Të bëjmë gara në ahlakun (moralin) e mirë

Falënderimet, madhërimet janë vetëm për Allahun xh.sh. sunduesin e gjithë botëve, vetëm Atë e adhurojmë dhe vetëm prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Paqja, shpëtimi dhe bekimi qofshin mbi Muhammedin s.a.v.s., mbi familjen e tij të ndershme, mbi shokët e tij besnik dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij gjer në Ditën e Gjykimit.

Vëllezër dhe motra në Islam, tema e hytbes së sodit është: Të bëjmë gara në ahlakun - (moralin) e mirë. Ahlaku (morali), vëllezër dhe motra është një çështje prioritare, në një kohë krize të përgjithshme të moralit dhe humbjes së turpit, i cili është një tipar dallues i besimtarit. Pa ahlak - moral, vëllezër dhe motra nuk ka besimtarë të vërtetë, të sinqertë, nuk ka imam të mirë, prind, fëmijë, fqinjë, mësues, mjek, politikan, punëtorë dhe në përgjithësi asnjë anëtar të dobishëm të shoqërisë.
Ne jemi të pikëlluar për shkak të vrasjeve të përditshme të muslimanëve në mbarë botën dhe shkatërrimit të pasurisë së tyre, jemi të pikëlluar, kur vriten edhe jomuslimanët e pafajshëm, por këtë herë jemi të trishtuar dhe të shqetësuar për shkak të vrasjes mizore dhe gjakftohtë të muslimanëve nga jomuslimanët nëpër shtetet e botës së "civilizuar". Mediat botërore dhe mediat tona lokale, këto krime nuk i karakterizojnë si terrorizëm, vepër penale - kriminale, për shkak se është rregull i pashkruar që terrorizmi nga ana e medieve t'ju atribuohet vetëm muslimanëve!
Thotë Allahu xh.sh., duke folur për Pejgamberin, as, në ajetin e katërt të Sures El-Kalem: "Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit"
Pejgamberi i Allahut, s.a.v.s. kishte moralin më të përsosur - më të bukur dhe ai është modeli ynë më i mirë në raport me marrëdhëniet me shokët e tij, fqinjët, me familjen e tij, madje edhe ndaj armiqve.
Thotë Abdullah bin Haris, r.a.: "Nuk kam parë njeri më të buzëqeshur se Pejgamberi s.a.v.s."
Thotë Xherir bin Abdullah r.a.: "Sa herë që i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., e dëgjonte zërin tim gjithnjë më ftonte në shtëpinë e tij. Prej se e kam përqafuar Islamin, sa herë që e kam takuar, gjithnjë ka qenë i buzëqeshur."
Një prej misioneve themelore të Islamit është ndërtimi i vlerave morale tek njerëzit, siç vërtetohet nga fjalët e Pejgamberit, s.a.v.s., të cilat i transmeton Imam Ahmedi: Ebu Hurejre, r.a., tregon se Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë: "Me të vërtetë jam dërguar për të plotësuar cilësitë fisnike" (Ahmedi)
Thotë Pejgamberi s.a.v.s., në një hadith të cilin e ka transmetuar Imam Buhariu: Transmeton Xhabir bin Abdullah, r.a., se Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë: "Te unë më i dashuri dhe më i afërti prej jush në Ditën e Gjykimit, është ai që ka moralin më të mirë " (Buhariu)
Pra, kush dëshiron prej nesh që ta dojë Pejgamberi s.a.v.s., dhe t'i gëzohet afërsisë së tij në Ditën e Gjykimit, le të ketë moral sa më të mirë, e ahlaku – morali i ka stolisur paraardhësit tanë të mirë, të cilët kishin cilësi të vërteta morale të Islamit. Ata kanë thirrur në gjuhën e thjeshtë popullore me "fytyrë", e fytyra tek ata kishte vlerë të paçmuar. Muhammedi, s.a.v.s., e këshilloi Ebu Dherrin, r.a., duke i thënë: Transmeton Ebu Dherr el-Gifari r.a., se Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë: "Frikësoju Allahut, kudo që të jesh, pas veprës keqe bëje një të mirë, ajo do ta fshijë atë, dhe sillu mirë me njerëzit" (Ahmed )
