Hytbeja e Kurban-Bajramit

TË BASHKUAR, NË PAQE E DASHURI DO TA NDËRTOJMË ATDHEUN

Të nderuar besimtarë! Vëllezër e motra!
Madhështia, lartësimi dhe falënderimi qoftë vetëm për Allahun e gjithëmëshirshëm, Krijuesin e kësaj ekzistenence, kurse salavatet dhe përshëndetjet tona qofshin për krijesën më fisnike - Muhamedin a.s., për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit, i cili me porositë e tij fisnike na ndriçoi rrugën e besimit.
Sot është një ditë e bekuar për të gjithë Ne. Është dita festive e Kurban Bajramit, dita që bashkon zemrat e myslimanëve anembanë botës, për të përjetuar me shpirt e me ndjenja gëzimin dhe harenë, duke madhëruar e falënderuar Allahun e Gjithëpushtetshëm për begatitë Tij të dhuruara ndaj nesh.
Çdo festë, përmban në vete mesazhe e porosi të thella, por festa e Kurban Bajramit është një festë shumë e veçantë, sepse mesazhet dhe porositë e saj përçohen jo vetëm nëpërmjet fjalëve, por edhe nëpërmjet zemrave e veprave të mira.
Në këtë ditë të shënuar, kur miliona haxhinj janë në përfundim të Haxhit, njërin prej pesë kushteve të Islamit, ata tok së bashku, të veshur me një petk të bardhë që simbolizon thjeshtësinë dhe dëlirësinë shpirtërore, demonstrojnë para botës unitetin, barazinë, solidaritetin, devotshmërinë dhe madhështinë e këtij Ymeti.
Haxhi është një demonstrim i universalitetit të kësaj feje dhe i vëllazërimit të përgjithshëm të myslimanëve pavarësisht racës, ngjyrës apo etnisë.
Allahu fuqiplotë në Kuranin fisnik thotë: “Vizita e Qabes për hirë të Allahut është detyrim për atë që ka mundësi”.
Po kështu edhe kurbani-sakrifica paraqet një prej vlerave më sublime e më fisnike, me të cilin ritual ne synojmë afrimin tek Krijuesi fuqiplotë. Në lidhje me këtë i Dërguari a.s. thotë: “Dita e Fitër bajramit karakterizohet me namaz dhe Sadakatul fitr, kurse Dita e Kurban Bajramit me namaz dhe flijim”
Ne duke flijuar kurbanet tona për hir të Allahut, njëkohësisht na bëhet e mundur të zgjasim dorën e ndihmës tek shumë vëllezër e motra që kanë nevojë për ndihmën tonë.
Prerja e kurbanit nuk është thjesht vetëm derdhja e gjakut, por mbi të gjitha është përkushtimi, bindja, sakrifica, morali dhe devotshmëria e besimtarit. Prandaj, vëllezër të nderuar, përmes therjes së kurbanit dhe ndarjes së mishit të tij, do të kemi rastin t’u ndihmojmë edhe të afërmve edhe të varfërve, sepse kjo edhe më shumë do të na afrojë mes nesh dhe do të na shtojë dashurinë dhe respektin e ndërsjellë.
Të nderuar vëllezër e motra!
Sot në këtë ditë festive të gëzimit e lumturisë shpirtërore, traditë e këtij populli bujar të Kosovës ka qenë që sofra e Bajramit të jetë simbol që bashkon dhe ofron familjet mes vete, shton respektin dhe nderin mes besimtarëve, andaj mos të lejojmë që në mesin tonë të kemi sofra të zbrazura, njerëz të uritur e fëmijë të përlotur, për mungesë ushqimi.
I Dërguari i Allahut thotë: “Kush ia largon besimtarit një prej brengave të kësaj bote, Allahu do t’i largojë atij një prej brengave të Ditës së Gjykimit. Kush e lehtëson atë që është në vështirësi, Allahu do t’ia lehtësojë atij në këtë botë dhe në tjetrën.
Fatkeqësisht, sot Bota ende vuan nga konfliktet e armatosura që po sjellin vdekje e padrejtësi, sjellin tmerr e dhunë, sjellin varfëri e dëbim të popullatës së pafajshme nga vatrat e tyre. Prandaj, të lutemi në këtë ditë që në këtë botë të krijohen kushte e premisa për t’u shuar konfliktet, të lutemi që të mbizotërojë arsyeja për të parandaluar gjakderdhje të reja. Mbase, që të gjithë pajtohemi se njerëzimi sot ka nevojë për paqe e mirëkuptim e jo për dhunë e konflikte. Nuk duhet harruar se misioni ynë në këtë botë është jeta me dinjitet e jo me konflikte e dhunë.
Njerëzimi sot ka nevojë për vlera fetare e shpirtërore, prandaj në këtë ditë të shënuar dhe nga ky vend i bekuar, i ftoj të gjithë besimtarët tanë, të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, që të bashkëveprojmë drejtë ndërtimit të një shoqërie pa dallime, për një solidaret e mirëkuptim, për tolerancë e mbështetje ndaj njëri-tjetrit.
Për t'i arritur këto parime ju rikujtoj të gjithëve që duhet angazhim për të kultivuar koherencën mes nesh duke mirëkuptuar të tjerët, duke tejkaluar egon e lakminë, e duke zbatuar mësimet e Zotit, këshillat e pajgamberëve dhe interesin e popullatës e të vendit tonë. Me këtë rast ftoj të gjithë që për të mirën e shoqërisë dhe të vendit tonë të kultivojmë unitetin veprues duke lënë anash mëritë, inatet e interesat personale e grupore. Të bashkuar, në paqe e dashuri do ta ndërtojmë atdheun dhe një shoqëri të shëndoshë e stabile.
Le të jetë kjo festë e Kurban - Bajramit demonstrim i fuqisë së besimit tonë, i dashurisë dhe i tolerancës si dhe forcim i zemrave tona drejt shkallëve të larta të devotshmërisë, për të na siguruar prosperitet në këtë botë dhe shpëtim në botën tjetër.
Në fund, vëllezër e motra besimtarë, më lejoni që nga ky vend i bekuar, të gjithë Juve, kudo që gjendeni, brenda trojeve tona etnike shqiptare dhe në mërgatë, në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës dhe Institucioneve të saja, t’ju uroj festën e Kurban Bajramit me dua e lutje tek Zoti i Gjithëmëshirshëm për mirëqenien Tuaj dhe të familjeve Tuaja. E lusim Allahun fuqiplotë që ta ruajë atdheun tonë dhe t’i bashkojë mendjet e prijëse tanë në një kauzë të përbashkët, për të çuar përpara amanetin e të gjithë atyre dëshmorëve që ranë për lirinë e atdheut.
Me fat ju qoftë festa e Kurban – Bajramit!



(Hytbeja e mbajtur nga kreimami i Kosovës Sabri ef. Bajgora me rastin e Kurban Bajramit në Xhaminë e madhe në Prishtinë më 12 shtator 2016)

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.