Të sigurojmë pasardhës të shëndoshë e të lumtur



Të respektuar miq nga Bashkësia Islame,
I nderuar koordinator me bashkëpunëtorë,
Të respektuar prindër,
Ju maturantë të tjerë dhe sidomos,
Ju klasa ime e respektuar,
Es-Selamu alejkum!


Më lejoni që në cilësinë e kujdestarit të klasës të paraleles 13/2 dhe njëkohësisht në cilësinë e mësuesit të të gjithë maturantëve, t’ju drejtohem me disa fjalë, të cilat e kam vështirë t’i zgjedh e t’i shpreh.
Megjithatë, do të filloj nga titulli i fjalimit tim “Të sigurojmë pasardhës të shëndoshë e të lumtur”. Rrugëtimi ynë filloi para 4 viteve, kur ju mësytë dyert e kësaj shkolle. E kuptoj, nuk e kishit të lehtë, sepse përballeshit me një ambient ndryshe, me një shkollë paksa ndryshe, shpesh edhe të stigmatizuar me shprehjet “Islami kundër femrës”, “Islami është kundër shkollimit”, “Islami pengon zhvillimin”, “Islami ushqen terrorizmin” etj. etj. Por në fund, jam i bindur thellë, këto etiketime për ju janë të tejkaluara, sepse u bindët se Islami nuk është kundër femrës, se Islami nuk pengon zhvillimin, se Islami nuk është fe e dhunës. Përkundrazi, Islami është PAQE, ashtu si thotë vetë emri i tij, kurse ju jeni pasardhëse të shëndosha e paqetore të kësaj feje.

Të respektuara maturante,
Para disa ditësh ju dërgova një porosi të shkruar, në një solemnitet paraprijës të kësaj dite, në të cilën ju porosita me një thënie që e kanë thënë njerëzit e mençur shumë kohë para neve: “Nëse jetoni për Islamin do të jetoni përgjithmonë, ndërsa nëse jetoni nga Islami keni vdekur që tani.” Nëse këto fjalë do t’i zbërthejmë me fjalor të përditshëm, kështu do të duhej t’i lexonim: Falënderimi i takon vetëm Allahut famëlartë për çdo sukses. Pa ndihmën e Tij rezultatet tona do të bëheshin të pavlera. Duke e shfrytëzuar parimin islam të aktivitetit, këshilla ime ka qenë se duhet punuar pa pushuar, pa ditë të humbura; nëse dëshironi sukses, duhet t’i përvisheni punës, por pa i harruar vlerat e brezave të kaluar, për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme. Porosia ime ka qenë që ta mësojmë Islamin frymëhapur e jo të ngurtë, puritan, ta ndjekim atë perceptim të Islamit që me shekuj qëndroi i pathyeshëm, sikurse fanari në breg të detit, edhe pse i rrahur nga valët e ujit, ai gjithnjë ndriçon i pathyeshëm dhe i udhëzon të humburit. Porosia ime ishte që aktiviteti ynë të mbetet në vijën e unitetit e larg përçarjeve, sidomos larg zënkave triviale.
Një mik i imi i madh, Alija Izetbegoviq, rrëfen një ngjarje autentike. Gjyshja e tij i paska dashur të gjithë nipërit e saj përveç njërit. Në pyetjen e Alisë përse kështu vepron kur Hasani është më i miri ndër ne në shkollë, ajo i përgjigjet: “O Ali, ai është i shkëlqyeshëm për veten, jo për mua. Nuk më ka ardhur për vizitë tre bajrame.” Kjo thënie, maturante të nderuara, më ka bërë përshtypje të madhe që unë ta bëjë dallimin në mes njerëzve të ndershëm dhe njerëzve të aftë. As djalli i mallkuar nuk është përjashtuar nga mëshira e Allahut për shkak të mungesës së aftësisë, por për shkak të arrogancës së manifestuar. Prandaj, nëse ju maturantë të respektuar duhet të zgjidhni mes të ndershmëve dhe të aftëve, ndërmjet atij që është i aftë për vete dhe atij që është i aftë për vete dhe për popull, atëherë veproni si lokja e Alisë, dhe nuk do të zhgënjeheni.

