Shtypi islam shqiptar gjatë viteve 1912 – 1946

Seda i Milet, 1913 – 1914, Shkodër.
Udha e s’Vërtetës, Tetor – Dhjetor 1923, Shkodër.
Zani i Naltë, Tetor 1923 – Prill 1939, Tiranë.
Kultura Islame, Shtator 1939-Shkurt 1946, Tiranë.

Media prej më shumë se dy dekadash ka zënë një vend të pazëvendësueshëm në jetën sociale. Pozita e saj konsiderohet sot në botën “demokratike” si Pushteti i Katërt, mbas atij Legjislativ, Ekzekutiv dhe Gjyqësor. Madje në ditët tona është shndërruar në një opozitë të vërtetë, si i vetmi organ që mund ta lëkundë pushtetin, madje ta detyrojë një qeveri të japë dorëheqjen, apo individë të shkarkohen nga detyrat që kanë.

Një pjesë me rëndësi në media zë dhe shtypi i shkruar ditor apo periodik si: gazetat ditore, javore, etj. revistat kulturore, sociale, shkencore, etj., prandaj dhe për shtypin e shkruar ka një konsideratë të veçantë ashtu si për median vizive.

Por nëse kthehemi pas në vite, pozitën që ka sot media vizive e ka patur media e shkruar, SHTYPI, që ka qenë për mbarë shoqërinë: mjet informimi, denoncimi, vend në të cilin shpaloseshin idetë, bisedohej dhe debatohej për këto ide, në njëfarë mënyre edukohej shoqëria me të gjitha format. Gjithë këto që përmendëm vlejnë për mbarë botën e “lirë”, gjithashtu për Shqipërinë, derisa vendi u pushtua nga “vendasit”, pra derisa u vendos regjimi komunist, i cili jo vetëm e censuroi shtypin, ashtu si mund të bëjë çdo regjim, por e bllokoi totalisht fjalën e lirë, duke lejuar vetëm shtypin që drejtohej nga vetë regjimi.

Një pjesë të rëndësishme në shtypin shqiptar ka zënë edhe shtypi islam gjatë viteve 1912-1990. Do të ndalemi shkurtimisht, në pasqyrimin e tematikës të secilës gazetë apo revistë, pasi për të treguar vlerat e secilës prej tyre nuk do të mjaftonte një studim i tërë, madje për disa nga këto revista do të duheshin vëllime të tëra për t’i trajtuar ose analizuar ashtu siç vërtetë e meritojnë.

Rrugëtimin tonë të shkurtër do ta fillojmë me gazetën e parë fetare në gjuhën shqipe mbas vitit 1912, për të cilën ka të dhëna që ka ekzistuar dhe është botuar në Shkodër në vitin 1913-1914. Kjo gazetë quhej SEDA I MILET (Zëri i Kombit) dhe ishte botim javor në dy gjuhë, osmanisht dhe shqip, fetare, informative, kulturore, akuzohet nga një gazetë tjetër me emër e kohës si Shqypnia e Re[1], e cila ndër të tjera e akuzon SEDA-n si gazetë xhon-turke dhe antikombëtare për shkak të gjuhës së dytë me të cilën botohej dhe se në një nga numrat e saj kjo gazetë kishte kërkuar që princin-mbretin që do të zgjidhej për shqiptarët të ishte mysliman, prandaj dhe kërkon që të mbyllet si gazetë, ndërsa “Seda i Milet” i kundërpërgjigjet dhe argumenton se është atdhetare edhe pse në të shkruhet veç gjuhës shqipe edhe osmanisht, edhe pse kërkon mbret mysliman, këtë e bën ngaqë më shumë se shumica e popullsisë shqiptare (mbi 70%) është myslimane e për këtë duhej që dhe mbreti të jetë mysliman, por kjo s’do të thotë që është “armike” e kombit, dhe kështu mbron veten ndaj sulmit që i bëhet. “Seda i Milet” mbyllet në vitin 1914, pra jetëgjatësia e saj ishte relativisht e vogël, por jehona e saj ishte e madhe dhe ishte gazeta hapëse e shtypit të myslimanëve suni në gjuhën shqipe.

Mbas 1914 deri në Kongresin e Lushnjës 1920, Shqipëria kaloi vite mjaft të vështira, dhe gjatë këtyre viteve nuk ka patur një gazetë islame në shqip. Do të kalonin disa vite, derisa të vendosej që do të botohej shtypi islam në shqip. Kështu, më 1923, në Shkodër do të botohej revista UDHA E S’VËRTETËS [2]. Revista doli vetëm 3 numra, Tetor-Nëntor-Dhjetor 1923 dhe drejtohej nga Hoxhë Kadri Prishtina[3]. Kjo revistë sot gjendet në Bibliotekën Kombëtare, një kopje e vetme, ku janë përmbledhur të tre numrat në një libër me 96 faqe.



