Sjelljet devijante tė tė rinjve

Riaktivizimi i mejtepeve, nevojë imediate


Ardhmëria e një populli nuk janë resurset ekonomike, por rinia e atij populli.
Përhapja e fesë islame në kohën e Muhamedit a.s më së shumti ishte bërë me ndihmën e rinisë.
Prandaj Muhamedi a.s. kishte thënë: “Jam ndihmuar më së shumti nga rinia”.
Grupi i besimtarëve të parë, i cili u vendos në shtëpinë e Erkamit dhe që më vonë vendosën bazat e Shtetit Islam, ishte rinia.
Në historinë e njerëzimit gjurmë të pashlyera kanë lënë: Ali b. Ebu Talibi, Muadh b. Xhebeli, Abdullah b. Abbasi, Ammar b. Jesiri, Halid b. Velidi, Usame b. Zejdi, e shumë të tjerë. Në mesin e tyre kishte dijetarë (intelektualë) të shquar, transmetues të haditheve, komentatorë të Kur’anit, misionarë, diplomatë, juristë, komandantë, asketë, etj. etj..
Pejgamberi a.s., duke ditur se çfarë barre mund të bartte mbi supet e veta kjo kategori, u kishte kushtuar kujdes të veçantë. Frytet e kësaj rinie, e cila u edukua në medresenë-mejtepin e Muhamedit a.s., bota është duke i gëzuar mbi 14 shekuj. Këto mejtepe kanë ekzistuar gjer para pak dekadash edhe tek ne, prandaj kemi pasur një rini të shëndoshë, me të cilën jemi mburrur.
Pikërisht disa fëmijë që kishin vijuar këto mejtepe, ishin bërthama apo pionierët e lëvizjes së shëndoshë islame në Kosovë. Prandaj një shoqëri e cila planifikon një ardhmëri të gjatë dhe të suksesshme, duhet të kujdeset dhe të investojë shumë, pikërisht në këtë kategori të shoqërisë. Delikuenca aktuale e të miturve është një parashikues i kriminalitetit në përgjithësi. Ky lloj kriminaliteti është pjesë përbërëse e kriminalitetit të përgjithshëm.
Sipas një hulumtimi që është bërë në v. 2006, përqindja e krimeve të kryera nga të miturit në raport me numrin e përgjithshëm të kriminalitetit, është 7.8%, kurse në v. 2007, kemi një rritje në 9.5 %.1 Statistikat tregojnë se të miturit në Kosovë, nën moshën 18 vjeç, gjatë një periudhe 12 muajshe (1 korrik 2006-30 qershor 2007), ishin të dyshuar për kryerjen e 4723 veprave penale. Hulumtimi i Nëntë i Kombeve të Bashkuara mbi Trendet e Krimit (2003-2004), tregon se shkalla e krimeve të kryera nga të miturit në Kosovë, është dukshëm më e lartë se ajo në shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor. Numri i veprave penale të kryera nga të miturit, sipas numrit të të dyshuarve në Kosovë, është 228.17, në Kroaci 77.11, në Slloveni 97.21, në Bullgari 142.51, ndërsa ky numër është më i vogël se në disa shtete të Evropës Perëndimore, si p.sh. në Holandë 405.20, në Francë 309.08, në Gjermani 500.39, etj.
Të miturit veprojnë jashtë kujdesit dhe dashurisë së duhur të prindërve, mësimdhënësve dhe të shoqërisë në përgjithësi. Prandaj, specialistë fushash të ndryshme merren me dukurinë e devijimit në mesin e rinisë, për ta luftuar
këtë dukuri, sepse rinia është shpresa dhe ardhmëria e popullit. Mirëpo familja, shkolla dhe institucionet e tjera shoqërore, të cilave u është besuar funksioni i edukimit dhe riedukimit të të miturve, duhet të jenë më aktive në rolin e tyre, në mënyrë që të miturit të kenë energji dhe orientime kriminale më të vogla.
Sot të miturit, sidomos në vendet më të urbanizuara, veprojnë jashtë kujdesit dhe dashurisë së duhur të prindërve, mësimdhënësve dhe të shoqërisë në përgjithësi. Kështu, të miturit gjenden në një udhëkryq të pasigurt që të humbin hapi e rrjedhave normale të kohës. Kjo dukuri është shfaqur dhe rritur sidomos pas luftës në Kosovë, kur kemi pasur një migrim të pakontrolluar të popullatës, nga viset rurale në drejtim të viseve urbane.
Duhet theksuar se ky rrezik është më i madh, në këtë fazë të transicionit, që, ashtu si gjithë rajoni, po e përjeton edhe Kosova me të gjitha pasojat. Dihet se në këtë fazë krijohen dallime shumë të mëdha sociale, kështu që të miturit e shtresave më të ulëta sociale, fatkeqësisht këto kohë i përjetojnë më vështirë dhe shpesh, nën ndikimin e varfërisë dhe të një gjendjeje të vështirë ekonomike e shoqërore, gjenden në një pozitë “pa shpresë”, kështu që jetën e kalojnë duke ardhur shpesh në konflikt me ligjin. Mirëpo, dihet se nuk janë vetëm të varfrit ata që vendosin të bëjnë veprime kriminale, veçse edhe një numër i konsiderueshëm i fëmijëve që rrjedhin nga familjet me gjendje të mesme dhe nga ato të pasura ekonomikisht, merren me veprime të ndryshme kriminale.
P.sh., sipas një hulumtimi të bërë në Gjykatën e Qarkut të Mitrovicës, për periudhën 1999-2005, shihet se numri i të miturve autorë veprash penale me gjendje ekonomike të mesme, është më i madh (58 %) se numri i autorëve me gjendje të varfër ekonomike (42 %)2 Gjithashtu edhe fëmijët që rrjedhin nga familje të pasura, shpesh gjenden nëpër evidencat policore.
Prej kushteve të mira materiale që gëzojnë, shpesh ata nuk dinë ç’të bëjnë, kështu që, nga kureshtja, fillojnë të provojnë edhe ndonjë dozë të pijeve alkoolike, mjeteve narkotike, të blejnë ndonjë armë, të cilat, sidomos pas luftërave, shiten më lirë dhe sosh ka më shumë, e kështu bëhen një kategori e rrezikshme shoqërore. Këtë e ilustron fakti se në territorin e Gjykatës së Qarkut të Mitrovicës, në periudhën e cekur të hulumtimit, të miturit, 48 % të veprave penale i kanë kryer me armë zjarri! Prandaj nuk duhet harruar se kjo kategori në vendet më të zhvilluara, duke shprehur frustrimet e tyre ndaj prindërve të pakënaqur dhe të cilët janë vazhdimisht në garë për prestigj dhe pasuri, shumë shpesh vendosin të marrin një rrugë pa kthim apo, siç thuhet në perëndim, “One way ticket” (Biletë njëdrejtimëshe)3!