Me ahlakun - moralin e mirë kompletohet imani, siç thuhet në hadithin e transmetuar nga Imam Tirmidhiu: Transmeton Ebu Hurejre, r.a., se Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë: "Besimin - Imanin më të plotë e kanë ata besimtarë që kanë moralin më të mirë, e më i miri prej jush është ai që sillet mirë me gruan e tij" (Tirmidhiu)
Ahlaku - Morali i mirë është ai që në veçanti besimtarit do t'i bëjë dobi sidomos në Ditën e Gjykimit, kur të peshohen veprat e njerëzve, e lum për ata që stolisen me moral të mirë, siç dëshmohet nga transmetimi i Imam Tirmidhiut: Transmeton Abu-Ed Derda r.a., se Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë: "Nuk ka asgjë më të rëndë në peshojën e besimtarit në Ditën e Gjykimit, se sa morali i bukur " (Tirmidhiu)
Ahlaku - Morali i mirë është rruga për të arritur nivelin e adhuruesve, agjëruesve, atyre që falin nafile, duke synuar për shpërblimin e Allahut xh.sh., siç transmeton Imam Ebu Davudi: Transmeton Aisha, r.a., se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: ". S'ka dyshim njeriu me moral të bukur, me siguri do të arrijë nivelet e adhuruesve dhe agjëruesve" (Ebu Davudi)
Ahlaku - Morali i mirë do të jetë shkak për të hyrë në Xhennet, siç qëndron në transmetimin e Tirmidhiut: Transmeton Ebu Hurejre, r.a.: "E pyeten Pejgamberin, s.a.v.s., çfarë është ajo që shumicën e njerëzve do t’i fus në Xhennet, ka thënë: "Takvalluku (devotshmëria) dhe morali i mirë" (Tirmidhiu).
El-Asme'i një herë tha: "Kur gjyshit tim, Aliut r.a., iu afrua vdekja, i mblodhi fëmijët e tij dhe u tha si në vijim:" O bijtë e mi, silluni mirë me njerëzit, kështu që kur nuk jeni prezent, të kenë dëshirë për t'ju takuar përsëri, e kur të vdisni, të qajnë për ju! "
Vëllezër dhe motra, le të jemi prej atyre që sillemi mirë me njerëzit, të ndershëm, të përulur, të durueshëm, të turpshëm, të butë dhe të guximshëm! Le të jemi vëllezër të vërtetë, t'i kryejmë të gjitha ibadetet adhurimet e caktuara, veçanërisht ta ruajmë namazin, sepse pa faljen e rregullt të pesë kohëve obligative të namazit dhe namazit të xhumasë, nuk ka besimtar, t'i kryejmë të gjitha obligimet në lidhje me të drejtat e njerëzve dhe institucioneve, duke bërë gara në të mirë dhe të synojmë Xhennetet që na janë premtuar!
Unë i lutem Allahut, subhanehu ve teala, që të na forcojë në rrugën e Islamit, që t'i ndihmoj të gjithë vëllezërit dhe motrat tona në nevojë, kudo që janë, të na ruaj nga sprovat që nuk mund t'i përballojmë, që të na bëjë prej atyre që kanë moral të bukur, që të ketë mëshirë ndaj prindërve tanë dhe të parëve tanë të mirë, që fëmijët dhe pasardhësit tanë t’i bëjë gëzimet e syve dhe zemrave tona, të na i falë mëkatet dhe të na fut në Xhennetin e premtuar, në shoqëri me Pejgamberët, me të sinqertët, me shehidët dhe me njerëzit e mirë! ... Amin! Amin!Amin!



Hatib: Nezim ef.Halilović
Përshtati: Esat Rexha


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, e mbajtur me rastin e festës së Fitër Bajramit (video)