Karta e të drejtave të gruas dhe detyrat e saj në Islam (I)

Ibrahim b. Nasir En Nasir

Parathënie
Ky dokument është përgatitur për të sqaruar qëndrimin e sheriatit (legjislacionit) islam rreth çështjes më të përfolur në mesin e muslimanëve; çështjes së gruas, prej së cilës është sprovuar qytetërimi perëndimor, vesa e së cilës ka prekur disa shoqëri islame dhe logjikën e disa prej bijve të saj.
Ky dokument përmban sqarimin e çështjes më të rëndësishme rreth gruas, si dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me të në aspektin e themelimit dhe mbrojtjes, gjë të cilën e kërkon natyra e kësaj etape.
Ky sqarim është përpjekja e dhjetëra dijetarëve dhe mendimtarëve, në mënyrë që të arrinte në formën e dokumentit dhe përmbledhjes.
Hyrje
Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dërguarin e Tij Muhamed, familjen dhe shokët e tij.
Ky dokument është përgatitur për të sqaruar qëndrimin e sheriatit në lidhje me një nga çështjet më të rrahura në ditët tona, çështjen e gruas dhe të drejtat e saj në bashkësinë islame, sidomos në kohën e këtij turni që ka ndërmarrë perëndimi bashkëkohor.
Duke këshilluar kështu ymetin që të mos sprovohet në fenë e tij dhe për të shpalosur mëshirën e Allahut ndaj të gjithë njerëzimit, si pasojë e së cilës është ligjëruar për ta ky sheriat (legjislacion) i plotë dhe i drejtë për çdo kohë dhe vend.
E bëri të detyrueshme nxjerrjen e saj në këto momente tendenca armiqësore e qartë dhe me hapa të shpejtë ndaj vlerave të këtij ymeti, të cilën e ka ndërmarrë dhe e drejton Organizata Botërore nëpërmjet pikëpamjeve të saj laiciste, materialiste dhe shthurëse.
Nëse mundet që të komentohet kuptimi i shkaqeve të pamundësisë së qeveritarëve ndaj rezistencës armiqësore, ushtarake dhe politike, është e papranueshme pamundësia e dijetarëve dhe mendimtarëve të këtij ymeti ndaj kundërpërgjigjeve të luftës kulturore dhe mendore, sidomos kur shohim se armiqësia e kohëve të sotme dhe e së ardhmes është e përqendruar në pozicionet të cilat ata janë ruajtur.
Ndoshta edhe mundet që kjo armiqësi të ketë sukses në ndonjë etapë të saj apo në ndonjë shtet, duke rrëzuar pushtetin apo duke mposhtur ushtrinë e tij, por ajo nuk mundet kurrë që të ketë sukses në sundimin e popujve muslimanë, vetëm se atëherë kur ata të humbin besimin në fenë e tyre, Allahu i Madhëruar ka thënë: “Një grup nga ithtarët e librit kishin dëshirë t’u shpiejnë në rrugë të gabuar por ata nuk mashtrojnë tjetër pos vetes së tyre, dhe nuk e vërejnë.” (Ali Imran: 69)
Sikurse ka thënë në një ajet tjetër: “Ata dëshirojnë që edhe ju të mos besoni sikurse nuk besuan vetë dhe bëheni të njëjtë.” (En Nisa: 89)
Ky realitet të shtyn në pohimin e një sërë bazash dhe vizionesh rreth një prej arenave në të cilën po bëhen përpjekje për ndikimin perëndimor plot ethe. Kjo është arena shoqërore dhe, veçanërisht, ajo e cila ka lidhje me gruan.
Bashkimi rreth këtyre bazave, nuk është gjë tjetër veçse fryt i njohurive që posedon ky ymet dhe pamje e kurimit pozitiv dhe evolues të reformatorëve të tij; kështu që bashkimi i tyre në të vërtetën d.m.th: mbrojtje e së vërtetës dhe kundërpërgjigje ndaj padrejtësive, si dhe përhapje e virtyteve të larta.
