Ndikimi i Kuranit nė jetėn kulturore te shqiptarėt (1)

Kurani nuk është vetëm kod feje, por është fjalë e Zotit, burim i parë i teologjisë dhe i drejtësisë islame, këshilltar në jetën praktike, është mrekulli (muxhize), që i përket Muhamedit a.s.

Mrekullia e tij është e përjetshme dhe absolute, gjuha dhe stili i tij dëshmojnë qartë se kemi të bëjmë me një shpallje qiellore, e cila çdo ditë e më tepër vjen duke siguruar themelet e shëndosha të fesë, të moralit, përparimit, edukimit, shoqërisë dhe të kuptimit të gjithëmbarshëm të jetës sonë.
Mësimet dhe urdhrat e Kuranit kanë ushtruar ndikimet e veta pozitive në kulturën dhe qytetërimin shqiptar, në unitet dhe në bashkëveprim me ndikimet e tjera. Trojet tona vazhdimisht kanë qenë zona të sferës multikulturore, ku edhe shpeshherë janë përplasur perandori e shtete të ndryshme.
Shqiptarët krijuan trashëgimi shumë të pasur shpirtërore dhe materiale të fesë islame përgjatë shekujve të kaluar, e kjo rezulton në një pasuri të madhe kombëtare, ku janë materializuar besimi dhe përkushtimi te Zoti xh. sh., përpjekjet për t' u udhëhequr nga të gjitha virtytet e larta të Tij. Kjo trashëgimi te shqiptarët jo vetëm që është krijuar, por edhe është pasuruar e begatuar për t'ua përcjellë brezave e njëkohësisht ta mbrojnë nga çdo forcë destabilizuese e shkatërrimtare.
Trashëgimia kuranore manifeston vlerat e mëdha të fesë islame si për vetë myslimanët kudo në glob, ashtu edhe për myslimanët shqiptarë. Asnjëherë mësimet fetare nuk janë faktorë apo shkas që kanë shkaktuar prapambetje dhe veçim të shqiptarëve nga popujt tjerë të kontinentit evropianë. Përkundrazi, argumentet shpirtërore dhe materiale janë dëshmi e gjallë për ecjen e shqiptarëve drejt një qytetërimi mbarënjerëzor që eliminoi grindjet e konfliktet, nxiti mirëkuptimin, bashkëpunimin e vëllazërimin, që zhduku prapambetjen dhe ndihmoi zhvillimin e përparimin, që mbolli dijen dhe kulturën, në vend të padijes, që zëvendësoi errësirën me dritën, përçarjen me bashkimin, urrejtjen me dashurinë, varfërinë me begatinë etj.
Besimi islam historikisht dhe i argumentuar, si në vendet e origjinës dhe në vendet ku u shtri, kushtëzoi progres shoqëror në gjithë hapësirën prej Oqeanit Atlantik deri në Kinën e largët, prej Detit Kaspik, deri në Oqeanin Indian. Dhe Shqipëria nuk do të bënte përjashtim nga këto hapësira. Islami edhe në trojet shqiptare erdhi i bashkë shoqëruar me dije të konsiderueshme shkencore, aq më tepër në kohën e arritjes së tij në trojet tona. Kultura dhe qytetërimi islam në viset shqiptare vijnë si dëshmi të pakundërshtueshme shpirtërore e materiale të këtij progresi. Në kushtet e mungesës së një shteti të përqendruar shqiptar, e përçarjes mesjetare feudale në principata feude apo pashallëqe, ajo çka i bashkonte shqiptarët e copëtuar ishte gjuha dhe kultura. Me përhapjen e besimit islam në trojet shqiptare gjallon kultura islame e ndërtuar sipas parimeve e modeleve të vendeve të origjinës, kryesisht në përmbajtje, por në formë në përshtatje me traditën dhe mjedisin shqiptar. Me këto tipare kjo kulturë do t'i dallonte, do t'i specifikonte dhe do t'i identifikonte shqiptarët prej popujve të tjerë të Ballkanit dhe njëherazi, do t' i mbronte prej përthithjeve nga kulturat e tjera që vinin prej lindjes dhe perëndimit. Ky rol i kulturës islame i pikasur nga shumë studiues autoritarë botërorë nuk mund të kundërshtohet. Kjo kulturë është ngjizur fort në trungun e kulturës kombëtare në harmoni me kulturat e tjera homologe.(1)
Përmbajtja e kulturës së një populli nuk mund të kuptohet jashtë fesë ose feve që ai beson, jashtë ndikimeve të tyre në mënyrën e të menduarit, të veshjes dhe të sjelljes. Një nga sociologët më të shquar në fushën e sociologjisë së fesë, E. Durkheim ka shkruar: "Feja nuk është vetëm një sistem praktikash; është edhe një sistem idesh, synimi i të cilit është të shprehë botën. Lidhur mbi impaktin e fesë në jetën tonë të përditshme qartësohet edhe nga një studim interesant që është zhvilluar në Shqipëri ku shpjegohet se 34.53% e nxënësve (të dyja besimeve-mysliman dhe krishterë) frekuentojnë rregullisht institucionet fetare, kurse 40.04% e tyre frekuentojnë vetëm në ditë festash fetare, ndërkaq 16.12% e tyre rrallë, kurse vetëm 9.31% asnjëherë nuk vizitojnë objektet dhe institucionet fetare (xhamitë apo kishat).(2)