Kjo revistë ishte e mirëfilltë fetare, por trajtonte dhe çështje sociale, atdhetare, kishte dhe një rubrikë me lajmet botërore, në të cilën informonte për çështje mjaft me rëndësi. Revista ishte e një niveli të lartë, e kjo vërehet nga shkrimet që ka publikuar.

Në faqen e parë kishte këtë thënie: “Kërkimi i s‘vërtetës është e drejt e mendjes”.

Temat që trajtoi kjo revistë për fat të keq jetëshkurtër ishin:

Udha e s’Vërtetës 1

Parathënie [mbi përmbajtjen e revistës]; Nevoja e fesë [pse na duhet feja]; Feminizma-Martesa me Kunorë [domosdosh. e martesës, mënyra si duhet të bëhet etj. etj.]; Lajme [mbi Fiumen debatet Itali-Serbi dhe se pasojat që do t’i kishte Shqipëria nga këto bisedime, shfrytëzimi i Gjermanisë nga Franca….. etj.]

Udha e s’Vërtetës 2

Burimi i mendimit të besimit në njerëzi [Nga buron besimi i njeriut, arsyet bse duhet besuar]; Profesioni ma i keq [flet për politikanët]; Bisedim [për një çështje; fillim i një debati]; Kuvendi i Kostiuentes [parlamenti kushtetues]; Letër e Hapur [drejtuar një Drejtori shkolle i cili ishte i krishter në Shkodër, që kishte dezinformuar nxënësit mbi çështjen e fesë islame dhe historisë së Profetit, madje sipas H. Kadrisë ai kishte ofenduar fenë, etj. vazhdimi i debatit të nisur në temën nr.3]

Udha e s’Vërtetës 3

Hytbe [e Vehbi Dibrës, shumë e bukur kjo hytbe]; Letër e Hapur [vazhdon nga nr.2, debati]; I ndershmi z. H.Kadri [përgjigja e drejtorit të shkollës nga Shkodra, duke thënë që ka qenë një keqkuptim ajo çka ai kishte bërë]; Besimi i Natyrës [natyrshmëria e besimit].

Po në të njëjtin muaj, Tetor të vitit 1923, paralelisht me “Udhën e s’Vërtetës”, nisi të botohej në Tiranë, revista “ZANI I NALTË”[4], e cila vazhdoi deri në Prill të vitit 1939, drejtori i parë i të cilës ishte Ismail Maçi (1923-1926)[5]. Më pas, për një kohë fare të shkurtër drejtimin e mori Shyqyri Myftiu, që u zëvendësua nga Isa Domni (1927-1929), dhe drjetor i fundit ishte Haki Sharofi (1930-1939).



Botimi i revistës ka rënë në sy të studiuesve vendas dhe të huaj, si i mirënjohuri Roberto M. Dela Rocca, i cili thoshte për revistën se “është një rrjedhojë e riorganizimit të kryer në kongresin e marsit (1923). Revista ka tone të spikatura patriotike dhe radhitet pa rezerva për një reformë të Islamit shqiptar në një drejtim modernizues.”[6] Ndërsa Iliaz Gogaj thekson se: “Kleri musliman me anën e organit të tij ‘Zani i Naltë’ dhe firmat e H. Ali Korçës e klerikëve të tjerë u bënë zëdhënës të lirisë së mendimit shoqëror. Në mbrojtje të bashkësisë kombëtare, të solidaritetit e të paqes sociale, me gjuhën e kulturës…”[7]

Revista do të ishte kaq shumë e kërkuar nga myslimanët por jo vetëm, për vetë vlerat që mbartte, pasi në të shkruanin personalitete të shquara të kohës, duke filluar nga Vehbi Dibra, H. Ali Korça, H. Ibrahim Dalliu, H. Ismet Dibra, etj., të cilët ishin drejtues të KMSh-së, njëkohësisht dhe parlamentarë e drejtues të shtetit shqiptar si: Salih Vuçiterni e shumë të tjerë. Qëllimi i kësaj reviste ishte, ashtu si vetë bashkëthemeluesit e saj, klerikët e nderuar e përshkruanin: “Na të përkohshmes (Revistës Zani i Naltë), do ta kemi për qëllim me u munduar me ia ndaluar hovin këtij shkatërrimi e kësaj degadence që shihet në elementin muslimin shqiptar, duke i dhënë shkas që shpejt të kthehet nga përparimi dhe qytetërimi i kohës”, madje ato vazhdojnë akoma duke thënë: “Barra që i kemi ngarkuar vetes është vërtetë e rëndë. Duhet vullnet, energji, guxim e sakrificë për t’ia arrit këtij qëllimi të shenjtë”.[8]