Jemi përpjekur në këtë dokument përmbledhës që të komentojmë e argumentojmë në mënyrë të shkurtër rreth këtyre pikave:
- Pikënisjet bazë.
- Bazat e sheriatit rreth të drejtave të gruas dhe detyrave të saj.
- Largpamësi komentuese dhe arsyetuese të disa prej këtyre bazave.
- Këshilla dhe kërkesa.
E para: Pikënisjet bazë
Gjenden një sërë parimesh dhe pikënisjesh legjislative dhe reale të cilat orientojnë ndërtimin e bazave të Sheriatit rreth çështjes së gruas dhe të drejtave të saj, sikurse përcaktojnë arsyet, aksiomat, si dhe rrugën e kurimit të kësaj çështjeje.

Nga më të rëndësishmet e tyre janë këto pikënisje:
1. Besimi i patundur se baza e mirësisë dhe e së vërtetës – në lidhje me çështjet e kësaj bote dhe tjetrës- është Shpallja Hyjnore, qoftë nga Kurani apo Suneti i pastër, po ashtu dhe unanimiteti i bazuar dhe i marrë në konsideratë, po ashtu pranimi i tyre dhe kthimi tek to e mos kundërshtimi i tyre është nga bazat e besimit dhe kushtet e tij. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Por jo, për Zotin tënd! Ata nuk janë besimtarë derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në të gjitha mosmarrëveshjet mes tyre, derisa të mos mbetet në veten e tyre asnjë pikë kundërshtimi ndaj vendimeve të tua dhe derisa t’i pranojnë ato (vendimet e tua) plotësisht të nënshtruar.” Nisa, 65. Është e njohur si shkak i domosdoshmërisë se prej njësimit të Allahut në Zotërim (Rrububije): është dhe besimi se gjykimi dhe ligjvënia është e drejtë e Allahut, në çështjet shoqërore, në ato individuale, si dhe në të gjitha aspektet e jetës. Ndërsa nga njësimi i Tij në Adhurim (Uluhije): është dhe besimi se të gjykuarit duhet të jetë tek Ai (libri i Tij) në çdo çështje.
2. Bindja e plotë mbi dobishmërinë e këtij Sheriati (legjislacioni islam) për t’u praktikuar në çdo kohë dhe çdo vend, si dhe gjithpërfshirjen e tij të të gjitha aspekteve të jetës. Besueshmëria e plotë ndaj kësaj feje, dispozitave tërësore dhe të pjesshme të saj, si dhe besimin se e gjithë mirësia, drejtësia dhe mëshira është e derdhur në të. Allahu i Madhëruar thotë: “Sigurisht që ky Kuran udhëzon drejt më të drejtës dhe më të vërtetës dhe përgëzon besimtarët (e vërtetë të Allahut dhe të Dërguarit të Tij Muhamed a.s.) që punojnë me drejtësi, se do të kenë shpërblim të madh (Xhenetin).” Isra, 9. Shkaku i kësaj sigurie është se këto dispozita kanë dalë nga Allahu Fuqiploti dhe i Urti, i Buti dhe i Gjithformuari, i cilësuar me dije gjithëpërfshirëse dhe urtësi të plotë. Allahu i Lartësuar ka thënë: “A mos kërkojnë atëherë gjykimin e kohës së injorancës (padijes, para Islamit)? E kush është më i mirë në gjykim se sa Allahu, për një popull që ka një Besim të fortë?” Maide, 50.
Ndaj rregullimi dhe ndreqja e çdo gjendjeje apo veprimi duhet patjetër që të jetë në përputhje me orientimin islam rreth së mirës dhe së keqes, të vërtetës dhe humbjes, dhe nuk duhet të jetë në përputhje me gjykimet e jomuslimanëve, apo bijve të këtij meti, atyre që janë ndikuar nga prej tyre. Allahu thotë në Kuran: “…por tregohu i vëmendshëm ndaj tyre që të mos kthejnë e të largojnë nga disa gjëra të cilat Allahu t’i ka zbritur ty.” Maide, 49.