Të respektuara maturante dhe ju të pranishëm,
Sot, bota muslimane ka ngecur kundrejt botës perëndimore në rrafshin shkencor dhe teknologjik. Për të dalë nga kjo gjendje e amullisë kërkohet zhvillim, i cili duhet të sigurohet nga vetvetja. Shumë gëzohem kur shoh që ju, nxënëse të çmuara, e keni kuptuar këtë sfidë, jeni përballur me të dhe nga dita në ditë po ngadhënjeni përballë vështirësive të kohës. Gëzohem që e keni kuptuar se padrejtësitë e mëhershme dhe të tanishme kundrejt muslimanëve nuk i përdorni si pretekst për mospunë, por po i shndërroni në forcë dhe vullnet për rezultate të reja e jo në urrejtje dhe në frymën e përplasjes së qytetërimeve. Ju e dini se maksima kryesore për ne është “Që të njiheni në mes vete” (Li te’arefu).
Para se ta përmbylli fjalimin tim kushtuar këtij tubimi solemn, dua t’i shtroj dy pyetje dhe dy gjysmëpërgjigje:
1. Bota bashkëkohore, përkundër amullisë ideologjike, është e saktë në planifikim, në udhëtim, e në projekte të shumta. Vallë, ç’po ndodhë me vendet muslimane? Sikur këtyre iu ka humbur kalendari, sikur nuk kanë orë, sikur kanë harruar se dikur respektimi i orës ka qenë pjesë përbërëse e jetës, duke filluar nga namazet, fillimi i muajve etj.?!?
2. Bota bashkëkohore është e pastër: rrugët, parqet, ambientet shkollore, shëndetësore etj. Vallë ç’po ndodhë me vendet muslimane? Sikur nuk e shohin gjendjen e shkollave të botës muslimane, të spitaleve të botës muslimane, të parqeve të qyteteve muslimane?! Përse e kemi këtë gjendje kur pastërtia në Islam paraqet pjesë përbërëse të fesë dhe të ibadetit?!?
Nëse duam ta zgjidhim këtë enigmë te muslimanët, atëherë së pari duhet t’i përgjigjemi sfidës, jo a duhet të emancipohemi si muslimanë e sidomos si muslimane?, jo a duhet ta pranojmë shkencën dhe teknologjinë jomuslimane?, sepse këtë patjetër duhet ta bëjmë nëse dëshirojmë të mbijetojmë!, por si ta bëjmë këtë emancipim: me dinjitet apo me ndjenjën e inferioritetit?

Të nderuara maturante,
Duke e parë te ju vullnetin e çeliktë gjatë këtyre 3-4 viteve, duke e parë te ju këmbënguljen për ta kapërcyer çdo pengesë para vetes, mendoj se, në të ardhmen, do të jeni kontribuuese drejt dritës, zhvillimit dhe përparimit tonë.
Dhe në fund, duke e çmuar kohën tuaj dhe obligimet tuaja, po e përfundoj fjalimin tim duke shpresuar se do të qëndroni të fuqishme para problemeve të kohës, do të reflektoni mirëkuptim e edukatë. Vështirësitë janë shumë të mëdha, por edhe shanset janë më të mëdha se kurdoherë më parë në histori. Unë besoj se drita do të ngadhënjejë mbi terrin dhe arsyeja do të ngadhënjejë mbi marrëzinë.

Ju falënderoj për durimin që patët!
Selami i Zotit qoftë me ju gjithmonë!

Prizren,
19 05. 2014
Prizren
Nexhat Ibrahimi,
kujdestari i klasës 13/2
në Medresenë e Prizrenit



E Hënë, 19 Maj 2014; 02:19


Artikulli i kaluar
Besimi në kader
Artikulli radhës
Llojet e shembujve në Kuran

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë