Inaugurohet xhamia e “Jashar Pashës” në Prishtinë

Më 6 maj 2016, pas 4 vitesh punë në restaurimin e saj, në mënyrë solemne u bë rihapja e xhamisë “Jashar Pasha”.

Hetem ef. Sopjani-kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prishtinës, përshëndeti të gjithë xhematin, në emrin e tij personal dhe në emër të institucionit që ai udhëheq. “Xhamitë janë shtëpitë e Allahut, në të cilat mësohen fjalët e Tij, mësohet Njëshmëria e Tij, edukata, morali sinqeriteti, si dhe çdo gjë tjetër që ka të bëjë me jetën e kësaj bote dhe botën tjetër. Për ne sot është një ditë e veçantë, kur jemi me ju në përurimin e kësaj xhamie të bukur. Allahu i shpërbleftë të gjithë ata që ndihmuan në çfarëdo mënyre në restaurimin e saj”, u shpreh Sopjani.
Koordinatori i TIKA-s në Kosovë, Ejup Javuz Umutllu, tha se “TIKA” është një organizatë që është aktive në shumë sektorë, një ndër të cilët është edhe kujdesi për trashëgiminë kulturore. “Kjo xhami ishte e bukur edhe para restaurimit të saj. Xhamia, ashtu siç jeni në dijeni edhe ju, ishte aq e dëmtuar sa rrezikohej rrënimi i saj. Punët që janë bërë në këtë objekt nuk donë koment; janë punë që shihen me syrin e lirë, derisa kemi edhe punë që ju nuk mund t’i vëreni, e që kanë të bëjnë me përforcimin e strukturës së xhamisë si: përforcimi i themeleve, mureve dhe kupolës. Ne këto xhami i shohim si një letër nga e kaluara për të ardhmen, që na thonë: ej, ju njerëz, ju dhe qytetërimi juaj me shekuj jeni të lashtë në këto toka. Ky qytetërim ka një kuptim të estetikës, për nga ana e bukurisë. Ne nuk kemi bërë diçka më tepër sesa kemi shkundur pluhurin e xhamisë, si përkujtim për gjeneratat që vijnë pas nesh”, tha koordinatori i TIKA-s.
Përfaqësuesi i Kryesisë së BIK-ut, sekretari gjeneral, Resul ef. Rexhepi, në fjalën e tij drejtuar pjesëmarrësve, ndër të tjera, tha: “Allahu xh.sh. në Kuran përmend se xhamitë i ndërtojnë vetëm ata që i besojnë Madhërisë së Tij dhe Ditës së Fundit, ata që e falin namazin dhe e japin Zeqatin, prandaj, me këtë rast dëshiroj që në emër të Kryesisë së BIK-ut, në emër të myftiut Tërnava, si dhe në emër të xhematit, një falënderim të veçantë t’ia adresoj shoqatës TIKA, e cila në vazhdimësi ka qëndruar afër nesh për kthimin në vendin që e meritojnë të shumë objekteve të vjetra anekënd Kosovës, e që konsiderohen trashëgimi jona kulturore. Sot xhamia e “Jashar Pashës”, si perlë e Prishtinës, po i rikthehet rishtazi qytetarëve të Prishtinës dhe jo vetëm atyre, që t’ua mundësojë bërjen e ibadeteve në të. Shpresojmë që së shpejti edhe në “Xhaminë e Çarshisë” të tubohemi ashtu siç jemi tubuar sot këtu! Xhemati i xhamisë është bukuria e xhamisë, e kjo do të thotë se nuk mjaftojnë vetëm muret e zbukuruara. Edhe një herë, urime!”, përfundoi fjalën e tij sekretari Rexhepi.
Sabri ef. Bajgora në hutben e xhumasë, që e mbajti në këtë xhami, përgëzoi të gjithë ata që ndihmuan në restaurimin e xhamisë, si dhe ata që me prezencën e tyre në këtë xhami do ta hijeshojnë edhe më. “Më lejoni që t’jua uroj rihapjen e kësaj xhamie, duke e lutur Zotin xh.sh. që gjithmonë në brendinë e saj të ketë njerëz që bëjnë sexhde për Krijuesin e tyre Fuqiplotë, njerëz që me kënaqësi vijnë për ta falur këtë namaz, dhe që njëkohësisht edukojnë shpirtin e tyre me mësimet e Kuranit famëlartë dhe udhëzimet e Pejgamberit a.s. Allahu xh.sh. e lavdëron një kategori njerëzish, kur thotë se me të vërtetë xhamitë i ndërtojnë ata njerëz që bindshëm besojnë në Allahu xh.sh. Njëkohësisht, i Dërguari i Allahut nxit dhe përgëzon ata të rinj që zemrat e tyre i kanë lidhur me shtëpitë e Zotit, kur thotë, shtatë grupe njerëzish do të jenë nën hijen e rahmetit të Allahut, në atë ditë kur nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së Tij (është fjala për ditën e llogarisë), e ndër to, grupi i të rinjve zemrat e të cilëve kanë qenë të lidhura me xhami dhe ata që kanë kryer obligimet e namazit në xhami. Prandaj e lusim Allahun që dashuria jonë ndaj shtëpive të Zotit të jetë shkak i shpërblimit tonë me Xhenet. Pejgamberi a.s. nxit që të ndërtohen sa më tepër xhami: “Ai që për hir të Zotit ndërton një xhami në tokë, Allahu atij personi do t’ia ndërtojë një pallat në Xhenet”.
Me rastin e rihapjes së xhamisë së “Jashar Pashës”, sekretari gjeneral i Kryesisë së BIK-ut, Resul ef. Rexhepi edhe zyrtarisht ia dorëzoi çelësat e xhamisë kryetarit të Këshillit të BI në Prishtinë, Hetem ef. Sopjanit.
Xhamia e “Jashar Pashës” konsiderohet një nga xhevahiret e trashëgimisë kulturore të Prishtinës, e ndërtuar në shekullin XV dhe e rindërtuar në shekullin XIX, nga Jashar Mehmet Pashai, një qytetar i pasur i Prishtinës dhe guvernatori i Shkupit në vitin 1842, sipas të cilit edhe mori emrin.
Xhamia e Jashar Pashës është pjesë e kompleksit që paraqet historinë, kulturën dhe traditën e gjithë atyre që jetojnë dhe kanë jetuar ndër shekuj në qytetin e Prishtinës. Mirëpo kjo pasuri e jashtëzakonshme e peizazhit kulturor dhe historik të Prishtinës, që nga paslufta e Dytë Botërore, ka pësuar ndryshime të mëdha nga pamja e saj burimore, më së shumti për shkak të restaurimeve joprofesionale që janë bërë gjatë kohës së komunizmit, e që e kanë dëmtuar tej mase. Dëmtimet ishin aq të mëdha saqë në fillim të vitit 2012 Këshilli i Bashkësisë Islame të Prishtinës vendosi ta mbyllte xhaminë për besimtarët, për shkak të rrezikut nga rrënimi, si pasojë e çarjeve dhe dëmeve të tjera që i kishte pësuar xhamia.
Duke qenë se Qeveria e Kosovës, gjegjësisht, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, i kushton rëndësi të veçantë trashëgimisë kulturore, ajo, në pajtim me Bashkësinë Islame të Kosovës, së ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me TIKA-n, Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim në Kosovë, për ta restauruar këtë xhami dhe për t’ia kthyer shkëlqimin e dikurshëm./bislame/






Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

"Disiplinë dhe rregull" - Visar ef. Koshi