Kontributi i Piri Reisit dhe Evlija Çelebiut në zhvillimin e shkencës së gjeografisë

Ahmed Muhiddin Piri (Piri Reis) (1465/70 – 1554/55)

Vendi i saktë i lindjes së tij nuk dihet. Ai mendohet se ka lindur ose në pjesën evropiane të perandorisë osmane përkatësisht në qytetin Gelibul, që i takon Trakisë Turke, ose në qytetin e vendlindjes së babait të tij Karaman që ndodhet në Anadollin Qendror, apo në pjesën jugore të Turqisë Qendrore. Edhe sa i përket origjinës së tij ka diskutime. Burimet e ndryshme i referohen idesë se të parët e tij mund të jenë të krishterë grekë, hebrenj apo turq etnikë. Piri ishte një gjeneral osman, gjeograf dhe hartograf.


Figura 1. Piri Reis.

Gjatë jetës së tij Piri Reis dha një kontribut të madh për shkencën e gjeografisë dhe hartografisë. Në kohët moderne ai është i njohur për hartat dhe grafikonet, të cilat i ka botuar në librin më titull “Kitab-ı Bahriye”. Ky libër gjithashtu përmban informacione të detajuara mbi navigacionin, si dhe grafikone shumë të sakta (për kohën e tyre), duke përshkruar porte dhe qytete të rëndësishme në Detin Mesdhe. Ai fitoi famë si hartograf, ku një pjesë e vogël e hartës së tij për botën (të punuar më 1513), u zbulua në vitin 1932 në pallatin Topkapi në Stamboll. Harta e tij për botën, është harta më e vjetër në atlaset turke, e cila tregon Botën e Re. Kjo hartë gjithashtu është një nga hartat më të vjetra për Amerikën që akoma ekziston diku (harta më e vjetër për Amerikën që ende ekziston është harta e punuar nga Juan de la Cosa në vitin 1500, e cila ruhet në Muzeun Detar (Museo Naval) të Madridit në Spanjë). Hartat e tij janë të përqendruar në Sahara dhe gjerësinë e tropikut të gaforres.
“Kitab-ı Bahriye” është një nga librat e parë modern që ka trajtuar metodat e lundrimit, duke përfshirë një hartë të botës. Në vitin 1513 Piri Reis punoi hartën para-moderne për tërë Botën e njohur deri atëherë. Gjysma e hartës së mbijetuar tregon brigjet e Evropës Perëndimore dhe Afrikës Veriore, kurse gjysma tjetër tregon me një saktësi të lartë brigjet e Brazilit, gjithashtu në këtë hartë ai paraqet edhe ishujt që ndodhen në hapësirën e Oqeanit Atlantik, siç janë Ishujt Azore, Kanaire, Ishulli Mitik i Antillasë, siç e quan Piri Reis, ndoshta edhe Japonia. Rëndësia e kësaj harte qëndron në demonstrimin e shtrirjes së eksplorimit të saj në Botën e Re në vitin 1510, ndoshta para të tjerave. Si bazë në përpilimin e kësaj harte, Piri Reis përdori 10 harta arabe, 4 harta indiane me burime nga portugezet dhe një hartë të Kolombit.
Në këtë tekst Piri Reis thekson se si burim ka përdorur “harta të punuara në kohën e Aleksandrit të Madh”, por ka shumë të ngjarë që ai ta ketë ngatërruar me gjeografinë e lashtë greke të Ptolomeut të shek. II p.e.s. Harta e Piri Reis është e ngjashme me hartën e Aleksandrit të Madh të Ptolomeut (prej 6 shekujsh më parë), e riprodhuar nga Jan of Stobnica (Jan ze Stobnicy), e punuar më 1512.


Figura 2. Një pjesë e hartës së mbijetuar nga Harta e Botës, punuar nga Piri Reis në vitin 1513.

Në librin “Kitab-ı Bahriye”, Piri Reis përmirëson gabimin e dorëshkrimit të Kolombit (sikurse besonte Kolombi se Kuba ishte një gadishull Kontinental), e që nga viti i punimit të këtij dorëshkrimi, spanjollët kishin që dy vite që ishin vendosur në Meksikë. Përveç hartave, libri përmban informacione të detajuara mbi portet e mëdha, gjiret, humnerat detare, gadishujt, ishujt, ngushticat, strehimoret ideale të Detit Mesdhe, teknikat e lundrimit, si dhe informacione astronomike që kanë të bëjnë me lundrimin detar. Ai në këtë libër shkruan edhe për popullsinë lokale të çdo krahine dhe qyteti, ku më shumë ishte i interesuar të dinte rreth aspekteve kulturore të tyre. Ky libër ka gjithsej 30 legjenda për hartën e botës, prej tyre 29 legjenda janë në gjuhen turke dhe një në gjuhën arabe. Legjenda e fundit përmban edhe kohën e punimit – muaji Muharrem viti 919 hixhri (që korrespondon me pranverën e vitit 1513). Shumica e studimeve janë të identifikuara me kohën e përfundimit si viti 1521, apo ky punim u rishikua më 1524-5, me informata shtesë dhe tabela të hartuara më mirë, më qëllim që t’i jepet si dhuratë Sulejmanit I. Botimi i korrigjuar kishte një vëllim prej 434 faqesh, që përmbanin rreth 290 harta.