3. Të qenët të vetëdijshëm mbi dështimin e metodave ligjore njerëzore –të cilët bien në kundërshtim me tekstet e shpalljes së Allahut- në konceptimet, vlerësimet, gjykimet dhe dispozitat që ata vendosin, sado që duken të bukura dhe tërheqëse. Allahu i Lartësuar thotë: “Po të kishte qenë ai prej dikujt tjetër e jo prej Allahut, sigurisht që do të kishin gjetur në të mjaft kundërthënie e mospërputhje.” Nisa, 82. Normalisht duke pranuar që ato ndonjëherë arrijnë në të vërtetën, si pasojë e mbetjes së natyrshmërisë së pastër tek ata, apo të gjykuarit e drejtë.
Po ashtu të jemi të vetëdijshëm se origjina e të gjitha këtyre të këqijave prej të cilave po vuan sot njerëzimi, muslimanë apo jomuslimanë qofshin, është si pasojë e largimit të këtyre metodologjive nga referimi Islam. Allahu thotë: “Shkatërrimi (poshtërsitë, mosbindja ndaj Allahut, mëkatet) ka dalë hapur në tokë e në det, i merituar për çfarë bënë e fituan vetë duart e njerëzve…” Rrum, 41. Gjithashtu ka thënë: “Po të kishte pasur në to (në qiej dhe në tokë) zota të tjerë përveç Allahut, atëherë padyshim që të dyja do të ishin shkatërruar. Lavdi i qoftë Allahut, Zotit të Arshit të Tij Madhështor; (Lart është Ai) nga çfarë i veshin Atij!” Enbija, 22.
4. Besimi se feja islame është fe e drejtësisë, e cila mban drejtësi duke barazuar mes të ngjashmeve e duke veçuar midis të ndryshmeve. Gabon ai i cili thotë se Islami është fe e barazisë duke mos përmendur asnjë lloj kushti; sepse barazia e përgjithshme ndonjëherë kërkon që të bësh barazi mes atyre që janë të ndryshëm, atëherë ky është realiteti i padrejtësisë. Ndërsa ata që e përdorin barazinë dhe kanë kuptim me të drejtësinë, sigurisht që e kanë qëlluar kuptimin, por kanë gabuar në shprehje, sepse në Kuran nuk ka as edhe një shkronjë që të urdhërojë për barazi të pakufishme, por ai ka urdhëruar për drejtësi. Allahu thotë: “Vërtet që Allahu urdhëron drejtësi dhe bamirësi” Nahël, 90. Kështu që dispozitat e
Sheriatit janë të ngritura mbi bazën e drejtësisë, ajo bën barazi, atëherë kur barazia është drejtësi dhe bën dallime atëherë kur kjo është drejtësi. Allahu thotë: “Dhe Fjala e Zotit tënd është plotësuar me vërtetësi dhe drejtësi. Askush nuk mund t’i ndryshojë Fjalët e Tij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdituri.” En’am, 115. D.m.th: me vërtetësi në ato që lajmëron dhe me drejtësi në ato që gjykon.
Kështu që Islami realizon lidhjet shoqërore në bazën e drejtësisë, ndaj dhe drejtësia kërkohet nga çdokush dhe në çdo gjendje. I Lartësuari thotë: “…e mos lejoni që armiku dhe urrejtja ndaj të tjerëve t’ju bëjë që t’i shmangeni drejtësisë. Jini të drejtë: kjo është më afër përkushtimit dhe kini frikë Allahun.” Maide, 8.