"E kush ngjall (shpëton) një njeri, është si t’i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit…” (El-Maide, 32)

Paraqiten pyetje: Sa janë të rrezikuara këto gjenerata?
Sa mund t’u ndihmohet këtyre? etj.
Nëse shoqëria punon dhe interesohet më tepër për këtë kategori me sjellje devijante, nëse të gjithë, këta të mitur i konsiderojnë dhe i trajtojnë si ardhmërinë e vendit, atëherë pa dyshim që gjasat për ndërrim pozitiv të gjërave janë mjaftë të mëdha.
Në Kur’an thuhet: “..E kush e ngjall (shpëton) një njeri, është si t’i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit…” (El Maide, 32).
Mirëpo ato që e njohin këtë parim, nuk janë institucionet shoqërore, prandaj prej tyre nuk duhet pritur një gjë e tillë. Duhet falënderuar Allahu xh.sh. që tash jemi të lirë dhe nuk të pengon kush në predikimin e lirë. Hoxhallarët e vjetër, madje edhe në kohën e komunizmit, pavarësisht nga kërcënimet dhe rreziqet e shumta, kanë mbajtur mejtepe dhe vazhdimisht kanë mësuar fëmijë nëpër xhami. Ata konsideronin me të vërtetë si amanet edhe fenë, por edhe rininë. Duhet aktivizuar bashkëpunimi në trekëndëshin hoxhë-prind-fëmijë. Për këtë qëllim nuk nevojitet asnjë kusht i veçantë, asnjë leje, asnjë dekret, asnjë referendum, por vetëm vullneti dhe iniciativa. Secili hoxhë njeh lagjen ku shërben, i njeh prindërit dhe duhet t’i organizojë fëmijët e të fillon punën me ta. Pastaj, duhen ndërmarrë aktivitete të ndryshme që zvogëlojnë shkallën e devijimeve të ndryshme. Duhet kanalizuar energjia e tyre, duke zbuluar dhe stimuluar talente, si p.sh. në sport, art, si dhe aktivitete të ndryshme të lira, etj.. Në këtë mënyrë, jeta e rinisë nuk do të ishte një lëvizje pa qëllim, ku ai do të sillej rrugëve pa asnjë aktivitet. Në bazë të hulumtimit të lartcekur, është konstatuar se 44 % të veprave penale të rinjtë i kanë kryer në rrugë. Gjithashtu edhe koha e tepërt e lirë krijon rrezikun që të rinjtë të merren me sjellje asociale. Në këtë hulumtim është konstatuar se të rinjtë, në mbrëmje prej orës 18-24, kanë kryer 34 % të veprave penale. Prandaj secili le ta pyesë veten - se një fëmijë që ka kaluar një orë në mësimbesim (mejtep) te hoxha, pastaj shkon në shkollë, e në pjesën tjetër të ditës merret me ndonjë sport, aktivitet të lirë ose mëson ndonjë gjuhë të huaj etj. – a do të ketë, vallë, kohë dhe mundësi t’i eksponohet rrezikut për të kryer ndonjë sjellje devijante dhe, sidomos, ndonjë vepër kriminale?