Ndërsa sa i përket programit të tyre, e kishin thënë që në fillim dhe idetë e tyre ishin të qartë mbi këtë: “Ne nuk do i dalim para popullit musliman shqiptar me një program të hijeshuar e me fjalë të bukura, që s’mundemi me i realizuar. Prandaj dhe program ynë është i tillë: Me bashkuar në një trup të fortë e të qëndrueshëm popullin musliman shqiptar; Me përmirësuar gjendjen e vakufeve, të xhamijave, të mesxhideve, të teqeve (pasi dhe sektet ishin nën Komunitetin Mysliman dhe kishin përfaqësuesit e tyre në K.M.SH/ E.Sh.) e të tjera institucioneve muslimane të këtij soji; Me ia zbuluar popullit musliman shqiptar të vërtetat e besimit në një mënyrë të thjeshtë e të pandërlikuar, duke i ngrohur zemrën e duke ia bërë të dashura këto të vërteta; Sipas ‘Stautit’ me plotësuar vllazërimin ndërmjet të gjithë elementëve në Shqipëri; Me këto mjete më tej me forcuar edhe themelet e një politike të shëndoshë e thjeshtë kombëtare të shtetit tonë. Në mbyllje thuhej se: Nga muslimanët nuk ka dyshim se kanë për të na përkrahur me mjete lëndore e morale, në këtë udhë të vështirë që po fillojmë të ndjekim.”[9]

Kjo revistë do të ishte pasqyrë për mbarë myslimanët shqiptarë, për problemet e tyre, për arritjet e tyre, “vend” në të cilin intelektualët dhe klerikët myslimanë do të shprehnin mendimet e tyre për çështje nga më të ndryshme, do të ishte burimi i vetëm informacioni për mbarë myslimanët shqiptarë, sytë e të cilëve e pritnin me gëzim të madh çdo muaj, daljen e revistës, dhe në rast mungesash, ashtu si ka ndodhur ndonjë muaj, nuk ngurronin të dyndeshin ankesat se përse kishte munguar dhe kërkesat për ta patur sa më shpejt në duar.

Në këtë revistë, do të paraqiteshin mbarë punët që do të zhvilloheshin në Komunitetin Mysliman Shqiptar, duke filluar nga puna e Kongresit të Parë Mysliman, të dytë e të tretë, vendimet e Këshillit të Naltë të Sheriatit, rregullore të ndryshme, të medreseve, të vakfeve, të formimit të xhematit islamije, duke nxitur popullin për përparim dhe zhvillim. Kjo revistë nuk ishte thjesht fetare, por ajo u projektua që në fillim si “Revistë fetare, merret dhe me filozofi, moral, literaturë kombëtare, sociologji, etj.”[10] dhe këtë tematikë do ta kishte nga fillimi i saj deri në numrin e fundit, më 1939.

Pothuajse në çdo numër të revistës do të kishte një program të tillë, 7 deri në 10 çështje të trajtuara, duke filluar nga 1. Tefsiri i Kuranit (shpjegim i ajeteve të Kur’anit), 2. një temë posaçërisht fetare, 3. informacion mbi Zanin e Naltë, mbi K.M.SH-në, mbi veprimtari tjera të myslimanëve, në vend dhe në botë. 4. Një trajtim i një çështjeje jo fetare, ekonomike, politike, filozofike, apo dhe sociologjike. 5. Nxitje për myslimanët drejt vlerave të larta fetare, si nxitja për bamirësi, për dashuri, për preokupim me çështje fetare dhe me ato kombëtare e kështu me radhë, nuk duhet harruar që pothuajse në secilin numër një temë e përhershme ishte 6. nxitja për dije, nxitja për të mësuar sa më shumë, nxitja për preokupim me dituri, si e vetmja rrugë për daljen nga prapambetja në përparim, nga barbaria në qytetërim, si e vetmja rrugë për daljen e njerëzimit nga errësira në dritë.