Myslimanët janë një umet

Ashtu siç shprehet rektori në International Balkan University - Shkup, Sinasi GUNDUZ, tipologjia e fetarisë etnocentrike vazhdon që në mesin e myslimanëve të gjejë edhe më tepër simpatizantë, kurse kjo për shoqërinë islame është edhe një problem serioz. Në fakt ky kuptim vazhdimisht po largohet nga themelet kryesore, si koncepti islam se njerëzit rrjedhin nga një rrënjë, se ata në esencë janë "një" dhe se "tek Allahu më i miri nga ju është ai që është më i devotshëm". Lënia mënjanë e së drejtës vëllazërore, e cila mbështetet në njësinë e besimit që Islami e ka themeluar midis myslimanëve dhe dhënia përparësi bashkimit në suaza të varësisë etnike, është një devijim i qartë nga doktrina islame se "Myslimanët janë një umet". Po ashtu, edhe një kuptim fetar që e nxjerrë në vijë të parë identitetin etnik, në të njëjtën kohë është edhe një mjet ndarës i bazuar në paragjykimet midis grupeve etnike. Kjo ndarje, ky dekompozim, me vete sjellë edhe sëmundjet që mbjellin farën e fitnes, ngatërresës midis myslimanëve, si racizmin, fanatizmin nacional dhe gjenetik.(3)
Në mesin e shumë opinioneve dhe qëndrimeve të tij për Kuranin në këtë kontekst mund të seleksionohet ky pohim i tij: "Kurani dhe çdo ajet i tij është burim i kulturës së lulëzimit jo vetëm i myslimanëve, kulturë e cila ka pjellë edhe kulturën Evropiane të sotme.(4)
"Në një kohë kur ishte shkatërruar rregulli i shoqërisë njerëzore, në një kohë kur vogëlia e mjerë po lëngonte dhe po shtypej ndër kthetrat e torturës barbare, në një kohë kur popujt dhe kombet luftoni mes tyre pa mëshirë, vetëm për plaçkë e gjak, në një kohë kur njerëzve nuk u njihej barazimi para drejtësisë, në një kohë kur në botë sundonte vetëm kaosi, (pyet çuditshëm Dibra), a nuk ishte Kurani i Madhnueshëm që thirri njerëzinë në "unitet" e në "barazim". A nuk ishte ky libër hyjnor që me normat e drejtësisë së naltë, përthekojë e mbështuell njerëzinë nën balancën e së drejtës, e kjo dritë e vetëtimtë-shpejtë e Kuranit, shkëlqeu në katër anët e botës, në një mënyrë nga e cila u çuditën të gjitha mendjet e larta të njerëzisë.(5)

