Kontributi i qarkut fetar Islam të Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore në shqipërimin e Kuranit (1)

I.

Kurani është burimi kryesor i fesë islame, e rrjedhimisht edhe i kulturës e qytetërimit islam dhe si i tillë, është një nga faktorët themelor që bashkon besimtarët myslimanë në organizimin e jetës së tyre. Prandaj edhe interesimi për ta mësuar Kuranin, kuptuar, nxënë përmendsh dhe për ta interpretuar e komentuar atë, është i madh te të gjithë popujt që nga shpallja e tij e deri në ditët e sotme.
Kurani i ka zbritur pejgamberit, Muhamedit a.s., në gjuhën arabe në gjysmën e parë të shek. VII dhe paraqet shpalljen e fundit nga Zoti i Madhërishëm. Kurse, me përhapjen e fesë islame dhe pranimin e Islamit nga joarabët, do të shfaqej domosdoja e përkthimit të Kuranit në gjuhët e tyre.
Përderisa myslimanët përkthimit të Kuranit i qasen si burim bazë i fesë së tyre, me qëllim që të mësojnë nga ai në gjuhën e tyre, jomyslimanët përkthimit të Kuranit, të shumtën, i qasen për qëllime që të njohin librin bazë të Islamit dhe edhe për qëllime misionariste.(1)
Nga ajo që dihet, Kurani deri tani është përkthyer në më shumë se 100 gjuhë të ndryshme të botës dhe, krahas Biblës, është libri më i kërkuar, më i përkthyer dhe më i përhapur në botë.
Ajo që duhet thënë që në fillim, është fakti se Kurani te shqiptarët është i pranishëm që herët, pra që atëherë edhe kur filloi pranimi i Islamit nga shqiptarët, me të cilin proces nisi, natyrisht, edhe ndikimi i Kuranit në organizmin e jetës së tyre në të gjitha rrafshet, që nga ai shpirtëror, etik, social, kulturor, arsimor e deri tek organizimi shoqëror.
Siç e thamë edhe më lart, Kurani për fenë islame është burimi kryesor i saj, andaj myslimanët që nga koha e Pejgamberit a.s. i kanë kushtuar rëndësi shkrimit, mësimit përmendsh, formës së leximit, vendit të ruajtjes e deri të zhvillimi i shkencave kuranore.

Kjo dëshmohet më së miri mbi rëndësinë që i kushtojnë myslimanët mësimit përmendsh të Kuranit - pra hafëzllëkut. Të gjitha këto ndikime i gjejmë edhe në shoqërinë shqiptare që nga shekujt XIV-XV e këndej, apo thënë më mirë, anekënd trojeve tona gjejmë medrese të posaçme ku mësohej, komentohej e bëhej hifz Kurani. Ata që mësonin Kuranin përmendsh, si në çdo shoqëri myslimane, edhe te shqiptarët kishin nam e trajtim të posaçëm.
Në historinë e shqiptarëve janë të njohura shumë personalitete të shquara që u janë përkushtuar me tërë qenien e tyre mësimeve të Kuranit.
Ulemaja shqiptare, që ka vepruar në kuadër të Perandorisë Osmane, ka qenë e nivelit të kohës dhe ka dhënë kontributin e saj në këtë fushë. Duhet thënë edhe këtë se paria dhe ulemaja shqiptare ka pasur të njëjtin mendim sa i përket përkthimit të Kuranit me mendimtarët e atëhershëm në Perandorinë Osmane dhe gjithandej në botën islame.

II.

Megjithëqë prania e Kuranit te shqiptarët është e hershme sa edhe prania e Islamit s' do mend se edhe interesimi, përkushtimi e kontributi i shqiptarëve ndaj Kuranit dhe për Kuranin është evidentë, prandaj dhe nga radhët e shqiptarëve kanë dalë shumë njohës, komentues, hafëzë e lexues të spikatur, kjo në njërën anë, kurse në anën tjetër ata kanë jetuar e vepruar po sipas porosive kuranore. Porse, - krahasuar me popujt e tjerë evropianë, - Kurani te shqiptarët është përkthyer relativisht vonë. Për këtë ngecje, kujtojmë, kanë ndikuar disa faktorë, ndër të cilët më kryesorët janë:

- mungesa e traditës së përkthimeve;
- mungesa e një alfabeti të përbashkët;
- mungesa e institucioneve profesionale (arsimore,

