dh ecitate të Kur'anit janë punime pikturale të cilat i takojnë shtresës së tretë të kësaj vepre osmane. Shtresa e tretë dekoruese është realizuar në vitin l260 (sipas hixhrit). Në bazë të kalendarit të tanishëm piktura në xhaminë e Haddimit është bërë më 1841. Këtë e dokumenton data e shënuar në timpanonin e portalit kryesor. Pos datës - vitit këtu ekziston edhe ky shënim i cili në përkthim të lirë do të ishte: " Data e meremetimit të kësaj xhamie Sylejman, Perëndia i cili është tepër falës ia dhuroftë të mirat, 1260". Duhet cekur se edhe në këto piktura të shtresës së tretë në mes dy luftërave botërore u muarën disa masa mbrojtëse nga mjeshtri (piktori) i Gjakovës Ismail Qarri. Këtij i ndihmoi edhe Ahmed Qarri.

Gjatë punimeve konzervuese - restauruese në dekorimet pikturale të xhamisë së Haddimit, përkatësisht në kubenë e meseme të hajatit (më 14.07.l981) u bënë edhe disa sondime. Me këtë rast, gjatë sondimit arritëm në përfundim në saje të dëshmisë ekzistuese, pikturës murale se ekzistojnë edhe dy shtresa të mëparme të realizuara në seko teknikë.

Dekorimet pikturale të shtresës së parë i karakterizojnë motivet gjeometrike si dhe ato të botës bimore lulet e stilizuara. Motivi gjeometrik i punuar në ngjyrë të zezë e përshkon pjesën direkte mbi unazore. Këtu prezentohen dy linja horizontale të trashësisë 2,5cm. Dhe janë të distacuara në mes veti për 10 cm. Në mes të këtyre linjave janë të vendosura edhe linjat po të trashësisë së njejtë të cilët njëherit edhe bashkojnë këto dy elemente të këtij motivi. Nga faza parë janë të ruajtura edhe motivet në kubenë e hajatit. Këtu prezentohen motivet e stilizuara, motive të botës bimore - luleve si dhe fihgurat gjeometrike. Ngjyra e tyre është e kuqe (qeremide). Lule të stilizuara janë të kontuara me nga dy linja të ngjyrës së zezë.

Dekorimet pikturale të shtresës së parë mendojmë se duhet ti takojnë fillimit të shekullit XVII pra janë të realizuara menjëherë pas ndërtimit të objektit, xhamisë së Haddimit.

Mbi shtresën e parë të pikturës paraqitet edhe shtresa e dytë e cila është prezente edhe në kupola të tjera të portikut. Motive dekoruese përfshijnë pjesët direkte mbiunazore si dhe tërë kupolën e mesme mbi portalin hyrës të xhamisë. Nga motivet si dhe çdo herë paraqiten lule të stilizuara si dhe figura gjeometrike - linjat zikzake. Këto motive lule prezentohen dhe e përshkojnë tërë pjesën mbiunazore. Ngjyra dominuese në to është e kuqe kurse e zeza i konturon këto motive. Pos kësajë konture të zezë ato i përshkon edhe një konturë tjetër e ngjyrës së kuqe. Distanca, hapsira në mes luleve është e dekoruar me pika të ngjyrës së zezë dhe ngjyrës së kuqe (një e zezë, një e kuqe) gjë që kështu edhe përsëritet në tërë pjesën mbiunazore . Mbi këto motive prezentohen tash motivet e botës bimore, lulet e stilizuar të cilat dalin si duket nga vazat. Në pjesën e sipërme të motiveve të përshkruara (lulet që dalin nga vaza) pikturohen, përsëriten ato të pjesës mbiunazore, lulet e stilizuara të ngjyrës së kuqe të cilat konturohen me dy kontura të ngjyrës së zezë, pastaj dekorimi pasurohet me vija zikzake dhe me linja që përshkojnë tërë kupolën.

Dekori i fazës së dytë poashtu sipas mendimit tim duhet supozuar se është realizuar në shekullin XVIII.

Këtu duhet cekur se gjatë fazave të para të punëve mbrojtëse, konzervuese - restauruese e që përfshiu realizimet në enterierin e xhamisë, përkatësisht në kubenë kryesore si dhe në muret e sallës së lutjeve u bënë edhe sondimet por ekipi i piktorëve konzervues nuk hasi (pos në pikturat e shtresës së tretë) në dekorime, elemente të fazës së parë dhe të dytë e këto që ishin prezente në hajtin e xhamisë. Mirëpo mendojmë se është e pamundur që kjo sallë e lutjeve nuk ishte dekoruar me piktura murale. Salla e lutjeve si pjesë kryesore e xhamisë shërbeu dhe në të përherë u bënë, u mbajtën ceremonitë fetare. Mu për këtë është dashur të jetë e dekoruar edhe para kësaj shtrese tani ekzistuese. Poashtu mendojmë dhe nuk e shoh të arsyeshme që hajati të jetë dekoruar dhe t'i ipet një tretman më i volitshëm për dallim nga salla e lutjeve përkatësisht enterieri i saj. Ekziston mundësia (kur kishim me u bazuar në sondimet e piktorëve të bëra gjatë fazës së parë të konzervimit) që prej kohe suvaja e enterierit e posaçërisht të kubesë të jetë rrënuar?!. Kjo e thënë është vetëm një supozim dhe si e tillë mund të ngelë, derisa nuk arrinë në fakte tjera të cilët kishin me e dëshmuar të kundërtën.

Në fund mund të konkludojmë se xhamia e Haddimit në porpocionet, format e saja, përmbanë në vete diç të fuiqishme e me çka ndikon dhe i jep një ngrohtësi objektit është koordinuar dhe jeton edhe sot në ambientin e Çarshisë së Madhe në Gjakovë.



Prof. Fejaz Dranqolli

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.