Figura 3. Harta e Detit Egje, punuar nga Piri Reis.

“Kitab-ı Bahriye” përbehet prej dy pjesëve kryesore. Pjesa e parë është e dedikuar për njohuritë rreth llojeve të stuhive, teknikat e përdorimit të një busulle, listë të hartave detare të shoqëruara me grafikone për bregdetet dhe qytetet e tyre, metoda për orientim me anë të yjeve, si dhe disa veçori të oqeaneve të mëdhenj së bashku me tokat përreth tyre. Theks të veçantë në këtë pjesë i është dhënë zbulimit të Botës së Re nga Kristofor Kolombi dhe Vasko de Gama dhe detarëve të tjerë portugez, si dhe rrugëve të tyre për në Indi e në pjesët e tjera të Azisë. Pjesa e dytë e librit përbëhet kryesisht nga një listë e hartave detare dhe udhëzues të lundrimit. Çdo temë përmban hartën e bregdetit apo ishullit. Në librin e parë (1521), kjo pjesë ka gjithsej një listë prej 132 hartave detare, ndërsa në librin e dytë ka një listë prej 210 hartave detare. Pjesa e dytë fillon me përshkrimin e Ngushticës së Dardaneleve dhe vazhdon me ishujt e brigjeve të Detit Egje, Jon, Adriatik, Tirren, Ligurian, Rivierën Franceze, Ishujt Balerik, brigjet e Spanjës, Ngushticën e Gjibraltarit, Ishujt Kanare, brigjet e Afrikës Veriore, Egjiptit, Lumin Nil, bregdetin e Levantit (bregdetit lindor të Mesdheut) dhe bregdetin e Anadollit. Kjo pjesë gjithashtu përfshin edhe vizatime të ndërtesave dhe monumenteve të qyteteve të njohura, si dhe informacione biogjeografike për çdo qytet. Piri Reis shpjegon arsyen se pse ka preferuar që të punojë një listë të hartave në këtë libër, në vend që të punojë një hartë të vetme, e cila nuk do të kishte mundur që në vetvete të përmbajë kaq shumë informata të detajuara.
Në vitin 1528, Piri Reis punoi hartën e dytë të botës (ku pasqyrohet Groenlanda dhe Amerika e Veriut, duke filluar nga rajoni verior i quajtur Labrador, Floridën, Kubën dhe vazhdon me pjesën e Amerikës Qendrore), një pjesë e vogël e kësaj harte ka mbijetuar deri në ditët e sotme. Edhe pse Piri Reis nuk ishte një eksplorues dhe nuk lundroi kurrë në Oqeanin Atlantik, këtë hartë ai e punoi duke i bashkuar rreth 20 harta të autorëve arabë, spanjollë, portugezë, kinezë, indianë, si dhe harta të grekëve të vjetër.
Një shekull pas vdekjes së Piri Reis, si dhe gjatë gjysmës së dytë të shek. XVII, është botuar versioni i tretë i këtij libri, duke mos i prekur fare tekstin, e duke pasuruar pjesën hartografike. Ai përfshin harta të tjera të reja në shkallë të madhe (kryesisht kopje italiane nga Battista Agnese e Jacopo Gastaldi, dhe holandeze nga Abraham Ortelius, të punuara një shekull më parë. Këto harta që kanë përshkruar Detin e Zi, kanë qenë më të sakta e nuk janë përfshirë në origjinal.
Kopje të librit “Kitab-ı Bahriye” janë gjetur në shumë biblioteka dhe muze në mbarë botën.


Figura 4. a) Një kopje e hartës së Evropës së shekullit XVI e ndodhur në Kitab-ı Bahriye, b) Një pjesë e hartës së mbijetuar nga Harta e Botës, punuar nga Piri Reis në vitin 1528.