shkencore e fetare) në viset shqiptare për të zhvilluar veprimtarinë e tyre në gjuhën shqipe deri në kohën e Rilindjes Kombëtare.
Ndër shqiptarët, përpjekjet dhe iniciativat e para për përkthimin e Kuranit në gjuhën shqipe i gjejmë që në kohën e Rilindjes Kombëtare. Mirëpo, punën e parë serioze në këtë drejtim e ndërmori Ilo Mitko Qafëzezi, i cili në Ploeshti të Rumanisë, më 1921, i kishte botuar të përkthyera në shqip 6 suret e para të Kuranit.(2)
Pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe konsolidimit të shtetit shqiptar, interesimi për përkthimin e Kuranit në gjuhën amtare u bë nevojë e domosdoshme. Me zgjerimin e arsimit në gjuhën shqipe domosdoshmëria për një përkthim të tillë u ndie dhe më tepër. Kësaj nevoje iu përgjigj në mënyrë të institucionalizuar Kongresi i Parë Mysliman Shqiptar (1923).
Në këtë kohë, nga nismëtarët për kthimin e Kuranit do t'i gjejmë personalitetet më të shquara në fushën e islamologjisë, por dhe në fushën e atdhetarizmit: Hafëz Ali Korça(3) dhe Hafëz Ibrahim Dalliu(4), të cilët ishin njohës të mirë të shkencave islame, po edhe të atyre të përgjithshme.
Nëse shihet me qetësinë shkencore nisma për përkthimin e Kuranit në shqip, do të vërejmë se ajo vjen krahas themelimit të institucioneve shtetërore e fetare, pra nis në mërgatë, për të marrë trajtë e formë
në Shqipëri, ku tashmë ishte themeluar Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Këshilli i Naltë i Sheriatit, Medreseja e Tiranës etj. Pra, nisma e përkthimit të Kuranit në shqip vjen pas vendimeve të mëdha që kishte marrë paria shqiptare, vendime të cilat janë përcaktues për fatin dhe të ardhmen e shqiptarëve, si në aspektin kombëtar, ashtu edhe në atë shtetëror, apo thënë ndryshe nisma për përkthimin e Kuranit vjen konkretisht pas Kongresit të Alfabetit (1908), Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (1912) dhe krahas Pavarësisë së Komunitet Mysliman Shqiptar (1923). Vlen të theksohet edhe kjo se në këto ngjarje të rëndësishme për popullin shqiptar, si te Kongresi i Manastirit, te Shpallja e Pavarësisë së vendit, si dhe te pavarësimi i Komunitetit Mysliman Shqiptar, bartës janë prijësit e shquar, si haxhi Vehbi Dibra, hfz. Ali Korça, hfz. Abdullah Semblaku, hfz. Ibrahim Dalliu, Shefqet Muka, Sali Vuçitërna etj., të cilët i gjejmë edhe bartës të nismës për përkthimin e Kuranit në shqip, gjë që i jep dimension kombëtar e nacional kësaj nisme të bekuar.
Me gjithë vullnetin, dëshirën dhe përkushtimin e madh të këtyre kolosëve që ta përkthejnë Kuranin në shqip, rrethanat nëpër të cilat kaluan Shqipëria dhe shqiptarët nuk e lejuan një konkretizim të tillë. Mirëpo, nga kjo që thamë deri tash, shihet e kuptohet se bartës të nismës për përkthimin e Kuranit, apo, nëse më lejohet të them për shqipërimin e tij, qenë prijësit e shquar myslimanë-ulemaja myslimane që për strumbullar kishin Komunitetin Mysliman Shqiptar, institucionin e tij, e posaçërisht organet (periodikun), siç qenë "Zani i Naltë" e "Kultura Islame", të cilat asokohe qenë shndërruar në tribuna të mendimit fetar, kombëtar, kulturor e shoqëror. Kjo gjendje vazhdoi deri më 1944, apo deri me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, kur në Shqipëri u instalua sistemi monist, ndërsa pjesët e tjera të trungut shqiptar u ripushtuan nga Jugosllavia.
Pra, Kosova edhe njëherë padrejtësisht ndahet nga ëma e saj - Shqipëria dhe futet dhunshëm nën administrimin e sajesës artificiale të quajtur Jugosllavi. Me këtë akt, edhe Bashkësia e Fesë Islame në Kosovë detyrimisht do të ndryshojë qendrën nga Tirana në Sarajevë dhe që nga viti 1945 e deri më 1990 do të veprojë si Bashkësia e Fesë Islame për Serbinë, respektivisht për Kosovën, Serbinë dhe Vojvodinën, me seli në Prishtinë, në kuadër të Bashkësisë Fetare Islame të Federatës Jugosllave me qendër në Sarajevë.

III.

Ulemaja shqiptare, me gjithë vështirësitë që i paraqiste sistemi monist jugosllav, arriti që të gjente forma për të krijuar institucione, që do të jenë bartëse të jetës fetare në Kosovë e më gjerë. Mirëpo, ky mision bëhej edhe më i vështirë, kur dihet fakti se në Shqipëri sistemi monist ishte edhe më i ashpër në raport me fenë, institucionet fetare e sidomos me prijësit fetarë.
Në këto rrethana, kur sistemi jugosllav vendosi kufij të hekurt mes trojeve shqiptare, ulemaja në Kosovë, më 1948, bën riorganizimin e Bashkësisë Islame, një vendim ky i rëndësisë së veçantë për organizmin e jetës fetare në Kosovë e më gjerë ...


_____________________
(1) Shih: Dr. Hasan Kaleshi: Kur'ani kryevepër e letërsisë arabe, "Edukata Islame", nr 31-32/1981, Prishtinë, f. 51.
(2) Shih: KURANI (KËNDIMI), pjesa e parë, përkthyer në shqip prej: L M. Q., Shtypur në Rumani, Ploeshti 1921.
(3) Shih: Sadik Bega, Hafëz Ali Korça pasqyrë atdhetarizme për brezin e ri; Kultura Islame, viti III nanduer-dhetuer, Tiranë 1941, fq. 102-105.
(4) Shih: Ajka e kuptimeve të Kur-anit Qerimit, botoi Këshilli i Naltë i Sheriatit, Tiranë, shtypur në shtypshkronjën "Ora e Shkodrës" Shkodër 1929-1944.



Ramadan Shkodra

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.