Mulla Eshref Sahatēiu (1864 -1951)

(Në përkujtim të alimëve tanë)

Kohë e vështirë, kohë mundimi, torturë, përndjekje maltretimi e persekutimi kaloi nëpër popullin tonë shqiptarë. Këto shtypje nga thundrat e armikut iu bën popullit tanë, vetëm që të mos ecin, të mos përparojnë, të mos edukohen, e të mos arsimohen, të humbasin kulturë e rrënjë. Falë Zotit që këtë popull e bëri të fortë dhe stoik, që i përballojë këtyre vuajtjeve. Dhe falë Zotit që nuk na la në humnerë pa njerëz të ditur, por patëm dijetarë, hoxhallarë që të na japin forcë dhe kurajë të madhe, dhe prej tyre në anën e Dukagjinit e patëm hoxhën, haxhi Eshref Fejzullah Sahatçiu.

Mulla Eshref Sahatçiu, i lindur ne qytetin e Pejës në vitin 1864.(1)

Mulla Eshrefi ishte i biri i mulla Fejzullah Sahatçiut, mulla Fejzullahu kishte titull Agë (agallar), ishin familje e pasur, që kishin pasur shumë pasuri në katundin Sferkë e Gashit, në këtë fshat kishte shumë serb dhe dikur ia konfiskoi shteti tokën e madhe që e kishin pas në pronësi.
Nëna e mulla Eshrefit ishte Qelebi Veliaga, bijë e Veliagve nga qyteti i Pejës. Hoxha Eshref mësimet e para i mori në Pejë (duhet të jetë te hoxha i "Bajrakli Xhamisë" -Xhamia e çarshisë, pasi kanë jetuar aty afër), pastaj mësimet e mëvonshme, shkoi për të studiuar në Stamboll (ku aty e kishte takuar babanë e Mehmet Akilit ku edhe ishin shoqëruar, me vonë është njoftuar me historinë e tyre). Pas përfundimit të studimeve në Stamboll kthehet në Pejë ku pas disa viteve kishte shkuar për specializim në Egjipt në Kajro në Universitetin e njohur Al Azhar.
Në Stamboll kishte qëndruar katër vjet, duke u dalluar si student i rrallë. Siç na rrëfejë vajza e tij z. Zeliha: "Që kur ka qenë në Stamboll i futke këmbët në legen-lavor me ujë për të mësuar, mos me kap gjumi edhe nganjëherë e futke sixhimin-konopin në qaf-fyt që mos të ul kokën duke mësuar se kur e ulke kokën e shtrëngoje sixhimi."(2)
Mbas përfundimit të studimeve në Kajro kthehet në Pejë, ku ka punuar si ligjërues në shkollat fetare dhe ligjëronte lëndën e gjuhës turke në atë kohë.
Pastaj pushteti i atëhershëm nuk e la shumë, ngase në atë kohë nuk kishte shumë hoxhallarë me fakultet, prandaj e kishin emëruar imam të shtetit, duke dërguar në fshatin Shushicë si myfti, se rrethi i Rakoshi (ka qenë komunë deri 1960)(3) dhe ka pas nevojë në atë kohë për hoxhë.
Mulla Eshref Sahatçiu ishte fetar dhe atdhetar i shquar, në Shushicë ishte i lidhur me Azem Bejtën, Shote Galicen(4) (atëherë i quanin komit, ishin të lidhur me komitën e Azem Bejtës)
Në Shushicë (edhe për fshatrat përreth) te hoxha ishin bërë martesat ndarjet edhe rastet e vdekjes, hoxha i kishte mbajtur librat për këto.
Rreth viteve 1928 shkon në Shushicë, por nuk qëndroi shumë kohë në Shushicë dhe kthehet në Pejë, ku në atë kohë Istogu i takonte KBI-së në Pejë, pranohet në rolin e myftiut dhe hatibit në qytet (ka mundësi të ketë qenë hatib i "Bajrakli Xhamisë" pasi edhe banonte afër). Më vonë istogasit e thërrasin për imam, sepse kishin nevojë për imam. Në Istog, nuk kishte shtëpi imami atëkohë, ndërsa vend konak i bënë familja fisnike, familja Rugova.(5) (Tash njihet familja e Ibrahim Rugovës). Tre vjet qëndroi hoxha te familja Rugova, në fshatin Cerrcë, nga viti 1944 -45, stinë e verës. Ajo kohë kur mulla Eshref Sahatçiu kishte shkuar te familja Rugova në Cerrcë, ishte kur pak më herët e kishin prerë-mbyt serbët babën dhe gjyshin e dr. Ibrahim Rugovës!
Familja Rugova njihej si familje nacionaliste në rrethin e Istogut, e vranë Rrustë Rugovën, e të birin Ukën brenda një dite (babai dhe gjyshi i dr. Ibrahim Rugovës). Miliç Kerrca iu kishte vu syrin kësaj familje ku dhe donte t' ia uzurponte tokën e tyre.
