Promovohet kompleti “Nexhat Ibrahimi – vepra 1-10”

Në amfiteatrin e madh të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës në Prishtinë, nga ora 16:00, nën organizimin e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës u bë promovimi i kompletit prej 10 librave nga Nexhat Ibrahimi, botuar nga shtëpia botuese “Logos-A”.

Në fjalën përshëndetëse, Myftiu i Kosovës, Mr. Naim ef. Tërnava, shpalosi disa momente nga jeta dhe veprimtaria shkencore e Nexhat Ibrahimit. Ai, duke përmendur vështirësitë e veprimtarisë intelektuale fetare dhe kombëtare në sistemin komunist, tha se dashuria për fenë dhe për atdheun, Nexhatin e bënë që të sakrifikojë shumë.

Ai tha se përmbajtja e përmbledhjes së veprës së Nexhat Ibrahimit synon trasimin e mesazhit të Kur’anit tek të gjithë njerëzit. Myftiu Ternava poashtu shfletoi kujtime nga koha kur autori ishte në burgjet sllave si i akuzuar për nacionalizëm dhe irredentizëm, dhe kur edhe nga burgu lëshonte shkëndija drite, me gjithëse për këto u persekutua dhe u maltretua. Mr. Tërnava, për fund tha se Nexhatin kështu e kishte mësuar familja, Medreseja dhe mesi i tij, dhe shtoi se Nexhat Ibrahimi për ne është edhe një Hafiz Ali Korçë i ri, një Ibrahim Dalli i ri dhe një Sami Frashër i ri, ngase këtë e bënë veprimtaria e tij fetare dhe kombëtare. Myftiu.Tërnava falënderoi edhe shtëpinë botuese Logos-A për botimin e kompletit.

Referuesi i parë në këtë promovim, Mr. Qemajl Morina, prodekan në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë shpalosi një biografi të shkurtër të autorit Ibrahimi, ku përmendi vitet e burgimit të tij si i ri aktiv në jetën fetare. Mr. Morina tha se shkrimet e tij në rini paralajmëruan një talent të rrallë për të cilin ka nevojë shumë islamologjia shqiptare. “Besimi i thellë në drejtësinë e kauzës së popullit të tij i dhanë atij fuqi dhe motiv edhe më shumë” tha Morina. Ai shtoi se vepra e Nexhat Ibrahimit ka një vëllim prej 4664 dhe se deri më tash ka 85 vepra autoriale, 80 libra të përkthyer, shumë shkrime e analiza. Ai shpjegoi në pika të shkurtra përmbajtjen e veprave 1-5 për të cilat tha se kanë një qasje shumëdimensionale dhe interdisiplinare dhe se ato promovojnë vlerat islame dhe kombëtare, i drejtohen të gjitha kategorive, e veçmas intelektualëve. Për fund ai falënderoi Logos-A duke rikujtuar se kjo shtëpi botuese, pasi botoi kompletin e Sami Frashërit, Hafiz Ali Korçës dhe Imam Vehbi Ismailit, tashmë e bëri edhe botimin e veprës komplete të Nexhat Ibrahimit.

Ndërsa, Sabri ef. Bajgora, kryeimam i Kosovës dhe publicist islam tha se vepra e Nexhat Ibrahimit është një kontribut i veçantë për historinë, qytetërimin dhe kulturën islame dhe se ato janë një sukses dhe fitore për islamologjinë dhe kulturën shqiptare. Ai iu referua shtjellimit të shkurtër të veprave 6-10 duke shpjeguar se ato kanë qasje të shumanshme, sa të shkencave fetare, sa të rrjedhave globale dhe çështjet e kohës moderne, mandej mbi Islamin në trojet shqiptare, etj. Kjo vepër e përmbledhur, tha ai, kundërshton më së miri idenë e disa pseudointelektualëve se Islami s’ka vend këtu dhe se i sfidon fushatat e islamofobisë së kohës sonë. Duke dhënë përgëzimet për cilësinë e punimeve, ai tha se autori i përmbahet metodës shkencore në tërë trajtimin e problemeve në shkrime.

Në emër të shtëpisë botuese Logos-A mysafirëve iu drejtua Adnan Ismaili, i cili pasi falënderoi autorin, Bashkësinë Islame dhe të tjerët që kanë kontribuar, tha se arsye kyçe të kohës së promovimit të këtij kompleti janë: 50 vjetori i lindjes së autorit dhe 10 vjetori i daljes së tij nga burgu.

Ndërsa, vetë autori, Nexhat Ibrahimi pra mysafirëve shpalosi disa aspekte mbi veprimtarinë e vetë dhe disa momente të rëndësishme të kohës kur ka shkruar e vepruar. Ai duke mos i fshehur emocionet dhe përmallimin para mysafirëve, tha se kjo paraqet një faqe të re në jetën tonë, kur përveç njohjes së vetvetes t’ua ofrojmë edhe të tjerëve këtë mesazh. Ai tha se e keqja individuale dhe kolektive fillon kur mbyllet diskutimi dhe se diversiteti është më se i pranueshëm në Islam. Ai gjithashtu shpalosi disa kujtime që nga bankat e Medresesë e deri më sot, duke thënë se “Në jetën time shkrimi u bë ushqimi, nevoja dhe prehja ime, me gjithëse që nga viti 1981-1992 pata shumë arrestime dhe dy vuajtje denimi me burg”.

Ai nuk e la pa trajtuar edhe gjendjen e rinisë në kohën tonë dhe dilemën rreth vlerave që po përjeton shoqëria jonë. Ai poashtu qortoi shoqëritë myslimane për shkak të pengesave në katër faktorë themelorë: në shfrytëzimin e pasaktë të kohës, në mosmbajtjen e pastërtisë, në zhvillimin e përtacisë dhe në kultin e personalitetit duke theksuar se këto s’e përparojnë botën myslimane, dhe tha se, e tëra kjo ndodhë në botën e “La ilahe il-Allah” dhe kjo, ose duhet të jetë mosnjohje e fesë, ose mungesë identiteti.

Për fund ai shprehi me modesti se “Asgjë nuk bëra unë, përveç që i vendosa fjalët në vendin e tyre”, duke theksuar edhe atë se është e pamundur të mos dëmtohet askush, mirëpo koha do ta dëshmojë se a kam pasur të drejtë”. Ai nuk harroi të falënderojë, nga Bashkësia Islame e Kosovës, myftiun Tërnava, referuesit, recensentët e deri te lexuesit, miqtë dhe familjen për përkrahjen, ndihmën dhe ambientin e përshtatshëm për veprimtari. Ai ndau një falënderim të veçantë për shtëpinë botuese Logos-A dhe për drejtorin e saj, Adnan Isamili, dhe përmendi insistimin e vazhdueshëm që ai dhe kolëgët e tij i bënë që të realizohet ky botim. Ai duke falënderuar Zotin dhe duke kërkuar falje dhe shpërblim prej Tij e kulmoi fjalimin e tij, sa domethënës e shpjegues, aq edhe përmallues, këshillues dhe motivues.

Për mysafirët e këtij promovimi u shtrua edhe një koktej rasti, që shënoi edhe përfundimin këtij tubimi.



Blerim Halili, Prishtinë

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.