5. Në fushën e lidhjeve njerëzore, injoranca bashkëkohore perëndimore e konsideron “individualizmin” si vlerë bazë dhe si shkak i kësaj natyre e logjike në lidhjet mes njerëzve. Ajo ndërtohet mbi luftën dhe epërsinë, jo mbi bashkëpunimin dhe ndihmën, mbi egoizmin dhe përparësinë, jo mbi shpenzimin dhe altruizmin dhe ky është fryti i devijimit nga metodologjia që ka vendosur Allahu. Ndaj lufta e të drejtave mes mashkullit dhe femrës, e cila ka sunduar sot botën, nuk është vetëm se rezultat natyror mbi trashëgimin historik dhe kulturor të perëndimit, me rrënjët e tij mitologjike, i cili pranoi mendimin se armiqësia mes dy sekseve është pa fund dhe se gruaja është shkaku i gabimit të parë. Kjo trashëgimi mund të përputhet edhe me kultura të tjera, por pa as edhe një lloj dyshimi nuk i përket legjislacionit (Sheriatit) islam dhe as kulturës islame.
Të drejtat tek muslimanët nuk i përcakton burri e as gruaja, por i përcakton Allahu, i Mirënjohuri, i Gjithdituri, i Cili ka thënë: “Është Ai (Allahu) i Cili ju ka krijuar prej një veteje (Ademit) dhe prej saj Ai krijoi palën e saj (Havanë), me qëllim që ai të shijonte kënaqësinë e jetës me të.” Araf, 189. Por nëse ndodh që në realitetin e muslimanëve padrejtësi në të drejtat e një pale nga pala tjetër, kjo sigurisht që është si pasojë e devijimit të tyre nga feja, mos njohuritë e dispozitave dhe si shkak i besimit të dobët tek Zoti i tyre apo si shkak i ndikimit të ligjeve njerëzore tek ata, por ndoshta edhe si shkak i veprimit sipas traditave dhe imitimit të verbër, të cilat bien në kundërshtim me Sheriatin.
6. Nuk ka dyshim se lufta e jomuslimanëve ndaj muslimanëve është e vazhdueshme dhe i ka fillimet e saj që me fillimin e kësaj feje. Allahu thotë: “Dhe ata kurrë nuk do të pushojnë së luftuari juve, derisa t’ju kthejnë juve prapa nga feja juaj (Besimi Islam), nëse kanë mundësi.” Bekare, 217. Në kohërat në të cilët jomuslimanët dominojnë mbi muslimanët, shfaqet hipokrizia në mesin e muslimanëve dhe del hapur duke e mbrojtur atë çdokush i cili ka sëmundje në zemrën e tij dhe shtohen në mesin e tyre ata të cilët shkojnë pas tyre; ndaj është detyrë luftimi dhe pengimi i hipokritëve me të gjitha forcat. Allahu thotë: “O Pejgamber! Lufto fort kundër mosbesimtarëve dhe hipokritëve dhe ji i ashpër kundër tyre. Vendbanimi i tyre është Xhehenemi – dhe vërtet më i keqi është ky fund.” Teube, 73. Po ashtu, Ai thotë: “Ata janë armiqtë, pra ruajuni prej tyre. Allahu i mallkoftë! Si shmangen nga Rruga e Allahut!” Munafikun, 4. Duke qenë të kujdesshëm nga metodat mashtruese të cilat përdorin shumica e tyre, ku njëra prej tyre është: sjellja me tekstet e Sheriatit, duke i ndryshuar apo komentuar kuptimet, shprehjet dhe qëllimet e saj me dyshime të sëmura.
Sikurse duhet që të këshillohen ata të cilët u shkojnë atyre prapa, -të cilët janë ndikuar nga realiteti i brishtë ekonomik dhe shpirtëror i muslimanëve- duke i humbur kështu krenaria me këtë fe dhe dispozitat e saj dhe të cilët janë ndikuar nga dyshimet dhe humbjet e tyre.
(vijon)



Përktheu: Bledar Haxhiu


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

"Disiplinë dhe rregull" - Visar ef. Koshi