Këtu komunizmi u mundua të përdorë strategji. Pra, në kohën kur Istogu kishte mungesë të imamëve, duhej kërkuar imam nga qyteti fqinjë. Por, imamit që vinte nga jashtë duhej siguruar banesa, meqë xhamia nuk posedonte këtë. Istogasit patën fatin dhe kënaqësinë që imam për ta të zgjedhej mulla Eshref Sahatçiu. Pasi që Mulla Eshrefi erdhi në Istog, menjëherë e dërguan te familja Rugova, në fshatin Cerrcë. Imamin e vendosin në një shtëpi (aneks të ndarë), duke i thënë se ishte pronë shtetërore. Por, mulla Eshrefi gradualisht filloi ta kuptojë grackën e komunizmit, dhe u bë i afërt me familjen Rugova. Familja Rugova e respektuan, e nderuan pa masë, aq sa dikur filluan që hoxhën ta shikonin si të familjes, derisa dikur hoxha u largua nga aty dhe u vendos në një shtëpi afër xhamisë në Istog.
Në atë familje nuk qëndroi shumë, përafërsisht një vit ku më pas, disa nga qytetarët e Istogut e ftuan hoxhën Eshref që të shkojnë te familja e Sadik Rexhve, se në atë kohë kishin mbetur në atë shtëpi vetëm femra, 40 femra pa as një burrë në shtëpi. Burrat ishin larguar në malet e Istogut për t' u strehuar përkohësisht nga serbët. Se në atë kohë kishin pas disa "Kababanda" (grupe të shqiptarëve që i kanë vra serbët) e shteti kishte menduar (donte të mendonte) qe familja e Sadik Rexhve kishte pas dorë në to, edhe burrat e familjes ishin detyruar të largohen në malet e Istogut, për atë arsye disa qytetarë prej Istogut e ftuan hoxhën Eshref për të qenë dëshmitar mbrojtës për ta, pasi vjen hoxha në Istog del dëshmitar mbrojtës për familjen e Sadik Rexhve, se ata janë një familje e ndershme e urtë, punëtore edhe e mirë e nuk kanë pas dorë në ato grupe.
Pasi që kthehen burrat ne familje dhe në vatrat e tyre edhe hoxha shkon të jetoi në shtëpinë e tyre edhe aty qëndron afër dy vjet, ky qëndrim i hoxhës Eshref te familja e Sadik Rexhve bëhet me insistimin e tyre.
Edhe pse u mundua hoxha t’ju ndihmojë kësaj familje, zullumi nuk iu nda kurrë derisa u detyruan të shpërngulën për në Turqi, pastaj kanë kaluar në Belgjikë, por pas vitit 2000, shumë prej tyre janë rikthyer dhe kanë bërë vend edhe në Kosovë si në Istog, Banjë etj. Më pas, hoxhës iu gjet një shtëpi afër xhamisë, për të jetuar aty, edhe aty jetoi deri sa vdiq.
Hoxha Eshref, ka qenë katër herë në Qabenë e bekuar, udhëtimi kishte zgjatur tre muaj për të shkuar deri në Qabe. Prej Pejës deri në Turqi kishin shkuar me autobus, kurse nga Turqia deri në Mekë kishin shkuar me deve. Në Qabe kishin qëndruar gjashtë muaj, pastaj edhe tre muaj derisa ishin kthyer që krejt një vjet kishte zgjatur ky udhëtim.(6)
Hoxha Eshref Sahatçiu për ndryshe njihet edhe si "Haxhi Eshrefi", ishte aktivist edhe në Gjimnazin e Istogut me propozimin e drejtorit Abdurrahim Gashi.(7)
Mulla Eshref Sahatçiu ishte martuar në moshën 40 vjeçare me Hysnigjyl Pilingjurka e moshës 18 vjeçare dhe kishte 10 fëmijë:
-Pesë fëmijët e parë kanë vdekur sa ishin të vegjël, ndërsa të mbijetuarit janë
6. Serbez 7. Lytfije 8. Zeliha 9.Fetihu 10. Muhamed.(8) Mulla Eshref Sahatçiu vdiq në Istog në vitin 1951, duke lënë pas vetes familjen dhe xhematin.
Lusim Allahun e Plotfuqishëm që ta shpërblejë me Xhenet!


_____________________
(1) Zeliha Sahatçiu-Ramizi : Vajza e hoxhës 87 vjecare. Intervistoi Ylli Bala nipi i saj në shtëpinë e saj me datë 15.03.2015.
(2) Po aty.
(3) Sadri Kabashi, ish kryetar komune në Istog, me linje telefonike kemi komunikuar për këtë.
(4) Nga arkivi i administratës së komunës në Istog. Me lejen e drejtoreshës së administratës kam shkuar dhe i kam skanuar disa faqe nga librat e vjetra (librat fetare Islame).
(5) Binak Rugova me datë 2015 në Istog.
(6) Zeliha Sahatçiu-Ramizi : Vajza e hoxhës 87 vjeçare. Intervistoi Ylli Bala nipi i saj në shtëpinë e saj. me datë 15.03.2015.
(7) Abdurrahim Gashi, ish drejtori i Gjimnazit të Istogut. me 20.05.2015.
(8) Zeliha Sahatçiu-Ramizi: Vajza e hoxhës 87 vjeçare. Intervistoi Ylli Bala nipi i saj në shtëpinë e saj me datë 15.03.2015.



Vehbi Shatri

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.