Në një nga shkrimet e tij në këtë revistë, Salih Vuçiterni me të drejtë thotë se: “Koha u nep shkelmin atyne kombeve që flejnë, i rrafshon edhe i zhdukë ata popuj që nuk përgjigjen në nevojat e saj e nuk pajtojnë me të.”[11] Gjithashtu ai vazhdon një tjetër fjali: “Nuk ka të drejtë me rrojtë një popull po nuk u qytetnue, e për me u qytetnue duhet që pikë së pari të shpëtojë robnisë së padijenisë.”[12]

Për ta nxitur mbarë popullin shqiptar e në veçanti atë mysliman, për të dalë nga përtacia që e kishte kapluar dhe për të punuar, për ta nxitur në dituri dhe lënien e injorancës, ai thekson se: “Koha naltson dhe lumtnon ata popuj qi nuk mjaftojnë vetëm me sende të trashigueshme, por përpiqen me përparue gjithnji, me shtue kulturën e tyne e me rregullue jetesën edhe ma mirë”.[13]

KULTURA ISLAME do të ishte pasardhëse e Zanit të Naltë, organ i Komunitetit Mysliman Shqiptar, e cila numrin e parë të botimit e kishte në shtator 1939 dhe vazhdoi deri në shkurt të 1946. “Kjo revistë ishte e përmuajshme fetare, letrare, ditunore dhe artistike. Historia e ardhjes në jetë të kësaj reviste është mjaft interesante, ku nga Komuniteti Musliman kërkohet që ZANI të reformohet, dhe me këtë përgjegjësi u ngarkua Sadik Bega e Sherif Putra, kishin mbaruar Medresenë e tani ishin drejtues të Medresesë, dhe i gjithë stafi pedagogjik i Medresesë së Përgjithshme do të merrej tashmë me revistën. Kështu që ZANI e kishte numrin e fundit në Prill të 1939. Pas pushtimit të vendit nga italianët nuk u zhvillua më asgjë, vetëm mbas disa muajsh do të ribotohej sërish shtypi zyrtar i K.M.SH-s dhe do të dilte me një emër të ri. [14] “Kultura Islame- Revista fetare, letrare, ditunore, artistike shpreh sinqerisht shpirtin e fesë; Përmbledhë unijsimin (unifikimin) e kulturës së djelmënis muslimane shqiptare; Përfytyron ç’faqjet e mendimit të popullit shqiptar; Ngjall nër të rinjtë ndjenjat e nalta fetare, shoqnore, vllazërore dhe atdhetare.”[15]

Për t’u përmendur është se numri i gazetave apo revistave islame në shqip që ka dalë gjatë këtyre viteve (1912-1946) është relativisht i vogël në krahasim me botimet në rajon; dhe një nga arsyet është se shqiptarët myslimanë shkruanin në shumë e shumë gazeta/revista të tjera shqiptare, duke dhënë mendimin e tyre pothuaj në çdo gazetë, dhe kështu që nuk lindte nevoja që me patjetër të kishin një organ shtypi fetar në shqip; prandaj dhe gjatë shfletimit të gazetave/revistave të këtyre viteve shikojmë që pothuaj secila nga këto organe të shtypit shqip uron myslimanët për festat e tyre, paraqet problematikat që ato hasin, apo kërkesat e tyre madje dhe aktivitetet që ato kryejnë, veçanërisht mbi organizimin e Drejtësisë (që mbas viteve të pavarësisë deri nga 1925 është ngritur mbi Ligjin e Sheriatit), madje zhvillimet e Kongreseve Myslimane në Shqipëri, shtypi i ka bërë një jehonë mjaft të madhe, dhe janë disa gazeta që paraqesin bisedimet që janë bërë në Kongrese, ndër të cilat “XHOKA”[16] dhe “DAJTI”[17], “DIELLI” që botohej në SHBA nga shqiptarët myslimanë dhe të krishterë, etj. Rëndësia e këtyre gazetave/revistave është shumë e madhe, për kohën ishin burim informimi, orientimi dhe mësimi për mbarë myslimanët, ndërsa në ditët tona janë mjaft me vlerë si burim i parë informacioni për të trajtuar historinë ashtu si duhet.

Shtypi i sekteve islame në gjuhën shqipe

Ajo çka nuk kemi përmendur deri më tani është shtypi i sekteve të ndryshme islame si: bektashi, kadiri, etj., të cilët kanë patur “shtypin” e tyre disa prej të cilave janë: “REFORMA”, gazetë që doli në Gjirokastër, në tetor të viti 1921, ishte periodike dy javore dhe vazhdoi të botohej deri në vitin 1923, drejtohej nga personel fetar i sekteve.

