Çfarë thotë Kurani për gratë? (1)

Kur isha njëmbëdhjetë vjeçe, bleva një libër të vogël, që kishte një ajet Kurani. Doracakun e mora në një stendë para një xhamie në Kajro. As nuk isha myslimane, as nuk dija të lexoja arabisht, thjesht e bleva për shkak të ballinës dhe përmasave të përshtatshme për ta mbajtur. Tregtari më shikoi habitshëm derisa unë po e merrja librin që nuk ishte më i madh sesa një shkrepës.

Librin e gjeta rreth një çerekshekulli më vonë në një pasdite verore në St. Louis, mbështjellë në një kuti të aksesorëve të arit në shtëpinë e prindërve të mi. Qysh atëherë, unë jo vetëm që kisha trashëguar interesimin e babait për botën islame, por edhe mahnitja ime e fëmijërisë ishte përshkallëzuar, meqë po raportoja kohë pas kohe për shoqëritë myslimane si gazetare në "Newsweek" dhe pastaj në revistën "Time".
Sidoqoftë, asnjëherë nuk kisha provuar deri më 2012 të tregoja ndonjë kërshëri të theksuar për Kuranin - burim i bindjes së xhihadistëve dhe ekstremistëve për të cilat po shkruaja. Ata thoshin se në luftën e tyre priheshin prej ajeteve kuranore.
Kurani nisi si seri shpalljesh të Muhamedit, tregtar karvanësh, në shekullin e shtatë. Kjo shpallje u shndërrua në forcë politike, sociale dhe shpirtërore, ndikimi i së cilës shihet anembanë botës.
Si libri i religjionit që është përhapur më së shpejti në planet, me 1,6 miliardë besimtarë, islami është i dyti për nga popullariteti menjëherë pas krishterimit. Kurani është si nyjë morale për qindra miliona besimtarë. Leximi i tij është parakusht për njohjen e njerëzimit.
U habita kur mora vesh se Kurani mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Avokati i të drejtave të njeriut në San Francisko mund të gjejë dispozita për liri të ndryshme në të njëjtin kapitull, në të cilin një imam
i shekullit të dymbëdhjetë në Kajro do të shihte masa kufizuese.
Marksisti dhe bankieri i "Wall Streetit", despoti dhe demokrati, terroristi dhe pluralisti, kushdo mund të vërë gishtin mbi një ajet kuranor në përkrahje të kauzës së tij.
Sheiku Mohammad Akram Nadwi, dijetari islamik që më kishte mësuar Kuranin, më ka rrëfyer njëherë një shaka të vjetër indiane. Një hindus shkon te fqinji i tij mysliman dhe ia kërkon hua një kopje të Kuranit.
Natyrisht, ia kthen myslimani.
Kemi me bollëk kopje Kurani! Më prit sa ta sjell një nga libraria ime.
Indiani kthehet pas një jave të fqinji mysliman. Faleminderit shumë, thekson ai.
Mahnitëse. Por, po pyes veten, a do të mund të më jepje një kopje të Kuranit tjetër?
Tashmë e ke në dorë, ia kthen myslimani.
Paj, po bre, e lexova këtë, nuk ndalet fqinji hindus.
Por, po të kërkoj një kopje Kurani që është udhërrëfyes për myslimanët.
Ka shumëçka të vërtetë në këtë shaka, thekson Akrami. I gjithë ky muhabeti për xhihadin dhe formimin e shteteve islamike, nuk janë gjëra që thuhen në Kuran!
Po pinim çaj në një zyrë në Oksford, disa vjet pas sulmeve të 11 shtatorit. Isha korrespondente në "Newsweek" dhe po punoja në një grup të pavarur mendimi, Qendra e Oksfordit për Studime Islamike. Një dekadë më parë do të punoja me Akramin si pjesë e një ekipi dijetarësh që po hartonin përhapjen e islamit përgjatë Azisë Jugore.
Atë ditë në Oksford nuk kishte kurrfarë humori. Prej 11 shtatorit e këndej ishim dëshmitarë të zbehjes së marrëdhënieve ndërmjet myslimanëve dhe jomyslimanëve. Dhe, gjërat kishin shkuar aq keq, saqë dukej se nuk do të mund të riparoheshin dëmet për jetë të jetëve.
Kur ranë kullat binjake, ishte ndarë edhe bota në dysh, kështu na ishte thënë. "Ose jeni me, ose jeni kundër nesh", kishte deklaruar zëshëm presidenti i atëhershëm amerikan, George W. Bush.
