Akordohen çmimet “Zëri më i bukur i Xhuzit Amme”

Finaliste nga e gjithë Shqipëria kanë marrë pjesën në finalen e madhe të Konkursit Kombëtar të Kuranit “Zëri më i bukur i Xhuzit Amme”.

Pas një muaji intensiv me audicione në qytete të ndryshme të Shqipërisë për të përzgjedhur zërin më të bukur në këndimin e Kuranit Famëlartë, më 14 qershor 2014, në orën 10.00, në Teatrin e Metropolit, salla “Shekspir” u zhvillua ceremonia përmbyllëse festive e akordimit të çmimeve dhe çertifikatave për pjesëmarrëset që u bënë pjesë e audicioneve në edicionin e parë të Konkursit Kombëtar të Kuranit përgjatë muajve maj -qershor 2014.

Ky event është i pari i këtyre përmasave në Shqipëri, realizuar nën kujdesin e Shoqatës Kulturore “Gruaja”. Juria përbëhej nga të ftuara speciale, emra të njohur në mësimin e Kuranit përmendësh si znj. Rajhana Bardhoshi, drejtoreshë e qendrës “Aisha”, me pozicionin e kryetares së jurisë; znj. Aliah Uahud, mësuese Kurani dhe znj. Aida Shega, teologe dhe njëkohësisht mësuese në Medresenë e Durrësit.



Në këtë event festiv merrnin pjesë përfaqësuese të institucioneve dhe shoqatave të ndryshme në vend, intelektuale, pedagogë e studentë, nxënëset e qendrës së mësimit të Kuranit përmendësh “Aisha”, besimtare nga e gjithë Shqipëria, miq e dashamirës të SHKG-së.

Nën moderimin e znj. Diana Syla, ky aktivitet çeli siparin me një pjesë kuranore të kënduar nga Hatixhe Balliu dhe përkthyer nga Rejhana Ukperaj dhe më pas fjalën e mori znj. Ndriçime Zekaj, drejtoreshë e SHKG-së. Ndër të tjera ajo përshëndeti takimin dhe falënderoi të pranishmet për pjesëmarrjen e tyre.

Përshëndetën këtë takim edhe përfaqësuese të dy institucioneve, përkatësisht znj. Amantia Bali nga International Europian Academy dhe znj. Neida Reçi nga Qendra “Aisha”.

Ndërsa më tej, u prezantuan materiale filmike me pjesët më të mira nga audicionet e konkurenteve në disa qytete të Shqipërisë. Programi vijoi me interpretimin e ilahive të ndryshme si “Eselamu alejke” nga Selma Bekteshi, “Kurani në zemrat tona”, “Këndo moj motër Kuran” nga Bedrana Dunga, ilahi të shoqëruara nën zërin melodioz të korit të nxënëseve të shkollës 12 vjeçare “Qëllimi i jetës”. Programi vijoi me interpretimin e një poezie të autorit Fatmir Muja nga poetja Lisiana Demiraj, e cila është e pranishme me interpretimet e saj në skena të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.



Më tej të gjithë finalistet lexuan njëra pas tjetrës vargje nga Kurani Famëlartë dhe prekën zemrat e të gjithë të pranishmeve më zërat e tyre të bukur.

Materiali filmik i radhës prezantoi të gjitha finalistet garuese për publikun në sallë, ku ato patën mundësi të prezantonin vetet e tyre.

Akordimi i çmimeve u bë në fund të takimit, ku për shpërndarjen e çertifikatave dhe dhuratave u ftuan në skenë organizatorë dhe bashkëpunëtorë të këtij konkursi.

U akorduan tre çmime inkurajuese, nga znj. Aida Shega, znj. Arjeta Pelinku dhe znj. Aurora Hoxha.

Këto çmime u fituan nga Sara Bahja (përfaqësuese e Elbasanit), Jonida Shtegu (përfaqësuese e Shkodrës) dhe Belkisa Balliu (përfaqësuese e Tiranës).

Dhuratat për këto tre vende ishin 2 Mp3 për mësimin e Kuranit dhe një set “Legjislacioni i Traditës Profetike”.

Çmimi i tretë iu akordua Erisiola Malit (përfaqësuese e Durrësit) nga znj. Neida Reçi dhe përmbante përkatësisht një Kuran të kompjuterizuar dhe shumën 100€.

Çmimi i dytë iu akordua Asime Balliut (përfaqësuese e Burrelit) nga znj. Elsa Çela dhe përmbante një I-Pad dhe shumën 150€.

Ndërkaq çmimin e madh e akordoi drejtoresha e SHKG-së, znj. Zekaj. Fituese e vendit të parë u shpall Fatime Bardhoshi (përfaqësuese e Librazhdit). Çmimi i parë përmbante një laptop dhe shumën 200 €. Ndërkaq edhe Butik “Belisa” me pronare znj. Besjana Dani kishte përgatitur një dhuratë speciale të cilën ia dhuroi fitueses.

Fatime Bardhoshi nga Librazhdi tashmë është zëri më i bukur i Xhuzit Amme për vitin 2014.



Në përmbyllje të ceremonisë u shpërndanë edhe shumë dhurata për të ftuarat të cilat na nderuan me prezencën e tyre.

Ky event u mbyll me sukses për të vijuar vitin tjetër me edicionin e dytë, i cili do të zhvillohet për dy xhuze: Xhuzin Amme dhe Xhuzin Tebareke. Fituesja e konkursit do të fitojë të drejtën për të kryer haxhin, udhëtimin e jetës. /gruaja.org/


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kumtesa e Dr. Valon Myrta në Dëgjesën - Konfigurimi i zbatimit të Islamit për një shoqëri në ndryshim