Të drejtat e jetimit dhe pozita e tij ne islam

Kryeimami: Visar ef. Koshi

Falënderimet i takojnë Allahut xh.sh., Zotit te botëve, ndërsa përshëndetjet qofshin mbi zotërinë e njerëzimit, Muhamedin a.s., familjen, shokët dhe tërë pasuesit e tij deri në përjetësi.
Në çdo vend që jemi, t’i përgjigjemi ftesës së të Mëshirshmit, Mbizotëruesit, Bamirësit, për përkujdesje ndaj jetimëve, ditën e natën, sepse ummeti islam është sikurse një trup i vetëm, nëse rënkon një gjymtyrë e tij rënkon i tërë trupi.
Ka thënë Muhamedi, alejhi selam: Si e shenjtëron (pastron nga të këqijat) Allahu një popull, në të cilin i dobëti nuk e merr të drejtën e tij nga i forti, ndërsa atë nuk e ka goditur asgjë e keqe”.
Si do ta pastroj Allahu një popull, i cili shkelë të drejtat e jetimit, nuk çanë kokën për të, për jetimin, i cili ka mbetur pa baba të mëshirshëm, i cili do t’ia lëmonte flokët, e do t’ia fshinte lotët.
Muhamedi a.s. ka thënë: “Në (shuajtjen e etjes së) çdo gjëje që ka mëlçi të lagët, ka shpërblim“. (Buhariu).
Nëse ti shpërblehesh për shuarjen e urisë apo etjes, madje edhe të kafshës, atëherë çfarë mendon se do të jetë shpërblimi yt në rast se shuan urinë dhe etjen e jetimit.
Muhamedi a.s. na lajmëroi për një grua të pamoralshme, e cila kaloi pranë një qeni të etur, i cili lëpinte dheun me gjuhë. Nga dhimbja, e zbathi këpucën, e mbushi me ujë dhe i dha qenit ujë. Për këtë gjë, Allahu ia fali mëkatet. Nëse është puna kështu atëherë çfarë mendon ti se do të jetë shpërblimi për shuarjen e etjes së jetimit?!
Allahu xh.sh. të ka begatuar me pasuri, andaj mos u bëj koprrac, por mundohu që me pasurinë tënde ta shpëtosh jetimin. Mos ia ndalo vetes, se pasuria jote të shpie në Xhennetet e Përjetshme dhe kopshtet e Allahut, sepse: ”Lëmosha e fshehtë e largon hidhërimin e Allahut, mbajtja e lidhjeve familjare zgjat jetën, ndërsa bërja e veprave të mira largon fatkeqësitë“.
Jetimëria e Muhamedit a.s. është nder për çdo jetim deri në përjetësi. Feja islame ka qenë e preokupuar me çështjen e jetimit qysh prej momenteve të para të daljes së saj në skenën njerëzore, madje vet bartësi dhe kumtuesi i kësaj feje tek njerëzimi ishte jetim, dhe m’u për këtë, jetimëria e tij është nder për të gjithë jetimët deri në Ditën e Llogarisë.
Thotë Allahu xh.sh. në lidhje me Muhamedin a.s.:
“A nuk të gjeti ty jetim, e Ai të bëri vend (të dha përkrahje)“. (Duha, 6)
Ibni Kethiri në koment të këtij ajeti ka thënë: ”E ka strehuar për shkak se babai i kishte vdekur derisa ishte në barkun e nënës (ende pa lindur), ndërsa nëna i vdiq kur ky ishte ne moshën 6 vjeçare. Përkujdesjen e tij e mori përsipër gjyshi, Abdul Muttalibi, por pas vetëm dy viteve, vdes edhe ai, për të mbetur Muhamedi, alejhi selam, në përkujdesje të xhaxhait të tij, Ebu Talibit, gjersa mbërriti moshën e pjekurisë.
Pastaj Allahu xh.sh. e porositi duke i thënë:
“Pra, mos e përul jetimin!“. (Duha,9), d.t.th: Sikurse ti ishe jetim ndërsa Allahu te strehoi, po kështu mos e përbuze jetimin, mos e poshtëro, mos e përzë, mos e nënçmo, por bëji mire dhe sillu bute me te.
Thotë Katadeja: ”Bëhu për jetimin sikurse prindi i mëshirshëm“. Në Islam, bamirësia ndaj jetimeve është në një shkallë të afërt me adhurimin për Allahun, respektivisht hyn në kuadër te veprave të mëdha.
Thotë Allahu xh.sh.: “Adhurojeni All-llahun e mos i shoqëroni Atij asnjë send, silluni mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmve, ndaj jetimëve, ndaj të varfërve, ndaj fqiut të afërt, ndaj fqiut të largët, ndaj shokut pranë vetes, ndaj udhëtarit të largët dhe ndaj robërve. All-llahu nuk e do atë që është kryelartë dhe atë që lavdërohet “. (Nisa, 36)
Vetëm përgënjeshtari i fesë e përbuzë jetimin.
Thotë Allahu xh.sh.:
“A e ke parë ti (a e sheh) atë, që përgënjeshtron përgjegjësinë dhe llogarinë në botën tjetër? “. (Maune, 1), d.t.th: Me njofto për atë qe përgënjeshtron llogarinë dhe shpërblimin ne boten tjetër? A e di se kush është ai dhe çfarë cilësish ka? Nëse ke dëshirë ta njoftosh atë, atëherë: Po ai është që e përzë në mënyrë të vrazhdë bonjakun“. (Maune, 2), d.t.th: Ai, i cili e përzë jetimin, i bën padrejtësi, ofendon, nënçmon, ai pra është përgënjeshtari i fesë. Një cilësi tjetër e tij është edhe: “Dhe që nuk nxit për ta ushqyer të varfrin” . (Maune, 3)