Në një atmosferë të tillë, pësoi njëfarë krisje edhe miqësia jonë. Asnjëherë nuk na kishte shkuar fjollë: Unë jam feministe shekullare, hebraike nga ana e nënës dhe ithtare e Shoqatës Religjioze të Miqve (Quakers) prej anës së babait. Akrami është dijetar konservator. Në islam këta dijetarë quhen alim. Megjithatë të dy kërkonim të ruanim lidhjet, ani pse në botë thellësisht të ndara.
Shkolluar në Indi dhe Arabi Saudite, me njëzetë vjet të kaluara në Britani të Madhe, dhe kohë të kaluara duke studiuar në Damask dhe Medinë për ngritjen e tij fetare, sheiku ka një diapazon të gjerë kulturor që kalon kontinentet.
Kozmopolitizmi im më ishte mishëruar prej fëmijërisë së kaluar në katër anët e botës si e bija e një babai që s' e zinte vendi-vend, një burrë që kishte ecur nëpër rrokaqiej që dukej se çanin qiellin.
Kam jetuar në Teheran, Kabul, Delhi, Kajro në fëmijërinë time, isha një nomade e regjur, në paqe me shumicën e vendeve ku shkonin prindërit e mi.
Leksionet e para për dallimet kulturore ishin të ashpra: në Qom, qyteti iranian i seminareve dhe dijetarëve, çdo femër, more edhe qoftë pesë vjeçe si puna ime, veshte një gunë të zezë të quajtur çador. Në Afganistan, kurrë nuk guxoje të përvilje as mëngët, kurrë nuk guxoje të fotografoje dikë pa e pyetur dhe kurrë nuk ia ktheje askujt një filxhan çaj.
Kur i thashë një mikeshe se do ta studioja Kuranin me një sheik, ajo kishte një kërkesë. Pyete atë, m'u drejtua ajo, "Pse burrat myslimanë i trajtojnë aq keq femrat".
Kur e pyeta, sheiku më tha se kjo ndodh shkaku se burrat nuk e lexojnë Kuranin ashtu si duhet. Shpeshherë, njerëzit e lexojnë Kuranin në mënyrë selektive, duke nxjerrë fraza nga konteksti, ma shpjegoi sheiku.
Njerëzit e përdorin thjesht për çfarëdo argumenti që dëshirojnë të fuqizojnë, më tha ai duke rrudhur krahët. Ata nisen me ide të caktuara në krye dhe kërkojnë ajete që konfirmojnë atë çfarë duan të dëgjojnë.
Shkova në Afganistan më 1998 për të raportuar për jetën e femrave nën regjimin taliban. Gjatë pesë vjetëve të sundimit të tyre në Kabul, ishte nismë e madhe e politikës talibane që të ndalohet çfarëdo që konsiderohej joislamike, përfshirë balonat, lyerjen e thonjve dhe daljen e femrave në publik me fytyra të pambuluara.
Një prej edikteve më të tmerrshme të talibanëve ishte ndalimi i shkollimit të femrave. Në një moment të udhëtimit tim, e pyeta babanë e një vajze dhjetëvjeçare nëse ajo kishte dalë ndonjëherë përtej pragut të shtëpisë. Përgjigja e saj ishte: "Për çka?"
Në kohën kur talibanët ishin të zënë që t'i mbanin femrat të ngujuara në shtëpi dhe të mos i lejonin të shkonin në shkollë, Akrami ishte duke zbuluar një version krejtësisht të ndryshëm të traditës islame. Ai version hedh dritë mbi gratë si Ummal Darda, juriste e shekullit të shtatë dhe dijetare që ligjëroi jurisprudencën nëpër xhami të Damaskut dhe Jerusalemit.
Studentët e saj ishin meshkuj, femra, madje edhe kalifi. Një tjetër në kërkimet studimore të Akramit ishte Fatimah al-Bataihiyyah, që u ligjëronte femrave dhe meshkujve në xhaminë e profetit në Medinë, duke nxitur kureshtje të studentëve deri në Fes.
Akrami shpjegon se gjithçka nisi aksidentalisht.
Teksa po lexonte tekste klasike për hadithet (fjalët dhe veprat e profetit Muhamed), kishte vazhduar të mbante shënime për emrat e femrave që shquheshin si autoritete. Vendosi ta bënte një fjalor biografik, një zhanër i njohur e i zhvilluar mirë në kulturën myslimane, që do të përfshinte pjesë të haditheve.
