Duaja, arma më e fuqishme e besimtarit

Duatë (lutjet drejtuar Allahut) ndikojnë pozitivisht në ndryshimin e mundësive, fatit dhe jetës tonë.

Njëherë Pejgamberi ynë (s.a.w.s.) has në disa njerëz që vuanin nga një fatkeqësi, dhe thotë për ta: "Pse nuk kërkojnë mbrojtje nga Allahu?" Kjo pyetje e Pejgamberit (s.a.w.s.), na drejtohet edhe ne muslimanëve të kësaj kohe, aq më tepër, kur e dimë fare mirë se në çfarë gjendje jetojmë.
Është e vërtetë se gjatë gjithë kohës, ne, muslimanët, asnjëherë nuk e kemi braktisur duanë, dhe gjithnjë vazhdojmë t’i drejtohemi Allahut (xh.sh,) me dua. Por, mjerisht, për shumicën, koncepti dhe praktika në lidhje me duanë, kanë ndryshuar rrënjësisht, dhe shpesh herë duaja bie në nivelin e ritualit.
Të habit fakti, që zakonisht e përdorim duanë vetëm në rast dëshpërimi të thellë, dhe kur të gjitha përpjekjet kanë dështuar. Por, edhe shpeshherë e nënçmojmë duanë me vepra madje edhe me fjalë.
Por, muslimani i vërtetë e koncepton ndryshe duanë. Duaja është me të vërtetë arma më e fuqishme e besimtarit. Duaja mund të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve dhe fatit, kur një gjë të tillë nuk mund ta bëjë vepra. Ajo është pjesa më e rëndësishme e adhurimit.
Me të besimtari qëndron larg dështimit, dhe pa të nuk mund të arrijë sukses. Duaja duhet të jetë mjeti i parë dhe i fundit për besimtarin përkrah planeve dhe veprave të tij.
Duaja është akt i një rëndësie të jashtëzakonshme, ajo është bashkëbisedimi ynë me Allahun, Krijuesin tonë, të Plotfuqishmin. Ajo e ngre lart shpirtërisht dhe moralisht besimtarin, dhe si rrjedhojë gjen qetësinë shpirtërore. Ne i drejtohemi Allahut (xh.sh.) sepse e dimë se vetëm Ai është në gjendje të ndryshojë gjendjen tonë, të na heqë vuajtjet, dhe të na ndihmojë në zgjidhjen e problemeve. Ndihemi të çliruar pasi i drejtohemi duke i qarë hallet dhe vështirësitë. Ndihemi të fuqishëm pasi kemi komunikuar me të Plotfuqishmin.
Në çdo vështirësi gjëja e parë dhe e fundit që kërkohet të bëjmë duhet të jetë duaja, veç përpjekjeve dhe veprave. I lutemi Allahut (xh.sh.) që të na ndihmojë në kapërcimin e vështirësive; të na ndihmojë që të jemi të qëndrueshëm në rrugën e tij; që të kemi sukses etj.
Duaja është thelbi i adhurimit. Ai person i cili bën dua vazhdimisht, konfirmon besimin e tij në Teuhid (Monoteizmin Islam) dhe vërteton mohimin e tij të çdo besimi tjetër të kotë (që mund të jetë karakteristik për politeizmin, fetishizmin, totemizmin etj.)
Sa herë që bën dua besimtarit i rritet besimi në Allahun (xh.sh.). Besimtari rregullisht duhet ti lutet dhe përulet Allahut (xh.sh.). Ai person i cili sinqerisht bën dua e kupton fare mirë marrëdhënien e tij me Krijuesin Fuqiplotë, dhe përpiqet vazhdimisht për ta vërtetuar atë me vepra. Kjo është esenca e adhurimit! Për më tepër, ai person nuk bëhet arrogant apo mendjemadh, rezultat logjik i sinqeritetit në adhurim.
Pra, duaja është dhe mbetet arma më e fuqishme që posedojmë për të përballuar vështirësitë e jetës, por edhe në Xhihad. Gjatë betejës se Bedrit, Pejgamberi (s.a.w.s.) e kaloi natën efundit para betejës duke iu lutur Allahut (xh.sh.) për ndihmë kundër armikut, i cili ishte shumë më i madh në numër.
Salahuddin El Ejjubi ishte i zënë ditë e natë gjatë betejave të famshme kundër kryqëzatave. Ditët i kalonte në luftë (Xhihad), ndërsa netëve i lutej Allahut (xh.sh.) për ndihmë.
Duaja duhet të jetë vazhdimisht në qendër te vëmendjes tonë, në çdo çështje qoftë e madhe apo e vogël, duhet të jemi edhe këmbëngulës në Dua. Si rrjedhojë, arrijmë tëpër forcojmë marrëdhëniet tona me Allahun (xh.sh.). Në të njëjtën kohë, duaja duhet të shoqërohet me shpresën dhe bindjen se do të na pranohet dhe përgjigjet nga Allahu Fuqiplote. Kujtojmë Hadithin, thënien e Pejgamberit (s.a.w.s.), që thotë: "S'ka gjë më të dashur për Allahun (xh.sh.) se sa një rob i cili i drejtohet Atij me dua!". Dhe në të kundërt, mungesa e përqendrimit dhe bindjes gjate duasë, faljes, etj. e bën të paefektshëm atë.
Së fundi, e përsërisim edhe një herë se duhet të bëjmë dua në çdo kohë, dhe jo vetëm kur jemi në gjendje të vështire. Pejgamberi (s.a.w.s.) thotë: "Kush dëshiron që Allahu t’i përgjigjet lutjeve të tij kur është në gjendje të vështirë, ai duhet të bëjë shumë dua gjatë kohës kur ai gëzon lehtësi dhe rehati." Gjithashtu ka thënë: "Ai person i cili nuk i lutet Allahut, Allahu zemërohet me të"



Autori: Khalid Baig
Përktheu: Medi Zeqiri


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, e mbajtur me rastin e festës së Fitër Bajramit (video)