Kurani zgjon ndjenjë të lartë te njeriu

Një definicion dhe një shtjellim mjaftë domethënës për vlerën, porosinë dhe synimet e Kuranit, e jep edhe doajeni dhe publicisti më i njohur i islamistikës, në gjithë trojet shqiptare, pas luftës së Dytë Botërore, haxhi Sherif ef. Ahmeti. Ai në shumë punime të tij, për Kuranin flet me epitetin më të lartë, e nga të cilat veçojmë: "Kurani me shprehjet e tij aq sa mund të kuptohet, zgjon ndjenjë të lartë te njeriu për lidhmëni të shumta mes tij dhe Zotit, mes tij dhe botës e cila e rrethon, jep sqarime për madhëri, mendjet kah ligjet dhe rregullat të cilat mbretërojnë në gjithësi, dhe të cilat zhvillohen dhe shfaqen vetëm sipas vullnetit të Tij.”(6)
Profeti i islamit, Muhamedi a.s., duke qenë se e dinte fare mirë se thirrja e tij kishte karakter global dhe gjithëpërfshirës, kornizoi qartë njërin prej elementëve më jetikë që mbajnë gjallë dhe nuk ia zbehin aspak ngjyrat dhe veçoritë kulturave dhe traditave të popujve pjesë e qytetërimeve të tjera joarabe. Pra, mesazhi i tij nuk erdhi aspak për të përjashtuar veçoritë dhe traditat e mira të kombeve dhe popujve të tjerë, por si mbështetës dhe plotësues i tyre.(7)
Islami vazhdimisht vihet nën shënjestër, duke iu paraqitur njerëzve si pengesë për lirinë, shkencën e për zhvillimin ekonomik. Në fakt, të fajësosh Islamin është punë me zarar, madje nuk është aspak e besueshme. Gjatë pjesës më të madhe të Mesjetës, qendrat e mëdha të qytetërimit dhe të zhvillimit nuk i gjeje, as mes kulturave të lashta të Lindjes së Largët, as në kulturat më të reja të Perëndimit, por në Botën Islame. Përfundimisht myslimanët shqiptarë janë të bindur, se Islami ka gjashtëqind vjet që u bën thirrje atyre të plotësojnë standardet e një mirëqenieje materiale dhe shpirtërore komforte. Ata duhet të jenë partizanë të nxitjes së të gjitha atyre reformave, që në thelb janë kërkesa islame. Ata duhet të heqin dorë urgjentisht nga fryma e izolimit, nënshtrimit, parazitizmit dhe nga fryma e të qenit të paaftë për të jetuar në një shoqëri të lirë dhe të hapur demokratike. Ata duhet medoemos të hedhin aksionet e tyre intelektuale në bursat ndërkombëtare të zhvillimeve dhe zhvillimeve të tepërta me karakter kulturor, ekonomik, social dhe politik.
Shumë intelektualë islamë e hoxhallarë të frymëzuar nga mësimet kuranore kontribuuan për fe e atdhe, duke mos i ndarë asnjëherë njërën nga tjetra. Sa për ilustrim përmendim hafëz Ali Ulqinakun ishte hoxhë, dhe dashurinë për atdhe e kanë shprehur kudo, jo vetëm duke u prirë çetave të luftëtarëve kundër sulmeve grabitqare sllave, por njëkohësisht kanë qenë përkrahës të diturisë në gjuhën shqipe dhe jo kundërshtarë të saj, si mundohet ta paraqes dikush. Hartimi i veprave të tilla si "Abetarja", "Fjalorët" apo "Mevludi" në gjuhën shqipe më së pari tregojnë një qëndrim të lartë të hafëz Ali Ulqinakut. Abetarja e tij kishte 15 fletë me 26 faqe, dhe është një dokument me shumë rëndësi për gjuhën shqipe, për historikun e shkrimit të saj dhe të përdorimit të saj në shkollë, për edukimin dhe arsimin e fëmijëve shqiptarë.(8)
Intelektualët islamë e hoxhallarët prej kohësh kanë punuar për të rinjohur traditën e kulturës shqiptare në trojet shqiptare. Kjo kulturë ka qenë shqiptare dhe lëvruesit e saj besimtarë e dijetarë të shquar dhe atdhetarë të flaktë. Ajo i përket kulturës sonë kombëtare, ndjek synime të qarta për edukimin dhe ngritjen arsimore dhe kulturore të shqiptarëve dhe posaçërisht të brezit të ri.


_______________
(1) Dr. Ramiz Zekaj, Kultura islame, e ngjizur fort në trungun e kulturës kombëtare, http://www.dritaislame.al/kultura islame e ngjizur fort në trungun e kulturës kombëtare/10/12/2011, qasur më 03.12.2015.
(2) Artan Fuga, Zyhdi Dervishi, Ndërmjet fshatit dhe qytetërimit global, f. 202 Dudaj, Tiranë, 2010.
(3) Sinasi GONDDZ, Fetaria etnocentrike, revista Shenja, 27/03/2014, Shkup.
(4) H. Ali Korça: "Shpjegimi i kuptimit të disa sureve të shkurtra të Kuranit të Shenjtë" Michigen 1996, fq. 1996
(5) Zani i Naltë, f. 500, nr. 4. Viti, 1933.
(6) H. Ismet Dibra, "A ka dyshim në qenien e Zotit", Titulli "Ç'është Kurani", Michigen, 1993,f. 2.
(7) Kreshnik Osmani, Standardet e Integrimit Evropian, janë kërkesa islame përpara se të jenë kushte për integrim f.2S, Forumi Mysliman i Shqipërisë, Kavajë shkurt 2008.
(8) Faik Luli- Islam Dizdari, hafëz Ali U1qinaku, Jeta dhe Vepra, Logos-A,200S,Shkup, f.40.



Rexhep Suma (PHDc)

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.