Një doracak atëherë?, - e nguca unë.
Kështu mendova edhe unë, theksoi Akrami. Prisja të gjeja ndoshta njëzetë ose tridhjetë femra. E kisha ndërmend ta publikoj një pamflet. Por, dukej se kishte shumë më shumë.
Përnjëmend?, - ia ktheva unë, po mirë, sa kishte?
Mijëra. Mijëra?
Vepra e Akramit "Al-Muhaddithat: Dijetaret në islam", qëndron si kundërpërgjigje ndaj nocionit klasik që shpërndahet prej Kabulit deri në Mekë, ku pretendohet se dituria islame ka qenë dhe gjithnjë do të jetë punë burrash. "Nuk di se ka ndonjë traditë tjetër fetare ku gratë kanë qenë shtyllë, kaq të pranishme, kaq aktive në historinë e saj formësuese", ka shkruar Akram.
Dijetaret u kanë ligjëruar gjykatësve dhe imamëve, kanë nxjerrë fetfa dhe kanë udhëtuar nëpër qytete të largëta. Disa madje kanë mbajtur ligjërata duke udhëtuar përgjatë gjithë Lindjes së Mesme.
Në fillim thashë se emrat e këtyre femrave ishin harruar e mbuluar prej pluhurit të historisë, sikurse kishte ndodhur edhe me gratë e Perëndimit që ishin injoruar ngjashëm. Për shumicën e civilizimit perëndimor, burrat shkruan historinë, dhe shkruan çfarë ditën. Nuk ishte ditur për kontributin e femrave derisa nuk nisën të shkruanin në vitet 60-të historianet feministe.
Në kontekstin e kulturës islamike, fshirja e femrave ishte punë më e ndërlikuar. Shoqëria myslimane çmon modestinë femërore, ka shpjeguar Akram, një ditë derisa po flisja në telefon. Tradicionalisht, shumë familje myslimane nuk donin që të përmendej e botohej emri i grave dhe të bijave të tyre.
Emrat e femrave myslimane jashtë klasës, medresesë dhe xhamisë ishte punë e interpretimit të konceptit të hixhabit. Shprehja, zakonisht e përdorur kur u referohemi mbulesave të kokave myslimane, në fakt ishte referencë më e përgjithshme për modestinë që kërkohet prej grave dhe burrave. Në një përpjekje për t'i mbajtur femrat të mbrojtura prej syrit të njerëzve në publik, kishte kaluar pa u ditur emri dhe aktiviteti i femrave të zonja e të shquara.
Sheiku Mohammad Akram Nadwi thotë se interpretimi i gjerë i hixhabit vazhdon të bëhet ngjashëm edhe ditëve të sotme.
Njëherë kam shkruar një shkrim për haxhin për një gazetë në gjuhën urdu, më ka treguar Akrami. Doja të përfshija emrat e njerëzve në pjesën për haxhillëkun, por të gjithë njerëzit më thanë që të mos publikoj a emrat e femrave në familjet e tyre.
Po si iu referove atyre?
Si, gruaja e filan fistekut dhe si bija e filan fistekut. Brezi i kaluar, nëna ime kishte vepruar njëjtë. Në listën e adresave të saj nga vitet gjashtëdhjetë shkruante "Zonja Richard W. Power".
Duke pasur parasysh traditën e gruas që nuk duhej përmendur emri, nëntë mijë emrat e femrave që i kishte gjetur sheiku me siguri se ishin një pjesë e rëndësishme e dijetareve islame gjatë historisë.
A e dini kur përnjëmend dijetarët islamë nisën të flisnin kundër femrave?, më ka pyetur sheiku. Kur ata nisën ta studionin filozofinë. Aristoteli, burri që thoshte me ngulm se nënshtrimi i femrave është punë e natyrshme dhe domosdoshmëri shoqërore, ndikoi në dijetarët më të mëdhenj myslimanë që kishin formësuar fikhun, teorinë e të drejtës islame, ka argumentuar Akram.
Para se Aristoteli të bëhej bërthama e tekstit, dhe para se dijetarët e Mesjetës të flisnin më shumë për rolin e grave në të drejtën fetare, burrat dhe gratë ishin larg më të barabarta sipas lirive islame.



Carla Power*
What the Koran really says about women?
http://www.telegraph.co.uklBy Carla Power,
Saturday 6 November 2015.

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.