Nëpërmes lëndës fetare , do të flitej edhe për zemrën e jo vetëm për mendjen-arsyen

Një problem tjetër, që meriton një qasje më serioze, mendoj se është në kompetencë të institucioneve shtetërore, respektivisht kuvendeve komunale.
Komunat, me qëllim të parandalimit të sjelljeve asociale ose veprave penale, dhe të ngritjes së nivelit të mësimit, duhet të merrnin një qëndrim që në rrethin e shkollave ekzistuese të mos jepnin leje për hapjen e kafiterive. Në të vërtetë në Mitrovicë, numri më i madh i kafiterive dhe lokaleve hotelierike është i koncentruar pikërisht afër gjimnazit “Frang Bardhi” dhe shkollës ekonomike “Hasan Prishtina”, dhe shumica dërrmuese e nxënësve, duke ikur nga orë mësimi, janë vizitorë të këtyre lokaleve, një numër i mirë i të cilëve konsumojnë pije alkoolike, e disa madje edhe substanca narkotike!
Gjithashtu duhet theksuar se 12 % të veprave penale që janë kryer në periudhën hulumtuese, janë kryer pikërisht nëpër lokalet hotelierike. Gjithashtu, një çështje që meriton një trajtim të posaçëm, mendoj se është futja në programe mësimore e lëndës së mësimbesimit. Nëpërmes kësaj lënde, do të flitej edhe për zemrën e jo vetëm për mendjen-arsyen.
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Në trupin e njeriut është një organ (zemra), i cili, nëse është i shëndoshë, tërë trupi është i shëndoshë”.
Zemra thuhet se dikton, e gjymtyrët i binden. Veprat tona janë përkthyesi më i mirë i zemrës.
Në një anketë që kishte bërë autori i këtij shkrimi me 30 prindër të nxënësve në një shkollë fillore të Mitrovicës, të gjithë ishin të mendimit se, po të kishte mësimbesim nëpër shkolla, “fëmijët do të ishin shumë më të edukuar”; disa kishin deklaruar: “Ai fëmijë që E njeh Zotin, do të ketë shumë më tepër respekt për krijesat e Zotit”; disa të tjerë thoshin: “Fëmija që është besimtar, është e pamundur që të ketë sjellje devijante” etj. etj..


Hoxhallarët janë trashëgimtarët e pejgamberëve , ata janë të vetmit që
mund t’ia ofrojnë këtë popullit

Kjo është dëshmuar historikisht, se nëse aty mësojnë fëmijët ndarazi nga moshatarët e tyre të gjinisë tjetër, serioziteti është tjetër, mosha për absorbimin e njohurive është ideale, kultivimi i dashurisë për punë të mira dhe urrejtja nga punët e këqija, - do të sillte shumë më shumë rezultate. Prandaj, Llukmani a.s. kishte këshilluar të birin e tij: “O djali im, fale namazin, urdhëro për punë të mira, e ndalo nga të këqijat, përballo me durim çdo gjë që të godet, vërtet këto janë nga çështjet më të pëlqyeshme”. (Lukman:17).
Absolutisht është e vërtetë se një fëmijë që ka vijuar mejtepin “…përballon me durim çdo gjë që e godet…. Ai fëmijë gjatë jetës së tij qëndron shumë larg nga sjelljet asociale, alkooli, veprat e ndryshme penale, prostitucioni, vetëvrasja, - të gjitha këto që fatkeqësisht janë dukuri të përditshme në Kosovë.
Ebu Hanifja ka thënë: “Më vjen turp t’i shtrij këmbët në shtëpi në drejtim të mësuesit tim, edhe pse në mes të shtëpisë sime dhe të mësuesit tim ka 7 rrugica”. Nga respekti dhe dashuria që kishte për mësuesin e tij, Hammadin, kur i lindi djalë, ai i vuri emrin e Hammadit. •



1. Raporti i Drejtësisë për të mitur - Unicef, zyra në Kosovë, këtë raport e kemi përgatitur katër hulumtues, dy nga Britania e Madhe dhe dy nga Kosova.
2. Hulumtimin e kam bërë në Gjykatën e Qarkut të Mitrovicës, në v. 2006.
3. Me këtë nënkuptohet akti i vetëvrasjes (pl. i autorit)



Mr.sc. Saad Riza Gashi
Dituria Islame 237

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.