Nëse dy pejgamberë kanë nderuar dhe ndihmuar jetimët në ngritjen e murit të tyre, atëherë ku jemi ne? Për më shumë hollësi, derisa Musai, alejhi selam, ishte në shoqëri të Hidrit, alejhi selam, një prej ngjarjeve që i ndodhën ishte edhe ndërtimi i një muri të dy jetimeve. Kur Musai, alejhi selam e pyeti për shkakun e ndërtimit të këtij muri, Hidri, alejhi selam, iu përgjigj: Përsa i përket murit, ai ishte i dy djelmoshave jetima të atij qyteti, e nën të ata kishin një thesar (ari) dhe babai i tyre ka qenë njeri i mirë, e Zoti yt dëshiroi që ata dy (jetima) ta arrijnë pjekurinë e vet dhe ta nxjerrin ata vetë thesarin e tyre. Kjo ishte mëshirë e Zotit tënd (ndaj tyre). Dhe unë nuk e punova tërë atë sipas bindjes sime (po sipas udhëzimit të Zotit). Ky, pra, është sqarimi i asaj për të cilën nuk munde të kesh durim! “. (Kehf, 82)
Transmetohet se Allahu i kishte shpallur Davudit: ”O Davud! Bëhu i mëshirshëm për jetimin sikurse babai për fëmiun e vet. Bëhu për gruan e veje sikurse burri i mëshirshëm, dhe dije se atë që e mbjell do ta korrësh!“. Transmetohet se Davudi, alejhi selam, ka thënë: “Zoti im! Çfarë është shpërblimi për atë, që për hir Tëndin, përkujdeset për gruan e veje dhe jetimin? Tha: Shpërblimi për të është ta fusë nen hijen Time, atë ditë kur nuk ka hije tjetër përveç hijes Sime”.
Ka thëne Muhamedi a.s.: ”Unë dhe kujdestari i jetimit do të jemi së bashku në Xhennet kështu, duke aluduar me gishtin tregues dhe të mesëm dhe i ndau në mes“.
Ibni Haxheri ne Fet’hul Bari ka thënë: ”Çdokush që dëgjon këtë hadith, e ka për obligim të punojë sipas tij në mënyrë që të jetë shoqëruesi i Muhamedit a.s. në Xhennet, ngase pozitë më të lartë se sa kjo nuk ka“.
Pastaj Ibni Haxheri këtë thënie e deshmon me hadithin e Ebu Hurejres, në të cilin qëndron se Muhamedi a.s. ka thënë: ”Unë do të jem i pari, që do të hapi derën e Xhennetit, kur ja një grua nxiton pas meje. Do t’i them: Kush je ti? Thotë: Unë jam grua, që kam qenë në shërbim të jetimëve të mi “.
Ibni Kethiri transmeton nga Ibni Ebi Hatimi e ky nga Ebu Seid El Hudriu se: “I thamë: O i dërguari i Allahut! Na trego se çfarë ke parë natën, kur ishe në vizitë tek Allahu (Isra dhe Miraxh)? Tha: Më dërguan tek krijesa të shumta të Allahut, (pashë) njerëz që kishin buzët sikurse të deveve. Njerëz që shkulnin lëkurën e njeri tjetrit, pastaj sillej një guri nga zjarri dhe iu hidhej ndonjërit prej tyre në gojë ndërsa i dilte nga pas (organet e jashtëqitjes). Bërtitnin e klithnin. Thashë: O Xhibril! Kush janë këta? Tha: Këta janë që kane ngrënë mizorisht pasurinë e jetimëve, dhe në barqet e tyre nuk kanë tjetër veç zjarrë“.
Një kërcenim i ngjashëm me këtë është rrëfyer edhe në hadithet e Muhamedit a.s. ku më konkretisht thuhet: “Largohuni nga shtatë gjërat shkatërruese: (në mesin e tyre ceku edhe) Ngrënia e pasurisë së jetimit “.
Ka thënë Sudijji: ”Ngrënësi i pasurisë së jetimit mizorisht ngritët në Ditën e Llogarisë, ndërsa nga goja, veshët, hunda dhe sytë e tij i del zjarrë. Kushdo që e sheh, e njeh se ai është ngrënës i pasurisë se jetimit“.
Përkujdesja e jetimët nga këndvështrimi fetar islam, duke u mbështetur në argumente të shumta, llogaritet si një nga parimet e besimit për muslimanët. Sipas dispozitave islame, nuk mjafton vetëm dërgimi i ndihmave për jetimët, por më e mira është që jetimët të merren nën përkujdesje dhe të zhvillohen në ambient normal familjar, sepse kjo jep garancë më të madh për zhvillimin normal të personalitetit të jetimit.
Sot, ne Kosovë janë të evidentuar mbi 10.000 jetimë që nuk e kanë njërin nga prindërit. Për këta fëmijë duhet që shoqëria jone të ndihmoje edhe më shumë në edukim dhe t`ju rris nivelin e mirëqenies së tyre. Le të kontribuojmë në përmirësimin e gjendjes së tyre dhe të ndihmojmë në largimin e tyre nga mëkatet.
Eja në plazhin e devotshmërisë dhe largohu nga deti i mëkateve!



04.04.2014, Gjakove.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, e mbajtur me rastin e festës së Fitër Bajramit (video)