Evlija Çelebi (1611 – 1682)

U lind dhe u edukua në Stamboll, që në atë kohë ishte qendër e perandorisë osmane. Familja e tij kishte marrëdhënie të ngushta me oborrin mbretëror. Evlija Çelebi u bë i njohur për të dhënat e vëzhgimet që botoi rreth vendeve ku kishte udhëtuar. Ai njihet edhe për kontributin e dhënë në gjeografi dhe histori.
“Seyahatname” konsiderohet si libri më i gjatë dhe më i plotë në llojin e vet, në perandorinë osmane dhe ndoshta në botë. Shkrimet e para të tij ishin në formë shënimesh të marra gjatë udhëtimeve nëpër Stamboll, në të cilat përshkruheshin ndërtesat, tregjet, zakonet dhe kultura.Pas Haxhi Kallfës, Evlia Çelebiu ishte padyshim gjeografi më i madh i perandorisë turke. Emri i tij i vërtetë ishte Muhamed Zil-li ibni Dervish, por në kohën e tij pseudonimet e vetësajuara ishin në modë dhe parapëlqeheshin mjaft. Ishte njeri me kulturë të gjerë, ku me shënimet e tij nga udhëtimet e gjata e të shumta në treva të Azisë, Afrikës dhe Evropës shkroi shumë libra. Librat e tij përfshijnë një periudhë 40 vjeçare dhe përmblidhen në një vepër prej 10 vëllimesh, të titulluar “Seyahatname”. Ky libër ka një rëndësi të veçantë, sepse nuk përmban vetëm përshkrim të thjeshtë të elementeve që autori has gjatë rrugëtimit, por jep informacione të rëndësishme mbi historinë dhe organizimin shtetëror të perandorisë osmane dhe të vendeve të tjera, si dhe pikëpamjen personale të autorit. Në këtë libër Çelebi përshkruan natyrën e vendeve që ai i viziton, organizimin urban dhe arkitekturën e ndërtesave të qyteteve nëpër të cilat kaloi, gjuhët dhe dialektet e popujve që i takoi dhe karakteristikat e tyre. Për sa i përket çështjeve gjuhësore, Çelebi flet për leksikun e këtyre gjuhëve, formën e tyre, sintaksën, si dhe përshkruan shqiptimin e tingujve. Përshkrimet e tij mbi organizimin urban, hapësirat e gjelbra, menaxhimin e ujit, formacionet mbrojtëse dhe arkitekturën e ndërtesave janë informacione të rëndësishme për historinë e arkitekturës. Machiel Kiel, autor i librit “Arkitektura Osmane në Shqipëri”, shkruan se vepra e Çelebisë është shumë e pasur dhe e vlerësueshme dhe ajo duhet të merret në konsideratë, veçanërisht për sa i përket arkitekturës fetare myslimane dhe ndërtimeve osmane. Ndërtesat e besimeve të tjera, ai i fut zakonisht në të njëjtin grup duke shfaqur kështu paragjykimet apo klishetë e kohës. Kurse sa i përket çështjeve ekonomike, autori na përcjell përshkrime mjaft interesante mbi organizimin e urdhrave të esnafeve, marrëdhëniet tregtare dhe aktivitetet ekonomike të popujve të ndryshëm. Në rolin e antropologut, por dhe të historianit, Çelebi na ofron një libër, i cili mund të mos ketë saktësi shkencore, por është gjithsesi një minierë ari për studiues të fushave të ndryshme, të cilët, shpeshherë, e kanë analizuar pjesërisht për të nxjerrë të dhëna të vlefshme për çështjet që u interesonin.
Udhëtimin e parë jashtë vendit Çelebi e bëri në vitin 1640. Mes rajoneve që ai vizitoi dhe përshkroi ishin Kaukazi, Lindja e Mesme, Bullgaria, Vllahia, Moldavia, Transilvania, Hungaria, Vjena, Serbia, Kroacia, Bosnja, Dalmacia, Shqipëria, Greqia, Rusia, Meka, Egjipti dhe Sudani. Në veprën e tij prej dhjetë volumesh, Shqipëria përmendet në volumin e tetë ku ndër të tjera ai flet dhe për Greqinë, Stambollin dhe betejën e Kandias në Kretë ku Çelebi mori pjesë.


Figura 6. Harta e lumit Nil punuar nga Evlija Çelebi.


LITERATURA

Dr W. Hazmy C.H. Dr Zainurashid Z. Dr Hussaini R., BIOGRAPHY Muslim Scholars and Scientists, Published by: Islamic Medical Association of Malaysia N. Sembilan, (http://www.social-sciences-and-humanities.com/PDF/Biographies-of-Muslim-Scholars-and-Scientists.pdf),
Dr. Muhammad Adil Afridi, Contribution of muslim scientists to the world: an overview of some selected fields
(http://irep.iium.edu.my/8415/1/Contribution_of_Muslim_Scholars_to_the_world.pdf, https://orientalizmi.wordpress.com/2011/12/21/evlija-celebi-ky-udhetar-i-madh-osman/,
https://sq.wikipedia.org/wiki/Evlia_%C3%87elebiu,
http://www.crystalinks.com/pirireis.html),
Ibrahim YILMAZ, Turkey, The Kitab-ı Bahriye “Book of Navigation” of Piri Reis (https://www.fig.net/resources/proceedings/fig_proceedings/fig2012/papers/ts02k/TS02K_yilmaz_5687.



Msc. Artan S. Mehmeti


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, e mbajtur me rastin e festës së Fitër Bajramit (video)