“DRITA” (The Light), e përmuajshme 1936-1939(?) botuar në Lahorë të Indisë nga Studentë shqiptarë.[18]

“NJERIU”[19] (korrik 1942 – shtator 1944), revistë e përmuajshme shpirtërore kulturore, botim i organizatës “Drita Hyjnore”, me drejtor përgjegjës z. Sherif Putra. Në vitin 1942 qarkulloi edhe një revistë tjetër me titull “Drita Hyjnore”, por ajo do të kishte një jetë të shkurtër.[20]

“DJERSA”, e përmuajshme morale, kulturore dhe shoqërore, organ i Komunitetit Bektashian- Tiranë 1945-1946.[21] Veç këtyre ka dhe botime tjera por që nuk janë objekt i studimit.

Shpeshherë shtypi i sekteve konsiderohet si të kenë qenë shtyp i myslimanëve suni, madje më shumë nga kaq si të ketë qenë organ zyrtar i Komunitetit Mysliman Shqiptar, dhe kjo ndodh pothuajse me çdo gazetë/revistë që mund të përmendë çështje fetare islame, qoftë fare pak, por nuk është aspak e vërtetë kjo, pasi ashtu si tashmë e trajtuam, vetëm dy revista zyrtare ka patur K.M.Sh. gjatë viteve 1912-1946, Zani i Naltë dhe Kultura Islame, ashtu si përmendëm kanë qenë dhe gazeta Seda i Milet, e revista Udha e s’Vërtetës që s’kanë qenë zyrtare, me kaq ezaurohet totalisht shtypi i kësaj periudhe kohore.

Ndërsa gjatë viteve 1946–1990 në Shqipëri nuk ka patur asnjë organ zyrtar apo jo zyrtar të shtypit islam, kjo pasi regjimi komunist e ndaloi shtypin, por interesante është se, pavarësisht se u ndaluan në Shqipëri, Shtypi islam në gjuhën shqipe do të vazhdonte të botohej në diasporë.


[1] Shqypnia e Re, Janar 1914, Biblioteka Kombëtare.
[2] Udha e s’Vërtetës, ‘ORA’, Shkodër, Tetor-Dhjetor 1923. Biblioteka Kombëtare,
[3] Lindi më 1878 dhe vdiq më 20-Janar-1925, më 27.12.1923 kandidoi si deputet i Kosovës dhe fitoi mandatin e deputetit për legjislaturën 1924-25 në Parlamentin Shqiptar, si kandidati i parë me 134 vota.
[4] ZANI I NALTË, organ zyrtar i K.M.SH-s-1923-1930 ‘Mrothësia’ –Tiranë, 1930-1939 ‘ORA’–Shkodër.
[5] Kasollja, Faik, Bibliografi e revistave ‘Zani i Naltë’, ‘Kultura Islame’ dhe ‘Njeriu’, ALSAR 2007.
[6] Dela Rocca,R.M., Kombësia dhe Feja në Shqipëri 1920-1944, Elena Gjika, Tiranë 1994, fq.6.
[7] Gogaj, Iljaz; ‘Zhvillimet kulturore në Shqipërinë…”, – Monarkia shqiptare 1928-1939, Instituti Historisë, Toena 2011, fq. 194.
[8] Zani i Naltë, Viti 1, Nr.1 Tetor 1923, tema e parë e revistës, e cila titullohet “Parathënie e qëllimi”. fq.4.
[9] Zani i Naltë, Viti 1, Nr.1 …., fq. 5-6.
[10] Zani i Naltë, nga nr. i parë deri në atë të fundit.
[11] Vuçiterni, S.; Zani i Naltë, Viti 5, Fruer 1928, fq. 469.
[12] Zani i Naltë, Viti 4, Dhjetor 1927, fq. 423.
[13] Vuçiterni, S. Zani i Naltë, Viti 5, Fruer 1928, fq. 468.
[14] Kultura Islame, K.M.SH. shtator 1939 – shkurt 1946, Shtypur në shtypshkronjën ‘Tirana’, Tiranë.
[15] Për më shumë shih: Kultura Islame 1939-1946
[16] Gazetë politike, ekonomike, kulturore, e drejtuar nga H.Ibrahim Dalliut.
[17] Pasardhëse e XHOKA-s dhe kjo ishte gazetë politike, ekonomike, kulturore, Nr. 106-107-108, Nëntor 1925.
[18] Popoviç, A., Islamizimi Ballkanik,…, fq. 455
[19] Njeriu, Nr. 1-2, Korrik-Gusht 1942. Biblioteka Kombëtare.
[20] Basha, Ali M. Rrugëtimi i fesë islame 1912-67, Tiranë 2011.
[21] Popoviç, A., Islamizimi Ballkanik,…, fq. 455



Edmond SHARKA
(Revista Drita Islame, Shkurt 2013)

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.