Shuajb el-Arnauti 1928-2016

S'ka dyshim se vdekja e dijetarëve është humbje për mbarë umetin islam, por vdekja e Shuajb el-Arnautit është humbje e dyfishtë për ne shqiptarët, ngase ai ishte njëri prej kolosëve dhe dijetarëve me renome ndërkombëtare, por që me origjinë ishte shqiptar.

Lindja dhe jeta e tij

Shuajb el-Arnauti është ndër dijetarët më të njohur të kohës bashkëkohore, veçanërisht i dalluar në shkencën e hadithit, më saktësisht merret me autoktoninë apo ekzaminimin dhe vërtetësinë e hadithit. Familja e Shuajb el-Arnautit ishin shpërngulur prej Shkodrës për shkak të presionit dhe të orientimeve politike që kishte atë kohë mbreti Zog. Meqë Muharremi, i ati i tij, njihej si njeri fetar, ishte cak i presioneve të asaj kohe dhe kjo ishte arsyeja e shpërnguljes së tij.
Shuajb el-Arnauti u lind në Damask të Sirisë në vitin 1928, rreth dy vite pas shpërnguljes së familjes së tij. U rrit dhe u edukua në gjirin familjar dhe nën kulturën islame. Që në vegjëli, kishte mësuar bazat e fesë islame dhe kishte mësuar shumë pjesë nga Kurani përmendsh. Kjo dëshirë e tij për të kuptuar sa më mirë fjalën e Allahut xh.sh., dhe për t'u thelluar sa më shumë në të kuptuarit e saj, e nxiti që në moshë të re të mësonte gjuhën arabe. Ndaj edhe për disa vite me radhë ka frekuentuar xhamitë dhe shkollat e Damaskut, duke kërkuar mësime të gjuhës arabe, gramatikë s, morfologjisë, sintaksë s e të leksikologjisë së saj.

Shkollimi i tij

Shuajb el-Arnauti, falë zellit dhe përkushtimit të tij, për një periudhë prej 8 vjetësh, kishte arritur që të mësonte gjuhën arabe nga dijetarët më të njohur të kohës, ku ndër ta ishin edhe dijetarët me origjinë shqiptare si Sulejman Gavoçi e Nuh el-Albani. Pas mësimit të gjuhës arabe, Shuajbi, orientohet drejt mësimit të jurisprudencës islame, e sidomos asaj të shkollës hanefite. Mësimi i jurisprudencës i zgjati përafërsisht 7 vjet, ku së bashku me të, kishte mësuar edhe komentim të Kuranit, terminologji të hadithit, baza të fesë, etikës etj.
Gjatë mësimeve rreth jurisprudencës islame, Shuajb el-Arnauti kishte vënë re se dijetarët bashkëkohës të tij kishin një lloj ngecje në dallimin e haditheve autoktone, prej atyre të futura në fe, apo prej atyre të dobëta dhe të shpifura. Pra kjo ishte edhe arsyeja pse orientohet drejt mësimit të shkencës së hadithit dhe merret me kategorizimin e tij.
Në vitin 1958, orientohet drejt bibliotekës islame në Damask, ku edhe merr udhëheqjen e sektorit për studimin e hadithit, të cilin e udhëheq për afro 20 vjet. Gjatë kësaj kohe ai kishte arritur që të merrej me vërtetësinë e mbi 70 vëllimeve. Në vitin 1982, Shuajb el-Arnauti shpërngulet në Aman të Jordanisë, ku fillon punën si përgjegjës për vërtetësinë e hadithit në qendrën e një prej shtëpive botuese më të mëdha të vendit.

Veprimtaria e tij

Deri tani ka nxjerrë mbi 240 vëllime, të cilat kryesisht ndërlidhen me hadithin, por që ka edituar shumë nga veprat klasike dhe manuskripte nga trashëgimia islame.
Me tërë këtë bagazh të veprave të tij, me të vërtetë, meriton të quhet edhe si dijetari i shekullit, dhe një nga studiuesit më të famshëm të fushës së tij. Ai ka edituar, ekzaminuar, përmbushur me shënime dhe gjykuar hadithet e shumë veprave, ndër të cilat ndoshta më e njohura është" Zad el Mead" i Ibën Kajim el Xheuzisë, edhe pse mendohet se kontributi i tij më i rëndësishëm skolastik gjendet tek editimi i tri veprave: "Sharh el Sunna" i Imam Bagauit, "Sharh mushkil el athar"
të Imam Tahauit, dhe "El Ihsan fi takrib Sahih ibën Hiban". Përgatitja e këtyre punëve, secila prej tyre me gjashtëmbëdhjetë volume, nuk ka qenë thjesht punë edituese. Për shembull, vepra e Ibën Hibanit, ka tetë volume dhe shehu me shënimet dhe komentet e tij shtoi tetë volume të tjera.
Teksa numri i dijetarëve të kualifikuar për të dhënë mësim këto vepra klasike të shkencave islame bëhet gjithnjë e më i paktë, Shuajbi shpresonte se këto botime të zgjeruara do t'i shërbejnë nevojave të myslimanëve që do t' i lexojnë ato.
Shuajb el-Arnauti e fliste mirë gjuhën shqipe dhe disa herë ishte për vizitë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, ndërsa për herë të fundit ishte në vitin 2011, ku edhe mbajti një mori ligjëratash në xhami dhe institucione të ndryshme të këtyre vendeve. Ëndrra e tij më e madhe ishte që shqiptarët t' i shohë të bashkuar në një shtet dhe të përkushtuar ndaj Islamit, ashtu siç ishin në kohën e osmanlinjve, dhe në lidhje me këtë thotë se ne shqiptarët ishim të panjohur si popull, derisa nuk e pranuam Islamin.
Ai, në fundin e jetës së tij ka jetuar në Aman të Jordanisë, ku e drejtonte punën kërkimore dhe bibliotekën e shtëpisë botuese "Muesesetu El-Risaleh".
E ndërsa prej veprave të tij më të njohura do të mund të theksojmë:
1- Sherh es-suneh të Bagaviut, 16 vol.
2- Musned el-Imam Ahmed ibën Hanbel, 50 vol. 3- Sijer alam en-nubela të Dhehebiut, 25 vol.
4- Sunen et- Tirmidhi, 16 vol.

Vdekja e tij

Shuajb el-Arnauti vdiq në moshën 88 vjeçare, pas një sëmundje të shkurtër. Ai vdiq ditën e enjte, me datë 27.10.2016, në Amman, ndërsa varrimi i tij u bë ditën e xhuma pas namazit të xhumasë në xhaminë "El-Fehja" në Shmisani të Ammanit/Jordani.



Mr. Artan Musliu

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.